ORIGJINA E LASHTË E SHQIPTARËVE SIPAS FAIK KONICËS

0
2721
Zymer Mehani - bibliotekë

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Si faktor unifikues, përveç gjuhës së përbashkët, Konica, në disa raste paraqet edhe origjinën e lashtë të shqiptarëve. Në përgjithësi, faqet e revistës “Albania” që trajtonin tema historike përfshinin dy tipologji shkrimesh:
– historinë e shqiptarëve, përmes gojës së vetë popullit dhe
– dokumente të pabotuara, ose studime mbi historinë e Shqipërisë (arkeologji, folklor dhe etnografi).

Konica tërhiqej më shumë prej historisë së antikitetit, historive mbi heroin kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe diasporës shqiptare.

Qysh nga numri i parë i revistës “Albania”, Konica do të botonte shkrime mbi pellazgët, në të cilat ata vlerësoheshin si popullsia më e vjetër në Ballkan. Kryesisht kemi të bëjmë me pjesë të nxjerra nga Homeri dhe Herodoti. Synimi kryesor i Konicës ishte të tregonte se pellazgët qenë më të vjetër se grekët dhe se gjuha e tyre ishte e ndryshme nga greqishtja.

Rubrika në të cilën botoheshin këto shkrime kishte titullin “Prova të shkruara mbi antikitetin dhe origjinën e kombit shqiptar”, ku qartësohej lidhja e drejtpërdrejtë që Konica vendoste mes pellazgëve dhe shqiptarëve. Sipas tij, përmes këtyre shkrimeve lexuesi do të bindej për dy gjëra,
– autorët e vjetër besonin se pellazgët jetonin në të njëjtat territore ku jetonin edhe shqiptarët dhe
– emrat e perëndive dhe të gjitha vargjet e bukura ishin marrë nga pellazgët.

Një pohim i drejtëpërdrejtë mbi vazhdimësinë mes pellazgëve dhe shqiptarëve, vjen nga dy poema të Naim Frashërit, të cilat Konica i boton në dy numra të revistës: “Shqipëria” dhe “Pellazgët- shqiptarët”. Autori mëtonte të krijonte një imazh të shqiptarëve si populli më i vjetër në rajon. Kjo vinte nga pretendimi se gjuha e pellazgëve ishte ajo e shqiptarëve dhe se të gjitha gjuhët e tjera, latinishtja dhe greqishtja së bashku, ishin degë të kësaj të fundit. Mesazhi tjetër i rëndësishëm, i përçuar nga këto poema, qe shkëlqimi i dikurshëm i shqiptarëve, i kohës së tyre të artë, në kundërshti të plotë me aktualitetin mjerues ku gjendeshin.

Për më tepër që shqiptarët, siç mendonte Konica dhe intelektualët e tjerë, gjatë gjithë historisë së tyre, kishin punuar për të mirën e të tjerëve dhe jo për veten. Ky përshkrim mitologjik i historisë së shqiptarëve përfshinte në vetëvete disa elementë njëherazi. Aty janë të pranishme miti i territorit, miti i trimërisë luftarake, miti i etnogjenezës dhe i lashtësisë. Së pari, Konica përcaktonte një territor shqiptar, i cili, sipas tij, ishte territori ku kishin jetuar pellazgët. Me këtë ai u jepte shqiptarëve cilësinë e të qenit autokton. Së dyti, shqiptarët u kishin bërë ballë vështirësive të kohërave falë bëmave të tyre dhe trimërisë luftarake. Së treti, shqiptarët ishin populli i parë, pse ata rridhnin nga pellazgët.

Rrjedhimisht, Konica u njihte shqiptarëve një të drejtë më të lartë se popujt e tjerë për të jetuar në territoret ballkanike.

Ideja e origjinës pellazge lidhet me atë që George Schöpflin, e quan miti i afrisë dhe i prejardhjes. Sipas tij, ky mit mbështetet te natyra organike e një grupi etnik, te koncepti që e merr kombin si një familje, duke përjashtuar grupet e huaja etnike. Konica i përdorte këto mite për të krijuar një veçori shqiptare, për t i dalluar ata nga popujt e tjerë.

Shqiptarët ishin të ndryshëm nga grekët dhe nga popujt e tjerë që i kishin fqinjë. Nga ana tjetër, këto mite përdoreshin me synimin që t’ u jepnin komuniteteve të caktuara një identitet të ri, një identitet kombëtar homogjen , i cili duhej të mbizotëronte mbi të gjitha mënyrat e tjera vetëidentifikuese, qofshin këto krahinore apo fetare.

Shqiptarët si trashëgimtarë direktë të pellazgëve përshkruhen si një komunitet i bashkuar dhe jo i fragmentarizuar. Kjo mënyrë e të imagjinuarit të kombit vizionare dhe nostalgjike, që i kthen sytë mbrapa, por me orientim nga e ardhmja përkon me atë që Anthony Smith e quan natyra dyfytyrëshe e kombit, njëherazi Konica dhe patriotët e tjerë shqiptarë të kohës së tij, donin që nëpërmjet lavdisë së dikurshme t’u jepnin shpresë shqiptarëve se shkëlqimi i djeshëm mund të arrihet edhe në të ardhmen, nëse ata bëhen një komb i vetëm.

Përsa i përket funksionit të idesë së kohës së artë të kombeve, vlen të citojmë Smith-in: Ndoshta nxitja më e madhe për përhapjen e konceptit të kohës së artë vinte nga dëshira e intelektualëve nacionalistë për të rizbuluar të kaluarën e çdo kombësie për të cilën ata endërronin edhe njohje politike (të qënit i mëvetësishëm). Për këta nacionalistë, lashtësia u bë pothuajse sinonim i çlirimit të këtyre kombësive dhe i begatisë së tyre.

Teoria e pellazgëve si paraardhës të shqiptarëve nuk ishte një origjinalitet konician dhe i autorëve të tjerë shqiptarë që shkruanin në revistën e tij. Sipas Nathalie Clayer-it: Si në rastin grek, turk ose arab, shkenca perëndimore ka ushtruar ndikimin e saj mbi fillesat e konstruktimit identitar shqiptar. Ajo ofroi mjetet që u përdorën dhe u transformuan në funksion të qëllimeve të caktuara dhe në kontekstin ku këto fillesa morën jetë. Ky kontekst ishte i ndryshëm nga ai ku autorët perëndimorë kishin konceptuar idetë e tyre. Studiesit perëndimorë ( shih Clayer), u shtynë nga tre faktorë në zbulimin e popullit shqiptar:

– nga rritja në fillim të shekullit XIX e interesave politike të Fuqive të Mëdha evropiane, në drejtim të territoreve të banuara plotësisht, ose pjesërisht nga shqiptarët,
– nxitja romantike për të njohur Greqinë, që çoi në zbulimin e popujve që fqinjërojnë me ta, shqiptarët ishin njëri syresh,
– zhvillimi i shkencave të tilla si filologjia, gjuhësia e krahasuar dhe historia.
Stavro Skëndi përmend edhe shkrimet në gjuhën vendase të lëna nga kleri katolik dhe ortodoks, të cilat në sytë e intelektualëve patriotë merrnin vlerën e lashtësisë dhe vazhdimësisë së gjuhës shqipe.

Kjo lashtësi, vazhdon më tej Skëndi, u nxorr në pah një mënyrë më efikase nga punimet e studiuesve të huaj. Në të vërtetë këto studime kanë pasur peshë të madhe në përvijimin e një profili të caktuar për kombin shqiptar, shpesh i pranishëm në shkrimet e autorëve shqiptarë të kohës së Lëvizjes Kombëtare e në vijim.

Përveç origjinës së vjetër, që shkonte shumë mbrapa në kohë, pothuaj në zanafillën e historisë së njerëzimit, autorët perëndimorë i përshkruan shqiptarët si një popull luftëtarësh, të mbyllur në male, fisnikë, që ruanin të paprekura vyrtytet.

Një karakteristikë tjetër e shqiptarëve, që u huazua nga shkrimet e perëndimorëve dhe u përdor nga autorët shqiptarë, ishte karakteri sipërfaqësor fetar i tyre dhe ndarja në dy nëngrupe të mëdha. Nga njëra anë qëndronin gegët, një popullsi malore më e prapambetur dhe më fanatike nga pikëpamja fetare sesa, nga ana tjetër, toskët e jugut, që shikohen si më të zhvilluar, meqenëse janë popullsi më qytetare.

Origjina e lashtë e shqiptarëve ishte një temë e diskutuar dhe e përdorur dendur nga arbëreshët e Italisë. Përpjekjet e tyre për të ndërtuar imazhin e orgjinës së lashtë të shqiptarëve kishin filluar qysh në fillim të shekullit XIX dhe përqëndroheshin kryesisht në dy drejtime:
– botime në gjuhën italiane mbi origjinën, historinë e kombit dhe gjuhës shqipe, dhe
– krijimi i një korpusi letrar përmes mbledhjes së këngëve popullore.

Një karakteristikë tjetër e shkrimeve të arbëreshëve ishte theksi që vihej te dallimi shqiptaro-grek, por edhe krijimi i një panteoni kombëtar me Pirron e Epirit, Skënderbeun, Filipin dhe Aleksandrin e Madh, si krenari e tij. Të gjithë këta elementë janë të pranishëm te revista e Konicës. Përgjatë shekullit XIX kontrasti shqiptaro-grek ka qenë i pranishëm në ligjërimet identitare të intelektualëve nacionalistë shqiptarë.

Konteksti politik kur sendërtohet imazhi i shqiptarëve si i kundërt me atë të grekëve, ka rëndësi esenciale, duke patur parasysh se çdo kulturë i ndërton ligjërimet e saj (identitare) në kundërvënie me një tjetër, duke i lejuar kulturës në fjalë që ta shohë veten si diçka jetëgjatë dhe unike, si bartëse e moralit të vërtetë. Sipas Clayer: Pas Luftës së Krimesë, ka qenë helenizmi, qoftë brenda mbretërisë greke, qoftë brenda Perandorisë Osmane, ai që e shtyu dhe e forcoi rrymën patriotike shqiptare, qoftë përmes asociacionit, qoftë përmes reagimit. Pas Kongresit të Berlinit në 1878, kur synimet territoriale greke u drejtuan për nga trevat e Epirit të banuara nga shqiptarët, dallimi shqiptar-grek u bë më i mprehtë.

Intelektualët shqiptarë të kohës e përdorën këtë kundërvënie, për t’ iu njohur shqiptarëve një legjitimitet territorial, si trashëgimtarë të pellazgëve, duke i paraqitur grekët si të ardhur në një kohë më të vonshme. Nuk ishte rastësi që Konica t’i shihte politikat helenizuese, si kërcënim real për ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar. Ndikimi prej teorive të origjinës së lashtë të shqiptarëve është i qartë.

Konteksti politik dhe ideologjik kishte rolin tij në orientimin e ligjërimit të Konicës, për identitetin kombëtar shqiptar dhe mënyrës së artikulimit të konceptit mbi kombin shqiptar.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.