Letër e Çun Lajçit për bijën Bubulina

0
2196

Letrat e fillimit Bubë për Ty

Tani kur unë i lidhun me rripin e sigurimit, fluturoj qiellit mbushun mjegulla, e kur ti si engjull i bardhë fle e mbulueme me mija lopata dhé, po e zbrazi vajin mbi letër e po rrëfehem para zemrës sime, n’mungesën tande Bubulinë.

Tani, kur Ti ma s’i lexon letrat e poezitë e mia, tani po rrëfehem përgjithçka që ti s’e ke dijtë e që unë, për mos me lendua shpirtin tand, kurrë s’të tregova, sepse si babë i mirë, deshta me krijua imazhin e njeriut t’fortë në kujtesën e vajzës vet, të njeriut bujar e “t’pasun” me centa n’xhep, e atdhetar t’paepun (që fatkeqësisht hijenat e këtij Atdheu ia shktrruan fëmijtë e vet).

Tani po filloj nga dy ditët e fundit të jetës sate, kur të nxorra nga spitali e t’buzëqeshun të lash n’dhomën tande ku ti i kalove plot 30 vjet.

T’përqafova n’orën pesë t’mengjesit të Nandorit të ditës së 18-të e të thashë: po nisna m’u kthye me xhepa plot e rrugë me ba me Ty drejt nji shprese tjetër, mbase të fundit, se të gjitha udhëtimet që i patëm, na dolen shterpe e gjithmonë u desht t’ia nisim nga e para.
Me prit të thashë tue buzëqeshë, se rruga kësaj rradhe m’asht vërtetë e gjatë, e kur e more vesh m’the: uhaaaaa… babi…deri n’Australi po shkon… larg babiiii … larg!
Dhe ika me dy çanta libra.

Mora djersën time të pesë viteve grumbullua n’kopertinat e “Përftimit tim n’andrra t’thyeme” e mora rrugë drejt Nju-Jorkut, gadi si n’kangën
“Mora rrugë për Qabé”

Tash që po rrëfehem, s’lendohet shpirti yt ma, se e mbulueme je me dheun e Bjeshkëve të Nemuna atje n’Drelaj e nana Galë kurrë ma s’ka me m’thanë: mos bre burrë, mos shkruej për Bubën se veç shpirti i saj e din çka po hjekë, e mund t’lendohet se asht e re.
Tani as Learti s’ka me m’e m’ thanë gja, e t’i s’ke m’u idhnua kurrë ma, kur unë të rrëfehem për dhimtë e mia e mallin për Ty.

T’lash me përqafimet e mia të fundit, e ti sikur ta dije se po ikë, s’më lëshoje përqafimit, e unë po ngutesha për rrugën që do t’me thehej dhe për mos me t’lendua t’thashë: Bubë ma jep nji numër Taxishë. Ti m’i diktove tre numra telefoni, e unë me tri çanta n’krah ika nga dhoma jote, për mos me t’gjetë Ty kurrë ma.

Bubulina Lajçi me shoqe

U nisa me shpresën e fundit ( e ty s’ta kisha thanë ) me e shitë mallin tim derdhur n’vargje. Lotin e vujtjet tua njizetëvjeçe mbyllun n’kopërtinat e librit “Përftim n’andrra t’thyeme” për t’mbledhë pak para, se dojsha edhe njiherë fatin me provua n’Ashkelon, të dr. Waismanni, sigurisht për t’fundit herë ( e ty s’ta thashë ) se s’dojsha me t’lendua në rast deshtimi t’misionit tim.

Librat ndoshta s’m’i blenë kush, thojsha, e lek s’mund fitoj e Buba ka m’u deshpërua, andaj ika i heshtun e ty t’venitun t’lash n’shtrat.

Bubë!
Unë për Ty shumë kujt ndihmen ia kërkova e ty s’ta thash, se babën e fortë e t’pasun e luejta n’skenën e syve tu engjullorë.
Trefish jetë jetova për Ty.
Artist i pasun me centa n’xhep,
Poet i vargut të vonuem për bijën që po venitej,
E prind i fortë që kërkonte shpresën e fundit për Yllin e vet.

Shumë miqë e kuptuen zemrën tande t’bardhë e dorën t’a zgjatën, por jo edhe n’çastin vendimtar.
E vetmja gurrë që piku e kurrë s’na la t’eçtuem, ishte ajo të cilën e dinim vetem unë e ti:
Gurra pikë-pikë Remzi Ejupi!

Por, ai që m’premtoi me provua edhe fatin e fundit, u mbyll n’pasuninë e vet e ty n’mshirën e engjujve t’la.
Për këte edhe ty t’tregova, në çastet tona të deshpërimit!

Por Ti kurrë s’deshte me besua se babën s’e ke t’fortë, e unë i djegun mallit prap t’pasunin e luejta n’synin tand Yll, e forcën e mora n’shpirtin tand që kurrë s’dorëzohej dhe u shkrina n’varg. T’kisha frymëzim e burim jete dhe gjithçka isha e ishe për mu’.

Mora librat, pasuninë time të vetme, dhe u nisa drejt shpresës së fundit: Amerikë-Australi!
I shes, thash, e lek fitoj, e Ty t’nisi edhe njiherë drejt shpetimit, e mëshirë ma s’kërkoj!

Por jo.
Rruga kësaj rradhe m’u thye n’gjysë, në Nju-Jork, ende n’Melburn pa shkua, gadi si n’atë poezinë e atij poetit, që gomari i i kishte cofë pa mbrri n’Kaçanik!

U shtrina m’e pushua shpirtin nga rrugë e largët të tezja Sheke, dhe kur telefoni me zgjoi unë n’andërr po flisja me Galën. Shko n’dhomë po i thosha, se m’duket thirri Buba.
(Ti e din zemër, sa herë zgjoheshe, thirrshe: mamë… babë! Mbase nga frika se ke mbet vetëm!)

Me ty pra po flisja kur mora lajmin nga Lati, yt vlla, për gjumin tand të randë!
Dhe u thye rruga e shpresa, e vargjet prap i mbylla n’kopertina, e pasi e përqafova Bubulinën në Shekën e Isufit, mora rrugë kthimi me dhimbjen e ndrydhun n’zemër, e lotët çurg n’sy!

Nga Dardania t’erdha prapa n’udhtimin tand të fundit, drejt bjeshkës, (që e kisha shkrua për vetën time në nji poezi)

Ulkonj Ti e Ujk unë.
E mbyllun n’sarkofag Ti,
I humbun n’liri unë
Pa jetë Ti,
Gjallë i vdekun unë.

Në larcat e para të borës, n’sarkofagun e bardhë, si n’fustanin nuserorë, ble nga Leli, daja yt, t’paluem n’varrin e ftohtë, tue bëlbëzua fjalët e fundit: Natën e mirë Bubulinë… që po t’më dëgjoje do t’me thoshe: artist i keq je babë!

Tani s’di pse po shkruaj as pse po e vazhdoj rrugëtimin e thyem.
S’di pse po fluturoj qiellit i strukun të dritarja e vogël e avionit drejt shpresës Melburn, që për Ty u nisa m’e ba.

Por, s’po m’lanë ato fjalët tua që shumëherë m’i thoshe: mos i le punët për mua babë! E unë merrsha rrugë me forcën e fjalës tande, t’vullnetit për jetën e artin që bukur e fillove, e që u prish, me ditën kur deshte me provua fundin e m’u kthye për t’na tregua, si n’filmin tand të parë, të ai Irlandezi Brendon Grant, me at titull dreqi “Sonte gjithçka u prish”.

Bubë, t’gjallit iu dashka buka e uji, e mua m’u dashka prap m’e luejt njeriun e fortë e t’pasun me centa n’xhep, se n’Prishtinë kur t’kthehem me presin kujtimet e bukura për Ty.
Edhe Gala edhe Yt vlla Learti, e fluturim më marrë drejt Bjeshkëve të Nemuna, aty ku ti përherë do t’na presësh tue thirrë: bab… nanë!

Bubulinë!
Këto udhëtime t’gjata s’paskan ma hieshi pa ty. S’i durueka ma naltësitë shpirti plak pa ftyrën tande engjullore pështetun n’krahun tim.
Njizetë vjet e luejta lojen e aktorit të madh e poetit t’vonë, por t’betohem se isha varfanjak, e shumë i pasun që t’kisha Ty!

Tash, kur po shoh n’monitorin e avionit se kalova mbi Izrael, aty ku e kërkuam shpëtimin e fundit të ai Doktori Waismann, po i pi dy gota raki anglezi që ta pickoj shpirtin e lodhun e trunin ta mjegulloj, që të zgjohem nesër e prap me shkrua tue folë me ty për Ashkelonin e Malin, për Zagrebin e Megjugorjen, për Shkupin e Beogradin, për Tiranën e Stambollin, që ta përfundojmë me dr. Fatonin n’Prishtinë. Eh sa shumë kemi me folë bashkë deri sa të shtrihemi unë e mami aty pranë teje moj Bubulinë! Edhe aman mos i trego kurkujt se Learti ka vendos m’u martua, e vajzës që do t’i lind do t’ia le emnin tand Bubulinë!

Uh, harrova me t’thanë se kur të kthehna du me ta ble at ariun lodër, Kualla m’duket se i thonë, si atëherë kur ta solla me 1993, po nga ky udhëtim, e kam me ta lanë të varri, se mua e Leartit e Galës, s’na duhet tjetër gja, pos kujtimeve të bukura për Ty, e ke me na tregua se çka deshte nanës me i thanë atë natën e fundit, kur i the: mamë, dua me t’regua diçka, por hajt se nesër e merr vesh!!!

Shënim: Bubulina Lajçi vdiq nga një mbidozë me 18 nëntior 2017.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.