Vazhdimësia ilire-arbërore dhe livadhet e Gjon Gegs!

0
1325
Gani Mehmetaj, Shkodër

Gani MEHMETAJ

“Edhe Kaliqani i ka pothuajse të gjitha toponimet katolike, duke filluar nga Dardha e Kishës (në arë të Tahir Ademit), që është pesëdhjetë metra larg nga dera e xhamisë, që e kanë rinovuar, duke i fshehur shkrimet e lashta në gurët e qemerit të derës hyrëse!”, me shkruan Imer Ukaj, shoku im i fëmijërisë nga Gjermania-Shtutgardi.

Emërtimet në Kaliqan, sipas Ukajt: “fillojnë me Livadhet e Markajve, Kerrshi Pap-Leks, Gjon-Gegs, deri të Merleket e Lapushtrat e Hasa-Palsë!” Meqë Imeri ka prejardhje nga ai vend, ai sqaron se” “mbi katund n’gjysë t’rrugës për bjeshkë (nër kerrsh t’Sokolit) ashtë nji vend qe quhet Gjytet, që ndërlidhet me gojëdhënën e tërhjekjes së Liqenit nga Dukagjini te Ura e Shenjtë… ”

Rasti i fshehjes së mbishkrimit antik në qemerin e xhamisë së katundit Kaliqan, është i ngjashëm me stelën (monumentin varrezorë) dardane me mbishkrim që u muros në xhaminë e katundit Botush të Gjakovës, ku po ashtu, sikurse na thanë vendësit, pasi është rinovuar xhamia, guri i gdhendur i periudhës antike është fshehur në cepin e djathtë të xhamisë dhe është lyer me ngjyrë. Me një hulumtim mund të nxirret guri antik nga xhamia e Botushës, por edhe nga qemeri i xhamisë së Kaliqanit dhe të vendoset në Muzeun e Gjakovës, përkatësisht të Istogut.

Në librin “Trashëgimia arkeologjike e komunës së Istogut”, Haxhi Mehmetaj shkruan se livadhi i familjes Zogaj, një tarracë rreth 200 metra në lindje të xhamisë së Kaliqanit mbanë toponimin “Te Kisha”. Sipas kujtesës së popullatës toponimi emëron gërmadhat e një kishe, të cilës tashmë nuk i shihen gjurmët. Mehmetaj shkruan se me gurët e kishës thuhet të jetë ndërtuar xhamia e fshatit.

Kisha e Zojes së Bekume
“Kodra e kishës” gjendet edhe në katundin Orroberdë, jo shumë larg Banjës së Pejës. Aty afër është edhe vendbanimi antik ilir. Ndërkaq, në katundin fqinjë, Lubovë, është emërtimi “Lisi i Zojës”, ndërsa në afërsi janë themelet e një kishe të vjetër, që sipas librit “Trashëgimia arkeologjike e Komunës së Istogut” ishte Kisha e Zojes së Bekuar.

Kisha dhe varrezat janë të mesjetës, mendon H. Mehmetaj nga Institutit Arkeologjik i Kosovës. Ai ka hasur në “Trollin e Kishës” edhe në katundin Veriq. Dhjetëra rrënoja kishash e varresh katolike të mesjetës i ka hasur nga Kaliqani deri në Rakosh e Padalishtë, thekson ai derisa e ka përgatitur librin “Trashëgimia arkeologjike e Komunës së Istogut”.

Nga stela dardane: babai e kujton të birin e vdekur në luftë!
Nga emërtimet e vendbanimeve, nga rrëfimet e vendësve, nga dëshmitë e gjetura dhe nga kujtesa e popullatës nuk është vështirë të rikonstruohet jeta e dikurshme në katundin Kaliqan dhe banorët e kohës antike apo arbërorë katolik të kësaj rreze mali në mesjetë. Dhjetëra shtëpi sipas arkitekturës ilire-dardane, një faltore kushtuar hyjneshës, një shesh katundi të rregulluar, varret në periferi me pllaka guri a mbishkrimet në stela nga mermeri. Ndërsa në mesjetë shtëpitë një apo dykatëshe, të tipit me gurë lumi a gurë gëlqeror, sheshi, kisha mbi një kodër të butë me varret afër.

Kaliqani me tërë arealin e katundeve deri në Shushicë e Rakosh ka monumente, vendbanime antike e gjetje të ndryshme arkeologjike, që dëshmojnë vazhdimësinë nga parahistoria, antika ilire dhe mesjeta arbërore (përkrenare e armë ilire, kisha e vendbanime arbërore). Me gjetjet e bollshme nga terreni nuk është vështirë të krijohet pasqyra imagjinative e kulturës ilire- dardane nga periudha parahistorike, periudha antike karshi vazhdimësisë së kulturës mesjetare arbërore.

Ndër dëshmitë më të çmueshme, por njëkohësisht më emocionuese është stela dardane e gjetur po ashtu në katundin Kaliqan, e cila kur e lexon dhe kur e zbërthen përkushtimin të jep një përshtypje të veçantë.

Stela dardane e Kaliqanit është monument varri, që babai i pikëlluar, ia ka kushtuar djalit, i cili vdiq në moshë të re, tridhjetë vjeçare, ndërsa që nga mosha tetëmbëdhjetë vjeçare ishte në shërbim ushtarak. Kështu thuhet në stelën ilire – dardane në mbishkrimin e gjetur në vendin Gjyshkokë.

Mbishkrimi sipas arkeologut Mehmetaj i takon shekullit II-III pas Krishtit, ndërsa Gjyshkoka, vend-zbulimi i stelës dhe i eksploatimit të xeherorëve shtrihet rrëzë bjeshkëve të Korenikut, pjesë e Alpeve Shqiptare, në periferinë verilindore të katundit, sqaron autori i librit.
Stela dardane-përkushtim e babait për të birin që nuk ia gëzoi as rininë dhe as pjekurinë, gjendet në Muzeun e Shtëpisë së Kulturës në Istog, është punuar nga mermeri i bardhë fisnik, ka zbukurime të veçanta, tipike të kohës. Stela ka mbishkrime në katër rreshta me korniza, të profilizuara, të dekoruara me hardhi rrushi, simbolikë e kultit të hyjit të verës, që aq shumë adhurohej nga dardanët.

Natyrisht stela është e dëmtuar, sepse nga ajo kohë kanë kaluar gati njëmijë e tetëqind vjet. Sipas kronikave e dëshmive të shumta janë bërë luftëra të përgjakshme, por vendësit kanë mbijetuar, kanë ndërtuar e punuar, duke lënë gjurmët e tyre prapa në emërtime, në ndërtime, në zbukurimin e enëve të përdorimit të përditshëm, në vegla të punës, por edhe në armët që i përdornin, sepse armët ilire ishin të njohura në tërë Gadishullin Ilirik dhe në Evropë në përgjithësi.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.