Prralla Kazanash

0
903

Çfarë është kazani? Për sa u takon përrallave: me ajkën e tyre magjike janë rritur, po rriten, e do te rriten padallime gjithë njerëzit e botës. Ndërsa kazani: është një enë e madhe, prej metali, me formë të rrumbullakët, e thellë, me dy veshë, që shërben, jo në çdo shtëpi, për të larë plaçkat e ndotura. Në ushtri ndihmon për të gatitur hajet e ushtarëve në repart, fushim, ose luftë. Me gjellë kazani po gjejnë derman, edhe në vendin tonë, mencat për të vobektit. Ka edhe kazan rakie ku zihet rrushi dhe, del e bekuara raki. Po që të kishte edhe kazan mediatik ose politik, apo të dyja bashkë në një kazan këtë figurë letrare – të padrejtë për Lirinë e Fjalës në media, politikë e gjetkë, sepse, Fjala e Lirë është loçka e qënies së njerëzimit – nuk e pata hasur më parë në leximet e mia.

Gjithësesi, nuk e lash me kaq dijen time. Nisa kërkimin për të gjetur origjinën, autorin e vërtetë, mbase edhe shqiptar, të “kazanit”. E hasa atë, fatmirësisht, kur i erdhi rradha të lexoj në Bibliotekën Kombëtare gazetën e paanëshme “Shqypnia e Re”. Kjo, e mishëruar atdhetarisht prej patriotëve të dorës së parë: Hil Mosi, drejtor; dhe Risto Siliqi, kryeshkrojtës. Mësova se “kazani”, në Shqipëri, paska një histori, rrotull, 105 vjeçare.

Pastaj kopjova, me laps në letër, nga “Shqypnia e Re” e 18 dhjetorit 1913, shënimin, e redaksisë gazetës, me titull “Prralla Kazanash”. Ja, i tëri për ju, fjalë për fjalë, më poshtë vijon.

Prralla Kazanash

Disa propagandistë, të cilët nuk kanë tjetër zanat veçse të jetojnë me llokma e kafshata, kanë ardhur këtu në qytetin tonë me qëllim për me iu kundërshtue çdo princi europian, që do ta çojnë Europa dhe, me ba propagandë që të imponohet një princ tjetër prej deret Ali Osmanit (Perandorisë Osmane). Dihet shumë mirë se mundi i tyre asht i kotë sepse, çdo shqiptar që ka dy pare mend e din, se princi është në dorë të Europës e mandej sikur, edhe të ishte prej deret Ali Osmanit, ne e dimë shumë mirë se Shqipëria nuk mund me pasun përparim e jetë të gjatë. Pra, atyre zotrinjve nuk u thona tjetër veçse mundohen kot dhe, propaganda e tyre nuk është veçse nji prrallë kazanash.

Çuditemi fort me rojen e vendit ndërkombëtare të këtushme (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit) që nuk i qet jashtë këta turbullesa, mbasi vetë konferenca e Londrës e ka ndarë që mbreti të jetë evropian, dhe, mbretnitë e mëdha kanë ra në ujdi dhe kan emnue për mbret të Shqypnies princin Wilhelm zu Wied. Policia për çështjet politike, që është aq e nevojshme këtu në vendin tonë ashtë lanun krejt mangut megjithëse, agjenta gjithfarësh shofim duke u sjellun poshtë e nalt nëpër qytet ndërkohë që, një ankim të vogël me u ba fletoret e qytetit këtyre, menjëherë u jepet gjykimi.

Përgatiti: Nasho Bakalli.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.