Shqipja si landë mësimi në Turqi. Gjest miqësor ndaj shqiptarëve apo interes perandorak?

0
806

Bekim Lumi, 23 Tetor 2016, Koha.net

Të mësohet shqipja në një vend të madh, me shtrimje gjeografike perandorake, siç asht Turqia, kjo vërtetë asht e mrekullueshme. Kështu të paktën duket në shikim të parë. Por, në një kandvështrim ma të gjanë, kam droe se kjo ide kaq e bukur nuk asht krejt pa hile. Pse?

Prej vitit të ardhshëm, simbas një protokolli të nënshkruem nga Drejtori i përgjithshëm i Arsimit Bazë në Ministrinë e Arsimit të Turqisë, Dr. Cem Gençoğlu dhe Rektori i Universitetit Trakya, Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu, që nga klasa e 5-të, gjuha shqipe dhe gjuha boshnjake do të vendosen në programin arsimor si landë zgjedhore në Turqi. Nëse jo për diçka tjetër, të paktën për ata miliona shqiptarë, të cilët jetojnë në Turqi e të cilëve me shekuj u asht mohue e drejta e shkollimit në gjuhën amtare, kjo ide duket e bukur, fisnike, e guximshme, madje e mrekullueshme.

E tillë duket edhe për të gjithë ne shqiptarët, që jetojmë në Kosovë, në Shqypni, në Maqedoni etj., pra jo fort larg Turqisë. Të mësohet shqipja në një vend të madh, me shtrimje gjeografike perandorake, siç asht Turqia, kjo asht vërtetë e mrekullueshme. Kështu të paktën duket në shikim të parë. Por, në një kandvështrim ma të gjanë, kam droe se kjo ide kaq e bukur nuk asht krejt pa hile. Pse? Si artist që jam, i besoj shumë konspiracionit historik dhe politik.

Për gati pesë shekuj me radhë, gjatë pushtimit e sundimit të saj të gjatë në Ballkan, përderisa me popujt e tjerë asht tregue ma dorëlirë e ma zemërhapun, Perandoria Osmane nuk i ka lejue shqiptarët me e mësue gjuhën e tyne. Thjeshtë e qartë, edhe pse shqiptarët i ka pranue e integrue deri në hallkat e saj ma të nalta ushtarake e politike (pashallarë, sanxhakbej, gjeneralë, ministra, kryeministra etj.), Turqia, për rreth 500 vjet nuk e ka lejue hapjen e shkollave shqipe. E tash, krejt befasisht, me një vendim të veçantë të Ministrisë së Arsimit, ajo ka vendosë me i futë si landë zgjedhore në shkollat e saj shqipen dhe boshnjakishten, pra gjuhët e dy kombeve me të cilat e lidh e kaluemja e saj historike.

A duhet kuptue ky gjest si zemërgjanësi, si ndjesë, apo si reflektim dhe pendesë për gabimet e të shkuemes? Ma shumë se me të shkuemen, kjo ka të bajë me të tashmen dhe me të ardhmen e Turqisë e të kombeve e vendeve të Ballkanit, përmes të cilëve ajo po përpiqet me e shtri sa ma shumë ndikimin e saj politik, fetar, ekonomik e historik. Për shkaqe të kuptueshme fetare e historike, ajo i sheh shqiptarët (e pra edhe boshnjakët) si aleatë të natyrshëm në përpjekjet e saj për rivendosjen e rendit perandorak në vendet ku ajo dikur ka sundue, e përmes kësaj edhe për shtrimjen e ndikimit të saj në këtë pjesë të trazueme të Europës Juglindore. Këtë në njëfarë mënyre e ka pohue edhe Rektori i Universitetit Trakya, Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu, i cili, gjatë nënshkrimit të këtij protokolli, ka theksue se “misioni dhe zgjanimi i tyne si universitet asht Ballkani”.

Dhe, krejt natyrshëm, Turqia e ka kuptue se, ndryshe nga e kaluemja, nëse këto vende e kombe, e sidomos shqiptarët, don rishtas me i sundue, duhet t’ua mësosh e respektosh gjuhën, përmes të cilës ka me qenë ma e lehtë me e shtri jo vetëm ndikimin fetar, politik e ekonomik, por edhe rishtas me i nënshtrue. Nëse gjatë pushtimit e sundimit 500 vjeçar osman, përveç fesë, kemi marrë, pranue, përshtatë e konvertue shumëçka nga mendësia, gjuha, tradita, kultura, veshjet, kulinaria, doket, zakonet e madje edhe shprehitë e sjelljet e përditshme turke, aq sa shpesh gati mos me u dallue prej tyne, ajo çka, përkundër ndikimit dhe turqizmave të shumtë, megjithatë, në substancën e saj kemi mbërri me e rujtë me xhelozi, fanatizëm e dashuni të padiskutueshme, asht pikërisht gjuha shqipe.

Rrjedhimisht, gjestin e tanishëm për mësimin e shqipes si landë zgjedhore në shkollat turke, parimisht, duhet me e mirëpritë, por gjithashtu edhe mos me u dalldisë e ekzaltue aq sa krejt naivisht me besue se kjo po bahet pa ndonjë interes të caktuem fetar, politik e ekonomik. Të gjithë i dijmë përpjekjet dhe kërkesat e vazhdueshme të Turqisë për ndryshimin e teksteve tona mësimore të historisë dhe, kur asht fjala për periudhën kohore të sundimit osman, përshtatjen e tyne me idetë, tezat dhe interpretimet e historiografisë turke. A don të thotë kjo që, në një të ardhme të afërt, Turqia ka me e përdorë fuqinë dhe ndikimin e saj politik për me na detyrue që, në emën të reciprocitetit, të respektit të ndërsjellë, të miqësisë e të “vllaznillëkut”, me e shti edhe gjuhën turke si landë zgjedhore apo ndoshta të detyrueshme edhe në shkollat shqipe?

Në krejt këtë çashtje, vetëm një gja nuk duhet ngatërrue. Të gjithë e kemi të qartë që Turqia e sotme asht aleat politik, ushtarak e gjeostrategjik i shqiptarëve. Si e tillë, në krejt marrëdhaniet tona me të, ajo duhet trajtue si një vend mik, me të cilin na lidhin jo vetëm fijet e të shkuemes historike, por edhe interesat e sotme politike e gjeostrategjike. Në çfarëdo rasti, elitat tona intelektuale e politike duhet me ditë me i përcaktue qartë përmasat dhe kufijtë e miqësisë, të interesave të dyanshme, të aleancave e të bashkëpunimit për çashtje të ndryshme, aq sa krejt këto mos me i ngatërrue me fijet apo me interesat e njëanshme, e shpesh edhe me kërkesat e çuditshme të “vëllaut” të madh, Sulltan Erdogan-it, të cilat, për shkak të “elitave” tona të dobëta e të korruptueme politike, ai, qoftë edhe përmes ambasadorëve të tij, ka prirje me i shndërrue në pretendime apo në agjenda imponuese.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.