STRUKTURIMI I NJË RELIEVI POETIK

0
624

Xheladin A. ÇITAKU

(Milazim F. Kadriu: ATA QË PËR LIRI U FLIJUAN)

Ata që për liri u flijuan
Nuk vdiqën, pavdekësinë fituan.

– Arti i përkushtimit ndaj vlerës, që shpëfraqet në aktet e nivelit të sublimitetit, siç është flijimi për kauzën e caktuar, për idealin e ngulitur si kërkesë e paevitueshme për çlirimin e energjive njerëzore, është i ravijëzuar në veprat e ndryshme që ngërthejnë dhe shtjellojnë këtë motiv. Duke u shtrirë në gjerësinë dhe thellësinë e frymëzimit, krijimet e tilla tabloizojnë në ngjyrime përkatëse këto veprime, këto gjurmë e vrragë, të cilat shihen dhe preken në pasojat e tyre, ndijohen e përjetohen si simbolikë shpirtërore, si monument që identifikon kohën, si mesazh që duhet transkriptuar në vazhdimësi.

Orientimi eksplorues shpie në dramatikën jetësore, në lartësitë e heroizmës, prej nga dominohet realiteti dhe vëmendësohet aktualiteti, duke ripërtrirë kujtimet, duke rigjeneruar elanin për mbajtjen e nivelit meritor të piedestalizimit:

“Koha juaj
Ka veç lindje
Kurrë nuk perëndon…”

– Përmbledhja poetike e Milazim F. Kadriut qëndron në këtë linjë, shtegton në brendësinë e këtij motivi dhe pahëzon elemente, të cilat emërtojnë situata konkrete, ndodhi e sajime, për ta objektivuar akumulimin ndjenjor të autorit, për ta përvijuar emotivitetin dhe për ta artikuluar një këndvështrim artistik të ndërdijes së tij. Përqasja e tillë derivon një tufë poezishë ku akomodohet ndjenja e të qenit debitor ndaj veprave madhore, ndaj sakrificës dhe ndaj traseizimit të ëndrrave dhe ambicieve të një populli, ku vendohet simbolika përfaqësuese e identifikimit të këtij populli, ku mëtohet të përshkruhet dinjiteti i tij në thellësi të kohëve:

“Në sytë tu
Pash se po vjen dita e lirisë
E pash Flamurin kuq e zi
Duke valëvit i lirë në tokën e Arbërisë…”

“Që nga Iliria e lashtë
Brez pas brezi
Të gjithë trimat me radhë
Në kokë kanë bartur plisin e bardhë…”

– Vendi (trolli), liria, qëndresa, pavdekësia, heroikja e optimizmi gërshetohen në vargun e poetit, strukturohen në format dhe përmbajtjet e tërësive poetike, gjithnjë përmes shprehjes dhe mjeteve tjera të artit, si përques të ndjeshmërisë e imagjinatës në konkretësinë perceptuese. Ligjërimi i tillë interpretohet konformë gjendjes në realitetin përjetues dhe konformë konceptimit të këtij momenti nga receptori, të cilin në këtë rast e përfaqëson autori i poezive.

Rrjedha e kujtimeve, përkujtimeve nxitë sensin e përkushtimit, duke evokuar kështu çastet, të bërat, figurat, dukuritë a fenomenet, të cilat duan të përjetësohen. Duket se këtë synon edhe autori i përmbledhjes, sepse shtrirja e shtegtimit poetik aspiron gjithpërfshirje të aspekteve, nganjëherë edhe të ngarkuara shprehimisht, apo duke mënjanuar ritmikën intonuese dhe konvencionalizmin, gjithashtu, në dobi të zbërthimit më të detajuar:

“Udhëtova me shpresë
Udhëkryqeve të botës
Etja që kisha
Askund s’u shua…”

– Veç kësaj, vargëzimi i Milazim Kadriut ofron edhe konstrukte refleksive, të cilat karakterizohen si rafinime të sajimeve kuptimore, ku ndërtohet projeksioni poetik në planimetrinë e stilizuar, të figurshme e të ritmizuar përshtatshëm me shprehshmërinë dhe ambiciet estetizuese. Potenciali krijues i autorit bënë zbrazjen e radhës, ofron atë që mund të cilësohet si individualitet në formatet e ndryshme të universit poetik. E tëra do ndjek rrugën e thjeshtësisë shprehimore, si veçanti që mundëson kapshmëri të lehtë nga lexuesi. M. Kadriu kombinon vargun, poashtu edhe rimën e ritmin. I dhuron hapësirë llojshmërisë së metrikës dhe ndryshueshmërisë së intonimit.

Këto elemente e tipizojnë krijimin poetik si vargëzim të lirë në një reliev të valëzuar që pasqyron një realitet të transponuar në poezi. Involvimi përimtues në brendësinë e kësaj poezie sipërfaqëson një numër përcaktorësh të orientimit strukturor, të cilët kanë implikime konkrete në ndërtimin e kësaj strukture, siç është forma, tendencat stilistike, rrafshi leksikor, terminologjik (përmes emrave dhe emërtimeve), kuadri subjektiv (që përfaqëson adresimin e përkushtimit), nyancimet (si linja të shtegëtimit në semantikë), mundësitë autoriale në observimin konsumues të pëshkallëzimeve motivuese:

“Nëse kthehesh një ditë
Rrugës nga po shkon
Mos u çudit nëse shtegu është mbyllur
Dhe këtej s’un kalon…”

Varietete deklamuese në inskenimet e poetizuara të kohës, veprimit, ndjeshmërisë e realitetit në përgjithësi, përbëjnë koloritin e aspiruar të autorit, që në këtë mënyrë ta sisntetizojë tërësinë e ndërlikueshmërisë së jetës. Poetika e ofron këtë mundësi.

Milazim F. Kadriu i ofron opinionit letrar një formulim të ri të motivimit dhe frymëzimit, përmes kësaj vepre, duke shpërfaqur prapë vazhdimësinë e përkushtimit të tij ndaj rrjedhave të përgjithshme, duke portretizuat interesimin e tij për çështje e aspekt, të cilat e furnizojnë me lëndë të parë artin poetik.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.