Si dhe rrëfimi i Gjergj – Bajram Kabashit për të, nga libri “Rilindja-Përkushtim e Trishtim”!
Nga Revista Drini – 7 Janar 2019
Maralusha thotë se vdekja e gazetarit Uka, nuk ishte aksidentale, por, sipas tij, e gjitha ishte e planifikuar.
Ushtaraku Shqiptaro-Amerikan, Muharrem Maralusha, përmes një postimi në Facebook, ka bërë një koment rreth vrasjes së ish-gazetarit Ali Uka.
Maralusha thotë se vdekja e gazetarit Uka, nuk ishte aksidentale, por, sipas tij, e gjitha ishte e planifikuar.
Madje ndër tjerash në ketë postim, ai thekson se arsyeja për rihapjen e këtij rasti është rrjedhja e disa informatave, ku dyshohet se aktorët kryesor të kësaj ngjarje janë Hashim Thaçi dhe Xhavit Haliti.
Vdekja e Gazetarit Ali UKA nuk esht akcident por i planifikuar?
Sipas disa burimeve të sigurta që vijnë nga disa burime zyrtare të një shteti perëndimor, vendimi është marrë që rasti i vrasjes së gazetarit Ali Uka të rishqyrtohet. Ali Uka u gjet i masakruar në vitin 1997 në një dhomë të një hoteli në Tiranë, që po ashtu shfrytëzohej bashkërisht me Xhavit Halitin dhe Hashim Thaçin. Vdekja e gazetarit Ali Uka, tash shqyrtohet se ka qenë një rast i planifikuar bashkërisht ndërmjet Sigurimit Shqiptar (SHISH) dhe Udhëhëqësisë Politike të atëhershme të UÇK-së.
Personi që do ta udhëheqë grupin hetues është caktuar dhe puna do të filloj sa më shpejt që situata të lejojë.
Arsyeja për rihapjen e këtij rasti është se kanë dalë disa informata tjera sheshit, ku dyshohet se aktorët kryesor të kësaj ngjarje janë, Hashim Thaçi (“Gjarpni”) dhe Xhavit Haliti (“Zeka”), të cilët kanë dhënë deklarata të rrejshme gjatë kohës së hetimeve fillestare në koordinim të plotë me Sigurimin Shqiptar (SHISH) të atëhershëm.
Tash dyshohet se vdekja e Ali Ukës ka qenë një koordinim ndërmjet SHISHI-t Shqiptar dhe Udhëheqësisë Politike të UÇK-së. Simbas rezultateve të hetimeve të atëhershme të bëra nga autoritetet Shqiptare – vdekja e gazetarit Ali Uka nuk ka qenë i një natyre politike, por ka qenë një rast kriminal.
* * *
Postimit të ushtarakut shqiptaro-amerikan Maralusha, po ia bashkëngjes edhe pjesën nga libri im “Rilindja – Përkushtim e Trishtim”, pjesën ku rrëfej për kontaktet e mija me Ali Ukën nga Lumbardhi i Decanit, që asokohe punonte si gazetar i Gazeta Shqiptare dhe njëherit i vazhdonte studimet në gazetari. Këtu rrefej se si Ali Uka i paharrueshëm ma shpëtoj jetën tek selia e PD-së pasi “dikush” i ftoj njësitë speciale dhe më futen në furgon mes policësh me antiplumb për të më dërguar “dikah” ; pastaj se si Ali Uka përmes të njohshmve të vet më shpëtoj dhe më nxorën nga ai furgon kur pastaj më rrahën mizorisht dy persona që u tha pastaj se ishin të SHIK-ut të Berishës!
Dhe tregohet se si një muaj pas asaj ngjarjeje tejet të hidhur për mua , ndodhi dicka edhe më e zezë : Ali Ukën e masakruan në Tiranë ?!…
Kush?
U tha e u stëpërsërit se “Ali Ukën e ka vra djali i mixhës, një alkoolist që kishte ardhur nga Zvicra për ta takuar në Tiranë asokohe…”
Ja kapitulli i librit , ku flas për Ali Ukën, shokun dhe mikun tim të njerë.
Revista Drini, 13 Qershor 2018
XV. NË TIRANË GJATË ZGJEDHJEVE TE QERSHORIT 1997
Më 25 qershor shkova për herë të tretë në Shqipëri, pasi më 29 qershor mbaheshin zgjedhjet. Mirëpo, unë nuk shkoja ekskluzivisht për to. Përderisa ato zgjedhje nga ana socialistëve shqiptarë cilësoheshin si të lira, nga demokratët vlerësoheshin si zgjedhje jo të lira, që vinin pas përmbysjes së pushtetit demokratik, pra si zgjedhje të padrejta. Pasi isha në Tiranë ditën kur mbaheshin zgjeshjet, e shfrytëzova rastin dhe shkova në disa qendra të votimit në kryeqytet, në mënyrë që ta përcillja atmosferën e mbajtjes së tyre. Në shikim të parë, ato linin përshtypjen e zgjedhjeve korrekte, së paku nga pasqyra e tyre në kryeqytet, por lajmet nga terrenet e ndryshme flisnin për vrasjen e ndonjë anëtari a kryetari të komisioneve zgjedhore. Në Tiranë përhapeshin informata se sipas disa vlerësimeve fitore të dukshme janë duke shënuar monarkistët dhe demokratët, mirëpo kishte edhe të tjera, më të pakëta, të cilat fitoren ua jipnin socialistëve.
Pavarësisht prej këtyre llogarive që plasoheshin në formë informatash a dezinformatash, ishte e qartë se ato, në realitet, nuk mund të quheshin zgjedhje të lira, pasi një pjesë e elektoratit, ende nuk i kishin dorëzuar pushkët ndërsa disa të tjerë me pushkë në dorë ishin ofruar pranë kutive të votimit. Atmosfera e tillë ndikoi që pushkët të kërcisnin edhe asaj dite, duke vrarë, plagosur e marrë jetëra të pafajshme njerëzish. Gjatë gjithë asaj paradite dhe pasditës unë mora shënime të ndryshme, të cilat mendoja që bashkë me disa informata të mbrëmjes nga kryeqyteti shqiptar, t’i dërgoja të nesërmen në formë reportazhi në redaksinë e gazetës “Bujku”-në Prishtinë.
Ashtu qysh ishim marrë vesh një natë mëparë, atë ditë kah ora 20 u takuam me Ali Ukajn, gazetarin e së përditshmes Gazeta Shqiptare të Tiranës, meprejardhje nga Lumbardhi i Deçanit. Në rrugë për tek hotel Tirana u takuam me Ramush Tahirin nga “Rilindja” e atyshme.- -“Pasi do të punosh, merre këtë aparat dhe bëne ndonjë fotografi nëpër qytet”, më tha. Natyrisht që unë nuk e mora aparatin fotografik sepse atë detyrë që donte të ma jepte mua, mund ta bënte edne vet pasi ishte gazetar sikurse unë,prandaj pse të mos i bënte vet fotografitë përderisa punonim, fitonim apo nuk fitonim njësoj në të njëjtin vend të punës!
Ishte një mbrëmje e bukur vere…
Reflektimi i perëndimit të diellit në det, ajo skuqje e horizontit, i jipte një pamje të këndshme asaj mbrëmjeje tiranase. Me Ali Ukajn flisnim për disa gjëra të hareshme. Megjithëse një djalosh i ri që në atë konë s’i kishte mbushur as njëzetegjashtë vjet jete, ka qenë një gazetar i zgjuar, të cilin e respektoja për aftësitë dhe talentin e lindur.
Ali Ukajn e kam njohur prej Kosove, nga koha kur e studjonte sociologjinë në Universitetin e Prishtinës, ku pati arritur deri në vitin e dytë të studimeve. Atëherë vinte shpesh në Pallatin e Shtypit, ku takohej me mua dhe disa të tjerë. Ka qenë një djalosh i heshtur,trupshkurtër, me një natyrë të zgjuar e kurreshtare. Meqenëse duhej t’i ikte shërbimit ushtarak dhe problemeve të lindura me policinë serbe në Deçan e gjetiu,pati ikur në Shqipëri. Në Tiranë qe regjistruar në degën e gazetarisë.
Atë mbrëmje tregonte se kah gjysma e korrikut, pra nja dy javë më pas, do të diplomonte në gazetari dhe, qysh thoshte:
– “Menjëherë do t’ia theri…”
-” Nga do të shkosh, Ali?!…
– ”Me siguri në Zvicër, a gjetiu, se këtu jam lodhë!”
Kështu rrëfehej atë mbrëmje për ardhmëninë e vet Ali Ukaj. Një ditë më parë mua dhe atij, të njëjtën gjë na e thoshte mjaft e zhgënjyer një arsimtare e re e matematikës nga Tropoja:
– “Dëshiroj të iki nga ky vend. Këtu nuk dëshiroj t’i lë as eshtnat!… “
Ç’ishte ky pikëllim dhe zhgënjim i njerëzve në vendin e vet. Pse i gjithë ky mallkim i zbrazur në njerëzit e rinj e të pafajshëm, qysh ishin këta të dy? Cila ishte natyra e përbindshit që s’i linte njerëzit të jetojnë, të kënaqen dhe ta krijojnë ardhmëninë e lumtur në vendin e vet?
Nja gjysmë ore ndenjëm në një restorant së bashku me Aliun. Pastaj me propozimin e tij, shkuam deri tek Selia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, ndërsa kah ora 21.00 ishim në lokalet e Partisë Socialiste. Tek socialistët ishte një atmosferë e qetë gëzimi, si të ishin në dijeni për rezultatin e fitores në favorin e tyre. Nga altoparlantët dëgjohej muzikë popullore labe. Ishte një tollovi e madhe. Vetëm pasi u prezentuam si gazetarë nga Kosova, na e hapën rrugën. Nëpër atë tollovi arritëm të hynim brenda në lokalet e Partisë Socialiste të Shqipërisë, meqë ishim të interesuar të mësonim për ndonjë rezultat a lajm rreth zgjedhjeve. Unë personalisht isha i interesuar ta kërkoja Pandeli Majkon, sekretarin e përgjithshëm të PS-së, që tashmë e nihja. Kot e kërkuam. I vetmi kosovar që kishte qenë në mesin e turmës, ishte regjisori nga Ferizaji, që jetonte asokohe në Tiranë, tashmë i ndjeri Fahri Hysa. Folëm me të dhe, pas një kohe me Aliun dolëm në oborrin e objektit të PS-së. Kur dolëm përjashta, turma e elektrizuar e simpatizantëve të PS-së bënte me dorë nga një ndërtesë e lartë, e palyer përjashta, duke bërtitur:
-“Ja, çeçenët e Salos!”
-“Çeçenët e Salos!”
Ne ndenjëm edhe pak aty duke shikuar, e pastaj u nisëm në drejtim të selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kënga jehonte edhe atje. Ishte një natë e nxehtë vere. Mirëpo për dallim nga turma e grumbulluar tek selia e socialistëve, aty kishte edhe njerëz të armatosur. Sapo deshëm të hynim brenda, Aliu u ndal të fliste me disa persona, në mesin e të cilëve ishte Xhevat Makolli, sportist i njohur kosovar dhe roje e mëhershme personale e Ibrahim Rugovës , i cili nja dy vite më herët kishte ikur në Shqipëri, si dhe një person tjetër të cilin unë e njihja, megjithëse kurrë nuk kisha ndërruar ndonjë fjalë me të. Sepse gazetarin e njohin shumë vetë, por edhe ai ka mundësi njohjeje me shumkë.
Aliu më ftoi , duke më thënë:
-“Afrohu derisa të bisedoj pak me këta..”, unë u përshëndeta rend me ta, mirëpo, kur erdhi radha t’ia shtrija dorën atij që shtirej hijerëndë , ai nisi ta tërhiqte dorën prapa, mirëpo për t’i treguar se e njihja,une e çoka dorën time me të tijën! Sa ndenjëm aty nuk foli gjë, mirëpo kur u larguam pak, e thirri Aliun ta pyeste diçka. Hymë mëpastaj me Aliun brenda selisë së Partisë Demokratike. Aty u takuam me Genc Pollon, mirëpo ishte e kuptueshme se në atë kaos ai nuk kishte mundësi të jepte ndonjë deklaratë as për gazetën ku punoja unë, as për atë të Aliut. Brenda në katin e dytë bëhej një rrëmujë e vërtetë. E paimagjinueshme. Ziheshin aq keq disa të rinj aty, saqë donin të zbraznin rafale automatiku në njëri tjetrin. Atmosferë tmerri. Azem Hajdari hyri midis tyre dhe i ndali. Mendoj se po të mos ishte ai në ato momente do të derdhej gjak i madh. Situatë tejet absurde. Pas pak, pranë nesh kaloi Azem Hajdari dhe pasi Aliu e njihte më mirë, i ndërruam disa fjalë me të. Ishte i mbushur frymë. Ndenjëm aty edhe një copë herë dhe, dolëm përjashta. Kaluam pikërisht aty ku ishte personi që kutadi për çfarë arsye nuk deshi ta çokte dorën. I picërronte sytë si dhelpër. Me atë sjellje që s’mund ta fshihte, ai e tregonte një mllef të pakontrolluar ndaj meje, prandaj , duke ecur paraqitesha sikur nuk i përcillja veprimet e tij. Kështu derisa bisedoja me Aliun gjoja i thelluar në bisedë, ai e thirri një person duke i treguar diçka për mua! Tashmë e kisha të qartë se ai më përgatiste diçka. Çka bënte ai ashtu? Qëllimit të kujt i shërbente dhe nga kush pranoheshin shërbimet e tij? Ishim larguar cazë dhe e kërkonim një vend për t’u ulur në një lokal të vogël. Përderisa e prisnim radhën për t’u ulur, dëgjuam një zë për të cilin unë nuk dija se kujt i drejtohej! Aliu posa e kthej kokën andej, më tha:
– “Bajram, po të thërret Arian Dhimo, shef i gardës së Sali Berishës!”
U ktheva, duke menduar se çka u bë tash që një person i afërt me sigurinë e një burrështetasi të më thërriste. Kur i ofrohesha për të marrë vesh se çka më donte, ai më tregonte me dorë rrugën nga duhej të kaloja! Pasi u përballa me të, me qëllim që t’ia bëja të ditur saktësisht vërejtjen time, e nxora librezën internacionale të gazetarisë që ta kuptonte se nuk duhej të binte viktimë e manipulimeve të kujtdoqoftë. Mirëpo, ai nuk e mori as që ta shikonte librezën time të gazetarit, gjë që mua më befasoi së tepërmi sjellja e tij joprofesionale. Në ndërkohë erdhën edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve m’u drejtua nxitueshëm me këto fjalë:
– “A je ti që shkruan kundër Sali Berishës?” – ndërsa tjetri ia priti:
– “A je ti vëllai i Sali Kabashit prej Lubjane?!”
Po, unë isha vëllai i tij! Mirëpo ai ishte prej Kosove e jo prej Lubjane’, fakt që do të duhej ta dinte e kishte parasysh çdo polic inteligjent shqiptar. Atje kishte qenë i detyruar të shkonte për t’u strehuar prej UDB-së serbe dhe shërbëtorëve të saj-udbashëve shqiptarë! Sipas mendësisë arkaike të disa shqiptarëve të tillë del se çkado që të bëjë i madhi, doemos bën edhe i vogli, kështu që bazuar në këso gjykimesh fisnore unë nuk isha i vetës sime, njeri me identitetin e dinjitetin e emrit dhe të mbiemrit të caktuar – Bajram Kabashi, pra nuk isha ndër gazetarët më të mirë të Rilindjes dhe përgjithësisht ndër gazetarët e paktë më të mirë të Kosovës së asaj kohe, por, thjeshtë, isha ai që shkruante skundër Sali Berishës” dhe i pyetjes “dyshuese”: ‘A je ti vëllai i Sali Kabashit prej Ljubjane?” Sali Kabashi kurrë nuk ka provuar të më nxisë që të shkruaja për çkadoqoftë, por edhe sikur të kishte provuar assesi nuk do të arrinte ndonjë sukses, meqenëse si gazetar asnjëherë s’kam qenë nën ndikimin e kujttdoqoftë, pra as të tij!
Porse, a kishte zhvilluar ai aq gjatë veprimtari patriotike me të cilën do të duhej ta kënaqte çdo polic të vërtetë shqiptar – e ta bënte të pakënaqur çdo udbash, apo çfarë të keqeje kishte bërë që këta tash e bënin një pyetje aq idioie! Meqenëse nuk mund ta kuptoja situatën absurde në rrjetin e së cilës kisha rënë, e pyesja vetën se a mund të jenë këto sjellje të policëve shqiptarë apo ishin çoroditje ngatërrestare të infiltrimeve udbashe.
Prej vitit 1982 e deri në vitin 2000 kur e përshkruaj këtë ngjarje, pothuaj nja 18 vite të plota të një jete të pajetuar; as unë, as Nana plakë,tashmë e ndjerë, as vëllai tjetër; pra pothuaj pjesa dërmuese e familjes sonë me Saliun nuk kemi pasur mundësi t’i kalonim së bashku as tri javë të plota, ngase sikurse shumë familjeve të tjera shqiptare, edhe familjes sonë UDB-ja serbojugosllave ia kishte shkëputur me dhunë të gjitha rrugët normale të komunikimit vëllazëror e njerëzor! Çfarë policësh të shkretë, thashë me vete, duke menduar se sa udbashi a i afërmi i tyre ka mundur të shkonte në Shqipëri, e ndoshta edhe kanë shëtitur e bërë çka u ka dashur qejfi, mirëpo nuk ka dëgjuar kush se dikujt prej tyre i ka munguar një qime e vetme floku. Nga reagimet e hutuara të Arianit e kisha përshtypjen se ata e futën gabimisht në lojë, mirëpo ai më s’kishte autoritet ndaj tyre. Megjithatë, ai për mua mbetej fajtori kryesor. Mua dhe Ali Ukajn pastaj na drejtuan tek një furgon i mbushur me policë me rroba antiplumb, që, sigurisht, e kishin ftuar dëllëngthi për mua?!
Aliun pastaj deshën ta nxirrnin prej furgonit, në mënyrë që të më linin vetëm mua me policët, mirëpo ai nuk pranonte assesi.
Atëherë , na e mbyllën derën e furgonit policor! Disa policë me të cilët ishim të ulur, thoshin:
– “Po përse ore i marrin në qafë njerëzit kështu!”
– “Ç`janë çmendur kështu fare?”
Përderisa ne ishim brenda, nja dhjetë e më shumë persona civilë debatonin rreth nesh. Pas nja dhjetë minutash na e çelën derën e furgonit dhe, përderisa Aliun e tërhoqën tjetërkah, një tridhjetëvjeçar më urdhëroi të largohesha me shpejtësi. Mirëpo, pa i bërë as dhjetë hapa, kur ia mësyen nja dy vetë pas meje. Njëri, njëfarë tipi i shkurtër me sjellje të egra, më kapi përdore duke më shtrënguar fort. Më të gjatin, fatkeqësisht e njihja si figurë, por ai me gjasë nuk besonte se e njihja. Atëherë, iu drejtova atij që e njihja, duke ia drejtuar gishtin tregues nga fytyra e tij, me fjalët :
– “Pritni të flas njëherë… “
Derisa ai m’u drejtua shpejt me:
– “Fol, fol… !”, më i shkurti nisi të më godiste me ashpërsi të madhe. Sado që më goditi shumë, unë nuk do të isha rrëzuar , qysh u rrëzova, sikur mos ta kisha kuptuar qëllimin për të më zdëpur sic ëstë më zi…
Më plasi gjaku nga hundët. Natyrisht, ai të cilin e njihja nuk më godiste shumë dhe përpiqej të më godiste vetëm aty ku nuk do të më shkaktonte lëndime. Por tjetri, kërkonte me çdo kusht të më godiste në pjesët më të ndijshme të trupit. Kjo ishte një rrahje e poshtërim publik nën kontrollin e Shtetit!…
– “Ti je spiun i socialistëve!”, çirrej me fjalë të pakuptimta që mund t’i shqiptojë vetëm një rrugaç e kurrsesi një përfaqësues dinjitoz i shtetit. Paraqitej si simpatizant i Sali Berishës.
A ishte, apo ishte bërë simpatizant i rrejshëm i tij vetëm sa të më zdapte mua, këtë nuk mund ta dija. Ndërsa për tjetrin nuk e kam të qartë as sot se ç’rol ka luajtur atë natë ndaj meje. A ishte ai shpëtimtari im,apo u zbut kur me gjasë e kuptoi se e njihja? Mirëpo, tregimi dhe hetimi i mëtejmë për ta, për mua është i mbyllur, ashtu qysh e kam mbyllur prej asaj nate të kobshme e deri sot. Përse? Do ta shohim.
Sido që të jetë, atë natë e kam përjetuar fyerjen më të rëndë në jetën time. Dhe nuk është me rëndësi se a do të më rrihte apo vetëm do të më shtynte kush pak më tej. Fare! Më kanë fyer duke dashur të më korisin, ata që s’kisha menduar se mund t’i bëheshin bashkëudhëtarë të së keqes. Madje , kanë dashur edhe të më likuidonin!
Pse?
Në Dukagjin thonë:
“Ruaju kur të kalosh kah dera e magjupit, sepse ai vetëm para saj të rreh!”
Të nesërmen ndenjëm në Tiranë bashkë me Ali Ukën. Isha shpirtërisht i lënduar dhe i fyer. Nuk më dhimbnin plagët, aq sa më dhimbte shpirti. Si student kam marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981, ndërsa më vonë kam përcjellë me qindra protesta e demontrata të tjera si gazetar i “Rilindjes” kur shpesh kam hëngër dajak prej policisë Serbe, mirëpo ato rrahje kurrë nuk kam dashur t’i numëroja dhe asnjëherë nuk jam dëshpëruar. Përkundrazi, kurrë nuk e kam pakësuar punën time. Ata kanë qenë armiqtë e mi dhe prej armikut nuk mund të pritet asnjë e mirë.
Mirëpo, nuk isha vetëm unë që kisha pësuar ashtu në Shqipëri! Një muaj më herët edhe më keq e kishte pësuar mitrovicasi Nexhmedin Spahiu, publicist i njohur nga Kosova që aso kohe punonte si mësimdhënës në Degën e Matematikës së Universitetit të Tiranës, i cili pas fitores së NATO-s dhe UÇK-së ndaj forcave pushtuese serbe dhe çlirimit të Kosovës, u zgjodh drejtor i Radio Mitrovicës. Ai gjithsesi e kishte pësuar më keq sesa unë në kryeqytetin e Shqipërisë prej strukturave policore “jashtë kontrollit të Berishës”, të cilat përpak e kishin mbytur duke e rrahur mizorisht, kështu që për shkak të lëndimeve të rënda trupore, për një kohë i është dashur të shtrihej në spital! Edhe Nexhmedini ka qenë simpatizant i Berishës, me “gabimin e vetëm” se jo rrallë i ka intervistuar edhe kundërshtarët e tij politik! Në popull thuhet se i ligu “kur nuk ka çka me i bâ kalit, i mshon samarit!” Ndoshta kosovarë të tillë të padhimbshëm është dashur të ishin shënjestra ku strukturat e tilla duhej ta shfrynin mllefin për t’i shëruar komplekset e inferioritetit pas pësimit aq të madh prej komunizmit të rebeluar dhe angjenturës së huaj që e kishte ndihmuar për shembjen e strukturave të një shteti sovran… Në redaksinë e “Rilindjes” në Tiranë u detyrova vetë ta jepja një deklaratë në vend se atë të tjerët ta kërkonin prej meje. Mirëpo, kjo nuk më brengosi aq shumë sepse as që kam pritur ndonjëherë diçka të dobishme prej tyre, pasi që pjesën më të madhe nga ta nuk ke mundur t’i quash gazetarë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Pas kësaj me Ali Ukën ishim edhe në përfaqësinë e Republikës së Kosovës në Tiranë, ku biseduam me Iljaz Ramajlin për ngjarjen. Të gjitha këto bëheshin me insistimin e Aliut.
– “Mbrëmë nuk kam fjetur gjithë natën prej mërzije… “, më thoshte Ali Ukaj
E kuptoja dhe i besoja se ai ishte gazetar e njeri i vërtetë, e s’ishte si ca gazetarë të rrejshëm të Rilindjes!
Para se të nisesha për në Kosovë, mësova se Arjan Dhimo kishte qenë udhëheqës i Rajonit numër 2 të ShIK-ut të Tiranës, e jo udhëheqës i gardës republikane! Ky ishte fakt edhe më domethënës, sepse e kishin keqpërdorur, apo kishte lejuar të keqpërdorej njeriu i detyrave të ndjeshme kombëtare , që assesi s’guxon të bëjë aso gabimesh. Po ta kryente punën e vet qysh duhet, Arjani i ka pasur të gjitha mundësitë për të biseduar me mua, qysh flasin profesionistët policorë. Pas kësaj ngjarjeje të hidhur për mua, isha i interesuar t’i jipja fund vizitës sime në Shqipëri,andaj e mora një taksi dhe shkova në banesën e Abdi Baletës, me të cilin i kisha planifikuar bisedat e fundit rreth librit për nacionalizmin shqiptar. Përderisa bisedoja me të, nuk mund rrija ulur ashtu qysh duhet për shkak të dhimbjeve, që sa vinte e më shtoheshin. Këtë e hetoj Abdiu, të cilit pastaj u detyrova t’ia tregoja ngjarjen. Ata u prekën për atë ngjarje të pakuptueshme. Dhe, patën marrë obligim që t’ia bënin me dije Sali Berishës se dikush “po i rrah njerëzit në emrin tënd”. As atëherë e as sot unë nuk kam shkruar ndonjëherë kundër e as për Berishën, përpos një shkrimi ku i kisha analizuar ngjarjet e marsit 1997 dhe i kisha bërë një kritikë të duhur për rolin që është dashur ta luante si kryetar shteti i Shqipërisë, e që nuk e ka luajtur. Po të fitonte PD-ja dhe ai të mbetej sërish kryetar shteti gjatë atyre zgjedhjeve, nuk do të isha mërzitur, por edhe pse humbi, prapë s’kam pasur arsye të mërzitesha, sepse për mua ishte me rëndësi të fillonte stabilizimi i vendit. Sali Berishën e kam kritikuar, mirëpo thjesht nuk kam qenë aq i interesuar ta kritikoja atëbotë sepse ai shihej si nacionalist, sado që edhe ai i kishte gabimet e veta që duhet t’i evitojë nëse mendon të mbetet në politikë. Por, sidoqoftë, më së miri për shqiptarët do të ishte sikur t’i hapej shtegu një brezi të politikanëve të rinj e të arsimuar, qysh është Pandeli Majko nga PS e Shqipërisë,ndonjë tjetër nga PD apo të tjerë nga Kosova. Konsideroj se ngatërresa dhe teposhtëza shqiptare nuk mund të evitohet pa u evituar fryma jotolerante e nxitur prej politikanëve më të vjetër, dhe tendenca e tyre për të mbetur me çdo kusht në pushtet. Por, edhe nëse do të kisha qenë “kundër Sali Berishës”, a u dashka organizuar rrahje me njerëz të shërbimeve sekrete ndaj atyre që bëjnë kritika? A mos u dashka ndonjë segment i shërbimeve sekrete të Kosovës sot apo nesër të rrahë gazetarë nga Shqipëria (Mero Bazen , për shembull), vetëm ngaqë ai apo tjetri shkruajnë kritika ndaj këtij apo atij politikani kosovar, apo i japin përkrahje politikanit tjetër në Kosovë? Dhe kanë shkruar kritika shumë më shumë sesa unë ndaj udhëheqësve të ndryshëm politikë në Kosovë. Unë edhe pse mund të mos pajtohem me ta për shumëçka, i përkrah parezervë sepse konsideroj se është mëse e dobishme të ketë kritikë ndër ne. Fundja, ku shpie logjika e rrahjes dhe e poshtërimit të njerëzve, vetëm pse dikush i shpreh mendimet e veta dhe e paraqet realitetin ashtu qysh i duket? A u dashka të fillojmë me hakmarrje, rrahje dhe vrasje ndaj njëri-tjetrit!…
***
Ferid Kastratin, biznismen me prejardhje nga Karaçeva e Anamoravës i cili vdiq pas çlirimit të Kosovës e që deri në vitin 1997 kishte zhvilluar biznes në Shqipëri,-ku në fund edhe e burgosin , sipas tij pa ndonjë arsye; e pata takuar pas lirimit nga burgu në Prishtinë, me ç’rast për mua dhe një koleg tjetër nga gazeta Rilindja, e shtroi një drekë në restorantin “Dubrovniku”. Ai me atë rast më rrëfente për, qysh thoshte, “vuajtjet e burgut në Shqipëri”, duke më lutur që t’i ndihmoja ta shkruante një libër rreth atyre përjetimeve të këqija atje! Atë atje nuk e kishin rrahur, por, qysh rrëfente, ia kishin shkatërruar jetën. Dhe, rrënimin e shëndetit psiqik dhe fizik të tij, mund ta vëreje posa ta shikoje! Atij korpulenti të njohur dikur, që në kohën e vet ia kishte ulur kokën duke e shtrirë për tokë boksierin Bogdan Kecman, më vonë një ndër liderët më agresivë antishqiptarë nga e ashtuquajtura “Lëvizje e rezistencës serbe të Kosovës” , – e njohur si pararoja e Serbisë për rrënimin e autonomisë së Kosovës, sikur i kishte tretur gjallëria dhe vetëbesimi që e kishte pasur.
Jo vetëm që ishte i pikëlluar, por më shumë ai ishte një jetë njerëzore në vyshkje e sipër!
Përderisa rrëfente për vuajtjet e tij atje, e nxori një fletore shënimesh, në krye të së cilës e kishte vënë emrin: Arian Dhimo! Ai kishte qenë polici kryesor që e kishte marrë në pyetje. Pra, në kujtimet e tij nga burgu, ai ishte kryesori. Të dyja pushtetet, edhe ai i demokratëve që shkonte, edhe ai i socialistëve që erdhi, ia kishin marrë të gjitha paratë e fituara, duke mosia lëshuar asnjë vendim a dëshmi tjetër për arsyete marrjes së parave. Më bëri përshtypje një fjali që ia kishte thënë Ariani:
– “Asnjë dollar të vetëm nuk do ta çosh në Kosovë!”
– “Çka do të thotë kjo fjali?” mendoja…
Nëse kanë qenë paratë e tij, pse të mos e lejonin që t’i sillte në Kosovë , e nëse s’kanë qenë të tija, atëhere pse nuk u dha ndonjë dëshmi se nuk ishin?!…
Përfundimi i tillë i Feridit, më rikujtoi se shkrimtari Mehmet Kraja më pati propozuar në Tiranë që të shkruaja për biznesmenët e sapoburgosur nga Kosova në kryeqytetin shqiptar, në mesin e të cilëve ishte edhe Ferid Kastrati, Sadik Vllasaliu, ish-udhëheqësi i Elektroekonomisë së Kosovës nga koha e autonomisë, Mehmet Bushi, etj. Atëherë nuk qeshë angazhuar rreth temës së burgosjes së biznismenëve të njohur kosovarë, pasi gjithnjë e më shumë bindesha se sa më mungonte përkrahje e udhëheqësve të gazetës për punët që vazhdoja t’i bëja! Por, njëherit, e kisha një parandjenjë se mos me implikimin tim “në gjurmimin e asaj teme të rrezikshme”, në kohën kur ata prej çarshisë kishin filluar të etiketoheshin si “spiunë që Serbia i kishte dërguar për destabilizimin e Shqipërisë”, për çka, sipas atyre rrëfimeve, ShIK-u u kishte rënë në gjurmë dhe i kishte burgosur, do të mund t’i vija pengesa punës sime të mëtejshme në Shqipëri. Megjithatë, e pranoj se gabova që nuk i hyra me kohë realizimit të temës së propozuar nga Kraja, për çka sot e kësaj dite ndjehem i penduar ngase gazetarit i takon të hedhë dritë për zbulimin e së vërtetës, në mënyrë që fajtorëve të vërtetë t’ua përgatisë të gjitha rrethanat për t’i vënë para përgjegjësisë së pashmangshme morale e ligjore.
Pas peripecive të tilla, në Kosovë isha kthyer përmes pikës doganore Qafa e Thanës. Pas disa ditësh që isha në Kosovë, të hënën e parë shkova në mbledhjen e rubrikës së brendshme të “Rilindjes”. Informata për maltretimin tim fizik ishte botuar në “Bujk”, në “Koha ditore”, në “Informatori” dhe në “Flaka” e Shkupit. Sa munda e bëra të madhe! Mirëpo, gazeta ku unë i kisha lënë vitet më të mira të jetës, nuk e kishte parë të arsyeshme ta bënte asnjë reagim për maltretimin tim fizik. Prisja se do të fliste dikush prej “shokëve”, por askush nuk e çeli gojën, kështu që e kuptova se dikush nga Tirana kishte lansuar shpifje të mëdha ndaj meje …
Kisha përshtypje se kishte pasur të tillë që mezi e kishin pritur një gjë të tillë, e këtë e vërtetoi edhe redaktori i rubrikës së brendshme, Sylejman Aliu, i cili ma preu shkurt:
– “Bajram, mos kqyr m’u bâ i madh prej rastit!” – dhe po flet pallavra të tjera nga stili i tij, se “njerëzit e shumtë që kanë thirrë në telefon në redaksi, duke shprehur indinjatën për mosreagimin ndaj asaj që i ka ndodhur Bajramit, kanë qenë shokët e tij!”
Gënjente hapur, sepse kur është botuar informata unë pata qenë në Shkup.
Reagoi edhe një “bashkëluftëtar” imi, duke thënë:
– “Lëre këtë punë, sepse ditën kur është botuar deklarata, kanë ardhur shtatë persona dhe kanë reaguar për botimin e saj!”
Sylejman Aliu, e shfaqte ashtu hapur natyrën e vet bestiale duke dëshmuar se nuk ka lidhje me profesionin e gazetarisë. Një redaktor i cili do të duhej t’i dilte përherë në mbrojtje gazetarit të vet, qoftë edhe kur gabon (ndërsa unë se kisha bërë asnjë gabim), përdorte asi fjalori që ia zbuloi natyrën e egër, që rrallë mund të ndeshet. Edhe po të më likuidonin ata njerëz të papërgjegjësi në Shqipëri, ai njeri i pamoral dhe pa fije etike profesionale, do të mund të thoshte:
-“Mos shkruani për vdekjen e tij, se mund të bëhet i madh prej rastit!”
Çfarë mendimesh të sëmura shqiptonte njeriu, i cili e ka ditur fare mirë se me shkrimet e mija dhe të një numri të kufizuar të shokëve të mi, ishte arritur që “Rilindja”-“Bujku” të mos quhet fletushkë,por gazetë e vërtetë. Ne ua kemi mësuar atyre bërjen e propagandës shqiptare dhe të gjykuarit kritik, sikur që u kemi sjellë informata burimore nga terrenet, përderisa ai ka vazhduar të bënte gjumë ariu, duke u përkundër me përrallat e tipit “flitet se… “
“Shtatë personat” që kishin pas ardhur në Rilindje, qysh mora vesh më vonë, ishin ca të ashtuquajtur gazetarë të së njëjtës gazetë,- enveristët e Rilindjes: më të dhimbshmit, më dembelët dhe më analfabetët!
Aq kokëshkretë ishin sa për ta as nuk duhej harxhuar fjalë.
E luta edhe Avni Spahiun, që të reagonte…
Nuk thoshte jo, por i shtynte ditët. Disa shoqe të mia më kishin treguar se atiji kishte ardhur keq kur kishte dëgjuar për rastin, por për mua ai fakt nuk çonte peshë, sepse ai ka pasur obligime të tjera ndaj meje. Kjo sjellje më shtyri që sërish t’i dilja zot vetes…
Fundi i fundit, për mua s’kishte problem sepse kisha mundësi ta mbroja veten. Por, problem do të ishte për të tjerët, për ata që nuk mund ta mbrojnë vetën . Sidoqoftë, unë tashmë e kisha përfundimisht të qartë se kjo ishte një provë e dikujt për të më koritur; një provë krejtësisht e kotë, që iu kthye si bumerang atyre që e provuan, sidomos Arjan Dhimos, i cili me këtë instrumentalizim të palejueshëm të tij, absolutisht nuk fitoj gjë. Kishin kaluar disa ditë që nuk kisha shkuar në gazetë. Një javë më vonë, e dërgova shkrimin në formë reportazhi, ku unë e përshkruaja ngjarjen time të hidhur nga ajo natë.
Shkrimi u botua të nesërmen.
Natyrisht, nuk ka pasur asnjë mundësi të mos botohej, sepse tashmë unë kisha vendosur t’i dilja zot vetes. Më së miri do të ishte sikur ata të më merrnin në mbrojtje, qysh u ka takuar të vepronin si gazetar. Megjithatë, s’kishte problem sepse unë ende isha gjallë.
Në natën e 29 korrikut 1997, diku kah ora 23.00, derisa rrija në ballkonin e banesës private me anëtarët e familjes sime, erdhi fqinji im Fehmi Buzhala, tashmë i ndjerë! Mendova se ka ardhur të bisedonte diçka me mua, mirëpo, posa u ul, më tha:
– Tash i ndëgjova lajmet e Radio-Tiranës. Mbrëmë në Tiranë dikush e kishte vra gazetarin Ali Ukaj nga Lumbardhi i Deçanit!’
– “Çka po thua, ore Fehmi? A i ke dëgjuar mirë lajmet?!”
Nuk doja të besoja. Pas këtij lajmi të zi për herë të parë në jetën time kam qajtur prej thellësisë së zemrës. Të nesërmen shkova herët në punë dhe thirra në “Gazetën Shqiptare” në Tiranë, sepse aty punonte Aliu. Lajmi, fatkeqësisht, kishte qenë i vërtetë. Atëherë biseduam me disa kolegë të “Rilindjes” dhe unë e shkrova një shkrim rreth vdekjes tragjike të gazetarit të ri, ku i bëra një përshkrim takimit tim të fundit me të, duke e lënë të kuptohej se kjo ishte një vdekje mjaft enigmatike. Një ditë pasi unë e kisha shkruar shkrimin në “Bujk” u botua një shkrim rreth këtij rasti, përfundi të cilit nuk ishte emri i autorit. Në të vdekja e Ali Ukajt ndërlidhej me ndjekjen e UDB-së, sepse qysh shkruante autori anonim, pak para se të vritej në Politika të Beogradit ishte botuar një shkrim në të cilin ai cilësohej si zëdhënës i terroristëve, e me të edhe një fotografi e Aliut, e cila, siç u shkrua më vonë në shtypin e Tiranës e të Prishtinës , ishte marrë në një nga baret e Tiranës, ku Aliu ishte duke pirë kafenë!
Pasi nuk e kisha pasur në dorë atë numër të Politika-s , s’kisha se si ta mohoja atë ta quajmë argument nga ai shkrim. Por, sidoqoftë, nga fotografimi i fshehtë i Ali Ukajt në midis të Tiranës, dilte se bashkëpunëtori i atjeshëm i UDB-së jugosllave kishte vepruar bukur i sigurtë dhe i pa frikë se mund të zbulohej prej SHIK-ut, pjesëtari inteligjent i të cilit pikërisht në identifikimin “fotoreporterit” të tillë do ta tregonte aftësinë profesionale dhe patriotizmin e një mendtë. Mirëpo, paralel me këtë, një person nga “Rilindja” në Tiranë, thërriste në redaksinë e gazetës në Prishtinë, duke porositur që të mos përhapeshin dyshime në tjetërkë, sepse Aliun e ka vrarë “një i afërm i vet”. Qysh i kuptoj unë gjërat si gazetar, kyçi i kësaj enigme mbetët autorësia e autorit të paemër, që mësa dukej i ka kryer detyrat e dikujt, me gjasë duke dashur t’i orientonte hetimet dhe dyshimet në ca “gjurmë të vdekura”.
Pse ishte e nevojshme një gjë e tillë , nëse Ali Ukajn e paska vrarë “djali i mixhës”?!
A ishte autori i paemër i shkrimit gazetar kosovar që jetonte në Tiranë, apo kush ishte ai?
Mirëpo, një gjë është e qartë: asnjë gazetar që jetonte e vepronte në Kosovë atëherë, shkrimin e tillë nuk e ka shkruar.
Kush është ai, pra?!
Nëse një ditë vërtetohet se Ali Ukajn e ka varë “djali i mixhës”, atëherë Avni Spahiut, kryeredaktor i “Bujkut” në Prishtinë si dhe Sylejman Aliut, redaktor i atëhershëm i kësaj gazete, u mbetët ta zbardhin identitetin e autorit të paemër të atij shkrimi sinjifikativ, sepse nuk njihet gazetë serioze në botë që lejon t’i botohen shkrime në faqet e saj, pa e njohur autorin e shkrimit! Një ditë para se ta sillnin kufomën e gazetarit të ri për në vendlindjen e tij në Lumbardh të Deçanit, Tirana zyrtare i bënte nderime të jashtëzakonshme gazetarit të ri nga Kosova. Shumë politikanë, diplomatë, gazetarë, publicistë dhe të njohur të tjerë, nga qendra e Tiranës e përcillnin me nderime për në Kosovë trupin e pajetë të Ali Ukajt. A ishte kjo sjellja e nderit dhe respektit, apo vrasje e ndërgjegjes së dikujt?… Pas pak u kumtua informata zyrtare se “Ali Ukajn e ka vrarë djali i axhës që punonte në Zvicër”, i cili kishte pasë ardhur për pushime aty.
Atë e patën burgosur një kohë, mirëpo pastaj përfundoi në Spitalin Psikiatrik!
A ka qenë ai vrasësi i Aliut?
Unë nuk mund ta dij!
Mirëpo pastaj ai arriti të largohej nga Shqipëria për në Zvicër! Ishte ky një pështjellim i madh rreth këtij rasti tragjik. Në korridorin e “Qafës”, ku zakonisht rrinin gazetarët atëherë , u ulëm në një tavolinë me Lulzim Mjekun duke e vendosur mbi të portretin e madh të Ali Ukajt dhe ca lule të freskëta poshtë.
Donim ta kujtonim e nderonim atë gazetar të ri, pasi që dikush vdekjen e tij synonte ta mbulonte me heshtje. Pse? Kjo më preokuponte, andaj kisha vendosur që ta thyeja murin e asaj heshtjeje…
Aty na ngushëlluan shumë veta, e ndër ta edhe regjisori Zeqir Hamiti, i cili Aliun e ka njohur gjatë kohës sa pati punuar në Tiranë.
Së bashku me Lulzim Mjekun, i cili Aliun e ka pasur të thuash shok gjenerate, u përgatitëm për të shkuar në kryeshëndoshje. Ishim bashkë me prof. Zekeria Canën. Fotografinë e tij që një xhamprerës shqiptar na e kishte futur në kornizë, duke mos pranuar asnjë para prej nesh, donim ta dërgonim në vendlindjen e tij…
Kur në odën ku mbahej e pamja, Lulzimi ua dorëzoi fotografinë, qajtën të gjithë të pranishmit që merrnin pjesë në pritje e kryeshëndoshje. Qajti edhe babai i Aliut, Ramadani.
Fotografinë e vendosën në ballë të odës. Të nesërmen shkuam sërish, por tash në varrim.
Unë isha bashkë me Lulzim Mjekun, me regjisorin Esat Brajshori dhe të vëllain e tij.
Pasi s’kishte ardhur asnjë përfaqësues i gazetarëve të Kosovës, në emër të këtyre gazetarëve në ceremonialin e varrimit foli gazetari i ri i “Rilindjes”, Lulzim Mjeku.
Curr Mazreku, korrespondent i “Rilindjes” nga Deçani pasdite e kishte dërguar një informatë të thukët nga varrimi për Lajmet e TVSh-së satelitore të orës 18 e 30 minuta, ku tregohej për ceremonialin e varrimit të Ali Ukajt në Lumbardh, duke i cituar fjalët e Lulzimit të thëna në emër të gazetarëve të Kosovës. Të nesërmen e varrimit të Aliut në vendlindjen e tij në Lumbardh, Zekë Gecaj, gazetar nga Gazeta “Rilindja”, që në atë kohë ishte kryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës, më pyeti , duke bërë vërejtje, se :
-“Kush e kishte “autorizuar” Lulzim Mjekun që në varrim të fliste në emër të gazetarëve të Kosovës?!… “
Sipas kësaj dilte se Lulzimi nuk është dashur të fliste në varrim , ose së paku të mos fliste “në emër” të gazetarëve të Republikës së Kosovës!
– “Askush nuk ka folur në emër të gazetarëve tuaj, por në emër të gazetarëve të Kosovës”, i pata thënë.
Njëfarë pështjellimi i pakuptimtë nisi të krijohej rreth rastit të vdekjes së atij djaloshi. I burgosuri i njohur politik Hydajet Hyseni, kur na pati parë me portretin e tij në dorë tek Stadiumi Futbollistik Prishtina, na tha ,me dyshim:
-“Çka kaqenë puna e tij?”.
Edhe Zekeria Cana,një njeri i informuar e shpirtbardhë, të njëjtën gjë na e pati thënë ditën kur ishim në kryeshëndoshje.
Pse të përhapeshin të gjitha ato mjegulla rreth asaj vdekjeje enigmatike dhe kush i përhapte ato?
Kujti nevojiteshin dhe pse duheshin përhapur?
Prej atëherë e deri sot kam qenë i interesuar ta dija se si ndodhi dhe kush ishte autor i vërtetë i vrasjes së Aliut. Nëse ka qenë vrasësi “djali i mixhës së tij”, atëherë pse mundoheshin ta nxinin biografinë etij për së vdekuri. Anipse kam pasur dëshirë të madhe të shkoja deri në fund gjurmëve që e sollën atë vdekje, nuk kam pasur asnjë mundësi ta kryeja detyrën time,sepse qysh mund ta vërej lexuesi, askush, së paku moralisht, nuk do të më qëndronte pas.
Porse vdekja e tij dhe enigma që e mbështolli atë, mua më ka shkaktuar një pikëllim e dhimbje të pafundme.
Kah fundi i vitit 1999 në Norvegji e lexova një analizë të Mero Bazes nga Tirana, të botuar në të përditshmen prishtinase “Bota sot”, ku ai “njoftonte” se Ali Ukajn e ka vrarë njeriu i parë i qeverisë së pasluftës në Kosovës, që sipas Mero Bazes ishte Hashim Thaci. Ajo ishte akuzë aq e rëndë, sa që në çast kam dëshiruar të mos kisha sy për të lexuar gjëra të tilla, e as vesh që të dëgjoja!
Natyrisht, pas akuzës së tillë të thënë hapur e publikisht dikush herëdokur do të duhej ulur në bankën e të akuzuarit , për vërtetimin e fajësisë a pafajësisë, ndërsa nëse vërtetohet se fjala është për shpifje të gazetarit, atëherë edhe gazetari do tëduhej t’i bartte pasojat për fjalën e papërgjegjshme publike.
Mero Baze vrasjen e lidhte me intrigat e SHIK-ut dhe nevojën e këtij shërbimi për ta pasur nën kontroll Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, thuajse zëdhënësi i parë i UÇK-së, Ali Ukaj, ishte ai që atë e paskësh qitur jashtë kontrollit!
Ali Ukaj që ishte i njohur jo vetëm si promovues i UÇK-së , kur ajo ende vepronte nga ilegaliteti, por edhe si promovues i problematikës së Kosovës në Shqipëri.
Logjikisht, Ali Ukaj ka mundur të ishte pengesë për UDB-në e Serbisë-Jugosllavisë, siç ishte në të vërtetë, si dhe për bashkëpunëtorët e saj që e fotografuan në Tiranë, për t’ia përcjellë foton e tij në Beograd, e jo për “intrigat e SHIK-ut”, siç thotë në shumës Mero Baze , pa e përmendur asnjë emër “shik-asi”.
Dhe, kur njeriu dëgjon këso gjykimesh të mbrapshta, duhet të pyes e kërkoj përgjigjen e thjeshtë:
Vërtetë, pse e gjithë kjo lojë me një të vdekur ?!…
Unë konsideroj se Meroja ka obligim të sjellë hollësira të tjera rreth pohimit për rastin, duke ofruar të dhëna plotësuese, sepse ato që i thotë me vonesë dy-tre vjeçare,-menjëhere pas luftës së Kosovës, nuk mjaftojnë dhe nëse akuzat nuk provohen me fakte, mund të jenë nga platformat për nxitjen e luftës vëllavrasëse.
Si gazetar dhe si shok i Ali Ukajt, i atij djaloshi që ndoshta atë natë ma shpëtoi jetën, kam të drejtë ta pyes Mero Bazen se ku ishte atëherë kur ndodhi ngjarje a tishtueshme që menjëherë nuk njoftoj për rastin tragjik?!…
Përmes shkrimeve të mia rreth rastit tragjik, e kam pas vënë shenjën e dyshimit në vërtetësinë e variantit zyrtar. Jo që kam ditur gjë konkretisht rreth ngasjes tragjike, por ngaqë thjeshtë kam konsideruar se rasti kërkon hulumtime dhe vërtetime të tjera nga gazetarë dhe policë të vërtetë , që është e paimagjinueshme se mund t’i mungojnë Shqipërisë; por gjithnjë pa e mohuar a pohuar apriori variantin zyrtar rreth vrasjes!…
Ali Ukaj ka qenë patriot i vërtetë ; më patriot, më i zgjuar dhe human se ata që e përfolën dhe vazhdojnë të “brengosen” duke luajtur edhe për së vdekuri me emrin e tij.
______________________
Gjergj – Bajram Kabashi, më 07.02.2019.