Nexhat Halimi
monolog i ushtarit të UÇK-së
i dhurova sytë e mi që ta gjej udhën atdheu
i dhurova këmbët, të mund të ecin lisat, krojet
i dhurova duart, fëmijët e trembur të zgjohen
të mund t’i prekin fluturat e dritës në gji
e të arrijnë te ëndrrat në kohë të robërisë,
në të cilën vdisnim për një fjalë fshehur gjakut.
ja, tashmë i lamë rrugës copëzat e trupit, fatin…
thotë ushtari i UÇK-së e lëviz me karro lirisë,
është i ngazëllyer, zemrës i zgjohen zogjtë,
ilirinë e përjeton ndërmjet atyre që s’ janë më.
emrin s’ ia flas pse ai ka veç dritën e yllit
pafundësinë e oqeanit të gjakut të Kosovës
e unë fluturoj kufirit të vjetër të Rugovës
e qaj pandërprerë në vetminë e thellë të prillit
e mes qiellit dikush ende ja i binte fyellit
e atdheu ecë e ecë me zvarritje të kërmillit
monolog i ushtarit të UÇK-së II
pisha jetike ndezur në hije të gjatë
rrënjës i rrjedh gjaku përmbi gur
luftëtari i plagosur ec betejat në urë
hëna e verdhë e ndrit e bie natë
kufiri ka ndërruar s’ është në Çakor
as nga Kulla nuk bie më dot
sysh më ikin vadë dy pikë lot
aty qëndronim me Azem Shkrelin
me poetin e këngës së hutinit
e këndoi Dyl Mehmetin në Rugovë
flakën e pashuar të luftës në Kosovë
te shtëpia e vjetër e drurit të tretur
pisha e zezë e vjetër hije gjatë
në qiell ende shqip një zog gërgat
kush e shiti zotIm shpirtin në natë
monolog i ushtarit të UÇK-së III
i fala këmbët që të mund të ecë atdheu
gjaku më rridhte përmbi gurë e krijonte mozaik
unë ndër gjëma shihja malet e Rugovës plakë
shikoja copëzat e Kosovës të zgjuara në flakë
e Kulla e Çakori e Zhlebi e lisat binin në liqen
e unë lidhja varrat në këmbët e këputura
i shikoja degët e një peme plot gjethe e fruta
rruga nën pluhur ikte përreth Malësisë së Madhe
në hapësirat lëviznin dele suta e ndonjë sorkadhe
ja vite më pastaj arriti dhe trimi i luftës
e shpërndau tufën dhe kufirin e vjetër e fali
mbeti vetën gjaku e ëndrrat e i zhveshur mali
unë e kujtoja Oso Kukën te liqeni i Shkodrës
e ngjitja hije pa këmbë nën lisa dhe gurë kodrës
e fituara me gjak shkëlqente qiellit ndopak