Rrefimi për arushat e bardha dhe porosia e Akademik Mark Krasniqit për bashkim kombëtar

0
416

Nue Oroshi

Lisin shekullor e rrahnin erërat e forta sikurse deshirojnë një përballje më të thenat dhe të pathënat. Kjo përballje nuk është satanike e as nuk është imagjinative por është një realitet i thënë aty dikund në një qytet, i cili skajshmërisht ka një histori dhe një traditë të madhe. Një qytet i ndarë përgjysmë. Edhe Berlini e kishte përjetuar ndarjen. Një pjesë e saj kishte mbetur në duar të rusëve. Por mençuria gjermane bëri që dalngadalë të bashkojë pjesët e ndara të saj në një shtet të përbashkët.

Pikërisht në këtë qytet e solli fati që në prag të Pavarsisë së Kosovës ku na nevoitej shumë përkrahja e miqeve tanë ndërkombtarë i kisha bërë një takim Akademik Mark Krasniqit dhe delegacionit të tij në Berlin. Takimi ishte me nivelet më të larta politike se aty na priste Drejtori i Drejtorisë politike të CDU-së. Para takimit filluam edhe përgatitjet. Natyrisht që kishim përgaditur edhe pikat që do t’i prezentonim në atë takim. Në mesin e shumë pikave kryesorja ishte përgatitja për njohjën e Pavarsisë së Kosovës, nga ana e Bundestagut dhe Qeverisë Gjermane.

Pjesë e delegacionit ishte edhe historiani jonë i mirfilltë Prof. Dr. Jahja Drançolli, i cili me argumente shkencore se bashku me akademik Mark Krasniqin mbronin qëndrimin politik dhe shkencor se Kosova historikisht ka qenë dhe është shqiptare, prandaj Pavarsia e saj është kompromisi më i madh që po e bëjnë shqiptarët. Pas fillimit të takimit filluan edhe bisedimet dhe paraqitja e kërkesave. Akademik Mark Krasniqi dhe prof. dr. Jahja Drançolli ishin jashtzakonisht të përgatitur mirë, që me argumente politike dhe shkencore të mbrojnë Pavarsinë e Kosovës. Ata paraqitën faktet e pamohuara se Kosova historikisht kishte qenë dhe serish është tokë shqiptare.

Akademik Mark Krtasniqi – Prof. Dr. Jahja Drançolli – Nue Oroshi

Profesor Marku duke dashur që të tregojë për tolerancën dhe harmoninë fetare të shqiptarëve, ai në një rast u shpreh: “Në një krahinë në Kosovë, që quhej Rugovë, jetojnë mbi 15 fshatra shqiptare. Të gjithë janë të besimit islam. Në këtë trevë në të kaluarën e afërt kishte shumë kisha katolike shqiptare. Si shenjë respekti fshatarët e këtyre anëve, e kanë ndërtuar një kishë katolike, edhe pse nuk jeton asnjë familje katolike shqiptare në këto fshatra.

Gjermani si politikan i rrahur që ishte e bëri një pyetje shumë interesante, që na la të gjitheve me gojë hapur, pasi që nuk e prisnim atë pyetje: “E kush do të lutet në atë kishë zoteri Krasniqi, pasi të gjithë fshatarët e atyre anëve e paskan përqafuar islamizmin?!“. Profesori mbeti i befasuar por edhe u nzu shumë ngushtë, u përgjigj në mënyre shumë të vrullshme, duke i thënë: “Aty luten Arushat e Bardha!“ Ndërhyra dhe i thashë përkthyeses se mos ta përkthejë këtë pjesë për arushat e bardha.

Ai takim pati jehonë në qarqet politike gjermane dhe siç u dëshmua edhe më vonë, Gjermania ishte një nder shtetët e para, e cila e pranoi Pavarsinë e Kosovës.

Tash akademik Mark Krasniqi nuk është më në jetë. Ai shkoi se bashku me porosinë për bashkimin e shqiptarve në një shtet të përbashkët. Nuk e di se a jetojnë ende arushat e bardha në malet e Rugovës, apo këto arusha janë trazuar nga malet e bukura dhe krojet e atyre maleve, që politika e Kosovës i dhuroi Malit të Zi. Atëherë por edhe sot patëm lobuar që Kosova të njihet në kufijtë e saj shtetërorë.

E them shtetërorë sepse kufijtë historikë i kemi shumë më të thellë. Tash edhe PSHDK nuk është ajo PSHDK e kohës së akademik Mark Krasniqit. Ka disa mandate që nuk është e përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës, sepse “e çuan cjapin të kasapi”, siç thoshte kryetari i saj historik Akademik Mark Krasniqi.

Uroj që arushat e bardha në malet e Rugovës mos të nervozohën nga padrejtësitë, që iu kanë bërë duke i ndarë me njëra – tjetrën në malet shekullore që kishin jetuar të bashkuar.

Kurse porosia e Akademik Mark Krasniqit për bashkim kombtar duhet të realizohet, se ajo është një porosi e shumë rilindasve shqiptarë dhe idealistave atdhetarë, që vdiqën dhe mbetën me sy hapur me mallin për të shikuar tokat shqiptare të bashkuara.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.