KRYQËZIMI I VJOSËS

0
279
Vjosa - Albini

IDRIZ ZEQIRAJ

Vjosë Osmani i fundoi mëdyshjet. LDK-ja, më saktë, lidërshipi klanor i saj, pamundësoi veprimtarinë politike, pas afro dy dekadash anëtare! Konkurrenca mujëshore e saj, për kreun e partisë, në raport me klanorët-xhuxhë inferiorë, i ka vënë në sikletë ata. Në vend që ta koordinojnë fushatën e mençur dhe ta projektojnë bashkëpunimin paszgjedhor me LVV, për ngritjen perspektive të LDK-së, ata kanë zgjedhur shënjestrimin e Vjosë Osmanit!

Ajo i ndeji besnik të gjitha vendimeve të strukturave të partisë! Kur lidërshipi i LDK-së, i shkeli vendimet e veta dhe parimet rugoviane. Ajo, duke qenë në cilësinë e Nënkryetarës të LDK-së, i mbrojti, madje, e vetme, duke i ditur, paraprakisht, edhe rrjedhojat. Pikërisht këtu qëndron edhe madhështia e Vjosë Osmanit dhe Rugovizmi i saj i palëkundur.

Rasti i Vjosë Osmanit dallon nga pararendësit e saj, të rebeluar nga sjelljet brutale të butakëve të LDK-së. Nuk është, thjeshtë, mbijetesa politike personale. Parësor mbi atë, është:

1) Premtimi i madh dhënë elektoratit të LDK-së dhe popullit të Kosovës, për çkapjen e shtetit nga bandat PAN-iste;
2) Shkëputja e LDK-së nga vargonjtë e shantazhimit skllavrues të PAN-it dhe të SHIK-ut të saj kriminal.

Dhe, cilido veprim ndryshe i saj, do të mbetej pengu i madh jetësor, për një luftëtare konseguente, parimore, vijimësi e frymimit rugovian në Panteonine Lavdisë, tashmë, të rralluar. Nëse kuptohet drejt ky mesazhi i madh i Vjosë Osmanit, atëherë, pendimi dhe turpërimi, për të gjitha anatemat paushalle, do të përmbyllej me kërkim-faljen e çiltër dhe ndërtimin e urës, për ecjen e përbashkët perspektive.

Vjosë Osmani, pas denoncimit dinjitoz, për paligjshmërinë e lidërshipit, Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, shumicës absolute të delegatëve të Kuvendit, si dhe strukturave tjera në Nëndegë dhe Degë në bazën e LDK-së, partia zgjodhi ta kalojë në heshtje alarmin SOS! As prova fiasko në procesin zgjedhor, në bastionin e LDK-së, në komunën e Podujevës, nuk e këndelli lidërshipin e saj, që thirret, falsifikueshëm, në enër të themeluesit Rugovë.

Pavarësisht sharjeve rrugaçërore, anatemave, kritikave paushalle, pa asnjë bazë reale, ndaj Vjosë Osmanit, ajo nuk kishte një alternativë të dytë, përveç koalicionit me fituesin e zgjedhjeve, LVV, për të mos lënë peng çkapjen e shtetit të Kosovës. Shpifjes tendencioze, kinse, shkrirje të Iniciativës të Vjosës dhe Donikë Gërvallës dhe të tjerëve në LVV, e krahasojmë – “me pamundësinë e shkrirjes të çelikut në diell!” – Guxo – është listë garuese, njëjtë si AKR me LDK.

Krahasimi për matjen e guximit të NISMA të Limaj, me Iniciativën GUXO të Vjosës, është i marrëzishëm. Realisht, NISMA u tradhtua me zvarritje nga partia amë, PDK. Dhe, u detyrua të garojë e vetme, gjithnjë, me pasigurinë shoqëruese, për pragun e nevojshëm. Ishte jashtë logjikës së trimërisë, po të provonte garimin ndaras. Sepse, përndryshim nga NISMA, Vjosës i mungonin strukturat, ishte e vonuar, madje, jo për fajin e saj. Pra, gjithçka është e qartë. Hamendjet e llafollogëve kopallagjinj, nuk arrijnë ose nuk duan të kuptojnë qëllimet e idealistëve fisnikë.

Qëllimi i Marrëveshjes Albini-Vjosa – Çkapja e shtetit

Në ditën e arritjes të Marrëveshjes për bashkëpunim të LVV dhe Iniciativsës GUXO, përkatësisht, Albini-Vjosa, panelët e analistëve të TV “Dukagjinit” dhe të T7, shpërfaqën urrejtjen dhe cinizmin e tyre, të porositur, ndaj Albin Kurtit dhe veçanërisht, Vjosë Osmanit. Dy televizionet e cituara, me shikueshmëri domëthënëse, zhgënjyen bollshëm shikuesit, me mungesën e seriozitetit. Disa analistë shpirtin dhe mendjen e kanë shitur ke djalli, tani, në prag-zgjedhjet qendrore. Nuk lënë të zezë pa shpifur, madje, si në kor, me përjashtime simbolike.

Qëllimshëm “harruan” të gjitha arsyet, që e shtynë Vjosën në sfidimin e imponuar, për hirë të një kauze enorme, siç është çkapja e shtetit nga bandat kapëse, për dy dekada radhazi. Shpërfaqën, tallshëm e turpshëm, të bindur ndaj shefave të tyre, do t`i vlerësojnë për shërbimin e bërë, madje, përfidshëm. Përndyshe, të qeshurat, deri në gajasje e përjargie të shfrenuar, neveriti si kurrë ndonjëherë. Edhe moderatorët dështuan të stoponin, sadopak, “zallamahinë” e krijuar asaj mbremjeje.

Analistët banalistë nuk pushuan së agjituari, zi e më zi, për dy intelektualët e kompletuar, më të votuarit në Shqiptari, Albin Kurti e Vjosë Osmani, si shpresë e besim, për ta çkapur shtetin e kapur nga mafia e stazhionuar në dekada.

Një program-sintezë, shkurt e trup, pa ujëra e hime (krune), për vënien në binarë të ekonomisë, drejtësisë, arsimit, shëndetësisë dhe gjithçka tjetër, çka i duhet një shteti të nëpërkëmbur, të zhvatur dhe të poshtëruar me fund, mohohej e përgojohej koturu, madje, pa e lexuar fare.

Ata i tundnin fletët e pakëta, të programit të hartuar, për qeverisjen mandatare, LVV-Iniciativa Vjosa, në stilin perëndimor e amerikan, fjalë-pak e punë-shumë, i cili nuk dallonte nga ai i përgaditur po nga Vjosa, në ekip me Lëvizjen, për qeverisjen e koalicionit LDK-LVV. Një skenë e turpshme, pothajse idioteske, e analistëve që, kinëse, analizonin!?

Përndryshe, për kryqëzimin e Vjosë Osmanit, nga disa analistë, nuk mund të thuhet si për ata të gozhdimit të Jezu Krishtit: “Fali, o Zot, se nuk dinë se çfarë bëjnë!” Përkundrazi, analistët tanë janë burra dhe djemë të shkolluar dhe gjithçka e bëjnë me vetëdije dhe llogari përfituese, mirë të menduara. Megjithatë, etika nuk duhet përtokur deri në këtë përmasë!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.