N Ë N A . I M E

0
204
Mustafa Spahiu
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

N Ë N A . I M E
Përjetësisht i përulem hijes së saj

Nëna ime –
s’kishte fustan mëndafshi t’Lahores,
flokët i kishte shpeshtake –
grunaja të Anamoravës,
erdhi nuse e re, u frutnua dhe u diellnua…

Nëna ime –
s’kishte unazë me xhevahir Hindustani,
I kishte gishtat e shpejtë – sovajkë! –
çdo ditë ia shtonte gjallërinë
shtëpisë pastërtinë – bujarinë,
prokopinë e katandinë –
s’e këpuste perin e pajtueshmërisë…

Nëna ime –
s’ishte zyshe, as profesoreshë
(me veshje kombëtare vesh),
I dinte të gjitha ninullat e rritës,
këngët e punës, këngët kreshnike,
ritet e motmotit, grishjen e shiut –
këngët e bletës, baladat e lashta,
epikën e trëndafilave – këngën e dasmës,
të çeizit – temenarat e nuseve me duvak;
përrallat popullore, misrat n’hamullore
(nafakëlindur me një çun dëshiri)
kithin e dashurisë në bebëza
dhe tërë emrat e luleve –
në pllajash e bregore…

Nëna ime –
kishte një kopsht – sofër hëne, – i
mbëltonte lulet më të kumakëta
(me aromë mahnitëse)
për zemrat e njerëzimit…
– Aty s’mbyllej porta guacë magjike –
pas kopshtit të nënës ishte një kopsht
blerak – si Kopshtet e Semiramidës,
me një qiell blu – Ujëvare të Mirushës,
aty – gërshetoheshin ëndërrat – mërli…

Nëna ime –
s’kishte makinë qepëse, as lavatriçe,
duart i kishte të zellshme – bletëbardha,
rrezet e diellit i bëheshin gjilpëra –
ylbereve ua huazonte arnat e larme
m’i qepte të grisurat në këmishë,
xhaketës e pantallonave..

Sa i lumtur isha me nënën time,
Sa i varfër jam për arnat e NËNËS!

Ndoshta e magjepsi amshueshmëria…

Dhèvendlindje, 1980,
Shkup, 1993.


NE DUAM PAQE ME RREZE

Para portave t’ylbereve,
Dëgjova kalimthi n’trumzë
Ç’thanë disa fëmijë me fantazi:
– Ne duan paqe,
Ne duan rehati – liri!
Në ne përflaket djalëria,
Bulëzon dashuria, brohoria,
Jeta lulëzon, diellnon –
T’ecim nga portat e rinisë;
Ta vizitojmë laboratorin e bletëve…

Njerëz zemërshpirtkulluar,
Njerëz zemërbardhë të mrekulluar,
Largonie perden e errësirës,
Flakni maskat e tmerrit!
Buzëqeshni si lilat me rruaza vese,
Grishni pëllumbat e bardhë,
Zgjeronie vallen miqësore –
Shtrinie shikimin në malbreze –
Oleandrore ditësh dantelore,
Sytë le t’iu shkrepin dashuri agimore.

– Ne s’jemi fëmijëri e luftës
(buzët tona duan pranverë)!
Edhe pse në Ne –
Ende plagët tuaja na sëmbojnë!

Ne duam vetëm siguri,
Ne duan vetëm rehati – liri! –
Mbi qepallat tona qiell kaltërosh,
Diell të ngrohtë t’ardhmërisë
Dhe pringrimin e barit galdosh!

Nuk duam, jo nuk duam!
Me luftë ta na frikësoni
(thotë një vocrrak shtatselvi),
Nuk duam ëndërrat tona
Të na zhdaravitën, –
Ne duam lojë e freski të përrenjve,
(të zbresim në pallatet e thneglave)!
Si gjithë fëmijët e botës – vetëm sytë
tanë le të puthen si vjollcat, si yjet e parë!
Ne duam vetëm rehati – liri! –
Mësim dhe dituri!

Fëmijët!
Janë një orë që s’ndalet kurrë,
Kurdiset nga ëndrrat e tyre…

Në Anamoravë, qershor 1993


SI VINË ËNDRRAT
Ëndrrat shpërndahen si rreze ndër lule…
poeti

Oh, ëndrrat e fëmijëve – bukurezash,
kush mund t’ia qëllojë – ngjyrë korale,
– Deti s’ka mbarim… – kush e di? –
Pse i këpusin frenjtë e luspave t’peshqve,
Ëndrrat si burime, si pasqyrëza të lëvizshme
dhe në sa meridiane e cepash
çerdhohen?

Gjakojnë të hyjnë në çdo nënkresë
si rrezet e dashurisë lehtë lëshohen
– kutia hapet – dalin ëndrrat!,
me ngulmë futen në çdo portë, dritare
me oxhakpastruesin zbresin së tokthi,
bile edhe nëpër katinare guaskash, i
bartin kurrillat mbi krahë –
vijnë si albatros triumfi, ëndrrat
në qeshje – hedhur buzëdetit,
dallgëzohen bregliqenit…
Fshihen në sheshlogun e dhomës
flutura të padukshme
me radarët e tyre të përsosur
i kërkojnë fëmijët, gjyshelocet
(ku janë, e ku s’janë)
që t’u blerohen mbi qepalla,
duan t’i ndalin lodrat e tyre
për një çast, s’ka dorë që t’i zërë;
ua falin shiun e artë të gjumit
të sjellur nga kopshti magjik,
ato e ruajnë çelësin kaherë të kërkuar
për ta çelë botën fëmijërore –
është mbuluar me vellon më të bardhë,
ëndrrat në çdo oborr mbjellin shpresë
për çdo natë mjafton një ëndërr e azurtë
që vjen e lehtë si ninulla e nënës –
kënga e motrës, plisi i tatëloshit, duke
shfaqur dëshira – qiell i dëlirë –
s’i kanë parandier asnjëherë më parë,
e shfaqin lojën e fantazisë së fluturave
asnjëherë të sosur…
Si vijnë ëndrrat askush s’i di,
janë interesante kur vijnë –
burojnë nga romanet e kujtimeve,
përjetimeve, udhëtimeve, rrëfimeve
që s’kanë fund…
Banojnë në një gjol rrethuar me buzeqeshje
e fshehin shpirtin e pranverës së tyre…
Ziliqarët kot i lëshojnë skifterët,
për gjumin e niposhit tim, të fëmijëve,
çupërlinave sykaltëroshe,
kur të kumbon qetësia – trimëria,
aty zhdaraviten në të pesë anët,
duart e tyre të padukshme i lypin –
duart e vocrrakëve, për ta shtruar
vallen e re të ëndrrave – ato zgjohen
që menatë për t’i parë – yjet –
si buzëqeshin fëmijët në gjumë,
si shndërrohen në trëndafila,
si shilarzen në krrelat e fëmijëve,
ëndrrat e paralajmërojnë një at
me krah të kaltër me botën fëmijërore
mbi shalë telatini – bukurie e sihariqesh,
– Si vijnë ëndrrat – pahitëse…
Kush ua ndriçon rrugën?
Vargjet pëshpërisin me ylbere…

Shkup, 28 maj 1986

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.