NA BASHKUAN DY LIBRA, NË GJIMNAZIN “SAMI FRASHËRI”…

0
2922
Murat Gecaj, foto

(Përurohen botimet e autorëve, Eglantina Mandia e Bedri Alimehmeti)

Nga: Murat Gecaj

Kisha disa kohë pa e vizituar Gjimnazin e kryeqytetit “Sami Frashëri”, megjithëse nuk e kam larg nga vendbanimi. Por ishte kolegu e miku im, mësuesi veteran Bardhyl Selimi, që u bë fjalëmirë ta realizoja këtë gjë. Ai njoftoi se aty do të organizohej një takim i bukur dhe mbresëlënës, si pjesë e veprimtarive me bashkësinë e kësaj shkolle të mesme. Kështu, maturantët e parë të vitit arsimor 1962-1963, do të takoheshin me brezin e e sotëm të nxënësve të saj. Për ta bërë sa më tërheqës takimin, ishte menduar që të përuroheshin dy libra. I pari, “Sonata e Hënës” i kushtohet martires Musine Kokalari dhe ka autore ish-mësuesen e shkrimtaren e njohur Eglantina Mandia, tani me banim në Kanada. Ndërsa libri tjetër ishte “Kjo këngë për ju”, me autor një nga maturantët e parë të kësaj shkolle, Bedri Alimehmeti, i cili është nderuar me titujt “Mjeshtër i Madh” e “Fisnikëria tiranase”.

Përveç mësuesve, nxënësve e prindërve, në këtë veprimtari ishin pjesëmarrës: mësuesja veterane Nafije Fani (Ciu), drejtori i shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari” të kryeqytetit, Besim Cengu; mësuesi veteran i shkollës së parë shqipe në Suedi dhe autor i disa fjalorëve e librave tjerë, Sadulla Zendeli-Daja, kryetar i Unioit të Shoqatave Shqiptare në Mbretërinë e atij vendi skandinav; drejtoresha e Gjimnazit, Teuta Dobi e zv.drejtoresha Bruna etj. Ndërsa, nga ish-maturantët e parë të kësaj shkolle, merrnin pjesë: Heroina Deliu, Nazmije Saraçi, Filloreta (Bebeka) Buxhuku e Sotiraq Findiku, të ftuar nga Përmeti etj.

Pata kënaqësinë që, në këtë veprimtari, takova Edith Nishanin, e cila banon në Firence të Italisë, bashkëshorte e kolegut e mikut të paharruar, të ndjerit agr.Tomson Nishani dhe ish-kolegen e punës në Ministrinë e Arsimit e Kulturës, Shqipe Abdihoxha etj.

Moderatore e kësaj veprimtarie ishte nxënësja e vitit të tretë, Nadia Guni. Me rastin e përurimit të këtyre dy librave, u bënë paraqitje grafike në ekran, recitime, këngë dhe ekzekutime me instrumente muzikorë nga nxënësit, si Edison Lika, Mira Tafa etj. Për përmbajtjen e librit të E.Mandisë, foli një nga ish-maturantët e parë të kësaj shkolle të mesme, Bardhyl Selimi. Ndërsa për librin tjetër foli vetë autori, B.Alimehmeti dhe mesuesja N.Fani. Me këtë rast, u shkëmbyen mendime të vlefshme rreth këtyre botimeve dhe u nënvizua fakti, se është diçka e bukur e domethënëse, kur shohim që brezi i sotëm i nxënësve është i intersuar për librat, të cilët u kushtohen traditave tona atdhetare, arsimore e kulturore etj.

Në mbyllje të kësaj veprimtarie mbresëlënëse, të dy autorët e librave të përuruar, pra Eglantina Mandia e Bedri Alimehmeti i falënderuan përzemërsisht, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit e u dhuruan atyre botimet e tyre, me nënshkrime dashamirëse. Gjithashtu, u bënë mjaft fotografi të përbashkëta, për t’i patur kujtim të paharruar nga ky takim.

Tiranë, 14 qershor 2016

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.