Shpirti digjet gjithherë pa ty

0
558
Nexhat Halimi - Ulli mbi det

(Nexhat Halimi “Ulli mbi det”, botoi “Diti & Oli”, Ulqin 2020)

Fatmire Duraku

Poezia e Nexhat Halimit, kjo e librit më të ri “Ulli mbi det”, e sapo botuar nga Shtëpia Botuese “Diti & Oli” në Ulqin, është një tërësi unike dhe ti ke përshtypjen e udhëtimit të pandërprerë ndër valë të ashpra, ndër det të qetë dhe të pafund për të arritur deri te një kështjellë mijëvjeçare dhe prapë – i përgjakur, me mendime, me ndjenja e pikëpamje, nisesh larg në kohë për të arritur përmes fjalësh deri te vetja e vjetër e lidhur me gurin, me ullirin, e botën e robëruar të vetes. Etja e pandërprerë e shpirtit, i cili arrin në Ulqin me galerën e vet e megjithatë nuk arrin te liria e vet e përshkruar bukur përmes degëzimit të vetëtimës e cila çilet mbi det.

Gjatë udhëtimit dhe kthimit të njëjtë nga largësia e kohës së ikur prapë në Ulqin, shpirti poetik i shoqërohet me burimet që derdhen nëpër morinë e ujit të pastër, në lumenj, në liqene e dete, duke rrjedhur nëpër gurë e gjak e rrënjë për të ruajtur gjithnjë tërësinë e vet, gjuhën dhe këngën e bukur shqipe.

E i bie fyellit, të zgjohen shpendët nga vaji dhe ritmi shpirtëror i këngës, që zgjohet ushtimë e zjarrtë apo Ulli mbi det / gjithnjë me fytyrë zoti me frymë guri Ulk / në dritaren me qemer në xhamin nën avull / ta vizatoj galerën detit në flakë / ta zgjoj etjen e fjetur kaq vjet në gjak / ja fedorë pse ulliri mbi det i ka sytë tu / e ka moshën e gurit e flokët e thinjur në kala / lulen e vetëtimës të gjallë në hi / lirinë brenda robërisë flutur në gji… / kaq vjet tash pres kthimin e e përjetoj robërinë / pashprehshëm shtrirë rrënjës së gjakut / ulqini të lidh me ullirin mijëvjeçar të ngrirë / ndihesh i lumtur pse je rob i zjarrit mbi hi…/

Aty, në kala, përhitet shfaqja e Uliksit, me tërë historinë e humbjes në det dhe peripecitë e rënda ndër sipërfaqet e panjohura. Vjen hije e Pnelopës, veç nuk është Esa. Kot e pret poeti dhe shpirti i tij i vetmuar dhe natyrisht bie jehona mbi gurin e valët e ullirin e kohën e ikur / ah sa rëndë e bart kujtimin për ty / mbyllur në arkivol as vdekur as gjallë / te koka me një trëndafil të zi/

…Ndërmjet radhiten stacionet e vdekjes në hapësirë. Radhiten insertet e jetës, ngashërimet, dhembjet dhe çdo gjë që ngel kujtim për brezat, duke e kujtuar maestron e poezisë. /Ja,koha eci e s`u kthye më e ti ike në këtë lojë / s` mbeti asgjë e paprekur mirko g as te unë / ja tash për inat dëgjova të ketë vdekur rb / me emrin e të cilit i kushtonim libra njëri tjetrit/

(tim shok tim poet e tim njeri
nxënës të profesorit tim të nderuar
dhe të tij riza bicajt)
fund botës qenka ndalur nën yllin e agut

Natyrisht, jeta vdekje ka, e humbi dhe udha e kaq e mundshme qe ta gjeja… Poezia është diçka e paprekshme. E ndien dhe ngashërehesh, qan dhe të ndjek vetmia. Veç pse secili send kot e kërkon dritën e gjakut të vet.

Poeti me përvojë Nexhat Halimi i ka ofruar lexuesit një libër, i cili përveç çasteve, datave, ngjarjeve, lidhur me qytetin margaritar të jugut të detit Adriatik, Ulqinit, duke theksuar, siç thotë dhe dr. Rrustem Berisha “ Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe e asnjë krijuesi tjetër. “ Përmbajtja e librit e vërshon lexuesin me dhimbje e herë-herë me qëndresë, fitore e humbje, por është plot forcë e rezistencë kundër padrejtësive që ia bëri barrë historia popullit dhe atdheut të poetit.

Në këtë drejtim është i mobilizuar ligjërimi i veprës që të kundërshtojë dhe të rezistojë derisa të ekzistojë e folmja jonë, sepse është rrëfim epik më tepër dhe qëndresë… “Ulli mbi Det”, siç thekson dhe botuesi Gazmend Çitaku, është libër që shkruhet rrallë. Libri është i ndarë në dy cikle të mëdha dhe ka 128 faqe. Libri, duke iu afruar përmbylljes së shkrimit, buhet gjithnjë e më i rendë. Në këtë mënyrë autori dëshmon dhe njëherë e gjithnjë se poezia e shpirti janë një dhe të pandarë!

Ja, pse.
tashmë kam humbur dhe shpresën për ty
s`do të vish të më ngushëllosh për vdekjen e iLirisë
e në tokën e robëruar nga e kaluara bie shi në varre
stepur shikoj në një pikë një dhi pa një bri në qiell

kullot në yrtin e vogël mes kullës dhe kullës
aty ku robi servantes ka mbjellë lule për liri…”

“ka shumë shi këtu në varre ku miti lidhet me histori
e shpirti digjet gjithherë në përralla të njohura nga ti”.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.