Nusja e Shkupit

0
365
Vajza nga Leskovci me kostum kombëtar

Ishin mbledhë shumë gra e çika për me e pritë nusen, kur zbriti ajo prej kerrit – u ndal Dielli – gjithë mjeshtria e Zotit ishte shkarkue në atë krijesë. Gratë u zbehën dhe filluen të grritheshin kur e panë atë mrekulli të Zotit: e mirë, e madhe, e bukur, e bardhë si bora, flokë kaçurrele, trup – si trupi i saj, b. e c. sa të duesh – vetëm vjehrra që u gëzue ashtu siç duhet e përpak sa nuk u trenue e nuk u psh. nga gëzimi. Plot shtëpia nuse, dera nuk e nxake, dy me i nda prej saj, fytyra si Hana 15. Lum shtëpia çka ka shti mbrenda, tjetra “pse s’po thue i lumi ai i lumi që flen me te”.

Në katundin tonë të vogël e malor kurrë nuk kishte ardh nji nuse e tillë. Vërtetë i vogël qe katundi ynë 15 shtëpi, 14 e ma së shumti 16 shtëpi. Ne fëmijët nëpër dasma kënaqeshim, luenim rreth stogjeve të sanave, komareve të kashtës, kërcenim në pleh me pup e me turr se aty ishte but edhe nuk thenim kambët, krahët dhe qafën. Fattulja nuk ishte si ajo nusja e Shkupit siç kanë thanë e siç kanë kallzue e thatë koc e vetëm asht e lëkurë, kur zbiriti ajo prej kerrit ne midis të Shkupit, motra e dhandrrit kur e pa ashtu kunatën e vet (nusen e vëllait) e dëshprueme e në mes të grave e nga zemra e plast bërtiti “kjo nuk paha as …ithë…as …ajdh” Fattulja, kjo nusja e katundit tonë nuk ishte e thatë ashtu siç ishte nusja e Shkupit, nuk i ndëgjonte fjalët e grave të katundit tonë; menjiherë filloi të punonte, fshinte, lante, gërryente e gatuente.

Ne kurrë nuk i mbushnim brijt me bukë se hanim veç bukë të kallamojt (misër, kallamoç) e me lang-ting –tang bukë e lang. Bylmeti i fukarasë nuk harrxhohet kurrë, kur ze me u harxhue; nji vedër ujë prej gurrës e nji grusht kryp e bylmet sa të duesh. Prindët e Fattules kishin bukë sa të duesh se ishin nga fusha e kishin tokë shumë, ne shpeshherë i shihnim ata që vinin me pela e gomarë të ngarkuem me thasë. Ata hanin vetëm bukë të grytë (të grunit) edhe vjehrrës kish zanë me iu trashë …ythtë se vjehrrit qysh moti i kishte mbi bari përmbi e ai nuk ban ma hije përmbi tokë. Gratë e katundit – si gratë e katundit “në e paç ta presin e mos e paç ta ngjesin”. Filluen të flasin për Fattulen fjalë të kqia e fjalë të randa.

Halla Xhukë u tha atyne “faqezeza, qysh po ua nxe goja me i thanë ato fjalë se mos i keni mbajt qirin asaj, leni ato fjalë se nuk ju kanë hije, thanë – qirin nuk ia keni mbajtë – mshilne gojën” Këto fjalë pak u shukatën po fillun të tjerat se Fattulja nuk ka qenë për këtë katund po për ndonji katund të madh apo për në qytet. E ajo e bija nuk i ndëgjonte këto fjalë dhe në krye të motmotit doli me djalë. Fattulja i gjeti edhe 4-5 fëmijë të tjerë dhe secili ma i mirë se shoqi. Djali i shëndosh si bostan, rritej nga nji pëllambë në ditë. Fattulja ishte cicmadhe e tamëlçore e Hamishi përditë rritej e gufonte. Djali i bani 2-3 vjet e nuk qitej në krah e vjehrrën dhe nusen i thirrën në nji mbledhim të grave në nji katund aty afër. Kush e shihte nusen për udhë i fërkonte sytë se kishte çka me pa, synin çelë ta linte.

Para dy-tri vjetësh qe dridh toka në Shkup dhe atëherë lindi nji fjalë sa e mirë aq edhe e keqe; kur shihnin njerëzit krijesa të tilla e të bukura si shoqja Fattulës pa nji e pa dy dhojshin “Ra …ajdh… e Shkupin e drajdhi “ e folmja e Shkupit; “Ra ……i e Shkupin e dridhi”. Ato mbërritën aty në atë mbledhim plot gra, nuse, çika besa edhe plaka. Kur erdhi koha e bukës e zoja e shtëpisë e ktheu sofrën dhe e shtroi bukën. Sofra u mbush shumë shpejt sidomos me do plaka edhe Zoti shpeshherë gabon që nuk i hjek e nuk i merr do plaka të shtrembta e pa asnji dhamb në gojë që nuk i duhen askujt e veç udhën ua zanë njerëzve.

Fattulja u ul në nji çosh të sofrës dhe e shtini veçse gunin e djathtë nën sofër, siç uleshim përpara dhe e mori Hamishin në prehën. Dikush e ndau mishin e secilit ia qiti përpara nga nji copë të vogël mish e cila ma shumë mbetej në dhamb sesa që shkonte në bark. Hamishi e hangër ate që ia dhanë dhe bërtiti – mish! dhe ia dha e ama atë që i takonte edhe atë copë Hamishi e hangër dhe sërish bertiti – mish! e vjehrra ia dha atë pak mish që e kishte në sofër. Hamishi hangër edhe atë dhe bërtiti sërish – mish!

Fattulja “tashti me ta dhanë veç mishin tem”

mbrapashtesë: Shkupi asht dobësia ime, na shkoi Shkupi, ai qytet madhështor ilir sot sundohet nga gabelët; të atyshmit e të atjeshmit punojnë shumë po jo për këtë botë, u pëlqejnë shumë mësimet e akademisë serbe të shencave – Belgrad dhe i zbatojnë ato pikë për pikë, Zot jep mend ku s’ka.

Qamil S. Dardhankodra

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.