KONSENSUESI PËR KRYESINË E LDK-së, NISMË E NDRYSHIMIT

0
299
Lidhja

IDRIZ ZEQIRAJ

Kemi denoncuar me kohë frikën e stisur, të shpikur për ndarjen e LDK-së si dhe qëllimin e autorëve klanorë, për projektin e Konsensuesit në Kuvendin e 9-të të LDK-së. Pasi dështuan në matematikat, për ta marrë kreun e partisë, u përqëndruan në Konsensuesin për vazhdimin e Isa Mustafës – kryetar. Dhe, kjo ishte përgaditja e infrastrukturës, për të mbetur klanorët rreth Isës, në kupolën e strukturave vendimmarrëse të LDK-së.

Konsensuesi Isa-kryetar, ka vënë në dilemë e vështirësi kuadrin fushatorë të LDK-së, mëqe ndryshimin e pritur, e pamundësoi Konsensuesi në fjalë. Për ta çarë këtë bllokadë, për ta lehtësuar fushatën, për ta motivuar anëtarësinë dhe elektoratin, në vite abstenues, të munguar në votim, duke u dhënë shpresën e ndryshimit, edhe pse kreu u riciklua, pa votë demokratike, kërkohet një – Konsensues – i dytë, për zgjedhjen e Kryesisë dhe të Kryesisë të ngushtë, përkatësisht, të nënkryetarëve, numri i të cilëve, është thënë, do të shtohet.

Çfarë Konsensuesi i duhet KP të së Premtës?

Ata që mund ta rrezikojnë ndarjen e LDK-së sot, aq më shumë nesër, janë klanorët e stazhionuar, ndër vite e dekada, në strukturat vendimmarrëse të partisë. Tashmë, ata e konsiderojnë vetën të plotëfuqishëm, të pazëvendësueshëm. Fatmirësisht, nënkryetarët e deritashëm të LDK-së, janë kryetarë të komunave. Andaj – Konsensuesi – vendimtar dhe krejt i pranueshëm nga anëtarësia, do të ishte heqja dorë, vullnetare, e nënkryetarëve aktualë të LDK-së, nga dy strukturat kryesore të LDK-së.

Në kompensim, LDK-ja do të mirrte angazhim mbështetjen serioze të tyre, në drejtimin e komunave përkatëse, deri në pensionimin e tyre, nëse ata do të vazhdojnë të jenë të suksesshëm. Fundja, Presidenti Rugova, nuk i kalaveshonte me poste kryetarët e komunave, sepse ata duhet të jenë në shërbim të popullit në komunë.

E kuptojmë pozicionin e vështirë të kryetarit Mustafa, në përzgjedhjen e Kryesisë dhe të Kryesisë të ngushtë. Por, vota e fshehtë lehtëson shumë dhe është më racionale, ka epërsi absolute, parësore, në raport me votën imponuese, tufëzuese, aklamatve e hiçe.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm (KP), të Premtën, më 23 gusht 2019, duhet t`i japë fund statusit ultra-monist, i bërë për qëllime karrieriste e klanore, që ka dëmtuar tej mase LDK-në, duke e bërë bisht të PDK-së. Ndryshimi i parë do të ishte zgjedhja e kryetarit – një anëtar, një votë, që përjashton mundësinë e ndarjes të LDK-së; heqja e kushtit monstrum për kandidim 50+1, i cili përjashton konkurrencën; kufizimi i mandatit të kryetarit; kufizimi i kompetencave të kryetarit; zbatimi i tri parimeve bazë të demokracisë: debati i gjerë, konkurrenca e ndershme dhe votim i fshehtë demokratik.

Krijimi i Institucionit të Përgjegjësisë, është sa i shëndetshëm, aq edhe i domosdoshëm, për mbarësinë e LDK-së. Istitucioni në fjalë do ta rriste përgjegjësinë e drejtuesëve dhe të kuadrove të tjerë të partisë. Ata do t`i shoqëronte minitorimi i gjithmonshëm, në veprimtaritë partiake e shtetërore, për të mos gabuar. Dhe, nëse tejkalonin gabimin në faj, ndëshkimi do të ishte i pa alternativë. Kështu, LDK-ja do të ishte e pastër kristal.

Melmesa e Kuvendit të 9-të, ka qenë tërheqja e akademik Sabri Hamitit nga Këshilli i Përgjithshëm. Kjo dorëheqje fisnike, u mirëprit dhe u duartrokit, sinqerisht, nga delegatët e Kuvendit. Uroj që ky shembull të pasohet nga kolegët e tij. Përndryshe, është detyrë e kryetarit dhe e idealistëve të LDK-së, t’ua kujtojë këtë kod moral, të gjithë atyre, të cilët kanë përmbushur misionin, në interes të partisë dhe të Kosovës.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.