Ne nuk na mësuan dashninë

0
449

KultPlus.com, 7 SHTATOR 2017

Poezi e shkruar nga Elona Çuliq.

Brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqen e demonëve.
Ne nuk na mësuan dashninë,
prandaj vrasim,
nuk na mësuan të flasim,
prandaj vrasim.
Fminia jonë, raketë prej letre
lazdrohet në qiellin e duerve të nanës
vetëm ajo ishte gjithmonë
duke na gatue të ardhmen,
duke na la e shpërla nga idhëtinat e kohës,
duke na veshë e zhdeshë në rritjen tonë,
duke na hedhë grushtin e ujit mbas çdo dite të parë të shkollës.
Vetëm nana ishte, gjithmonë,
baba që rrinte deri vonë në punë,
baba që vinte i lodhun në shtëpi e s’duhej idhnue,
baba që flente e tanë shtëpia bzante,
baba që kishte halle e s’duhej trazue,
baba që kishte të drejtë me e çue zanin se ishte shtylla e shtëpisë.
Nana ishte vetëm, gjithmonë.
Grue që lind e vritet,
grue që rrit e vritet,
grue që të mëson dashninë e vritet,
grue që të mëson faljen e vritet,
grue që martohet për dashninë e vritet nga dashnia e vet,
grue që lind fëmijë në emën të dashnisë e vritet në sytë e fëmijëve të vet,
grue që asht nana e baba i munguem i çdo fëmije e vritet nga mirësia e vet,
grue që lind e vritet,
nga burri që nuk diti,
që refuzoi,
që nuk mundi,
që dështoi së mësuemi forcën e dashnisë së saj.
Brenda trupit tonë
errësina gëlon të kuqen e demonëve.
Ne nuk na mësuan dashninë,
prandaj vrasim.

Shtator, 2017.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.