Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar
Kah gjysa e mojtit të Qershorit 1911, Valija i Shkodrës i atëhershëm Z. Mustafa Nedin iu lut Argjipeshkvit të Shkodrës, Shk. së Tij Emzot Serreqit, me shkue në Podgoricë, me Hot e me Grudë, qi kishin kalue kufinin e dalë në Mal të Zi kohën e Turgut Pashës, me u thanë atyne qi Mbreti i kishte falë, por të këtheheshin ndër banime të veta e damet qi kan pasë, kishte me u a shpërblye.
Edhe Argjipeshkvi muer me vedi At Gjergj Fishten e mue, e u nisëm për Podgoricë Mbas pak kohe qi mërrijtëm atje, Argjipeshkvi më çoi mue në Triepshë me u ndeshë me Malsorët e atij vendi e me u a diftue mesazhin e Mbretit.
Z. D. Nikollë Ashta e At Mati Prennushi më shoqnuen n’at udhtim, e nji të diele në nadje heret fort u gjetëm te Kisha e Triepshit. Si u mblodhën Malsorët, dola e si u pershndeta me ta, u thaçë kot fjalë: “Z. Argjipeshkvi ka dalë në Podgoricë me u pà me ju, por mbasi ai vetë nuk mujti me ardhë deri këtu, na ka çue nè. Ju falet pra me shndet e ju çon bekim“.
Të gjithë nji gojet u pergjegjën: “Zoti i ngiatët jeten Argjipeshkvit e i falemi nderës fort qi na ka kujtue“.
Mbas këtyne fjalve u thaçë sa vijon:
“Argjipeshkvi më ka ngarkue me ju thanë edhe se Mbreti ju ka falë veçse ju thërret me këthye ndër shpija të tua e ju ep fjalën se ka me ju shpërblye gjitha damet qi keni pasë“.
Iu lutën Marash Ucit me folë per të tanë, e Marashi muer fjalën e tha:
“Zotni, po na thue se Mbreti na ka falë. Shka me na falë? Na mos i kjofshim falë aspak Mbretit qyshë se ai në Kuvend të Berlinit na pat lëshue doret e na pat dhanë Malit të Zi. Gjithkush e din kangën «Hot e Grudë na i ka dalë fjala – Ia ka falë Mbreti Nikollës». Na qyshë at herë nuk kemi pà ditë të mirë. Vendet t’ona i kemi ruejt na vetë e s’asht shkrép e gùr qi nuk i kemi la me gjak. Shka don me na falë pra Mbreti? Por se jemi të vogjel, se me shtij pleq me Mbretin na Mbretin kishim me e qitë borxh“.
I thame se si do qi kan kenë ato punët e atëhershme a doni me këthye ndër vende tua a jo? Na përgjegjën se sot për sot nuk e kemi at mende. Edhe ne këthyem në Podgoricë e përgjegjën e Malsorve i a prueme Z. Agjipeshkvit.
Mbas pak kohe (dy a trì dit) po vjen në Podgoricë Ministri i Turkìs i Cetinës, Z. Sadedin Bey me i bâ nji vizitë Argjipeshkvit. Mbasi ky Ministër çfaqi dishirin me u pa me krenët e Malsis, kje da me i mbledhë kta e m’e pritë Ministrin ne e nesre në nadje.
Erdh Ministri e Malsorët ishin mbledhë në nji odë të nji shpìs në Podgoricë për me u pa me Ministrin, ku e percolla un si dragoman qi më pat shenjue Argjipeshkvi. Ishin n’at odë, për shka më bje në mend: Dedë Gjo Luli, Dedë Nika i Grudës, e disa të tjerë.
Para se me hi Ministri, shkova te Malsorët e u thaçë qi të dashin nji ndër ta qi të flitte n’emën të të gjithve. Danë Dedë Gjo Lulin.
Si hîmë n’at odë Ministri u fal me ‘ta e u thotë: “Zotni kam ardhë prej Cetinet me ju pa“.
Dedë Gjo Luli po i përgjegjet: “S’na ka pasë marrë malli për ty“.
Mue m’u dote me ia perkëthye.
Si u ulem e ndejëm po i thotë Ministri: “Mbreti ju do e ju ka falë“.
Dedë Gjo Luli nuk e la me mbarue e me ‘i herë i tha: “Mos na përmend Mbretin pse s’kemi punë me te. Aj as nuk na njef as nuk i di punët tona. Por ju qi vini mbas Mbretit jeni të tanë hajna e menafikë, e ju e rrêni si për nè si për të tjerët. Pra aj nuk ka shka na falë“.
Atbotë Ministri sillet kah un e më thotë: “Po pyeti kta Zotni, at librin e kuq qi kta permendin a e duen për vedi a për të gjith Shqipnin“? (Libri i kuq permbante disa pika të cillat i ndieri Luigj Gurakuqi i kishte pregatitë për me ja lypë Mbretit për Shqipnì).
Si e pyeta Dedë Gjo Lulin, aj pergjegji: “Ato pika qi janë n’at librin e kuq i dona mâ parë për vedi, mandej për Shqipni mbarë“.
Ministri, i cilli nuk kishte mujtë me mbajtë gjakftohtësin, u çue mjaft idhnueshem e më tha: “Thueju se s’kam me ardhë mâ me i pa“.
Marrë vesh kto fjalë, Dedë Gjo Luli i ndei gati e i tha: “Kurr bojën mos t’a pafshim“.
Kështu mbaroi ky kuvend pa kurrfarë kënaqësije si pat fillue.