Nexhat Halimi
Ik`, pak pas mesnatës,
Ta zërë trenin e mëngjesit.
S`është e rëndësishme pse.
Fëmijët ende nga flenë,
Ik`, kokë mbështjellë, ik`
Me sy diku në qiell
Dhe këmbë në ujë
Ndërmjet plagës e ëndrrës
Pak para mezhdës së agut
Ndërmjet pikëllimit të gruas
E fluturimit të gjelit
Të vdes gjithë një vit.
2.
Me fytyrën e vet të tokës së fjetur
Shikohet në një copëz të pasqyrës
Pa u përshëndetur me veten
E prek mjekrën e parruar,
Pështyn trëndafiltë në të zezë
Mes duarsh tërë hulli, ballit e zemrës,
I rrjedh rrëmbyeshëm uji dhe ikën
Vala ndo`iherë aty zihet pisk, thyen qafën
Burimin e vet e harron
Ai ha thëngjill, pi ujë të djeshëm, tym vjell
Për pak lodra e libra mbi gjithësinë
Premtuar në prag para ikjes nga vetja
Koha ia zë për të madhe, sidomos
Pse ka kaq fuqi të rrënjës së paepur
3.
Shikimi i etur i ëndrrës ma djeg syrin
Të të shkruaj letër as gjak s` kam më
Të dielat vijnë sheshit të mallit të gjelbër
Mes kujtimesh të vogla nga i kërkoj buzëqeshjet
Ritmet e zemrës mes flatrimit të zogut në qiell
Vragë të thella nga përgjaken ndërmjet
Kandilit të fikur dhe mungesës kaq vjet
Lëkurës prej guri të dorës sime të djathtë
Lëkurës prej qarri të dorës sime të majtë
Ritëm i pangjyrë i kohës së vejë bie në mua
Ritëm i verbër i çekanit mbi hekurin e rëndë
Ndërmjet ëndrra ime e djegur në burbuqe
Ndërmjet koka ime e varur në një shall të gjatë
Rugovasit nga e sillnin rreth kokës për qefin
E një udhë që aty ku fillon këputet
Shikimi i etur i ëndrrës ma djeg syrin
Të të shkruaj letër as gjak s` kam më, bir
4.
Rrënjë e gjakut të gjethuar, Atë i mirë
S`na duhen as lodra as orendi të reja
Asgjë s`na duhet, veç qiellit të syrit tënd
Veç kurorës së duarve tuaja mbi ëndërr
Veç buzëqeshjes sate nga e çel agun në hi
Veç ballit tënd nga do të flatrojë zogu
Me lirinë e përjetshme të gjakut tim
Letra jote për mua e nënën është gjaku
Gjaku yt i pikuar në kopshtin e luleve
Kthehu dhe kaq i vdekur për hir të zemrës
Për rrënjën e rrapit për degën e ilirisë
Nën qiellin me shi të syve të mi të gurtë
Kthehu dhe kaq i vdekur, Atë i mirë
5.
Me sytë verbuar malli të pjekur
Me duart dy eshtra kryq të thyer
Me ëndrrën vdekur në thes
Vetëm me hijen këput luginës
Vetëm larg gjakut të mos vdes
Ndërmjet shuplakash kërkon zemrën
Me shikim të fikur diku në zbrazësi
Me sëmundjen e gjelbër thellë në gji
Lumi që rridhte nga duart e balli
(Nën qiell lotësh dhe hënë të fjetur)
Kërkon kot ëndrrën e vdekur
Qeni e njeh mall rrëshqet në sy
Troket në derë dhe pret pa gojë
Qeni nga leh e turret në rrethojë