STUDENTËT E SOTËM – E ARDHMJA E TRISHTË

0
642
Arben Çokaj - pikturë

NJË LËVIZJE STUDENTORE IRRACIONALE, ME SINDROMAT E NARCIZMIT, NEKROFILISË DHE SIMBIOZËS INCESTUALE

Arben Çokaj

Çfarë po kërkojnë studentët? A janë të drejta kërkesat e tyre?
Çfarë mund të arrijnë ata me këtë protestë?

Studentët janë një turmë e paorganizuar, që në përgjithësi kanë artikuluar 8 kërkesa. Por problemi është diku më thellë. Prandaj edhe Rama e qeveria janë shqetësuar. Se mundet që ka një interesim amerikan në këtë rast, ose kështu e marrin me mend disa, për të treguar se një forcë e madhe qëndron pas tyre e pas studentëve, gjë që nuk e besoj, por kjo mund t’i çojë deri në marrëzi. Kjo ide e mbështetjes së imagjinuar, sikur i ka fuqizuar studentët në protestën e tyre, ndonëse jo në kauzën e tyre, prandaj vërehet një sjellje arrogante prej kakareçave.

A kanë të drejtë studentët në kërkesat e tyre?

Kush nuk ka të drejtë në këtë vend? Të gjithë. Puna është se ku me i marrë paratë, që ata kërkojnë? Dhe nëse paratë gjenden, se hiqen diku e futen aty, a është drejtë të ndërtojmë një sistem arsimor të lartë falas, që të prodhojmë studentë me nga 2-3 fakultete, por të paaftë për ta kryer një punë si duhet? Një sistem arsimor i lartë e cilësor, duhet paguar, se falas e kemi edhe sistemin shëndetësor, por të gjithë ankohemi se nuk po funksionon si duhet! Kur Amerikës nuk i del ta krijojë e mbajë një sistem arsimor të lartë falas, përse mendon dikush se duhet të na dalë ne? Pastaj falas e kishim arsimin e lartë në kohën e Enverit, e nuk na doli ndonjë sukses i madh prej tij.

Megjithatë, studentët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë, dhe disa nga pikat e kërkesave të tyre janë të domosdoshme për t’u plotësuar, prandaj, ata të krijojnë një komision studentor negociues dhe të bisedojnë me qeverinë, përderisa qeveria u ka thënë “ejani të bisedojmë”, dhe të mos shtyhen si varkë në ujë të cekët, sa andej këtej, sipas forcave që i shtyjnë ata.

Rama si ndërmjetës mes studentëve e familjes së tyre, kush po i paguan paratë…

Kryeministri Rama ka krijuar shumë armiq, pasi e ka marrë gjithë tepsinë për vete, e nuk po i hedhë asnjë kockë këtyre, që e duan të vdekur. Janë të pakënaqur shumë aktorë në politikë dhe në mediat vizive e të shkruara. Të gjitha duan reklamën apo kafshatën e tyre, e ata po bëjnë “stuhi në gotë”, me teori konspirative e me arrogancë! E keqja më e madhe është se, përveç problemeve që ka ky vend e kjo qeverisje, kemi edhe një shoqëri të ndikuar nga orienti. E kjo shoqëria jonë, e ka të theksuar nekrofilinë (dashurinë për vdekjen). Njerëzit priren fuqishëm drejt shkatërrimit, në vend që të merren vesh, për t’i zgjidhur problemet e tyre. Edhe disa njerëz të politikës e mediave në Shqipëri, por edhe të shoqërisë civile, duan kafshatën e tyre zoti Rama, prandaj i ke në mbështetje të kafshatës së studentëve. Në kohën e Saliut nuk guxonin të shisnin arrogancë, por sot e bëjnë!

Në bisedë me disa gazetarë periferikë, që mbështesin protestën e studentëve, vëren se ata janë gati ta shkatërrojnë këtë vend, me idenë se ashtu duan gjoja “amerikanët”. Është simptomë e inferioritetit, mungesës së dashurisë për vendin e tyre, por edhe pasojë e ’97-s, kur vendi u thye në kryq, gjoja nga ndikimi “amerikan”. E tani, këta kujtojnë se Amerika nuk ka punë tjetër, vetëm të merret me ne, për të ardhur dhe për ta rrëzuar qeverinë, se këta nekrofilët tanë duan kështu… Duan të gjithë të shqyejnë nga shteti!

Por edhe disa nga studentët mund të konsiderohen si të ndikuar nga treshja e famshme e tipareve të egos së keqe të shpirtit të njeriut, që përmblidhen në “sindromën e shembjes”, e cila përfaqëson në vetvete thelbin e çdo të keqeje, ose gjendjen e rëndë psikologjike dhe bazën e destruktivitetit. Janë tipare irracionale dhe joproduktive kundër tendencës së jetës, të përcaktuara qartë nga psiko-analisti i famshëm Erich Fromm, si: narcizmi, nekrofilia dhe simbioza incestuale.

Narcizmi është pëlqimi deri në dashuri për vetveten. Një term i zbuluar nga Frojdi, si referencë për historinë e Narcisit, të shkruar nga shqiptari grek Sofokliu, i cili tregon se Jehona (emër shqiptar) ra në dashuri me Narcisin, por ky nuk ia ushqeu dashurinë asaj. Kështu që perëndesha e dashurisë Afërdita (edhe ky emër shqiptar) e dënoi Narcisin me dashuri për vetveten, deri në vetë-shkatërrim.

Nekrofilia (dashuria për të vdekurin, për shkatërrim, perversion seksual me të vdekur) është një term i huazuar nga filozofi spanjoll i kohës së luftës së Spanjës, Unamuno në vitin 1936, i cili e karakterizoi fjalimin e gjeneralit Milan Astrei si “nerkrofil”, pasi ai donte vetëm vdekje…

Nekrofilia nënkupton tërheqje nga vdekja, nga çdo gjë e vdekur, e kalbur ose që sjellë vdekje, shkatërrim, e cila të çon padyshim në shkatërrim. Ky term përdoret për të gjithë ata njerëz, që kënaqen kur thirret: “Viva la muerte” (rroftë vdekja), siç bënte edhe gjenerali Astrei.

Kështu edhe në Shqipëri, për çdo rast, aty i ke shumë shqiptarë, ata njerëz që në sistemin e tyre të mendimit nuk e kanë të fortë arsyen e logjikën, dhe sa herë që bëhet thirrje me nënkuptim “Viva la muerte”, ata aty i ke automatikisht, me nxitje të thjeshtë, në mbështetje të këtyre veprimeve nekrofile, protestave e lëvizjeve irracionale dhe joproduktive. S’ka rëndësi fare qëllimi i një veprimi, fitimi apo humbja, rëndësi ka për këta njerëz përmbushja e barkut emocional, që ata kanë.

Simbioza incestuale është rasti kur një fëmijë edhe pse e kalon moshën e pjekurisë, rrin i lidhur me familjen, supozojmë deri në moshën 30 vjeç, apo më shumë. Nuk mund të shkëputet psiqikisht nga gjiri e së ëmës, që e ka ushqyer në kohën kur ishte foshnjë. Është sikur nuk ia kanë prerë kërthizën dhe kështu psiqikisht ai/ajo rri i/e varur gjatë gjithë kohës te familja. Krijon pra një simbiozë incestuale me familjen e vet! Ka nevojë t’i shërbejë e ta mbajë dikush, është i varur diku.

Studentët tanë kanë mbetur për rrjedhojë infantilë, fëmijërorë, nuk janë rritur për të mbajtur veten. Ata i duan të gjitha gjërat gati, ose përplasin këmbët, nga familja ose nga shteti. E disa politikanë e analistë, po e presin shpëtimin pikërisht prej tyre, kur ata as bythë me mbajte veten nuk kanë… Prandaj e gjithë kjo sipërmarrje e tyre është irracionale dhe joproduktive. E dështuar.

Tani, përkundër narcizmit, është dashuria. Përkundër nekrofilisë është biofilia, dashuria për jetën. E përkundër simbiozës incestuale është pavarësia dhe liria, që as studentët tanë nuk e kanë.

Intelektualët shqiptarë në përgjithësi, kanë qenë dhe janë prapa mendimit të avancuar të intelektualëve perëndimorë. Pasi kemi patur e kemi një Shqipëri turke, e një popull me mentalitet e botëkuptim oriental, provincial, e jo perëndimor. Kot i thonë disa “Shqipëria Londineze”, se ti londinez nuk ke qenë kurrë!… Mendimet e avancuara të shkruara me kohë në Perëndim nuk i gjen të referuara edhe aq nga intelektualët shqiptarë as sot. Merren me vetveten, në prirjen e tyre irracionale. Por Thomas Hobbes thotë që në vitin 1644, se “pasionet e zbehin arsyen”.

Ndërsa Frojdi thotë më vonë se “arsyeja përballë interesave është shterpë”. Këto mendime të thëna dikur, na bëjnë edhe sot të kuptojnë se ku flen lepuri me protestën e studentëve dhe me këtë sjellje irracionale të vazhdueshme të shoqërisë sonë pasionante, e me arsye të zbehtë ose shterpë! Se interesat janë në lojë!

Nuk e kemi të krijuar ende si shoqëri sistemin e arsyes, e botëkuptimin shkencor. E kush duhet ta bëjë këtë? Universitetet… Studentët tanë protestojnë më shumë se nuk dinë, nuk i mësojnë këto gjëra dhe zgjedhin më shumë rrëmujën, se zgjidhjen e një problemi! Ashtu si të tjerët para tyre, që nuk kanë ditur ta orientojnë shoqërinë tonë drejt shkollimit e dijes racionale, por e pompojnë me fe e me iluzione joproduktive! Kështu që shoqëria jonë ka mbetur prapa.

Erich Fromm sqaron ndër tjera te libri i tij ”Shpirti i njeriut”, se: ”Njeriu me bindje të fuqishme, që e përbuz ndikimin e turmës, ndoshta është më shumë një përjashtim, se sa rregull. Ai shpesh ngjall admirimin e brezave të ardhshëm, por si rregull, bëhet qesharak në sytë e bashkëkohësve të vet.”

Në këtë kontekst duhet thënë se protesta studentore e këtyre ditëve mund të rezultojë në zgjidhjen e një pjese të kërkesave të tyre, ndërsa ndikimi i pritshëm në politikën shqiptare, nuk besoj se do të jetë aq i madh, pasi nuk ka një platformë pas tyre dhe as edhe një paketë mjetesh, për të imponuar një ndryshim në mentalitetin e politikës shqiptare të këtyre 28 viteve. Se në fund të fundit, zgjidhjet politike në një shoqëri demokratike vijnë të gjitha me votën e lirë. Nëse imponohen rrugë të tjera jodemokratike, ato do të jenë gjithmonë të diskutueshme dhe rezultati i tyre i dyshimtë!

Dhe për nekrofilët e vetëdijshëm, e sidomos të pavetëdijshëm të shoqërisë shqiptare, që fatkeqësisht janë të shumtë, kam një porosi: shteti nuk ndërtohet duke e rrëzuar atë, por duke forcuar institucionet e pavarura dhe kontrollin e rreptë mbi financat publike, e më gjerë!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.