UNIVERSITETI POPULLOR SHQIPTAR I GJENEVËS NDEROHET ME ÇMIMIN E FRANKOFONISË

0
449

Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë aktuale e UPSH-së në Gjenevë të Zvicrës, me punën e saj të palodhshme i sjellë këtij institucioni të integrimit dhe të kulturës, çmimin vjetor të frankofonisë.

Themelimit të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë me seli në Paris të Francës, i ka paraprirë puna 35-vjeçare e Agjencisë për Bashkëpunim Kulturor dhe Teknik e njohur me shkurtesën ACCT.

Sot, kjo organizatë prestigjioze në gjirin e vet numëron 84 shtete të pesë kontinenteve të botës.
Vendet si Qipro, Gana, Katari dhe Kaledonia e Re, që shtrihet në jugperëndim të Paqësorit kanë ende statusin e anëtarit të përkohshëm apo të asociuar.

Kurse atë të vëzhguesit 26 shtete, në mesin e tyre edhe Kosova, e cila, në këtë organizëm të rëndësishëm ndërkombëtar është anëtarësua në nëntor të vitit 2014.

Në këtë organizatë me nam në botë,që mbledhë një të tretën e shteteve anëtare të OKB-së, bënë pjesë edhe Shqipëria. Ajo gjatë vitit 1997 kishte statusin e vendit vëzhgues.

Falë angazhimit serioz në këtë mekanizëm më 1999 ky status i saj avancohet në anëtare të rregullt, dhe me të drejtë të plotë në votë dhe në vendim-marrje.

Sipas një raporti të publikuar më 2014 nga OIF, mësohet se në botë gjuhën frënge e përdorin 274 milion njerëz.
Neologjizmin frankofoni përherë të parë e ka futur në përdorim më 1880 gjeografi i njohur francez Onésime Reclus.

Kjo organizatë përveç promovimit të vlerave kulturore dhe gjuhësore nëpërmjet katër operatorëve të saj të specializuar ndihmon në përgatitjen dhe trajnimin e diplomatëve të akredituar pranë Bashkimit Evropian dhe OKB-së.

Gjithashtu mbron të drejtat dhe liritë e njeriut, e njëkohësisht kontribuon edhe në ruajtjen e paqes dhe demokracisë.
Nëpërmjet seminareve të ndryshme ndërkombëtare u jep mbështetje të pakursyer edhe universiteteve të ndryshme në Evropë, e vende të tjera të botës, që në kuadrin e tyre kanë katedrat e frëngjishtes.

Gjatë muajit mars në të gjitha vendet e botës anëtare të OIF-it organizohet edhe java e frankofonisë.
Më këtë rast në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë ndahet edhe çmimi vjetor për institucionin apo shoqatën me kontribut të veçantë në rritën dhe zhvillimin e frankofonisë.

Epitetin e më të mirit këtë vit e ka fituar Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, i pasuar nga dy institucione të dalluara shoqëroro-kulturore të Zvicrës, siç janë:”Salloni Ndërkombëtar i Librit” në Gjenevë dhe RTS, e njohur me përgatitjen e emisioneve speciale mbi frankofoninë.

Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë e UPSH-së së Gjenevës, që nga viti 2008 këtë çmim e konsideron nderë dhe privilegj. Ajo ndihet tejet e kënaqur, dhe si argument për konkurrencën e jashtëzakonshme ofron edhe kandidaturat e tjera të shumta të organizatave të ndryshme anëtare të OIF-it.

Vlerën e këtij çmimi thotë zonja Krasniqi-Malaj, do ta rrisë dhe më shumë organizimi i një ceremonie më 15 mars të këtij muaj në Bernë të Zvicrës.

Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, si duket ka shpallur muajin mars si muaj të masivizimit të frankofonisë, ngase në agjendën e tij figurojnë ngjarje gati të çdoditshme kulturore, si promovime librash dhe organizime debatesh me temë nga arti dhe kultura franceze.

ARIF EJUPI

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.