PËR TY, ATDHE… (poezi nga Zymer Mehani)

0
934

Poezi: Zymer MEHANI

Mbi kodra t’atdheut tim qielli seç përflaket
Një lot më shkëputet kur shoh epitafet
Për një dashuri të vlefshme sa jeta
Bij e bija ranë për trojet e veta
Unë poeti vetë i kredhur në mendime
E kujtoj t’kaluarën e kësaj Toke Trime…
Sonte i mbylla të gjitha portat e vegimit
As muza t’mos më vijë t’më shpie drejt trishtimit
Atdhe dua të vdes në Ditë të Ribashkimit
Për Ty Atdhe i dashur krenarisht vargje shkruaj
Për vlerën e tëndit emër dashuri në zemër ruaj
Prej lindjes e deri në amshim, Për ty, Atdhe
Dashuria jote-flakë yjesh shndrit pa ndërpre’
Dhe vargjet do t’i shkruaj aq sa di e mund
Në poezinë time do të jetosh pa fund
Nëse s’kam letër, në bjeshkët tua do të shkruaj
Pena po të më mungojë, me eshtrat e bijve tu do të shkruaj
Poezi dhe vargje të gurëzuara
Dhe ngjyra e penës nëse do të më mungojë
Për ty Atdhe i dashur Diellit do t’i lutem
Që ngjyrën e tij të kuqërremtë mua t’ma dhurojë
Por vargjet për ty kurrë nuk do të shkëputen.


LAVDI, O PËLLUMB I BARDHË!…

(Gjeneralit Abedin Rexha-SANDOKANIT)

Sa po i shëmbëllejnë yjet e qiellit
Trimit të Vajnikut
Me pushkën në dorë
E dëgjoi kushtrimin
Zërin e kullës së lashtë
Zërin e flamurit kuq e zi…..

Komandant shembullor
Para ushatrëve
Para gjakut
Para fjalës dhe betimit
Bir i denjë drenicas….

Heu, o trim lirie
Komandant SANDOKAN
Sa të madhe e pate
Dashurinë për vatan!

Dhe poezitë
E këngët që këndohen edhe pa mua
Për ty s’do të ndalen kurrë o trim
Se po të mos ishte gjaku yt
I motrave e vëllezërve tu çlirimtarë
S’do të dihej emri i lirsë
Që prehet nën hijen tënde
Lavdi, o pëllumb i bardhë!


S’DO TA DIJA…

Kurrë s’do ta dija rrugën time
Sikur të mos ma tregonte vargu im
S’do t’i dija as shtigjet e shtegtimeve
Sikur të mos më printe imi vargëzim
Porsi i pandërprerë uragan
Ç’më kall, ç’më djeg një zjarr
Jam bërë rojtar poezie
Dua të digjem në ndjenja atdhesie…


NË BALLIN E FËMIJËVE TANË

Në ballin e fëmijëve tanë
Si në abetare atdheun e lexojmë
Në të dhe për të jetojmë
Në një atdhe u lindëm
Që ka zemrën më të fortë se guri
E u rritëm me ninulla
E me krisma pushkësh
U mëkuam nga nënëlokja
Me dashuri për Flamurin
Dhe për gjuhën shqipe
Për shkëmbin e gurin
U lindëm në një atdhe
Që e kemi Zot, fe e përmbi fe
Që forcën e një kulle prej guri
Ku trimat betohen
Në puthje te Flamuri
Ku shqiptari është mbret
Nga deti në det
Në një atdhe u lindëm
Ku fëmijët tanë
Me emrat e tyre
Vizatojnë hartën e Shqipërisë sonë
Ata krenarisht mbajnë emra
Fshatrash, qytetesh,
malesh, luemjsh detesh
Si Vlorë, Milot, Gramoz,
Erzen, Korab, Shëlzen…
Në një atdhe jemi lindur
Ku jeta ka një kuptim
Ku dhe kënga ka butësinë e urtisë
Ku burrat e zgjedhur të kombit
Martohen me mortjen
Për liri t’shqiptarisë


O VËLLA, MË TREGO!…

Si të mos jem i pikëlluar
O vëlla, më trego
Kur shoh e ç’nuk shoh
Në këtë kohë të pakohë
Nëna me përparëse të arnuara
Baballarë me këpucë të grisura
Fëmijë të varfër –
Sy engjujsh të tretur
Duar të shtrira për lëmoshë
Njerëz hipokritë sa të duash
Vjedhës, të korruptuar plot
Ah, ruana prej tyre, o i Madhi Zot!
Si të ndjej gëzim
M’thuaj, vëllai im
Kur fqinjit i mungon buka
Atij tjetrit- barnat
Këtij, këtu i ka humbur shpresa
Ku mbeti nderi dhe besa?!
Pse gjithë kjo e keqe mes nesh
Gjithçka është bërë li e lesh
A ka kush që e merr vesh?!!!

KUJTOJMË DËSHMOREN E KOMBIT YLFETE HUMOLLI
me rastin e Përvjetorit të rënies në Altarin e Atdheut


NJË VASHË
(Ylfete Humollit)

Një vashë
Ngrihet,
Këndon.
Era
E ndjek,
S’e ledhaton.
Mbi tokë
E tendos.
Përdhe
E plandos.
Në këtë botë
Lakuriqe,
Kjo vashëz
Aguliçe,
Bie nga era,
E mekur.
Kurrë
Për të mos vdekur.


GJERAQINA

As më thua,
Pse të quajnë gjeraqinë?
-Pse ke sqep të kthyer,
Gjithnjë je vetëtimë ?
-E sillesh, shëtitesh,
Mbi Atdhe vërtitesh!?…

S’E LANË REHAT

Ia prenë krahët
S’e lanë rehat
-Je shumë e madhe,
Me hipokrizi i thanë
-Të mjafton veç një gjysmëqiell
Një gjysmëtruall,
Një gjysmëdiell

I thanë me tradhti
-Të mjafton njëri krah
Dhe vetëm njëra kokë
E zinxhiruan e i thanë
-Të mjafton një gjysmëtokë

Si të këndojë
Ta mësojnë nisën
E shanë, e prenë, e vranë
Gjithçka i thanë

Gracka e leqe
Ngado i kurdisën
Arinj, derra, ujq
Dhelpra e hijena iu vardisën
Në ditë të stuhishme
prore e braktisën
Por Shqipja trime
Veç një këngë e këndoi
Këngën e grykëhollës
Dhe ashtu fatprerë
Zogjtë i bashkoi
E çerdhet e saj
N’Preshevë, n’Çamëri
Veç një ngjyrë e kanë
Të tërën kuq e zi
Urtësisht i mëkon
Nëna Shqipëri


Këngëtari yt u bëra

Për ty, Atdhe, dashuria flakë yjesh
Dhe vargjet do t’i shkruaj në poezitë e pafund
Nëse s’kam letër, në bjeshkët tua do të shkruaj
E pena po të më mungojë, me eshtrat e bijve tu do të shkruaj
Poezi dhe vargje të gurëzuara
Dhe ngjyra e penës nëse do të më mungojë
Për ty, Atdhe i dashur, Diellit do t’i lutem
Që ngjyrën e tij të kuqërremtë mua t’ma dhurojë
Por vargjet për ty kurrë nuk do të shkëputen
Mbi kodra t’atdheut tim qielli seç përflaket
Një lot më shkëputet kur shoh epitafet
Për një dashuri të vlefshme sa jeta
Bij e bija ranë për këto troje e shkrepa
Unë poeti vetë i kredhur në mendime
E kujtoj t’kaluarën e kësaj Toke Trime
Sonte i mbylla të gjitha portat e vegimit
As muza t’mos më vijë t’më shpie drejt trishtimit
Atdhe, dua të vdes në Ditë të Ribashkimit
Për Ty, Atdhe i dashur pareshtur vargje shkruaj
Për vlerën e tëndit emër dashuri në zemër ruaj.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.