Shtatë poetë e një balerinë

0
566
Nexhat Halimi, 2005

Nexhat Halimi

poeti i parë

ky gjakshkrim endet tash e kaq vjet në mua
e i njëjti ujë i gurit pikon gjithnjë në krua
e njëjta vetëtimë degëzohet qiellit të llapit

unë shkoj e vij e gryka çahet gollakut

ja përsëri ai poet vjen pikës së gjakut
pika bie shkronjë më shkronjë fjalë më fjalë
kuptimi unazë më unazë digjet etjes ngjalë
e zogu me tufë bie në degëz të kavakut

e krijohet simfonia e fjalës e dreqi s`plaket
e shtatë poetë e një balerinë vetëdigjen në xinë
e kodrës zbret hija e ujkut e ulërin

kot çdo gjë bie e zgjohet kot zot nuk arrin
veç në hu koka e kolonit nga gjaku përthahet

poeti i dytë

shpinën ta ndiqte lulja e kthyer në vete
besimit filloi të harrojë të vyshket në etje
tri ditë më vonë ra fletë më fletë në tokë
e ti ndieje dhembje të thellë në kokë

zot ja e njëjta lule shfaqet nga hiri i vet
apo në vargun e poezisë amshimi i ngjet

ja pse ti s` vdes veç rilind brez më brez
pse përsëritet secili ag e t`i zgjon sytë
e rimat e shqetësuara përsëri vijnë me valë
e lulëkuqet e gjakut zemra në iliri i ngjall`

e gjilani zgjohet me ty në vetull të artë
e drita ndërmjet bozhuresh pikë e zjarrtë

zot nga shpie e nga kthen ajo pikë e artë

poeti i tretë

apo veç gjakshkrimi e ndërthur besimin në hi
e ndërmjet lirikë me shi e pak vetëtimë aty
në letër të rëndë për ëndrrën për gurtë e zogjtë

asgjë tjetër ndoshta apo pak shpërthim mitik
lot ndarje nga fryma e shpirti i prerë për gji
dritë nga pikë e lidh thekët në mozaik qilimi
ja zot ky jetëshkrim i zgjatur vijës së bardhë

në gur ngrirë në pritje të yllit të mëngjesit

secilin me qefinin rreth kokës të lidhur nyje
apo bibla e heshtjes shpirtit shpërthen me gjak
e vija e karvanit ik e ik qiellit e pëlcet guri
koha nga i vret një e një besimit hijet iLirike

e të vjen të qash pse s`arrite të bësh më tepër

poeti i katërt

s’pranoj asgjë asnjë gënjeshtër kurrë
e pranoj veç dashurinë për liqenin dhe olën
veç prekjen magjike nga lulja në tjetrën lule
e kalin nga pi ujë në hije të syrit të vet

fjala zgjon dritën në zemër e bërë `i det
e ulliri një nga një në gur kokrrat i qet

unë e pres kot lulëzimin e hirit kaq vjet

e +s’e pranoj në asnjë mënyrë as vdekjen
s’e pranoj heshtjen nën dry ndërsa ka zjarr
e ylli i mëngjesit e bari digjen në gjithësi

a do mund të flasë ndryshe poeti jashtë vetes
jashtë pikës së gjakut pa etjen e fjalës

ja zot uji rilidhet poshtë dhe lart ngjalës

poeti i pestë

lulja në kokë të gjarprit s`ka bukuri
e pylli i ëndrrës çilet mes dy stacionesh
me dritën e fanarit të thyer në shi

mbrëmja do të vijë me erë e me stuhi

mjeshtër si t`ia bëjmë gjakshkrimit
nis prej zeros e deri te përplasja tjetër
të pathënën e ujit shenjt` të fjetur
ta prekim dendur në zemër të tretur

fjala është e vetmja vdekje dhe ilaç
vjen rrënjës ik trungut ngjitet e çilet dega
ujit nimfa merr frymë e ti fle nën ulli

ndoshta lulja dritë etjes krijon bukuri

poeti i gjashtë

kaq vjet më vonë i rizgjoj gjurmët e shkrimit
ende gjak pikë libri kërkoj dënim me vdekje
e koka mbështjellë përreth me qefin në ëndërr
kot përpëlitesh jargët e botës i shfaq fytyra

e liri s` ka veç mashtrim veç atdhe të fjetur
veç ndërlidhje të hirit përhitje me zjarrin tjetër

ja udhës mes dy gurësh është thyer pasqyra
në cep shihet vetëm ismeti zbret e ngjitet kot
e unë ia vërej vetes nën sy dy pikë lot

ja silueta e të treturit na vjen e ik në varfëri

ah ismet ky s` je ti as unë me shpinë për ‘i ulli
pak jashtë e brenda hi udhëtimit në vetmi
udhë me gunga me varre zbret ngjitet në ty

poeti i shtatë

preka befas The në thellësi të vjetër poeti
siç ndrit në prozën unë e jo unë ai sy deti
asgjë s` është kurrë siç shihet veç iluzion mitik
krah i rrezes së zgjimit të besimit në shpirt

s`është veç kanjushë e verdhë mbi dubovik

ja pse fluturojnë e bien e digjen për pupël
e te kroi i rrënjës së gurit zgjohet veç flutur
të mbetet më pastaj dhembja e vetmuar
të mbetet zgjuar etja e ëndrra e përkryer

kanjushë e verdhë në fluturim mbi dubovik
t`i takojë hija e gjethit rrethit të ujit të liqenit
liria të çel aromë barit të fjetur të likenit

e ti mjegullës së bardhë gjithnjë vjen e ik

balerina

a je dëshirë e flaktë a je flutur apo balerinë
apo ndjenjë e paepur ëndrre nga e shkruaj poezinë
apo kapërcim i ylberit në rrethin magjik tjetër
apo përhitje e përjetshme e etjes në gur të fjetur

zbres nga kali i vetëtimës dhe dal te një krua
udhëtoj e udhëtoj vetes e askund plagë në mua
e gjak pikë e gjak e gjak pikë e pikë kaq vjet

ti ende maje gishtit sillesh majë gurit në gjithësi
e ashpër zgjohet shkundullimë e shpirtit ndërmjet
e një zemër bashkohet me një tjetër
e shpërthen zjarr në fjalë në sy në gji

e shtatë poet vetëdigjen dritës së gjakut të vet

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.