ME VETMI GDHEND VETMINË

0
261
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

Mendoja si palombar i heshtur, e
Kthehem avash te vjershat e mia
Një këmbanë troket pa rreshtur –
Shoh urë të gjatë nga fshehtësia,

Gdhend vetminë – daltëzjarrtë,
Mermerit të vetvetes në thellësi.
Të fala botës, endje posht’e lartë,
Vetmia ime befas s’është gjezdi!

Nga bjeshkët heshtak do zbresë
Vetëm memecët kështu vetmojnë;
Blerimit të verës e fus çdo pjesë –
Unaza mërgimi veç m’mashtrojnë!

Pse çdo fjalë më lind kaq e ftohur,
E kam harruar fushën e shkretuar
Më fshihet një rreze lind e panjohur
Përzier vetmisë time të padëgjuar…

II.

Qetësohu, rri si dushku pa u kall,
Mes ditës kasnecët më kërkojnë…
Me çdo ligësi më duhet përballë –
Për mua sytë lot mos t’iu pikojnë!

Kënga më la vetmitar, s’dua ndjesë,
Lumi buçet urat i ngërthen përfundi
Gjymtyrët e mia janë ding shpresë –
Me yje varg më vijnë prej katundi…

Mes gishtave të diellit është prarimi,
Nuk jam aq i brishtë dhe i llahtaruar
Deri n’frymën e fundit dikon rrezimi,
Më mbani mend kujtim të vetmuar…

Jam larg jush – thonë – aty ku flihet,
Këngët e rralla bukur më tingëllojnë…
Cili si struci zhgjëndërrave fshihet?
Pra, trumbetat diellore le t’iu zgjojnë.

III.

Sharjet pas meje për çudi i ndjeva,
Nga drita po tmerroheni, o marrëzi!
Jeni të çmendur fatalisht s’e ktheva
Kokën, s’u rrëfejë ç’është dashuri…

Vetmitar! Ai ndëshkim gjithë tmerr
I zërit të pakufishëm nuk zbukuroj!
I domodoshëm parajsës ose n’ferr;
Fillikat mesnatës me sy yje vrapoj.

Nuk ndryshojë as formë, as fantazi,
S’jam kokëshktretë – jam shtizëtari…
Mullarësh pastër ruaj në çik dashuri
Shtigjeve të fshehta ku ndizet zjarrri.

Rri mbushur me buzëqeshje fëmije,
Mes vetmisë së poetit ka diell veror
Mburrja e përulja janë shënjë trenie
Ngjyrat e arsyes kanë shpirt hyjnor…

E enjte, 23 korrik 2020, në
Dardaninë Ilire

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.