NJË BASHKËSHORTE E MODELIT TË LARTË DHE FIGURA E PËRJETËSUAR, E Prof. Dr. SHEFIK OSMANIT

0
337

(Shkrim-portret, për një çift arsimtarësh, krijues të shquar)

Nga: Prof. Dr. Hektor Veshi

Kur seria e botimeve, me krijimtari shkencore pedagogjike etj., të shkruara nga Prof. Dr. Shefik Osmani po zgjatej, kaloi mbi dhjetë, dikush e pyeti të shoqen e tij: Ku po i gjeni forcat (?), e nderuara Urti, ajo u përgjigj, afërsisht: “Edhe unë nuk e di! Po shtytësi më i vendosur për nismën ishte shoku i ngushtë i tij, i moshës e i shkollës,doktor, që një ditë ma propozoi nismën dhe unë i thashë “nuk mundem; nuk jam as e zonja!. As mosha, rreth 85 vjeçe, nuk më lejon?!” “Nuk do, jo nuk mundesh!”- nguli këmbë ai dhe iku në Durrës, gjasme, i pakënaqur me mua…”.

E prekur në sedër, po, natyrisht nga dashuria në çift, aq e admirueshme nga të gjithë sa i kanë njohur, zonja Urti ia nisi vërtet krijimtarisë: Kërkimit, gjetjes, sistemimit, shtypjes dhe botimit, në vëllime me tematikë orientuese shkencore-pedagogjike, të të gjithë krijimtarisë së profesor Shefik Osmanit, e cila filloi qysh nga viti i largët 1942 e vazhdoi për 70 vjet, deri më 2012, kur, ai u nda nga kjo jetë.
E gjithë vepra e saj, për të, familjen e punën, përmblidhet në njëmbëdhjetë vëllime. Përveç “Fjalorit të Pedagogjisë”,vepër e parë, e madhe, origjinale e solide e Prof.Sh.Osmanit, e vlerësuar lart, si për përmbajtjen edhe për paraqitjen e saj.

Këto ditë, dikush e kishte pyetur, zonjën Urti Osmani – “Mësuese e Popullit”, tashmë në vitin e 90-të të jetës: “Me se po merresh?” “Nuk di çfarë të bëj!?…”- ishte përgjigjur. Nënkuptimi, për këdo, është se ka dëshirë, ka edhe mundësi, duke e mposhtur moshën, lodhjen aq të madhe, që kërkon korrektesa në përgatitjen e librave. Por gadishmëria tregon pafundësinë e dashurisë për ish- bashkëshortin, me të cilin është ndarë prej korrikut 2012, atëhere kur ai ishte afër aq, sa ajo ka moshën e saj, tani. S’ke ç’thua! Grua, bashkëshorte, bashkëpunëtore dhe vijuese e veprës së tij, mësuese në rolin e edukatores së brezave, fillimisht, pastaj përmes dijes, autore e teksteve mësimore dhe ndihmëse e bashkëpunëtore e të shoqit, në të gjithë krijimtarinë e shkruar.

Krijimtaria e tyre, secila më vete apo si çift, me autorësinë e të dy bashkëshortëve të rrallë, arrin në rreth 75 vëllime! Një enciklopedi e gjerë dashurie familiare e bashkëshortore, pedagogjike e psikologjike. sidomos për shkollat e ciklit të ulët e speciale, për te mesuarit në shkollat shqipe jashtë vendit, për ndihmë në koregjimin e shqiptimit të disa tingujve e fjalëve nga nxënësit, për historinë e edukimit e shkollimit, për kulturën islame, për filatelinë si mundësi e zgjerimit të dijeve, për nxitjen e talenteve në fusha të krijimtarisë shkencore e letrare etj. Dhe, më kryesorja, për dashurinë ndaj Atdheut, gjuhës shqipe, traditave mbarëkombëtare, pavarësisht ndarjeve administrative politike të shqiptarëve etj etj. Krijimtaria e tyre zë vend me dinjitet, krahas asaj të personaliteteve të tjerë të shkollës e të pedagogjisë shqiptare dhe i shërben, si burim i pafund dijesh, personave që do të vijojnë punën, mësues e drejtues të shkollave dhe, veçanërisht, studiuesve shkencorë, në qendër ose në rrethet e vendit.

Shumë persona, që iu kanë rënë në dorë këto libra, miq, shokë, bashkëpunëtorë, ish-nxënës, personalitete të shkencave të ndryshme, sidomos të shkollës e të pedagogjisë sonë, i kanë shprehur me fjalë ose edhe kanë shkruar, me vërtetësi e admirim, zonjës Urti, për punën e bërë. Disa prej tyre gjejnë edhe veten aty, përmes veprimtarive, brenda e jashtë vendit, me Prof. Dr. Shefikun dhe, në vijim, me vetë zonjën Urti, gjatë përballimit të punëve për botimet e realizuara.Ndër ato, permendim Bibliografinë dhe Albumin me fotografi, pasqyra të evoluimit e ngritjes së njeriut e personalitetit shumëplanësh e të paharruar, Profesor Doktor SHEFIK OSMANIT.

Tiranë, Korrik 2018

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.