NAXHIJE DOÇI – Prishtinë
Më 2008 për atdhetarin, intelektualin dhe krijuesin e përmasave të gjëra:
– DESTAN BAJRAKTARI
– LAJM-GËZIMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS – 17 Shkurt-2008
(Shkrim botuar në Gazetën ”BOTA SOT” – 28.02.2008)
Baba i çmuar – Destan Bajraktari, sot, në trevjetorin e amshimit tëndë, dua t’i shkruaj dy-tri fjalë pak më ndryshe për ty. Dua të kujtoj dhe të bisedoj me ty, jo për ta shprehur dhembjen e madhe, që nuk të kemi më në mesin tonë, por që të ta jap një lajm tepër të mirë, të pakrahasueshëm dhe të papërsëritshëm në histori për ne si popull shqiptar dhe për ne si Kosovë. Për këtë lajm, të pritur nëpër vite e shekuj, kam ardhur të të lajmëroj te Varri Yt, Baba, aty ku prehesh i qetë në dheun e vendlindjes tënde të shtrenjtë, në dheun e Therandës tënde për së tepërmi të dashur për Ty e për ne, në dheun e Kosovës – Shtet.
– Baba i çmuar, erdha që ta jap lajmin për shpalljen e Kosovës Shtet i Pavarur dhe Sovran, se shkove me mallë të pashuar pa e parë agimin e kësaj Dite të Bardhë dhe të Madhe për ne. Me këtë lajm, Baba, doja që ta qetësoja amshimin tëndë prej atdhetari të palodhshëm dhe prej intelektuali e krijuesi të përkushtuar të letrave shqipe.
– Në javën e fundit të muajit shkurt të vitit 2005, sa ishe i shtrirë për dy-tri ditë për kurim në spitalin e Prishtinës, ishe shumë i qetë dhe kishe pamje krenare prej burrash të pathyeshëm. Me një qeshje, që në dukje ishte pak si e lodhur nga sëmundja, pa dashur që të më shqetësoje, më pate thënë, se nëse Pavarësohet së shpejti Kosova, të më lajmërosh e para!
E gëlltita dhembjen në heshtje, dhe të premtova Baba…! Nuk e kisha fare të lehtë premtimin, por s’kisha rrugëdalje tjetër, se e merrja me mend këmbëngultësinë tënde për gjërat që ishin të rëndësisë kombëtare…!
– Tani, në trevjetorin e amshimit tënde, jam këtu, para varrit tënd dhe para madhështisë tënde, Baba, që ta kryej amanetin e premtuar! Që t’i shëroj dhembjet trishtuese, që i përjetove me vite nëpër burgjet tmerruese serbe, për t’i dalë zot Kosovës tënde dhe popullit tëndë shqiptar.
– Tani jam këtu para varrit tëndë që ta madhështoj krenarinë tënde Baba…!
– SHKRIMET TUAJA – PASURI KOMBËTARE
– Vitet shkojnë si uji nën urë! – thoje sa e sa herë i shtrenjti ynë Baba, kur bisedonim për ngjarjet, që kishin trandur përherë nëpër mote tokat tona me lashtësi që nga parahistoria. Nëpër ato vite tepër të mundimshme për ne si popull shqiptar, gëzimet tona ishin krejtësisht të pakta në jetë – na thoje. Të shumta i kishim vetëm vuajtjet dhe shpresat e pashuara për ditë të bardha, që një ditë patjetër duhej të vinin edhe për ne.
– Jemi popull i veçantë, në vendin tonë dhe në rrënjët e lashtësisë së të parëve tanë me nam – thoje sa e sa herë, Baba. Trimërinë e kemi virtyt të lindur dhe shënjëtëri. Mirësinë dhe sakrificën për tjerin e kemi tepër njërëzore, se jemi popull zemërgjerë dhe me kulturë të rrallë e të lashtë- thonë urtësitë tuaja të shkruara, në librat tuaja të shumta, Baba.
– Krenarinë dhe dashurinë i kemi dhunti nga Zoti i Madh! – thoje. Me madhështi të tilla kemi hapëruar nëpër mote të turbullta duke iu sfiduar rrëbesheve të stuhishme të armiqve të shumtë, që ia kishin mësyer nga anë të ndryeshme të globit bukurisë gjeografike të vendit tonë – thoje! Kah nuk i kishim pritur fare kishin ardhur ato hordhi të mallkuara pushtuesish, që kishin lakmuar në begatitë dhe në kulturën tonë të rrallë, të cilën me çdo kusht donin që ta bënin të vetën.
– Lirinë e donim si toka ujin – Ishin fjalët tuaja përplotë mënçuri Baba!
– Thoshe mendime dhe mençuri edhe të tjera Baba, me qindëra dhe me mija, të panumërta, të cilat ne i kujtojmë dhe i përsërisim vazhdimisht në shenjë kujtimi dhe nderimi për ty. I kujtojmë edhe në shenjë domosdoshmërie, si shumë të dobishme dhe të nevojshme që t’i dimë! Mendimet dhe shkrimet tuaja janë pasuri kombëtare, që ia le trashëgim popullit tëndë të lashtë dhe liridashës, që ia le trashëgim mbarë njerëzimit paqëdashës dhe të kulturuar. Në librat tuaja të thesarit tonë popullor, si edhe në librat e shumta poetike për të rritur e fëmijë, është i pasqyruar shpirti i popullit shqiptar, për të qenë Zot i vetvetës në tokën e vet.
– MADHËSHTIA E PARAARDHËSVE
U përkula edhe para varreve të të mëdhenjëve të tjerë të familjes sonë, Baba, që preheshin përreth teje, se të gjithë ishin luftarë nacionalistë dhe kontribues të pakursyer për lirinë e Kosovës dhe të Shqiptarisë. Të gjithë ishin edhe përjetues të aksioneve të mëvonshme tmerruese dhe shfarosëse serbe mbi shqiptarët e Kosovës.
U përkula para varrit të Asllan Bajraktarit të Dytë, luftarit nacionalist të viteve 1943-1944, në kufi me Malin e Zi dhe në Malet e Sharrit. Përjetuesit dhe mbijetuesit të masakrës së Tivarit, më 1945, të aksionit të mbledhjes së tepricave, si edhe të aksionit të mbledhjes së armëve të vitit 1956.
– U përkula edhe para varrit dhe para madhështisë së Zekë Bajraktarit të Dytë, luftarit të pakrahasuar nacionalist të vitit 1943-1944, në kufi me Malin e Zi dhe në Malet e Sharrit, ku edhe ishte plagosur rëndë, të burgosurit politik, i dënuar me 17 vjet burg nëpër kazamatet tmerruese dhe shfarosëse serbe. Pranë varrit të tij qëndronte madhështor mermeri i varrit të Sefë Bajraktarit, poashtu i burgosur politik në vitin 1949 dhe i maltretuar deri për vdekje gjatë aksionit të mbledhjes së armëve, në vitin 1956. Sefën e vranë uniformistët kriminelë serbë në prag të shtëpisë së vet gjatë luftës shfarosëse për shqiptarët, më 25 mars 1999. Nuk kishte dashur Sefa të largohej nga trolli i vet dhe nga rrënjët e të parëve të vet.
– Në krahun e djathtë shndërriste mermeri i varrit të Alush Bajraktarit, luftëtarit të Luftës së Parë Botërore më 1914, si edhe luftëtarit nacionalist të viteve 1943-1944 dhe i maltretuari i përtej masave njerëzore gjatë kolektivizimit të pronave, më 1947 dhe gjatë aksionit të mbledhjes së armëve, më 1956. Pranë tij preheshin Maliqi, Jemini, Ademi, Zeneli i Dytë dhe burrat të tjerë të familjes, që përjetuan tmerret e luftrave dhe të aksioneve të shumta kriminale serbe, të bëra mbi familjen Bajraktari dhe mbi popullatën e pafajshme e të pambrojtur shqiptare të Therandës me rrethinë.
– LAJMIN E GËZIMIT EDHE PËR PARAARDHËSIT LUFTËTARË TË LSHP
– Baba i shtrenjtë, nuk munda pa ecur edhe nëpër vitet pak më të hershme të historisë së Therandës dhe të Kosovës, që t’ua jap lajmin e papërsëritshëm të gëzimit edhe paraardhësve tanë luftëtarë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të vitit 1878. Lajmin e gëzimit, si jehonë, ia dhash krenare edhe stërgjyshit tonë të Madh të kësaj kohe, Zekë Bajraktarit të Parë, pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të vitit 1878, si edhe prijetar i Bajrakut të vet në luftë kundër aneksimit të tokave shqiptare, në kufi me Malin e Zi. E lajmërova edhe stërgjyshin tim (gjyshin tëndë Baba), Asllan Bajraktarin e Parë, poashtu prijetar i Bajrakut te vet (kuptohet pas rënies heroike në luftë të babait te vet, Zekë Bajraktarit të Parë) në luftë kundër aneksimit të tokave shqiptare në kufi me Malin e Zi.
– Zekë Bajraktarit të Parë dhe të birit të tij, Asllan Bajraktarit të Parë nuk ua dimë varret Baba, se ranë të dytë dëshmorë te Livadhet e Gjakit, në luftë kundër aneksimit të tokave shqiptare në kufi me Malin e Zi. Ua dimë vetëm madhështitë dhe trimëritë. Ato nuk do t’i harrojmë kurrë!
– Nga afërsia e varrit tënd Babai im i shtrenjtë ia dhashë lajmin të madhit paragjysh, Zenel Bajraktarit të Parë të Therandës (Suharekës), prijetarit të trimave të Bajrakut të vet dhe përgjithësisht të pesë Bajraqeve të Kosovës, në luftërat për liri të viteve 1909-1910, në Grykë të Carralevës, kundër hordhive turke të Shefqet Turgut Pashës, se nuk ia dimë sakt varrin ku e ka. Atë e kishin var turqit në litar, më 10 gusht 1910, në lagjen Bazhdarhane, në Prizren (bashkë edhe me trimat Rrustë Kabashin dhe Musë Rahavecin e familjes Dërgutaj) dhe nuk e kishin lënë familjen që ta merrte trupin pa jetë të trimit, që ta varrosnin në vendlinjen e tij, në Tharandë (Suharekën) e tij të shtrenjtë. E kishin varrosur pushtuesit turq në Prizren dhe ia kishin humbur gjurmët e varrit, si kundërshtar i përbetuar dhe i përhershëm i Perandorisë Osmane, që ishte.
– I shtrenjti ynë Baba, gjyshit tim shumë të çmuar, Sejdi Bajraktarit të Parë (1888-1941) të pakrahasuar për trimëri e mençuri në Bajrakun e vet (Tani Komuna e Therandës), ia dhashë lajmin e gëzimit nga afërsia. U ula në mermerin e varrit të Gjyshit tim të shtrenjtë (varrit të ngritur nga pasardhësit si përmendore, në kopshtin e kullës sonë të madhe për kohën, të ngritur nga ai vet), që ta bëja një bisedë të përmallshme me të, që t’ia kumtoja lajmin e gëzueshëm. Gjyshit Zulmëmadh sikur iu lëkundën eshtrat për lajmin e gëzueshëm që ia dhash për Pavarësinë e Kosovës.
Një jetë të tërë kishte luftuar dhe vepruar për popullin dhe për vendin e vet gjyshi im, Sejdi Bajraktari, prandaj edhe m’u duk se u dridhen edhe malet nga jehu i gëzueshëm i lajmit të dhënë. U përkula për dhënie të lajmit edhe para varrit, poashtu si pëmendore, të xhaxhait tim, Shaban Bajraktari i Parë, luftëtar i ri dhe trim i paepur, që luftoi krah për krah me babain e vet, Sejdi Bajraktari, si edhe trashëgimtar i bajrakut, pas vrasjes në pusi të të atit.
– Po të mos i lajmëroja për Pavarësinë e Kosovës dhe po të mos përkulesha deri në tokë para trimërisë dhe madhështisë së paraardhësve tanë luftëtarë e prijetarë, më dukej se do t’u mbetja për së tepërmi në hak. Më dukej edhe se do t’u tronditej tmerrësisht amshimi sublim i tyre po t’i harroja unë, pasardhësja e tyre, loza e tyre, se me harresat e të tjerëve sikur edhe ishin topitur me vite e me shekuj, në heshtje.
– Luftarët dhe atdhetarët nacionalistë shqiptarë të viteve të mëhershme, duhet t’i kenë vendet meritore, që u takojnë në histori, thoje shumë herë Baba! Ata luftuan dhe vepruan me përkushtueshmëri të pashoqe për Kosovën dhe për tokat shqiptare në përgjithësi. Gjaku i tyre i derdhur për liri sigurisht që do t’i ngacmojë një ditë ndërgjegjet çuditërisht pak si të fjetura nëpër vite të shqiptarisë sonë.
– Për lajmin e gëzueshëm për Kosovën Shtet i Pavarur dhe Sovran se si m’u duk Baba se edhe zëri Yt m’u bashkua si jehonë me zërin tim. Se si m’u duk se kumbuan edhe male e fusha të Kosovës nga fuqia e lajmit të dhënë.
– LOTËT JANË DOBËSI PARA ARMIQËVE E PARA VËSHTIRËSIVE NË JETË
Me bëso, i shtrenjti ynë Baba, se kur udhëtova nga Prishtina (ku u vendosëm të gjithë tok që në vitet e gjashtëdhjeta), për në Therandë, të ta jap lajmin e bërjes së Kosovës Shtet i Pavarur, jam ndier përtej mase e gëzuar. Republika e Kosovës quhet Shteti Ynë – Të thashë Baba! Lotët i gëlltita me vështirësi nga përmallimi, se e dija që ti Baba kurrë nuk i ke dashur lotët në jetë. Ne fëmijët e tu as që dinim bile të qanim ndonjë herë. U patëm bërë gurë nga gëlltitja e përhershme e lotëve në tejkalim të dhembjeve që na shkaktoheshin nga pushtuesi serb, që na i thyenin dyert kohë e pa kohë.
– Lotët janë dobësi para armiqve dhe para vështirësive në jetë! – na thoshe kur ishim fëmijë. Dhe ne i patëm marrë të shenjta këshillat e tilla dhe i patëm respektuar me xhelozi, deri në pakufi.
Nënëmadhja (gjyshja), ndjesë pastë, na thoshte se lotët janë kob për dheun! Ne nuk qajtëm, pra as që të tregoheshim të dobët para armiqve të ndryeshëm dhe as që t’i bëjmë kob dheut! Qëndruam stoikisht dhe i sfiduam për aq sa mundëm vështirësitë nëpër mote, dhe kujtoj se kjo ishte vetë mrekullia, që bëmë.
– Prishtinë – 28.02.2021