7.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj Martirët e Dukagjinit

Martirët e Dukagjinit

3
1312
Dukagjinasit

Gani MEHMETAJ, Prill, 2017

Dy vjet para se të ikte në theqafje Perandoria Turke, nizamët e përbërjes orientale: turq, arabë, tatarë, çerkezë, turkmenë, azerë etj., bënë masakra në katundet e Gjakovës e të Pejës, që t’i konvertojnë shqiptarët katolikë në myslimanë. Edhe ditën që po tërhiqej ushtria turke bëri masakra të papara ndaj shqiptarëve myslimanë e katolikë, dogji qindra katunde në Rrafshin e Dukagjinit, duke e përgjysmuar popullatën e duke e rrënuar ekonominë vendëse. Nuk e patën vështirë pastaj ushtria serbe e malazeze ta pushtonin Dardaninë, sepse Turqia ua përgatiti terrenin.

Serbia e Mali i Zi nisën fushatën e gjerë të konvertimit të shqiptarëve katolikë e myslimanë në ortodoksë serbo-malazezë. Ata që nuk pranonin i vrisnin menjëherë në sheshin e katundit a të qytetit, mu si bënin dikur turqit kur i konvertonin arbërorët katolikë në myslimanë. Ushtria vrastare serbo-malazeze vrau mijëra shqiptarë katolikë e myslimanë, që nuk e pranuan fenë e serbëve e të malazezëve. I vrisnin edhe ata që nuk e hiqnin plisin (qeleshen) shqiptare për ta zëvendësuar me “shajkaçen” serbe a “kapicën” malazeze.

Pesë ditë pas rënies së Jugosllavisë dhe shpartallimit të ushtrisë së tyre, mbetja e kësaj ushtrie, kryekëput serbo-malazeze, më 11 prill të vitit 1941, mblodhën e masakruan shtatëdhjetë shqiptarë katolikë të Bishtazhinit e të katundeve përreth. Një herë i ngujuan në xhaminë e Rogovës së Hasit, por pastaj, sikurse rrëfen Marjan Oroshi, historian, kriminelët e uniformuar serbë, i vranë në mënyrë mizore me bajoneta shqiptarët e lidhur. Një banor vendës, derisa po kthehej nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak të shtetit që u shpartallua, ushtarët serbë e kapën dhe e futën në kolonën e katundarëve, e pushkatuan me të tjerët, rrëfen z. Oroshi.

Historiani nga Bishtazhini na i dha emrat e të vrarëve me të gjitha shënimet përcjellëse, sipas dokumentit nr. 221 (3) (i shqipëruar).

Njëri nga dëshmitarët e kësaj masakre, Dom Luka, prift kroat, që shërbeu në famullinë e këtushme, i shënoi këto krime në gjuhën latine. Në shënimet e Dom Lukës, na tregon historiani Oroshi, prifti katolik e theksonte se terroristët serbë vranë shqiptarët katolikë nga urrejtja patologjike që kishin ndaj kombit e fesë së tyre. Martirët ishin nga disa katunde.

Ushtria serbe ia mbathi e frustruar që nuk i bëri asnjë rezistencë ushtrisë gjermane, por qyqarllëkun e paaftësinë e vet e zbrazi mbi banorët e pambrojtur shqiptarë katolikë.

Kur hyri ushtria serbo-malazeze për herë të dytë (1945) dhe mori sërish administratën, tregon Marjani, zyrtarët, pushtues të padijshëm e të paarsimuar, nuk e kuptuan gjuhën latine, prandaj nuk i dogjën shënimet e priftit kroat, ku ishin të regjistruar krimet e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve katolikë.

Të shtatëdhjetë martirët e kanë pllakën përkujtimore afër Kishës së Bishtazhinit. Dom Luka, prifti katolik kroat, që shërbeu në këto katunde, e la testamentin që varrin t’ia bënin afër martirëve të Dukagjinit.

Ushtria serbo-malazeze bëri krime të shëmtuara, duke lënë shumë të vrarë në këtë krahinë para, por edhe gjatë tërheqjes më 1999. Qindra varre janë dëshmi e këtij gjenocidi.

Me turqit dhe me serbët na ndajnë varret e mijëra shqiptarëve të vrarë, shumica e të cilëve fatkeqësisht nuk kanë përkujtimore e lapidare, kujtim i një okupimi mizor.

Por se si me vjen kur dëgjoj a lexoj për grupe turqish e serbësh, që kthehen kohë pas kohe në vendin e krimit. Shpesh kam menduar: a thua si e ndjejnë vetën kur kalojnë nëpër Dardani: turpërohen për mizoritë e të parëve të tyre, mburrën me heroizmat e osmanëve sypatrembur e trimave serbë ndaj popullatës së pambrojtur, apo nuk i kujtojnë fare.

3 KOMENTE

  1. Gani Al Mehmetaj,
    ShkavelloTurqit, nuk janë problem… problem janë personat sikur ti… qe akoma e mban emrin turqelik… ndërroje emrin se maaarreeeee…

  2. Shqiptaret katolikë per te mos berë perçarje ne popull shqiptar, po e mshefin te verteten sikur te martirve te Dukagjinit dhe Zefit te Vogel. E verteta eshtë ndryshe. Une e kam pas gjyshin se me ka treguar te verteten. Por katoliket e bejnë ket per hir te kombit, por ana tjeter islame, ata nuk pe bejnë te njejten gje. Ata po bejn perçarje. M’fani se po e shkruaj ketë, mos me keqkutoni, e dua gjuhen, kulturen dhe popullin shqitar dhe deshiroj se besimet mos ta shkatrrojnë ketë popull.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.