KËRKESA E PËRGJEGJËSISË PËR THAÇIN, MUSTAFËN, KURTIN, E DOMOSDOSHME

0
611
Albini - Hashimi - Isa

IDRIZ ZEQIRAJ

Është mbushur kupa e mëkateve e binomit Thaçi-Mustafa. Së fundi, edhe Kurti e huqi, e djallosi keqas, me foshnjërinë menaxhuese të një fitoreje meritore. Hashimi ishte mëkatosur, tepërueshëm, ende pa u bërë president. Dhe, assesi nuk përmbushte as minimalen e normës, për t`u bërë i pari i vendit. Megjithatë, ia arriti këtij misioni, që dukej, tërësisht, i pamundur. Pazaret e pista Isa-Hashim, duke i ngulur thikën prapa shpine LDK-së, e bënë Hashimin president! E, megjithatë, Isa kokërrosh e në ballë të LDK-së. E tmerrshme! Ja, ku është katandisur Partia e Presidentit Rugova?!

1) Pse është akute përgjgegjësia, deri në shkarkim, e Hashimit president?

Së pari, ai asnjëherë nuk ka qenë faktor uniteti të popullit, si kusht i parë, për t’u ulur në karrikën e presidentit;
u thirrë se është udhëheqës i UÇK-së për luftë e çlirim. Në të kundërtën, rezultoi se ishte drejtues i bandave vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Rrjedhimisht, është sabotuesi numër një i luftës për çlirim. Dhe, faktikisht, pamundësoi rezistencën e organizuar luftarake kundër pushtuesit, deri në dështim të luftës.

Hashim presidenti është i akuzuari i parë vendor e ndërkombëtar, për krime lufte. Premtoi se do të ngrisë padi për shpifje kundër Dick Martit. Nuk guxoi ta bëjë atë, sepse, nëse transplanti i organeve nuk ishte i besueshëm, akuzat tjera për krime ndaj bashkëkombasëve ishin faktike, sepse varret numerike janë dëshmi, që nuk demantohen dot. Hashim presidenti është i shantazhuar i shumëfishtë: nga ndërkombëtarët, Serbia, bashkëpunëtorët e tij dhe familjet e viktimave.

Duke qenë në cilësinë e kryeministrit e, më vonë, të presidentit të vendit, ka aprovuar të gjitha marrëveshjet e dëmshme, të propozuara nga Serbia, përfshi këtu edhe korrigjimin e kufinjëve me Serbinë, përkatësisht, ndarjen e Kosovës. Së fundi, ka shtuar edhe kompromisin e dhimbshëm – zhbërjen e Gjykatës Speciale, faljen e krimeve dhe të kriminelëve të ndërsjelltë, përfshi edhe vehtën e tij!

E gjithë kjo synohet të bëhet në këmbim të paprekshmërisë së tij peresonale e grupore, të lirisë individuale e grupore, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, për krimet makabre të luftës dhe pas saj, me sadizmin, për t`ia pasur zili edhe ideologjitë, sistemet e egra fashiste dhe komuniste.

Për këto qëllime të errëta, është bashkuar PAN-i, sepse aleatët përbërës të tij i bashkon krimi. Kjo shpjegohet me heshtjen e Haradinaj dhe Limaj, sepse kanë besim në dallaveret, intrigat, konspiracionet kriminale të Hashim presidentit, nga të cilat presin shpëtim edhe ata.

Populli i Kosovës asnjëherë nuk ka besuar në drejtësinë e deritashme, qoftë vendore apo ndërkombëtare, sepse gjykimet e tyre kanë qenë të blera dhe politike. Për qëllime pafajësie, janë dhënë milionat, nga paratë e popullit, në rrugë zyrtare, vullnetare, por, më shumë të dhunshme, nëpërmjet haraçit të përgjakshëm.

Shqiptarët, përtej dekadës, jetojnë me ankthin e frikës të ligjshme, për matrapazllëqet e frikshme, që Hashim presidenti vazhdon të bëjë në kurriz të popullit të Kosovës. Andaj, shkarkimi i tij, duhet bërë, madje, pa pritur ndonjë gjëmë më të madhe që mund t`ia bëjë vendit.

2) Pse duhet kërkuar përgjegjësi nga kreu i LDK-së Isa Mustafa?

Betimi në fëmijtë e tij i ish-presidentit Fatmir Sejdiu se “Isa Mustafa është pjellë e SHIK-ut”, sa vjen e bëhet më lëndore, më i besueshëm. Katapultimin e tij në krye të LDK-së, pa qenë kurrë anëtar i saj, shënon dyshimin e parë, ndërkohë që LDK-ja kishte armatën e kuadrove të saj, të sprovuar në përballjen me pushtetin represiv të Millosheviçit dhe të hafijeve të tij brenda LPK-së, të mbështetur edhe nga social-komunistët e Tiranës zyrtare.

Isa Mustafa treshëgoi një klan nga paraardhësi i tij. Me përvojen moniste që kishte, u kujdes për ta konsoliduar, deri në robotizëm, për ta bërë pronë të tij. Së fundi, e ka begatuar klanin, duke sjellur militantë klanorë të rinj, në këmbim të shpërblimit të shpejtë me poste. Këta, të joshur nga privilegjet, harruan idealet reformiste, madje, zellshëm i luftojnë bashkëmendimtarët e tyre të djeshëm, me një kundërvënie të porositur, gjithnjë në shërbim, qorrazi, të kryetarit Mustafa.

Pa përsëritur “të bëmat” e Isa Mustafës, të cilat, tashmë, janë thënë e stërthënë, ai, që nga kontrabandimi në krye të LDK-së, i aprovoi, përkrahu të gjitha nismat e Hashim kryeministrit, më vonë, të Hashim presidentit, të cilat, pamëdyshje, ishin fatale për Kosovën dhe popullin e saj, madje, deri të bërja e tij president!

Isa Mustafa ka abuzuar me postin e kryetarit, i mbështetur nga klani i tij, për përfitime reciproke, përkatësisht, mbajtjen e posteve partiake, duke shmangur provimin me votën e fshehtë demokratike. Rrjedhimisht, duke bërë edhe ndryshime statutare, përfshi edhe nenin 50+1, për t`u bërë kandidat për kryetar, i cili është i turpshëm dhe kriminal. Më tej, dëgjeneroi të gjithë procesin zgjedhor partiak, duke e bartur nga qendra në bazë, si: ndalimin e debatit, shmangien e konkurrencës së ndershme, heqjen e votimit të fshehtë demokratik dhe zëvendësimin me aklamacionin fiktiv.

Preferenca për koalicion, me PAN-in kriminal, në raport me WW-në, dëshmon për mungesë morali të Isa Mustafës me klanin e tij dhe lidhjen e drejtëpërdrejtë me krimin.

Intrigimet e fundit të kreut të LDK-së, në konspiracion të plotë me Hashimin, me role të ndara: Hashimi lufton Albinin, Isa Vjosën. Ndërkohë që, hipokrizisht, akuzon Vjosën se koordinon me Albinin, për mungesën në seancën e Qeverisë Hoti, më saktësisht, qeverinë Hashimi-Isa, ku mungoi edhe Albini i WW-së.

Presioni, shantazhi, deri në kërcënim me përjashtim nga LDK-ja të Vjosë Osmanit, Haxhi Avdylit, Fatmir Rexhepi nga Isa Mustafa, duke përdorur strukturat e partisë, është jo vetëm kriminale, por, edhe thellësisht rrugaçërore. Citojmë:..”uniteti dhe solidarizimi i brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste”, – hakërrohet i frustruari Isa Mustafa.

Strukturat e LDK-së, në vend që të distancohen nga Isa Mustafa dhe klani i tij, disa tellallë nga këto struktura, janë bërë logjistikë e kryetarit dhe rrethit të tij vicioz, duke mashtruar e gënjyer turpshëm se “në LDK-e lejohet e respektohet mendimi ndryshe, se kryetari i LDK-së është zgjedhur konform rregullave statutare nga Kuvendi i LDK-së dhe përrallisje tjera imaxhinare.

Ndërkohë, nga impulisime të tilla marroqe, Isa trimërohet dhe mbledh, në takimet e ndara, Kryesinë, kryetarët e komunave, Këshillin e Përgjithshëm, për ta shtuar numrin e lakejve kritikues e linçues të Vjosës me shokë. Kësaj praktike të ndyrë e kriminale, tipike të regjimeve rankoviçiane e millosheviçianeve, të diferncimit politik dhe dajakut praktik, ndaj qendesëtarëve shqiptarë, duhet dhënë fund. Isa Mustafa, me klanin e tij, kanë përgjgegjësinë faktike, për të gjithë katrahurën aktuale, sepse janë vënë, tërësisht, në shërbim të Hashimit. Aktivizimi i treshës famëkeqe Hashim-Isa-Skënder Hyseni, për rrëzimin e Qeverisë Kurti, duke u fshehur pas një shteti mik, për t`i hapur rrugë ndarjes të Kosovës, është një ogur i keq për shqiptarët.

Shërbimin e fundit që mund t`i bëjë Isa Mustafa LDK-së dhe Kosovës është “una gentile retirata” (një tërheqje e mençur), siç thoë italianët, njëherësh, duke marrë përgjegjësinë, për fajet në vijimësi në dëmtimn e LDK-së dhe të Kosovës, në kolaborim konspirativ me Hashim Thaçin.

3) Stop lidërshipit revanshist, vetëjak të Albin Kurtit!

Lideri i WW-së, Albin Kurti, me Lëvizjen Vetëvendosje të tij, për një dekadë e gjysmë radhazi, bëri një opozitë aktive, duke u konsideruar si e vetme në mbrojtje të Republikës. Duke e qenë e vetme, në misionin e shenjtë të mbrojtjes të Republikës, i është imponuar edhe vrazhdësia opozitare. Arriti të bëhet shpresa e popullit, natyrisht, në koalicion me LDK-në. Por, Albin Kurti, me vetëjakësinë tij egoiste, me prepotencën, mujëshinë unike, shpërfilli aktivistët e WW-së, shkeli mbi përpjekjet, mundimet, sakrificat e tyre, deri në përgjakje.

Rrjedhimisht, Kurti abuzoi me liderizmin e tij dhe zhgënjeu shumë, duke mos pyetur askënd për veprimet e tij të rrëmujshme, shpërfilljen e rregullave dhe marrëveshjen me partnerin e arsyeshëm, LDK-në, duke mos ditur ta menaxhojë fitoren meritore në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, për ta humbur atë në tavolinë. Andaj, përgjegjësia e Kurtit është domosdo, për ta disiplinuar atë, që të mësohet të punojë e vendosë, në dakordim me udhëheqjen kolegjiale. Pësimi lë të bëhet mësim.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.