KOSOVA – FRYMËZUESE POETIKE (V) – “AJO ASHT KOSOVA E BREGU I ULQINIT”

0
246
Bernadin Palaj

BERNARDIN PALAJ
1894-1947

Sinan Gashi Nga Sinan GASHI

Njeriu ynë i penës dhe i fjalës së mençur tha dhe evidencoi ato që ishin kaptinë e historisë sonë tragjiko-heroike, ngase kohët ishin të rënda, se ne kishim memecllëk, e mendimi thuhej vetëm poetikisht. Mu për këtë historia jonë ishte shpesh e letraizuar, kështu që letërsia jonë kishte ngjyrosje të fortë historike. Kjo, si duket, bëhej për dy arsye: që të ishte më tërheqëse për lexuesit dhe se poetët ishin qeniet më të ndieshme që u rrëmbyen nga historizmi rrethues.

I Shllakut të Shkodrës ishte Bernardin Palaj (1894-1949) poeti e intelektuali i ardhshëm, i cili dëshmoi për kthjelltësi mendjeje dhe fuqi inteligjencie që në shkollën fillore dhe atë të mesme, të cilat i kreu në Shkodër.

Njohuritë e veta i pasuroi në qytetin Insbruk të Austrisë, ku pas disa kohësh u laurua në dy lëmenj: në filozofi dhe në teologji. Diturinë e akumuluar në Evropë e “derdhi” në qytetin e mësimeve të hershme, përkatësisht në gjimnazin në zë “Illyricum” si mësimdhënës i dy gjuhëve të vjetra: të latinishtes dhe të greqishtes.

Nuk u ndal vetëm me këtë. Shkroi poezi të zjarrta atdhetarie, u mor me studimin e maleve shqiptare si dhe me studimet e mitologjisë, u mor me mbledhjen dhe botimin e folklorit, la dëshmi njohjen e muzikës dhe si instrumentist. Ishte pianist i talentuar. Nga veprat e tij do përmendur vëllimi me vlerë “Studime dhe tekste”, pastaj në serinë “Visaret e kombit” (1937) së bashku me Atë Donat Kurtin, përgatitën dhe botuan vëllimin “Kangë kreshnikësh dhe legjendash”, e po ashtu i është botuar një vëllim poetik më 1969, në ShBA dhe në Itali (Romë).

Duhet përmendur edhe një numër të lakmueshëm veprash të tjera letrare, si: “Prej burgut të jetës”, më 1933, “Valët e një shpirti” më 1934. Viti 1937 ishte më prodhimtari, ngase shohin dritën dy poema me vlerë letrare “Varreve të flamurit” dhe “Kuq e zi”. Një poemë tjetër “Ndërmjet Shën Gjergjave” e kishte shkruar në interval kohor nga 1938-1940, në të cilin vit daton edhe vepra e fundit e këtij lloji “Kah nata e vetme”.

Pas 1942-es Bernardin Palaj u mor vetëm me studimeve të miteve shqiptare, dokeve e zakoneve si dhe mbledhjen e sistemimin e materialit folklorik dhe kanë vlerën edhe të një gurthemeli studimor. Puna dy-trevjeçare, sa i mbeti deri në arrestim, kur edhe la trupin në burgun e Shkodrës, kurorëzoi publikimin e veprave: “Doke e kanu në Dukagjin” (1942-’43), “Mite besimi e legjenda” (1943), “Dioqezi i Pultit” (1943) dhe “Kanu i maleve” (1944).
Mendime të lakmueshme vlerësuese për këto vepra dhanë studiues të shquar të kalibrit botëror, si: “Agnija Desnickaja”, Norbert Jokli, Eqrem Çabej e të tjerë.

Fati i tij dhe i shumë bashkëmendimtarëve të tjerë ishte i rëndë. Ai u arrestua më 1946, ndërsa pas një torturimi të rëndë vdiq në burg nga sëmundja e sharrës (tetanosi), infektuar nga telat me gjemba. Sa i përket poezisë kushtuar Kosovës dhe fatit të tokave shqiptare mund të thuhet se la dy krijime të frymëzuara dhe mjaft domethënëse: “Kuq e zi”, botuar më 1927 dhe “Kosova e robënueme” më 1937.

Në poemën “Kuq e zi” Palaj shpreh shqetësimin për fatin e shqiptarëve pas vdekjes së Skënderbeut, kur trojet shqiptare ishin në rrezik të copëtoheshin nga sundimtari turk dhe nga shovinistët fqinj sllavë. Poeti njëherë ndihet keq, por sulmet e herëpashershme të shqiptarëve dhe rezistenca e tyre e bënë të jetë optimist jo vetëm në çastet e ndodhjes, por edhe për brezat:

Kur u lëshyen Lekët e malcis
Turr mbas Flamurit t’Shqypnis,
Tuj britë “Burra bini m’ta”.
Zjarm muer toka at herë Shqyptare,
N’Sul t’Janinës e n’at Kelmend;
N’Fush t’Kosovës e n’Urë Tramore,…

Përkufizimi i hartës etnike te ky poet është i qartë, ndaj për këto vende ndien krenari. Ai madje e plotëson mendimin poetik me fytyra të historisë, si Kastriotin, Lekën e të tjerë. Në poezi hetohet ndikimi I këngëve kreshnike, të cilat i mblodhi, i përpunoi dhe i boto: kishte frymën, ritmet dhe figurat e shprehëse të tyre. Po me urrejtjen e njëjtë ai ishte kundër armikut dhe atyre që copëtonin tokat shqiptare, atyre që bënë vrasje e manifestuan dhunë mbi ta.

Ah, për ju, kem n’flamur zi,
Moj Kosovë, moj Çamëri:
Me ju kombi sot derdhë lot!

Shprehet me tone dhembjeje, për ta forcuar besimin te “fatëbardha moj rini”, që janë për poetin “njomzë uzdajet për atdhe’, ngase kemi virtutet e shenjta dalluese kombëtare për t’u dalluar në botë, me histori të lashtë të “Fiz pellazg e iliro-trak”.

Edhe poezia tjetër “Kosova e robnueme”, që si duket ishe e shkruar po aso kohe a pak më vonë se e para, qanë fatin e trojeve shqioptare nën sundimtarët serbë, të cilat ai i sheh si Kosovë. Kosovë është për Bernardin Palajn edhe Ulqini, edhe Peja, edhe Shkupi, edhe Dibra, edhe Prizreni e Gucia. Se ekziston trimëria për çlirimin e trojeve dëshmon me hotjanin e madh Dedë Gjo Lulin, i cili “i nxuer Shqypnis autonomin/TUE I lanë Atdheut ma të madhen nderë”.

Tashti preokupimi është i njëjtë dhe qëllimit nuk i largohet as për pak kohë. Duke qenë përjetues i tragjikës kombëtare, dhembjen e thellë e mbulon herë me shpresën për të ardhmen e forcën e re të brezave, e herë vargun e thotë në formë këshille me ngjyrë kushtrimi. Ai e mendon mënyrën e daljes nga robëria, ashtu siç e shpreh në dy vargjet e fundit të poezisë në shqyrtim:

O të gjithë të lirë,
O të gjithë të mbuluem në nji vorr për’ i herë!

Atdhetarizmi i shprehur deri në fund të jetës së tij manifestohet me punën e pandërprerë profesionale dhe më gjerë, për ta pasuruar kombin e kulturën e tij me vlera të njëmendta dhe për ta bërë me zë para të tjerëve fuqinë e mendjes dhe traditat e lashta e pozitive që ka ky popull i hershëm.

Mbi të gjitha këto Bernardin Palaj çështjen e trojeve shqiptare e sheh drejt, e piketon ashtu siç ishte realiteti etnik, kurse në mënyrë të veçantë i këndon dhe e madhëron Kosovën e heroizmave të pandërprera gjatë shekujve, deri në ditët e vona. Fati i rëndë kishte bërë që ky vend të ketë më shumë heronj, dëshmorë e të rënë, sesa ka gjeneralë një ushtri e një shteti urtak e i përkrahur i viseve përreth nesh.

Në kësi rasti Palaj del njohës i mirë, përjcellës i zellshëm dhe përjetues i thellë i fatit tragjiko-heroik të popullit të vet si dhe i padrejtësive që i ishin bërë gjatë historisë.

KOSOVA E ROBNUEME

Urra! Djelmi! Për Atdhe për liri!
Ç’janë njato fusha andej kufinit,
Tanë veshë me blerim për bukuri?
Ajo asht Kosova e bregu i Ulqinit
Me Pejë e Shkup, Dibër, Prizren e Gusi.

Atje bjen dielli, as erret nata,
U buk e gjak po han Shqiptari i ngratë;
Pse në votër të tij Shkjau ruen me spata,
E shqip as Zotit nuk e len me ia than nji uratë.

Atje në Hot për të parën herë
Nji Ded’ Gjo” Lul’ mbëkambi Malsin,
I nxuer Shqipnis autonomin,
Tue i lanë Atdheut ma të madhen nderë.

Atje fshajnë po Hot e Grudë:
Fiset ma të para në tanë Shqipni
Qe ball për ball me shkja tue u gri
Atdheut të vet mburojë i kjenë në luftë.

Tanë ato troje i shklet Serbijani,
Ku qyqet kandojnë vorr në vorr kangë për mnerë,
Shqiptarë, ju të gjallët s keni shka bani,
O të gjithë të lirë,
O të gjithë të mbuluem në nji vorr për ‘i herë!

1927
Bernardin Palaj

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.