Vaji im – renegatët e fikën shqiptarinë

0
464
Hysni Gashi - Vaji im

Zymer Mehani

Në Malishevë u përurua vëllim i poetik “Vaji im – renegatët e fikën shqiptarinë” të poetit Hysni Gashi

Sot, më 7 dhjetor 2019 në Restoranin “Hamza” të Malishevës u përurua libri me poezi “Vaji im – renegatët e fikën shqiptarinë” i autorit Hysni Gashi
Shoqata për Kulturë dhe Letërsi “Tafil Kelmendi” në Malishevë, sot përuroi librin me poezi “Vaji im – renegatët e fikën shqiptarinë” të autorit Hysni Gashi, me rastin e shënimit të 71-vjetorit të lindjes së prof. dr. Tafil Kelmendi.

Përurimi u mbajt me pjesëmarrjen e shumë krijuesve letrarë nga të gjitha trevat shqiptare, duke filluar në orën 11:00, në ambientet e Restoranit “Hamza” në Malishevë. Për librin folën, recensenti, Izet Shala dhe redaktori, Qëndrim Morina. Përveç kësaj, më pastaj u mbajt një orë letrare me krijues letrarë nga treva të ndryshme shqiptare.

Recensenti i librit Izet Shala në fjalën e tij tha:
Komunikimi poetik i autorit, Hysni Gashi, në veprën më të re “Vaji im-renegatët e fikën shqiptarinë”, nuk e trazon emocionin infantilo-konfrontal, as nuk e mashtron piramidaliteti i ndërtuar në mashtrim të përgjithshëm horizontal, ku fotografia e jetës reale në atdheun e tij prej 91.000 km2 e ku jetojnë afro 10 milionë bashkëkombës të autorit, terrorizohen vetëm nga dhjetë portrete ikonike të gërditshme politike.

Nota edhe më sarkazmatike ku e çmonton realen nga irealja, autori shprehet përmes poezisë:

“Lutja e poetit të verbër”
Duke rrahur rrugët e të vërtetës
Në qoftë se e vërteta je ti
Unë të përkulem si njeri

Vetëm si i tillë lutjen time do ta përfillë.

Figurativiteti i vargut përmes metaforës. Poeti Gashi dërgon lutjen në adresën e vërtetë, por edhe si të vërtetë e pret përgjigjen, në të kundërtën, butësisht lutja e poetit mbetet e verbër, por militantizmi shpirtëror do të vazhdojë kryengritjen deri në realizim të së vërtetës.

Autori nuk është vetëm një medimtar teorik, as vetëm një iluminist filozofik, por është praktik dhe mjaft i drejtpërdrejtë në thirrjen që bën, në temat që trajton dhe në historinë që fakton përmes vargut, kurse në gjuhën që artikulon, duket i vrazhdë dhe i pakompromis, por në të vërtetë ai ofron zgjidhje para vendimmarrjes:

Allkapona në tokën e Arbrit
Kosova skenë e vogël në teatër
Shqipëria, skenë e madhe
Tokë e qarë e Arbit
Mjaft ka me na dalë.

E vështirë ta determinojmë, copëzojmë, sintetizojmë dhe ta gjejmë në superlativë kërkesën e autorit, por në dukje titulli i poezisë dhe vargjet shpërfaqin unifikimin e dhimbjes kombëtare me juntën allkaponiane, që flet me gjuhë e asht shqip dhe ekzalton njëmijë e një metodat e përuljes dhe nënçmimit të njeriut të vet.

Prandaj edhe vargu “Tokë e qarë e Arbrit” jep kumtin më alternativ të së tashmes dhe shpresëmbytjes për të ardhmen, nëse vazhdohet ky mishërim i dhunshëm diku e diku i pavetëdijshëm, e pse jo në pjesën dërmuese me vetëdëshirë, duke ndihmuar alkaponet brenda kësaj gjeografie që të mbjellin farën e egër në tokën dhe njeriun e Arbrit.

Kjo përditshmëri ekzekutohet nga monstrumet që u bijnë kambanave sa herë hipin në katedralet dhe minaret e pushtetit, kush më mirë s evargu i autorit sqaron jetën nën rrënojat e bunkerëve të gjithëpushtetshëm dhe nën ndikimin e shishbarëve e të shfrenimeve në jetën e natës, që edhe natë e kanë jetën.

Poezia “Doktori keqbërës” rrëfehet kështu:

Ti s’më dëgjove
Mbete pa të tjerë
Në dhomën tënde
Pa dritare, pa derë
Pa dinjitet, pa nderë!

Alegoria poetike shkon më tej, duke perifrazuar si “Doktori me Gjilpërë”, që bëri copa-copa Shqipërinë e shqiptarët, jo me mjetet e forta, por me superlëngun “Dizel”, që digjte e masakronte fëmijë, gra, të rinj, pleq e plaka në Dardaninë e pathyeshme.

Krejt kjo skenë nuk ishte serial i filmit në akullnajat e Antarktidës, por njerëz të gjakut e ashtit dhe gjuhës së doktorit keqbërës, që nga dhoma ovale e tepihave të kuq përcillte mesazhe me lotët e mashtrimit dhe vazhdonte furnizimin me dizelin vdekjeprurës falangat serbo-sllave.

Vogëlushi i varur në kumbull-flet kështu:

Lidhësen e këpucës ia vënë vogëlushit në qafë
E varën në degën e kumbullës
Cuclla me qumësht nëne në gojë i mbet
Vogëlushi me sy hapur, për ty Kosovë po vdes.

Më shumë se poemë e vajit, më shumë se dhimbje prindërore, përballë një makabriteti çnjerëzor të ndodhur në Kosovë në luftën e fundit për çlirim nga serbo-sllavët.

Kjo ngjarje reale tejkalon kufijtë e një lufte, por barbaria serbe sikur argëtohet me gjenocidalitetin mbi foshnjat shqiptare, që kreu dhe zbatoi vdekjen e ftohtë të nënave, duke parë foshnja të varura, që po jepnin frymën njomëzare për Kosovën e lirë dhe sovrane. Por shtrohet pyetja edhe “Ç’ka duhet me pa me sy e me përjetue me lëkurë që të mbushemi mend si popull e pushtet?”, – pyet poeti Gashi.

Kjo dramë ka më shumë se dy shekuj që na përcjell, por poeti nuk heq dorë nga shpresa për ditë më të mira për kombin e vet, për atdheun, prandaj edhe poemën e vajit po punon që ta kthejë në poemë buzëqeshjeje, në poemë pune, kënge, lirie e në poemë ylberi për familjet e kombin shqiptar.
(…)

Autorin Hysni Gashi e përshëndetën me pak fjalë edhe z Skënder Hoxha, z. Zymer Mehani etj.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.