NËN PLAFIN E TRISHTË

0
416
Brahim Avdyli - korrigjon poezitë në banesë në Rapperswil

Brahim (Ibish) AVDYLI:

(Panoramë e dytë e poezive nga dorëshkrimi im më ri)

STACIONI I POEZIVE TË MIA

1.

Ku të kthehem
prej të gjitha vargjeve
e të qetësoj
vetëm për pak
zemrën cfilitur,

atëhere mendoj
i shtruar prej dhembjes
ulur përballë
shpirtit tim.

2.

Jeta ime e ka çdo herë
nga një stacion të poezive,

me lot e pa lotë
rrjedhin dramat
në vargun e gjatë të ndjekjeve…

3.

Nuk e di
a është
apo nuk është
këngë me lotë,

të Bukurës së Artit
në një vegim
papushim i dridhem,

ngashërohem
ndaj të gjitha gjërave,

e nuk e marr
fare me mend
a jam i njëjti
përpara kohërave!…

4.

Në jetë
apo jashtë saj
nuk e ka ndonjë rastësi
a jam,

mjafton të jem
përballë të ndodhurave

e të them
pikërisht
raportin e gjërave!

5.

SidoQoftë
jeta është dinamike-
rrotullohen përherë
copat e energjive
anash apo drejtë
e poshtë apo lartë,

në drejtimet e pamatura
të lëvizjeve!…

6.

Ka kohë
që po mendohemi
për këto gjëra,

kush e thotë
se nuk e kemi
ndeshjen me njëri-tjetrin,

me qëllim rrënues
apo pa ndonjë qëllim,

ne, jemi
stacion i madh
me sprovat e dhembjes!…

E SHKRETA VJESHTË E VARGJEVE

Në fillim të shtatorit i lash pesëdhjetë e nëntë vitet e rjepura
vjeshta përsëri fshikullon gjethet me gjollin e tyre të tharë
në qiellin e zemrës sime fillojnë rrepëtimat e tyre të lotëve
saherë e kanë mjegulluar shiqimin nëpër bebëzat e vetmuara
ku të dal prej vetes nëpër unin e shtjerrur nga çastet e vrara…

pesëdhjetë e nëntë herë sillet vorbulli i vrapimeve pas një grimce fati
as të zë bulëzimin e këngës me lulet e para të pranverave të djegura
e ku të sillem e pështillem tani nëpër notat e pa fund të elegjive
vetëm, fillikat vetëm më lanë çdo herë kukuvajkat e zeza të këngëve
pak kush nga fëmijët e zemrës sime të plasur pas tyre më vie
shikoj, por kot shikoj dhe plas me dënesat e vargjeve të çmendura
Patrioti, Goca e Pranvera nuk më dalin shpesh ëndërrave të përqafimit
ndonjëherë rrallë i shoh për të shtruar bashkë pehlinin e viteve
shkapërdherdhur janë, të ndarë, të ndrydhur e të shukatur
nga zërat e vjeshtës…

Askund nuk mund të kthej prap kohën në drejtimin e duhur të shpirtësisë
edhe pse i mendoj me lot në faqe mugullimet e tyre pranverore,
as Eldini nuk ka guxim të më jap një mat midis psherëtimave të mia
kush e di se cilat pëshpëritje të erës i ndalin mbi gjethet e thara të fjalëve
janë kthyer në furtunat e tmerrshme të viteve largë prej ndjenjës së gjallë
e ato më përcjellin kudo me trishtimin e errët të dorës magjike të stinës…

O Zot i Madh, a ka fuqi zemra ime e trishtë të sjellë gufime të gjakut
laps e letër i kam marrur me vete para se të pushojnë rrebëtimat e shpirtit
ku u linda apo rashë nga qielli i juaj, nga kozmosi, pa anë e yje, terrinë
ne të dytë, unë dhe kjo stinë, i sillemi botës anë e përtej me gjollet si hije
stina e shkretë e këngëve melankolike fillon përsëri të ndjehet
e shohim tek bie, aty e këtu, me gjethet vërdallë, nëpër rrjeshta të këngëve
mua nuk më përfillin ata që pëshpërisin fjalët e nënshkruara hapësirës
e i thonë si t`i kenë marrur në ndonjë çast papritmas nga kupa e tyre…

Kë të pyes, e shkreta apo e zemërplasura vjeshtë,
a jam unë apo ti autori i përkryer i dhembshurisë së viteve
të pyes ty, e përgjegjen e pëshpëritë, por nuk e dëgjoj-

jam vjeshtë e trishtë e pikëllimeve të vargjeve!…

PJESA E HUMBUR

1.

Cila je ti
pjesa e humbur e tri stinëve

të pyes o vjeshtë
edhe pse mendoj
se je dhembja ime e fundit
para dimrit…

2.

Nuk mund të ndaloj
gjethet që bien
nën fshikullimin e stuhive,

a është dashuria për gjallërinë
bukuria me pranvera të luleve
vera që nën Diell
e rritë prore jetën,

stina vjeshtore e pjekurisë
cikli i veçantë
i mrekullisë së ftohtë
apo vdekja e bardhë nuk e di…

Asgjë nuk duket
nga e padukshmja,

është e parakohshme të thuhet
për drithërimin e patjetërsuar!…

3.

Le të bien gjethet
që nuk mund t’i ndaloj,

era fshikëllon
me zërin që nuk kuptohet

e pikëllimi
pikë mbi fletët e zverdhura
derisa po mendohem merzitshëm
me fjalët e pathëna,

krijuesi e krijon
në shembullin e Krijuesit të Galaktikës
Sferën e Jetës,

shpirti del nga trupi
e shkon në botën e përjetshme!…

4.

Bini ju gjethe
bashkë me lotët

prej bulëzimit e mbani në pip
ngjyrën e gjelbërt
deri te zvedhja
sikur vdekjen,

koha tek fundi po kalon
e humbja mbulohet
nën fshehtësinë e bardhë!…

5.

Nuk e di
se si mund ta kuptojmë
këtë cikël
në ekranin pasjetësor,

mund të supozojmë
se cila është
ha-mendja e jonë

e jeta dallon
si gjethet
nga dita në ditë

që bien
në koshin e madh
të dhembjeve!…

KUFOMË E GJALLË

  • Teki Dervishit

1.

Nga Pirgu i Vetmisë[1]
zbres poshtë deri te Suka
majën e Shkelzenit e kam futur në xhep

nuk e di kush më parakalon
as të vdekurit nuk i përcjell

jam Kufomë e Gjallë e Ndjenjave
që bredh i djegur flakë
duke të kërkuar ty,
Teki Dërvishi!…

2.

Një shirit i dritës
që ti i thua shukë
më merr me vete që ta rilexoj
të vërtetën time
brigjeve të pikëlllimit,

e dhembja nuk më ndalet
me pirgun e lojtarit
për ta vjedhur fjalën
nëpër paudhësitë e mëkatshme

derisa fshehtësia
tërësisht
e gëlltiti të drejtën!…

3.

Herë kaloj me ty
në maje të Shkelzenit
e herë kalon ti me mua
deri te Maja e Botës,

atëherë
Suka mblidhet grumbull
deri te herezia e Dërvish Mallutës[2]
të gjithë janë
por nuk ua di emrat,

përcëllohet drita
nëpër ngushticë zemre,

kur isha i ri
kam qenë
Ibër Dervish Hima,

e nuk e di se si më quajnë
derisa të shpallin urtësinë
hieroglifet e dhembjes…

4.

Bregut të pikëllimit[3]
kush do të na i lexojë dhembjet
nëse nuk i zgjidhim magjitë,

lojtari i jonë luan me kohën
është i veçantë si Narcisi
dhe bëhet Apollon i bukur,

koha ia vret papushim ëndërrat
pikëllimet, zhgënjimet e pësimet
lugut të vetmisë,

kështu
Shpirti i Shenjtë
ka mbetur Kufomë e Gjallë

e bërtet për paudhësitë
deri në Kupë të Qiellit!…

5.

Të kisha qenë përtej varrit
e përgjithmonë
në duart e të Mirit

isha mbuluar i qetë
me plafin e vjeshtës

e nuk do të digjesha
me flakën nën flatra

sa të gërdisja
Shkelzen e Sukë
me tingujt e mendimit!…

13.10.2019

FJALËT E GURËZUARA

1.

Duke menduar
fjalët
më shfaqet
bota e tyre
në një bjeshkë mendimesh,

e shoh Diellin
që mbi to i then rrezet
sa për ta përtrirë veten…

2.

Në cepa të zanoreve
na preheshin fjalët
e nxirreshin
me dalta të bashkëtingëlloreve
aq sa e duron
Zemra e Gurëve,

pastaj ngriteshin në kala
në mes të shkretëtirës
ku askush nuk mendon
se ka mermer
që buzëqesh diellisht
me të pamundurën!

Të vërtetat i nxjerr
edhe prej pluhurit të rërës
për të mbrojtur të drejtën
pikë për pikë drite!

Aty ku nuk ka uj
për të shuar etjen
buzëve të logarisë
pikë shpirti i bardhë
një krua të rrallë zemre…

3.

Kështu
është e gurëzuar fjala
që njëherë thuhet
e nuk zhbëhet
edhe pse disa herë paramendohet
si fjalë e pathënë,

vjen koha që të jenë
bjeshkë mendimesh,

e askush nuk matet me to!…

06.10.2019

PËRROI I DITËVE

1.

Përroi i ditëve
niset prej vendlindjes

herë i thatë
me gjurmët e kohës së bjerrur

e herë të tjera me rreptima
duke e shtyrë
dufin e egër të një çasti,

ndonjëherë fryhet
e del nga vetvetja-

viteve të brejtura nga e liga!

2.

Llabënica i ka
gjurmët e dredhave të saj

kur shfryhen retë
me vetëtimat e pandara
mbi Shkelzen,

e rrjedh
me lotin e tharë të fëmijërisë
nëpër shkrepat e Pllanikut
deri në Thur të Zvicrës.

3.

Ato ia zbrazin
njëra tjetrës
të idhtit e kohës mbi damarë

nëpër dredhitë e ditëve
të një moshe që lëvizë
deri në të zverdhur,

e nuk i numëroj
sa të djeshme
kanë kaluar
me vetminë e këngëve të mia…

4.

Tani
jamë fund të ditëve,

asnjë pulëbadhë
nuk endet rreth meje

apo ndoshta
atë e ndjekë
dhembja ime pa te.

5.

Të braktisur më morën
të padukshmit me vete

e më lanë përherë të baktisur
si fëmijë i përbuzur

në moshën e pjekur
kurdoherë të rris
fëmijët e ndarë

e tërësinë të mos e përjetoj!

6.

Nuk e di
e kujt është
kjo ofshamë e përhershme
që pa zë
ndjehet e thellë,

ndoshta ajo
është qenia që bërtet,

sikur të jetë
e mbyllur
në harresën e qëllimtë!

7.

Ky është
edhe Skifteri

ndër vite më përcjellë
me vajin e pa shpresë,

rreth tij
qenkan mbledhur
rrotull gjarpërinjtë

tek bërtet
fillikat
në mes të shkepave,

e fëmijët i ka lënë
papriturazi
të ndarë pa prind

pasi dhuna e dikton
ulur
në maje të kepit!…

8.

Të qaj unë
apo të këndoj
krejt thekshëm-

lot e gjak përzihen
në një klithje pa fund,

i gjëj tek malet
dy fëmijët e strukur,

breshërima e vajit
thellë në shpirt
padyshim më rrjedhë

derisa duken
të lagur qullë
nga shiu i lotëve!…

9.

Më në fund
janë strukur ndër lojëra,

askush nuk i pranon
të luajnë së bashku

vetëm gjyshi
i bashkon psherëtimat
dhe plas i tëri
në një segment të kohës.

10.

Fëmijët
mbesin prore
në një pikëpyetje,

nuk e dinë
as çka do të thotë
të jesh i ndarë
nga zingjiri i prejardhjes,

ku do të jesh
apo si do të jetë
identifikimi i biografisë!…

11.

Përroi i ditëve
kështu e ka ushtimën

përfundoka rrjedhën
në një lumë ndjenjash,

lumi del dikund
në det
e deti në një oqean,

çdo valë
e ngritur reshjesh
është vetëm një kukamë
e kthyer në këngë

e cila bërtet
e ndjehet
edhe përtej kohërave!…

R E F E R E N C A

[1] Nga autori i veprës është “Pirgu i lartë”, roman, të cilin poeti e ngrehë në “Pirgun e vetmisë”, dhe e cila identifikohet me “poetin e të së vërtetës”, pra edhe me vetveten.
[2] Romani tjetër i Teki Dervshit, “Herezia e Dervish Mallutës”, është i botuar në Rilindja, Prishtinë 1981.
[3] Drama e Teki Dervishit quhet „Bregu i pikëllimit”, Rilindja, Prishtinë 1985.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.