PSE JO LDK E PARA?

0
467
Lidhja

IDRIZ ZEQIRAJ

Kur Dega e LDK-së në Gjermani mbajti Kuvendin e 9-të Zgjedhor, problemi i parë doli kushti 50+1, për mundësimin e kandidimit për kryetar Dege. Si delegat, reagova i pari, duke thënë se ky është kusht monstrum i klanit Isa Mustafa, që pamundësoi konkurrencën e Vjosë Osmanit, për kryetare të LDK-së, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor. Dhe, si të tillë nuk e pranojmë këtë kusht.

E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, i cili së bashku me Sali Morinën, kryetar i LDK-së në Malishevë, monitoronin Kuvendin tonë: “Mirë, mos e zbatoni, sepse edhe ashtu është i diskutueshëm“.

Nisur nga cilësia e deklaruesit Rugova, menduam se ky kusht nuk do të vlejë as për Kuvendin Qendër të LDK-së. Por, ndodhi e kundërta! Sepse, vetëm ky kusht, supër-monstrum, i stisur, i shpikur, i shpifur nga klani i stazhionuar në Kryesinë Qendrore, do ta rikthente, për të tretën herë, Isa Mustafën në krye të LDK-së. Përndryshe, me një konkurrencë të ndershme, me një votim të fshehtë demokratik, të lakuarit për kryetar të mundshëm, jo vetëm më cilësorët, Vjosë Osmani e Kujtim Shala, por cilido nga ekipi i tyre, do ta pensiononte Isën me gardën e tij.

Monopoli i klanit mbi Kryesinë Qendrore, rrënues

Kryetari Isa Mustafa ishte vullnetmirë, që emërimet të bëhen sipas preferencës të anëtarësisë të LDK-së. Këtë e realizoi në përzgjedhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe të deputetëve. Por, jo edhe në Kryesinë Qendrore, sepse nënkryetarët ngulmonin të ruanin pozicionët e tyre në hierarkinë drejtuese të partisë. Mbledhja dështoi, për të vazhduar të nesërmen, duke plotësuar kërkesën bazë, plus drejtimin e Shtabit Zgjedhor, të dy nënkryetarëve, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit.

Që këtej shpresa e ndryshimit në LDK-e, u zvetnua dhe ruajtjen e statusquosë e trumbëtuan skajshëm mediet, nën kontrollin e PAN-it si dhe Vetëvendosja. Për rrjedhojë, votuesit e papërcaktuar, filluan të besonin më shumë tek Kurti, i cili konsiderohej si autonom, i shpenguar nga të tjerët, sovran në mendime, për ato që deklaronte, premtonte.

Koalicioni LDK-PDK, plagë që kullon

Hija e koalicionit të LDK-së me PDK-në, aprovimi i vendimeve fatale për Kosovën: Asosacioni, Demarkacioni, zgjedhja e Hashimit president, të Kadrisë kryeparlamentar, fillimi i pagesës të veteranëve, ende pa u verifikua vertetësia e “dëshmive të veteranëve”, pagesa e shpenzimeve të akuzuarëve në Hagë, ishte dhe vazhdon të jetë një barrë e rëndë për LDK-në. Kjo barrë i faturohet, padrejtësisht, LDK-së, ashtu siç i faturohet edhe marrëveshja për koalicion e poste në bashkëqeverisje me PDK-në.

Realisht, vendimet e cituara kanë qenë të klanit brenda kryesisë të LDK-së, madje në kundërshti të hapur me anëtarësinë e saj. Presionet, shantazhët ndaj kuadrove, në përgjithësi, dhe të deputetëve, në veçanti, kanë qenë enorme, madje, deri me kërcënim për përjashtim nga LDK-ja!

Ka një të dhënë domëthënëse, se vendimi për koalicion me PDK-në, nën trysninë e deputetit gjerman, është marrë pa prezencën e nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova. Paketa e marrëveshjes fatale, thonë se është sjellur nga kryetari Mustafa, dy nënkryetarët, Agimi e Luta, në shoqërim të deputetit gjerman dhe është shpalosur në kompleksin hotelier “Trofta” në Istog, duke e vënë nënkryetarin tjetër, Haki Rugovën, para faktit të kryer.

“Futi në votën e fshehtë demokratike!”

Ishte ky refreni i përsëritur, deri në bezdi e tepëri, i delegatit nga Dega e LDK-së në Gjermani, në Kuvendin e 9-të të LDK-së. Të 355 delegatët në sallën e Kuvendit, aprovonin me duartrokitje, propozimin racional, për aplikimin, zbatimin e votimit të fshehtë demokratik. Por, çuditërisht e hipokrizisht, po këta delegatë, me shumësinë absolute, votonin të kundërtën, propozimet e listuara nga klani brenda Kryesisë të LDK-së!?!

Një popull i lindur dhe rritur në robërinë e gjatë, nuk arrin ta vrasë frikën tmerruese. Ai mbetet rob, skllav edhe në shekullin digjital! E mjerueshme, e turpshme!

Cila është mrekullia e votës së fshehtë demokratike?

Votuesi i hapur, aklamativ, me ngritje dore, është sa subjektiv, aq edhe primitiv. Thashethëmnaja, përmasa e fjalës prapa shpine, është 9 me 1, në raport me fjalë syzash, ndër sy. Kujtoni votimin aklamativ më 1943, në Mbledhjen e Buajnit, në Malësinë e Gjakovës dhe mashtrimin e madh për “Vetëvendosje”, pas mbarimit të Luftës. Po ashtu, kujtoni Kuvendin e Prizrenit, më 1945, ku u votua me aklamacion, për mbetjen e Kosovës me Jugosllavinë!

Vota e fshehtë e transformon shqiptarin, rob të hipokrisë, në njeri të lirë, të dinjitetshëm, shprehës të mendimit vetjak.

Prandaj, po të lëndëzohej thirrja, deri në çjerrje, e delegatit nga Dega e Gjermanisë, në Kuvendin e 9-të të LDK-së: “Futi në votën e fshehtë demokratike”, sot, LDK-ja do të ishte e parë në fitore. Sepse vota e fshehtë zgjidhte Kryetarin dhne Kryesinë meritore të LDK-së, duke e realizuar edhe reformën plebishitare partiake.

Reforma, ndryshimi, aq shumë i pritur në Kuvendin e 9-të farsë, do të ishte bazë e fitores të sigurtë, në zgjedhjet e 6 tetorit. Kjo do të ishte mbushamendja më e natyrëshme e anëtarësisë dhe të elektoratit se, vërtet, LDK-ja i kthehet frymës rugoviane, duke marrë edhe mandatin e krijimit dhe të drejtimit të qeverisë.

Gogolin e përçarjes të LDK-së, e solli klani brenda Kryesisë, sepse vota e fshehtë i tmerronte, i diskualifikonte, për arsye të vendimeve dëprurëse, të marra në pajtim me PDK-në, përgjatë qeverisjes së përbashkët. Vota e fshehtë demokratike, përjashton çdo mundësi përçarjeje dhe ndarjeje të partisë. Kjo, tashmë, është provuar në botën demokratike.

Debati i shpenguar, konkurrenca e ndershme dhe vota e fshehtë demokratike, janë parime bazë të demokracisë. Këto tri parime të shenjtërisë të demokracisë, nuk mund të zëvendësohen me kalkulime e akrobacira të asnjë lloj konsensuesi, marrëveshje, që, sado të mira të jenë, ato janë nulitet, në raport me votën e fshehtë.

Megjithatë, LDK-ja është e fituara dinjitoze, në vendin e dytë, me një ngushtësi rezultati, nga vendi i parë. Ylli i kësaj fitoreje ishte kandidatja brilante për kryeministre të Kosovës, Vjosë Osmani. Në rolin parësor të kësaj fitoreje, është edhe ekipi i Vjosës, deputetët e Legjislaturës së shkuar, në pritje për mandatin e ri.

Fort të përzgjedhur e simpatikë ishin edhe garuesit e tjerë nga LDK-ja. Pavarësisht rezultateve individuale, të gjithë ata (ato), janë prurës të votave për LDK-në, janë pjesë solide e fitores. Vet marrja e besimit për kandidim për deputetë-e, është vlerësim suprem nga antarësia dhe strukturat e partisë.

Respekt dhe admirim për të gjithë!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.