Nga: Murat Gecaj
Me dhimbje të thellë, ne kolegët e miqtë publicistë, dje morëm vesh lajmin e hidhur, se u nda përgjithnjë nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë e të gjatë, miku ynë i dashur e i paharruar, Tomor Peza, në moshën 66-vjeçare.
Për herë të parë, jam njohur me atë djalosh të qeshur e dashamirës dhe të aftë në profesionin e gazetarit, në vitet ’70-të të shekullit të kaluar. Na kishte mbledhur, së bashku, një organ qendror i shtypit të kohës, gazeta e njohur ditore, “Bashkimi”.
Tomori kishte mbaruar degën e gazetarisë, në vitin 1974 dhe, që në shkrimet e para, vërehej pasioni e dashuria e tij për profesionin.
Në kolektivin tonë, ai gëzonte respektin dhe dashamirësinë e drejtuesve, redaktorëve e gjithë personelit tjetër të gazetës. Edhe në vitet pasaardhëse, pra ’80-të e 90-të të shekullit të kaluar, ai mbahet mend nga lexuesit, për shkrimet e tij të bukur dhe në gjini të larmishme të publicistikës, si: komente, skica, reportazhe etj.
Në vitet e fundit, Tomori përjetoi një gjendje të rëndë shëndetësore, deri sa nuk mundi ta përballonte më jetën! Kështu, ai u nda përgjithnjë nga familjarët, kolegët e punës, miqtë e dashamirët e shumtë, duke lënë pas emrin e njeriut të dashur e të mirë, të profesionstit të aftë, në fushën e gazetarisë.
Lajmin e hidhur e mësuan shumë kolegë e miq të tij, brenda e jashtë Shqipërisë, të cilët i dërguan ngushëllimet e tyre të sinqerta, përmes Internetit, celularëve dhe vizitave pranë familjes. Ja, çfarë shkroi, në ngushëllimin e saj, kolegia e punës në gezetën “Bashkimi”, Yllka Mamaqi:
”Me hidhëroi shumë ky lajm. Tomorin, edhe pse shumë vite pa e parë, do ta kujtoj gjithmonë. Ishte djalë i qeshur, mik i mire, shok i dashur. Do të doja ta takoja edhe një herë, por fati i keq, kur të vjen, s’ke ç’i bën…Të qoftë dheu i lehtë, Tomi! Ngushëllime për gjithë te dashurit e tij. Miku im, Bujar (Qosja-shënimi im), do të të kërkoja që një lule, t’ia vendosësh Tomit, nga ana ime…”.
Po me fjalë të tilla, është shprehur publicisti Petraq Risto dhe sa e sa ish-kolegë të tjerë, duke kujtuar mikun e përbashkët e të paharruar, Tomor Peza.
Këtë shënim timin të dhimbshëm, po e shoqëroj me një fotografi-bust, shkëputur nga ajo e kolektivit të redaksisë së gazetës “Bashkimi”, në një drekë të përbashkët, në ish-Klubin e Gazetarëve, kur unë shkova redaktor në gazetën “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Kulturës, në vitet 80-të të shekullit të kaluar.
Në mbyllje të këtij shënimi, u shprehim ngushëllimet e thella familjarëve, kolegëve e dashamirësve të shumtë dhe gjithë atyre, që e kanë njohur publicistin Tomor Peza! I paharuar qoftë kujtimi i tij!
Tiranë, 5 korrik 2017