VËSHTRIM PËR PËRMBLEDHJEN POETIKE “LAHUTA E KOSOVËS” TË POETIT, SAHIT SHALA

0
718

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Vëllimi poetik “Lahuta e Kosovës” autori Sahit Shala e ka konceptuar në frymën popullore, duke e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është e përbërë nga 10 këngë:

I.”Krisi pushka në Prekaz”,
II.”Drenica”;
III.”Flakë për flakë”;
IV.”Në radhë të parë u vu Blerimi”;
V.”Ikja e madhe”;
VI.”Çeta e trimit”;
VII.”Lufta e Junikut”;
VIII.”Qëndresa”;
IX.”Vendi i Kuvendit”;
X.”Dita e Lirisë”.

Ndërsa pjesa e dytë përbëhet nga cikli “Vargje për Kosovën”.
Në Këngën I të pjesës së parë, tërësisht shtjellohet tema e luftës dhe qëndresa heroike e Familjes Jashari të Prekazit kundër okupatorit serbosllav.Pra, vargjet trajtojnë motivin atdhetar, qëndresën dhe heroizmin e shqiptarëve për liri. Në vargjet e këngës I, Shabani, Ademi e Hamza nga pena e poetit Sahit Shala, krahasohen me Mujin e Jutbinës dhe me Oso Kukën e Vraninës, krahasim ky shumë i goditur artistikisht. Qëndresa e Jasharajve në luftë për liri, nder dhe truall amtar është po ashtu e përshkruar me mjeshtëri dhe e realizuar estetikisht.

Te kënga II, sërish shtjellohet tema e luftës për çlirim nga okupatori shekullor, që shpërtheu në Drenicën heroike. Këtu kemi të trajtuar motivin e guximit, të qëndresës dhe të sakrificës për lirinë. Poeti Sahit Shala me kujdes të veçantë i referohet historisë sonë kombëtare, duke përmendur figura historike dëshmorësh, si Azemi e Shota, Ahmet Delia, Fehmiu e Xheva,, që e dhanë edhe jetën vetëm e vetëm që Drenica dhe mbarë Kosova të mbeten prore shqiptare, ashtu siç i ka falë Zoti.

Në Këngën III shtjellohet prapë tema e luftës çlirimtare e shqiptarëve për liri, por në këtë rast, e zhvilluar në një pjesë tjetër të Kosovës, në Rrafsh të Dukagjinit (Gjakovë, Pejë, Istog). Edhe kjo tokë lindi e rriti trima, që u flijuan për liri, si Selman Kadria, Haxhi Zeka, Shaban Shala, Ardian Krasniqi e shumë trima të tjerë.

Kënga IV i kushtohet dëshmorit të kombit, Blerim Bala nga Strellci i Deçanit. Kur bisha e tërbuar sllave u vërsul në strellc dhe në pjesë të ndryshme të Deçanit, blerimi me shokët iu përgjigj flakë për flakë:

“Prej atë ditë që duel kushtrimi
N’radhë të parë u vu Blerimi
Se për mote e për vite
Veç pranverë ti Kosovë prite
Për simbolin shekullor
Sa e sa ke dhënë dëshmorë”

Në Këngën V trajtohet tema e dëbimit të popullatës shqiptare prej shtëpive të tyre nga okupatori serb. Edhe këtu poeti Sahit Shala i referohet realitetit historik, kur më shumë se 1.000.0.0.0 shqiptarë policia dhe paramilitarët serbë i përzunë nga vatra shekullore.
Në Këngën VI me mjeshtëri prej artisti, poeti Shala ravijëzon portretin e gjeneral Ramush Haradinajt. Nga vargjet e kësaj kënge mësojmë për shëmbëlltyrën e këtij trimi dhe luftëtarëve të tjerë, për guximin dhe qëndresën që treguan ndaj pushtuesit serb. Theksohet qëndresa e Gllogjanit heroik dhe e Deçanit me rrethinë.
Në Këngën VII përshkruhen skena nga Lufta e Junikut:

“Krisi pushka n’ato gryka
Shumë armiq ku ja kanë mësy
Po luftojnë djemtë e Kosovës
O nuk lanë atje me hy.

Në Këngën VIII sërish motiv i vargjeve është qëndresa heroike e shqiptarëve të Rrafshit të Dukagjinit kundër policisë dhe ushtrisë serbe:

“T’ndjefsha t’ligën moj Serbi
Tanë me plan tue djegë e gri
Yll Kosove e ka falë Zoti
I thonë n’emën Ukshin Hoti
Që s’duron ai padrejtësi
Shtrigë e quen t’zezën Serbi”

Kënga IX e përshkruan diegien e qytetit historik të Prizrenit, Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga paramilitarët serbë

“Prizreni e Suhareka
Gjithë petrita e sokolesha
Ferizaji e Gjilani
Ngjiten n’valle nja mbas njani
Dhe asnjani s’i trembet vdekjes
Vllazën, motra t’Kadri Zekës”

Në këngën e fundit (X) të përmbledhjes “Lahuta e Kosovës” poeti Sahit Shala e përshkruan Ditën e Lirisë (13 qershorin e vitit 1999) e cila agoi me mund, gjak e sakrificë nga bijat dhe bijtë e denjë të kombit tonë.
Në pjesën e dytë, ku kemi ciklin “ Vargje për Kosovën” trajtohet motivi atdhetar. Poeti i këndon Kosovës, vendlindjes së tij, dubovikut të bukur, pastaj atdhetarëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, si edhe lirisë së atdheut, për të cilën gjatë shekujsh shqiptarët derdhën mjaft gjak.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.