KURSIMI I PARASË PUBLIKE – PREMTIM I QEVERISË VV-LDK

0
294
Albin Kurti

Letër e hapur Albin Kurtit

Idriz ZeqirajIDRIZ ZEQIRAJ

Qeveria e koalicionit qeverisës VV-LDK, ende pa filluar fushata parazgjedhore, është delkaluar për të qenë koalicion i ndryshimit, i shpresës. Në mes shumë premtimeve, dhënë elektoratit, popullit, ka qenë edhe kursimi i parasë publike. Për festimet e përkujtimet të datimeve historike të përvitshme, në mes tyre edhe marsi i Prekazit, “Flaka e Janarit” dhe të tjera të kësaj natyre, Qeveria ndanë fonde enorme, krejt të pajustifikueshme dhe pa fije mbulese, që shprehen në shumë dhjetra mijëra euro.

Lufta e Kosovës numëron 400 masakra. Në Prekaz përkujtimi vazhdon tri ditë radhazi! Janë shumë dhjetra zyrtarë që braktisin zyrat dhe me vetura zyrtare sorollatën për homazhe të përsëritura, koncerte e mbremje zjarrndezëse! E gjithë kjo mund të reduktohet në një ditë të vetme, përfshirë mbledhjen komemorative përkatëse. Një këngë ose dy përkushtuese, do ta shmangnin tallavanë koncertale, hiç e zakonshme për gjëmat e mëdha.

Reduktimi i shpenzimeve enorme, të panevojshme, do të mjaftonin për ta rinovuar Kullën e Jasharajve, e cila edhe pas dy dekadave, ka mbetur si karakatinë, nga granatmi i forcave pushtuese serbo-sllave. Bërja e një muzeu, në hapësirat e Kullës, do ta pasqyronte historinë lavdiplote të Drenicës, të paktën, përgjatë shekullit 20-të, në kupolë të kësaj lavdie, pa mëdyshje, qëndron Heroi nacionalist, Komandant Shaban Polluzha.

Qeveria e koalicionit aktual, VV-LDK, duhet ta nismojë rishikimin e historisë më të re të Kosovës. Falsifikimi i saj grotesk, nga “komandantët”, për ta përvehtësuar luftën e bërë nga të tjerët, duke kopjuar filosllavin Enver Hoxha në Shqipëri, i cili luftën civile, qytetare vëlla-vrasëse, e konvertoi, falsifikueshëm, në luftë “çlirimtare”, ka dëmtuar skajshëm një pjesë të historisë së Kosovës.

Qasja serioze dhe objektive ndaj historisë, tashmë, duhet të jetë pjesë e ndryshimit. Ndarja e fitoreve të pakëta, nga humbjet numerike, duke mos i ngatërruar njëra me tjetrën, duhet bërë, për hirë të së vërtetës historike, qoftë ajo edhe e hidhur. Përndryshe, sot, po emitojmë serbët, të cilët festojnë Betejën e humbur të Kosovës, duke e konvertuar rrejshëm në “fitore”, shekuj më parë!

Ndarja e Ademit nga Hamza, krim i politikës së kuqe

Qeveria e koalicionit VV-LDK, duhet të ndërhyjë në korrigjimin e shtrëmbrimeve të qëllimshme të meritave të heronjëve. Ndarja e Vëllezëve Jashari, përkatësisht, të Hamzës nga Ademi, është krim i politikës së kuqe. Qëllimet errëtake të “komandantëve të Rognerit”, për t`i bërë vend e emër vetës, me tendencën për njëfarë kundërvënie, paradoksale e anakronike, të ushtarit luftëtar, në rastin konkret të Adem Jasharit, ndaj Presidentit plebishitar Ibrahim Rugova, që, në fakt, dështoi turpshëm dhe baltosi projektuesit, “komandantët” hileqarë e hiçër, tashmë, është e lexueshme për shqiptarët dhe më gjerë. Dihet mirëfilli se Adem Jashari nuk ka shkrepur asnjë pushkë, asnjë plumb më shumë se vëllai i tij, Hamëza. Ademi pa Hamzën nuk do të ishte ai që është sot. Atëherë, pse duhej ndarë e veçuar dy vëllezërit, luftëtarë të barazvlershëm?!?

Për këtë krim të politikës, kryesisht, të “komandantëve” pa ushtarë, të cilët nuk u bënë kurrë pjesë e luftës, përgjegjësi mbanë edhe Familja e nderuar Jashari, për heshtjen e saj, për padrejtësinë që i bëhet Hamzës, pas flijimit sublim. Familja e dinë mirëfilli se aksionet me armë, rezistencën karshi pushtuesit, deri në flijimin e tyre, e bënë së bashku. Asgjë nuk i ndau. Atëherë, pse duhej ndarë, pas vdekjes, në emërtime rrugësh, institucioneve e deri në buste e shtatore të bronzuara?!

Shtatorët e kryeçetanikëve të parë, krijues të grupeve të armatosura të para, përkatësisht, në Deçan, Drenicë e Llap, duhet të përfaqësoheshin në komunat e tyre nga: Sali Çekaj, Hamëz e Adem Jashari, Zahir Pajaziti. Korrigjimi duhet filluar nga shtatorja e Ademit në Skënderaj, t`i bashkangjitët edhe shtatorja e Hamzës, duke pasuar me emërtimet e pëbashkëta të Vëllezërve Jashari.

“Komandantët” e inkriminuar të Llapit, për “lavdinë luftarake” të tyre, nxituan ta ngrisin, kundërligjshëm e dhunshëm, shtatorën e Zahir Pajazitit në Prishtinë, ndërkohë që ajo e ka vendin në Podujevë, atje, prej nga vjen Zahiri. Ndërkohë, në Prishtinë do të duhej të ngritej një shtatore e përbashkët e kryeçetanikëve: Sali Çekaj, Hamëz e Adem Jashari, Zahir Pajaziti, me emërtesën – Sheshi i Kryeçetanikëve -.

Në Varrezat e Dëshmorëve është përzier gjithëfarë “ujemi”. Pjesëtarë të bandave të djeshme, të haraçit, dajakut e më shumë, janë strehuar dhunshëm, në parcellat varrezore, ku prehen edhe bijtë më të devotshëm, dëshmorë e heronj të popullit. Nivelizimi dëshmor e hero, tashmë, ka degraduar, pa përfillur asnjë kriter të meritueshmërisë. Ndërhyrja e tanishme është e vonuar dhe komplekse. Por, të paktën, rishkrimi i historisë, me objektivin shkencor, nuk guxon të kompromentohet. Falsifikimet groteske të bandës komuniste në Shqipëri, të kryesuar nga filosllavi Enver Hoxha, duhet të shëbejnë për të kundërtën në Kosovën tonë.

Shpërfillja e kritereve bazë, për lokacionet e ngritjes të shtatoreve, largësia, të paktën, prej 300 metrave nga njëra-tjera, ka ndodhur. Zënia e dhunshme e lokacioneve, në kundërshti me normat përcaktuese për memorialet; mos plotësimi i kritereve meritore; kapërcimet në komunat tjera, duke mos e pasur vendlindje, dhe duke mos e lidhur as lufta dhe as vdekja me atë zonë, komunë; emërtimet e rrugëve qendrore, duke tejkaluar meritorët faktikë, që nuk kanë asgjë, përveç varrit të ngritur nga familja. Kësaj anarkije bizare duhet dhënë fund, gjithnjë bazuar në kritere e kode ligjore të përcaktuara.

Ndryshimi dhe dalja nga amullia e krijuar nga”komandantët” mujëshorë, deri në rrugaçëri, duhet stopuar me arsyetim të bazuar:

E para, duhet t`i jipet fund falsifikimit marroç, si cilësimi “Epopeja e UÇK-së” në Prekaz. Dihet se në marsin e 1968, ende nuk ka ekzistuar kurrëfarë UÇK-je;

E dyta, në Prekaz ka ndodhur sulmi i forcave serbe kundër Familjes Jashari. Dhe, ajo ka qenë e vetme një rezistencë, qendresë dhe assesi e UÇK-ja, e cila ishte ende inekzistente, ngaqë në përballjen e armatosur, mungoi jo vetëm ushtria imagjinare, e proklamuar, odave e kafeneve të LPK-eistëve , madje, qysh para viteve `90-a, por edhe vetë çeta faktike e Hamëz dhe Adem Jasharit;

E treta, përgjatë atyre pak muajve luftë në Kosovë, nuk ka pasur asnjë “epope”. Për ata që nuk e dinë, duhet t`i referohen fjalorit, për t`i kuptuar termat “epope”, “legjendë”, “legjendar”, sepse përdorimi i tyre paushall, për dy dekada radhazi, është i gabuar, madje, i banalizuar, jashtë kontekstit kohor dhe hapësinor.

Hamëza dhe Ademi trimërinë e kishin të bollshme dhe nuk kanë nevojë për epitete, të shpikura dhe të shpifura, nga “komandantët” profanë, frikacakë dhe profiterë, që relativizojnë të vërtetën, duke i kthyer në legjendë, pra, në përrallë dhe “epope”, në lashtësinë e shtizave dhe të jataganëve. Një profanizëm, injorancë e tillë, nuk i nderon heronjtë faktikë, përkundrazi, i përrallëzon, duke i kthyer në hiç, nulitet, zero. Ruajna Zot nga injoranca!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.