SHKOLLA SHQIPE “GJUHA JONË” – FILADELFIA, NË VITIN E 16-të TË SAJ

0
651
Shkolla shqipe në Filadelfia

Nga: Rudina Bani (*)

Njeriu, e mban mend ditën e parë të shkollës, si një nga kujtimet më të veçanta dhe më mbresëlënëse. Edhe data 8 shtator 2019 do të mbetet e paharruar, për të gjithë nxënësit, që filluan vitin arsimorr 2019 -2020, në shkollën shqipe të Filadelfias-Amerikë.

Një mjedis festiv dukej që nga larg. Tollumbace shumëngjyrëshe dhe banderola: “Mirë se erdhët, të dashur nxënës!” bënte që të gjithë prindërit e nxënësit të ndiheshin të mirëpritur, në mjediset e shkollës sonë. Brenda saj dalloheshin qartë portretet e heronjve shqiptarë të penës dhe të dijes, Heroit Kombëtar-Skënderbeu dhe themeluesit të shtetit, Ismail Qemali.

Nxënësit, që kishin mësuar në vitet e mëparshëm, u takuan me shokët e tyre dhe me mësuesit. Ndërsa nxënësit e klasave te para, të emocionuar e të ndrojtur, qendronin në krah të prindërve të tyre, me padurimin për ta nisur mësimin.

Llazar Vero, në fjalën përshëndetëse, ua uroi të gjithë prindërve, nxënësve dhe mësuesve mirëseardhjen. Ai i kushtoi një rëndësi të madhe domosdoshmerisë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në familje, në vazhdim të shkollës, si një nga mënyrat më të efektëshme për t’u trashëguar në brezat e femijëve shqiptaro-amerikanë. Si një shenjë falënderimi dhe respekti për mësuesit e shkollës “Gjuha jonë”, ai u dhuroi mësuesve buqeta me lule.

Rudina Bani, fjalën e saj përshëndetëse e nisi me një urim të veçantë për nxënësit e klasave të para dhe i nxiti ata, duke u treguar ndihmën, profesionalizmin dhe devotshmërinë e mësuesve të shkollës. Ajo falënderoi të gjithë mësuesit, të cilët me përkushtim dhe vullnet arrijnë t’u mesojnë nxënësve të tyre, të shkruarin dhe të folurin drejt e qartë, të gjuhës së Naimit, gjuhës së nënës, gjuhës së gjyshërve dhe historinë e të parëve. Gjithashtu, në emër te Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ajo i falënderoi prindërit për mbështetjen dhe financimin, që kanë bërë në vite dhe vazhdojnë të bëjnë, për fëmijët e tyre dhe i uroi ata për një vit të mbarë dhe bashkëpunim sa më të ngushtë me shkollën.

Vlashi Fili, sekretar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ju uroi suksese nxënësve e mësuesve dhe bëri të njohura rregullat e shkollës: paraqitjen, orarin dhe kërkesat e tjera të domosdoshme për mbarëvajtjen edhe të këtij viti arsimor. Ai, gjithashtu, bëri të njohur sigurimin e teksteve shkollore dhe mjeteve të tjera ndihmëse, për procesin mësimor, nga ana e Shoqatës.

Tepër emocionuese ishte këndimi i Himnit Kombëtar, nga të gjithë: prindër, mësues dhe nxënës, si tradita e çdo të diele, para nisjes së mësimit, nga nxënësit e shkollës sonë.

Pas kësaj, nxënësit u shpërndanë në klasat përkatëse, duke nisur rrugëtimin e gjatë e fisnik, atë të mësimit të gjuhës sonë kombëtare. Se, për të gjithë këtu, është e njohur mirë, kjo shprehje domethënëse:

Në gjuhë të huaj shkruaj dhe flas, por kur më dhemb shpirti, shqip bërtas!…”.

Filadelfia (Amerikë), 9 Shtator 2019

(*) Zv. kryetare e dytë e Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe mësuese në Shkollën Shqipe, “Gjuha Jonë”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.