LDK-ja ËSHTË PARTI SHTETFORMUESE APO PARTI SHTETRRËNUESE?! (4)

0
736

E publikuar në profilin e autorit në FB: https://www.facebook.com/

THIRRJA NR. 4

Të nderuar deputete dhe deputetë,
Kosova është në krizë, kurse qëndrimi juaj po manifestohet si tallje me Kosovën. Kriza nuk kalohet me inate e duke krijuar ngërç politik e vakum institucional. Por kjo po ndodhë prejse LDK-në po e udhëheq komunisti Isa Mustafa, i cili LDK-në nga një parti shtetformuese e ka shndërruar LDK-në në parti shtetrrënuese.

Kriza e thellë që ka kapluar LDK-në po bartet edhe në krizë shtetërore, kurse ju jeni shndërruar në marioneta të Isa Mustafës i cili ka për qëllim për ta shkatërruar partinë dhe Kosovën, vetëm e vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Humbja katastrofale e LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, e ka fundosur Isa Mustafën dhe klanin e tij, prandaj deputete dhe deputet nga radhët e LDK-së, mos e mashtroni më elektoratin se nënshtrimi juaj para Isa Mustafës, bëhet për ta ruajtur LDK-në dhe Kosovën?! Mos votimi juaj bëhet për ta mbrojtur Isa Mustafën, i cili si askush tjetër e ka shkatërruar demokracinë, prandaj edhe tani po sillet si një despot me LDK-në, me ju dhe me fatin e Kosovës.

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Isa Mustafa, është humbës serik, por asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësi. Ai do ta shkatërron LDK-në, kjo s’ka dyshim, se Isa Mustafa nuk iu qëndron besnik premtimeve publike kjo gjë tashmë dihet, prandaj edhe kësaj radhe Ju të zgjedhurat dhe të zgjedhurit e popullit, do të jeni vetëm një letër e djegur për interesa të Isa Mustafës.

Është ky Isa Mustafa që bëri koalicion me PDK-në, e zgjodhi Kadri Veselin, kryetar të kuvendit, kurse Hashim Thaçin e bëri President të Kosovës, tash për çfarë morali flitet?!…

As kryetari i LDK-së Isa Mustafa, as prijësi i listës Abdullah Hoti, dhe asnjëri nga ju nuk keni bashkëpunuar dhe as nuk keni kërkuar që në Listën e LDK-së, të përfshihet elita politike dhe intelektuale, sidomos disa nga veteranët e LDK-së. Ju nuk e deshët as diasporën dhe madje asnjëri nga ju nuk jeni distancuar, qoftë me një deklaratë publike, nga veprimet antidemokratike të Isa Mustafës.

Ju e dini se qeveria e Isa Mustafës, bashkë me ministrin Abdullah Hoti, ua fali disa qindra miliona borxhlinjve, por nuk u kujtuan ta rikthejnë Huan Popullore të cilën dikur e pat vjelë Isa Mustafa nëpër diasporë, as nuk më ka rënë të dëgjojë nga deputetet e legjislacionit të kaluar që keni ngritur në diskutim edhe çështjen e votimit të diasporës të cilën ju e keni përjashtuar nga proceset politike.

Ju nuk keni reaguar dhe as nuk jeni distancuar nga arnimi i partisë me njerëz që nuk kanë asnjë meritë për LDK-në, por jeni përqafuar e puthitur tribunave me shkatërruesit e Degëve të LDK-së në Diasporë, dhe me parashutistët e Kolegjit NOVIINVEST, duke e zbukuruar veten me sloganin se jeni “Brezi i Republikës”, pa menduar se dikush nga ju ishte këshilltar i kryetarit paraprak të LDK-së, atëherë kur Ai e largoi dhe përjashtoi elitën intelektuale të LDK-së, por brenda ditës iu lëpitë edhe Isa Mustafës, dhe bashkë me të e keni përjashtuat nga të gjitha proceset politike diasporën.

Tashmë kanë dalë në pah edhe qëllimet e “Brezit të Republikës”, të cilët lëshojnë deklarata sporadike se gjoja qenkan kundër Isa Mustafës, por esencialisht duket se paskan pasur qëllim, mashtrimin sa për të marrë vota, sa për tu bërë deputete e deputet. S’ka dyshim, ky Brezi i Republikës do të vazhdojë shkatërrimin e LDK-së, aty ku e lanë dy kryetaret e gjertanishëm të LDK-së, të cilët e kanë sjellë partinë në këtë gjendje.

Tani “Brezi i Republikës” është shndërruar në levë të konceptit komunist të Isa Mustafës, andaj nuk po bëzëjnë, se qenkan në pritje të posteve shtetërore e ministrore, duke e shndërruar LDK-në nga një parti Shtet-Formuese në një parti Shtet-Rrënuese.

As ju, por as Isa Mustafa nuk ishi në gjendje për t’ia shtrirë dorën elitës intelektuale dhe as diasporës, por me demagogjitë tuaja kërkuat votën e qytetarëve, vetëm e vetëm për ta ruajtur e shpëtuar Isa Mustafën, i cili edhe pas këtyre humbjeve serike nuk merr asnjë përgjegjësi. Tani ai nuk dëshiron t’i ndërtojë institucionet e Kosovës, që po i bie se ju jeni brezi i Shtet-Rrënimit institucional të Kosovës, i luftës antiamerikane dhe jeni shndërruar në mumje kundër proceseve integruese në Bashkimin Evropian. Kjo po i bien se ju jeni edhe kundër funksionalizimit të Gjykatës Speciale, kundër demarkacionit dhe kundër zhvillimit politik e ekonomik të vendit. Në vend se ju ta detyroni Isa Mustafën të jap dorëheqje, ju jeni shndërruar në marionetë të tij dhe të koncepteve antidemokratike, për ta mbrojtur një politikan të dështuar.

Të nderuar deputete dhe deputet të LDK-së,
ju jeni fajtor pse fatin e Kosovës po e leni në duart e Listës Serbe, dhe ju jeni fajtor pse po ia zgjatni jetën politike Isa Mustafës, humbësit ma të madh në historinë e Kosovës, dhe shkatërruesit të LDK-së. Andaj nuk keni nevojë të bëni koalicion me PAN-in, por duhet të votoni për kryeministër të cilin vota e qytetarëve ua ka përcaktuar. Kundërshtimi që ju po iu bëni proceseve nuk ka të bëjë me moralin politik dhe as me patriotizëm, por ka të bëjë me logjikën e Shtet-Rrënimit të cilën juve ua ka imponuar komunisti Isa Mustafa, humbësi i serishëm i zgjedhjeve në LDK-së, dhe përfaqësuesi tipik i ndikimit serb dhe atij rus në Kosovë.

Isa Mustafa, nuk e ka dashtë ndihmën e Degëve të LDK-së në diasporë, as të elitës intelektuale dhe asaj akademike. Por frika e përgjegjësisë penale atë e çmendi, prandaj po manipulon edhe me juve. Kosova do të miratojë ligje të mira dhe do të zbaton norma të modelit kroat, ku kryeministri i atij vendi, bashkë me një listë të gjatë të zyrtarëve politik, janë dënuar dhe iu ka konfiskuar pasuria, prandaj distancohuni nga ata që i kanë lëndët në prokurori, sepse përpjekjet për t’i mbrojtur kriminelet dhe sidomos për ti marrë mbi supe përgjegjësit e shkatërrimit të LDK-së, është vepër penale dhe e denueshme.

Deputete dhe deputet të LDK-së,
votimi juaj nuk duhet të kalkulohet, por ju duhet të vendosni për formimin e institucioneve zyrtare të shtetësisë, të kërkoni miratimin e ligjeve që ndjekin penalisht të korruptuarit dhe kriminelët, si dhe detyrojeni Isa Mustafën të jap dorëheqje nga partia, bashkë me kryesin e LDK-së, në mënyrë që t’iu hapni udhë reformave të brendshme në parti.

Gjithsesi ju duhet ta kushtëzoni Isa Mustafën për të dhënë dorëheqje, kurse kryesisë së LDK-së t’ia impononi ta bëjë një ekip për reforma të cilit duhet ti prijë prof. dr. Rexhep Gjergji, i cili është njëri nga themeluesit e LDK-së. Vetëm ai mund të përfaqësojë vazhdimësinë e traditës në LDK.

Prof. dr. Rexhep Gjergji, ka qenë për vite sekretar organizativ, dhe ka punuar me degët e LDK-së në vite ma të vështira. Vetëm ai mundet me e lidhur diasporën me Kosovën dhe me LDK-në. Prandaj deputete dhe deputet të LDK-së, mos krijoni ngërç politik. Mos krijoni vakum institucional. Bëhuni pragmatik në veprimet e juaja, sepse nëse edhe më tutje i mbeteni besnik Isa Mustafës, ju po dëshmoheni se nuk jeni “Brezi i Republikës”, por jeni gjenerata e shkatërrimit të demokracisë së brendshme, prandaj do t’u mallkoj historia, edhe për dëmin kolosal që ia keni sjell LDK-së por edhe Kosovës.

Ju bëjë thirrje publike se Ju nuk duhet të bëheni marionetë e Isa Mustafës, dhe nuk keni nevojë për ta kontrabanduar mandatin e deputetit. E nëse e mbroni Isa Mustafën dhe qëndrimet e tij, ju do ta tradhtoni LDK-në dhe idealin e popullit që ju ka votuar.

Të nderuar Deputete dhe Deputetë,
ju duhet haptas të mbroni pikëpamjen tuaj rugoviane, duke ia bërë me dije kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, se atij i ka ardhur fundi, andaj ai nuk mund të manipulojë edhe më tutje as me juve, dhe as nuk mund të bëjë çfarë të dojë as me LDK-në, e aq më pak me Kosovën!

Është rast historik për ta zgjidhur ngërçin politik dhe për ta dërguar menjëherë Isa Mustafën në shtëpi, për t’iu hapë udhë reformave në LDK, andaj votojen kryeministrin se iu hapni udhë reformave të brendshme në LDK.

Kosova sot është në duart tuaja, ashtu sikurse vota e juaj që është fati i Kosovës, prandaj votoni për Shtet-Ndërtim por jo për Shtet-Rrënim!

Zvicër, 17 korrik 2017
Shefqet Dibrani,
veprimtar i LDK-së që nga themelimi, autor dhe analist i zhvillimeve politike në LDK.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.