Ndre Mjeda – I tretuni

0
943
Ndre Mjeda

I

Me shí pshtjellun acarija
Permbî bjeshkë po shungullon;
E prei maleve stuhija
Ujët e détit e pervëlon.

Mal e rê, porsi dy zdapa,
Ngrehin luftë qi gjâ s’ e pret;
Gjimon moti e par’ e mbrapa
Mnershem rrféja po kerset.

Po këjo gjamë qi bân natyra,
Këjo duhië qi s’ ká pushim,
E kësaj zêmres â pasqyra,
 pasqyra e vájit t’ im.

Porsi ‘j ujk qi naten turret
E mbas deleve luron,
Kerkon mal e kerkon shkurret
Déri sá ndo ‘j vath’ e rmon;

Kênka thanë m’ u lëshue mizori
Mbî krye t’ êmin pá nji faj;
Kênka thanë me pshtue fajtori
E me hup kush s’ â si aj.

E me lanë njat vênd qi driten
E këtij shekullit m’ perftoj,
M’ u largue prei asish qi m’ rriten,
Qi kurr zêmra si harroj.

O ti diell, qi paa nji hije
Mbî Bjeshkë t’ Nênuma shkelxen
Per mue ndoshta atò shkambije
Ské me i shndritë kah shkon e vjen.

Val’ e Drinit rrotullore,
Qi per mal e fusha bje;
E ti e Buenës rrjedha qetore,
Jo, s do t’ m’ shifni kurr atjè.

Porsi rê qi tretë duhija
M’ ikë, o Shqype, vêndi i jot;
E kurr mâ nder dit te mija
Ndoshta n’ tý nuk piqem dot.

Lamtu-mirë, o mori Shkodrë!
Lamtu-mirë, o ti Cukal!
Zhduket Buena nen nji kodrë
Zhduket Drini nen nji mal.

Lamtu-mirë, o ti nanë shkreta
Qi me t’ vshtira m’ rrité kaq,
N’ kohë mâ t’ mirë per tý un treta,
Kúr pleqnija kerkon paq.

Veshn’ju lule, qi ju vûna
Me kujdes n’ at kopshtin t’ êm;
Tretni zogj, qi ‘j ditë ju xûna
Tuej flutrue gêmb mbî gêmb.

E ti grunë, qi muell buqari
Me djersë t’ ballit e t’ punoj,
Thai per hânë, o te mbëloftë bari,
Se un tý kurr mâ nuk t’ kerkoj.

Por ju, dele, qi blegroni
N’ bjeshk’ e n’ vrrî me tuba shpesh,
Shton’ju, shton’ju e lerg m’ i çoni
Per tregtarë do bashka lesh.

Hapi n’ bjeshkë, çetinë mbretnore,
Hapi gêmbat, kând e kând;
Trashu, shpardh, me trup e lëvore,
Lëshoju, bré me at shtatin t’ând.

Ndoshta ‘j ditë n’ nji breg te thyeshem
Ndo ‘j lundric’ o ‘j barkë shtegton;
Drunin t’ uej, per shêj t’ mallënjyeshem
Barka o lundra m’ a difton.

II

O terr i kësáj shpélles,
O hekra t’ shterngueshme,
Ju falem! mâ t’ kthélles
Nder gropa t’ shêmptueshme,
I falem, se shqimit
Ju m’ hiqni trishtimit.

Ky diell, qi këtû shifet
S’ â dielli i Shqypniës;
Kjo dritë qi këtû njifet,
 fundi i terrsiës,
Nuk flet, jo, shqyptari
Si ndihet këtû pari.

E kândshme si véra
Kúr çilin bylbylat;
Permállshem si éra
Qi napin zymylat,
Nder lule mâ s’ parit,
 giûha e Shqyptarit.

Bylbyla, qi s’ ndihni
N’ ket t’ mjeren shkretië;
Zymyla, qi shkrîhni
N’ ket t’ madhe thatië
Pá mujtë me lulzue,
S’ â vênd ky per jue.

Ju njeti galdoni:
Kû â flladi i pelqyeshem,
Kû qetas del kroni,
Kû gurra del rrmyeshem,
Zymyli n’ kopshtije
Terbohet nen hije.

Ograja bleroshe,
Kodrina t’ lulzueme,
Ti njeti kerkoshe,
O shpêz’ e bekueme,
Njat kangë, jo me shfrye
S’ â vênd ky per tye.

Këtû váji e trishtimi
Veç ndihet nder shpija;
Këtû ndihet… tingllimi
I hekrave t’ mija,
E gjama e nji t’ shkretit
Qi merr vala detit.

III

Po këndon nji djalë te bregu
Permállshem si tui kjaë;
As muzgu i natës as zheku
S’ mundet andej me e daë,
Si váj gjithkah i shkote
Zâni neper shkamîj.

Pshtetun mbî bërryl kah dédi,
Kû s’ shifet gjâ, me sy
T’ perlotshem kqyr’, e n’ védi
Duket se do me ndry
Nji sênd qi mbrênd’ i vëlote
Si grêtha o si gjarpîj.

Këndote nji fushë t’ punueme
Me grunë e me barishta;
Këndote nji shpië t’ vorfnueme
Kû vajton mbrêndë ferishta,
Vajtojnë dý goca t’ mjera
Me nji kunatë t’ pá fat.

Ndîhej si ‘j zâ qi fiket
Létas n’ gjith at shkretië;
Si nji percjellë muzhiket
Dukej ankimi i tij;
Si zâ lahutet qi éra
E tretë prei kësollet n’ shpat.

Ah! pásh at váj qi t’ grîni!
Mos e ndal kângen djalë,
N’ zêmrë nji gëzim m’ pertrîni
Njaj váji i yt, nji fjalë
T’ âmblë si ndesha e mikut
Qi zêmren t’a gazmon.

Per atdhé t’ând ti, vetun
Neper shkretië t’ këtij vêndit,
N’ zêmrë pelset, i tretun
Lerg shpiës e lerg gjith sêndit,
O djalë, e n’ frymë t’ denikut,
N’ furië t’ kësáj érës vajton.

Janë xhevahira, o i mjeri,
Lott qi t’ kullojnë per dhé;
E per mbî mjaltë â vëneri
Qi t’ turbullon n’ at fé;
Jan’ ár e gur t’ páçmueshem
Per nji kunorë n’ krye t’ at.

Ndoshta ‘j tallaz qi avitet
Tesh merr prei lotsh nji pikë,
E valë mbî valë prei dritet,
Me njallë nji uzdajë qi â fikë,
Kalon e ‘j shêj t’ lakmueshem
I çon t’ shkretnuemit fat.

IV

O lejlek, o shpênd udhtár,
Qi prei slargut jé tui mbërrîë,
Pásh njat frymë qi merr e t’ bár,
Ndalu ‘j herë n’ njiket shkretië,
Nji fjalë t’ vetme due me t’ pvetë,
O lejlek, o shpênd i shkretë.

Ndoshta ti kah jé tui ardhë
Atdhén t’ êmin e kalove,
Fushat t’ ona me krahë t’ bardhë
Kodrat t’ onat i kerkove;
Ndoshta n’ Drî ké laë atá fletë,
O lejlek, o shpênd i shkretë.

Edhè un n’ kopshtije t’ mija
Nji lejlek dikúr kam pasë;
Per gjith ditë tui m’ ardhë te shpija
Para deret e kam hasë;
Vîte lét te e mjera nanë,
Vîte e lŷpte ‘j sênd me ngranë.

E nan-zeza nuk pritote
Fqinit t’ vet me ja mbajtë besen;
E per ditë me ça i teprote
Zogut t’ bardhë i shtrote truesen;
Hate e pite ashtû gjith vérës
Aj lejlek, e u falte ndérës.

Une vetë me njat fatzië
Nd’ oborr t’ shpiës sá herë kam ndêjun;
Rrishe e lujshme neper shpië
Pá u merzit’ e pá ja mêjun,
Nji pecë t’ kuqe i pata qepë
N’ kâmbë t’ errmaktë qi kishte repë.

Oh! me e paë nji ditë n’ këto vênde!
Me dijt’ aj i mjerë per mue!
Me ‘j mîj’ t’ pvetuna e mîj’ sênde
Kishe i mjeri me e rrethue,
Kish t’a shof nji herë… aj vetë
Kênke ti, lejlek i shkretë.

Mirë se vjen! Vetë Perêndija
T’ paska prûmun nder kto vênde;
Se me tý gjith Shqyptarija
Fluturim mue m’ erdh, e n’ mênde
T’ tânë me ‘j herë njaj dhé m’ pertrîhet,
O lejlek, kû Shqypja ndîhet.

Ah! m’ kallxò, kallxò të verteten,
A lén dielli edhè mb’ at ânë?
A xhixhllojnë, si paras, n’ t’ shkreten
Shqyptarië e hyj e hânë?
A lulzojnë me lule t’ érshme
Mal e fushë si n’ kohë t’ at-hershme?

Per njat plakë qi me buk t’ rriti
M’ diftò, zog, a mund t’ qindrojnë?
A thue kâmbën jasht’ e qiti
Nder kopshtije qi lulzojnë,
Rreth e rreth tui lypë me sy
Diç qi n’ zêmrë ká pá shfry?

Gjamët, e saja tui ushtue
A i ké ndie neper at shpië,
Kúr shkon diten tui ankue
Nji djalë t’ shkretë qi e la n’ pleqnië?
Nji djalë t’ shkretë qi e mjera bori,
Qi n’ dhé t’ huej ká tretë mizori.

Atjè prap n’ at çerdhen t’ânde
Ké me kthye, lejlek, n’ prêndvérë;
Njatò vênde qi t’ i kânde
Ké me i pámun edhè ‘j herë;
E n’ at shpië kû askurr s’ u trême,
“Fal me shëndet” m’ i thuei nanës s’ême.

Thuei se e pásh n’ udhtime t’ mija;
Pertè détit n’ nji shkretië;
E kurrgjâ n’ ankime t’ tija,
Per pos nanës nuk i kam ndië,
Thuei: per tý veç kishte drojë,
Thuei…… por ça? ti jé págojë!

V

Nuk kalon nji nat’ e nd’ ânderr,
Porsi zhgjânderr,
E shof nanen këtu per brîë;
Me krye vjerrtë, me lot per sy
Rri tui shfry
Njat idhnim qi don me e grîë.

Ndêjun m’ duket prep te votra,
Kû me motra
N’ dritë t’ kandilit qepte e arnote;
Por njat gaz nuk ká qi i shndritte
Kúr goditte
Petkat djalit e shêndote.

Kqyrë njat vênd kû mbramje rrishe,
Kúr nuk kishe
Fije idhnimit neper ftyrë,
E ngurron si t’ kênke gurit,
E, pshtetë murit,
Lott i dalin rrkajë tui kqyrë.

T’ kishe dekë mâ mir’, o i mjerë,
Thote sá herë,
Afer nanës qi t’ desht e t’ ruejti;
T’ kishe mbyllë me duer te mija,
Këtû te shpija,
Njatá sy qi mordja shuejti.

Afer vorrit t’ând nan-shkreta,
Porsi bleta,
Ishte sjellun tui gjimue;
E n’ at bár qi kishte qitë,
Per gjith ditë,
Ndonji lule kish kerkue.

Po nji lule, o dashtenië,
Qi kish bîë
Per mjedis te zêmres s’ote.
Kishe mbledhë nji fije bîmet,
Qi prei dhimet
M’ ishte dukë se djali m’ çote.

Kjo pelhurë qi vetun mbëlova,
E punova
Nat’ e ditë kurr pá ja mêjun,
Kishte mbëlue kocîjt e mië;
Por per brië
Djalit t’êm i kishe ndêjun.

E mandej, si del nji krue
Tui bumue
Rreth e rreth prei brîjes s’ malit,
Rrkaj’ i ulen lott per rrudha,
– Nuk âsht udha,
Nanë, m’ u idhnue per t’ zeza t’ djalit.

Kúr n’ ket shekull n’ drit’ e qite,
Kúr e rrite
Me njat mûnd qi nep hitija,
“Nji nanë tjetrë, thoshe, ké,
Bír n’ ket dhé,
Nana e jote â Shqyptarija.

Mênd e zêmrë per tê shkrîji,
E pertrîji
Nâm e lavd kúr t’ i vîn dita”.
Mbas fjalësh t’ tua per herë shkova,
E t’ ndigiova:
Shqyptariën nuk e korita.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.