VJOLLCA AJASLLARI-KONI, POETESHA E PJALMIT TË VARGUT…

0
750

Poezia nuk është mendim i vënë në vargje, por është ndjenjë, e derdhur në varg…
( Lasgush Poradeci )

Nga: Hysen Grajçevci

1.
Pas dy vëllimeve të botuara, “Bio” më 2013 dhe më 2014 “Poseidon, ky malli im”, më 2014, tani kemi në dorë botimin e vëllimit të tretë, me titullin, “Ti, qindvjetësh”. Në të, janë të përfshira, gjithësej, 102 (njëqind e dy) poezi, në të cilat poetja Vjollca Ajasllari – Koni derdhë nektarin e mbledhur, për të na e bërë dhuratë freskie.

Poezia e kësaj autoreje është krijim lirik, ku fjalën e gjetur ia kushton vargut. Aty na duket sikur, për moto, ka mendimin e lirikut tonë të madh, Lasgush Poradeci. Këtë mendim ajo përpiqet, në vazhdimësi, ta jetësojë në vargjet e veta. Poezia e Vjollcës është organike, e cila në vete përmban brumin natyror, të thjeshtën, të bukurën, burimoren, nga ku lindi, u rrit dhe u zhvillua, bashkë me të, në hapërimin jetësor e në përjetimin ndjenjor.

Poezinë e kësaj autoreje e karakterizon nocioni filozofik, si formë e mendimit, ku pasqyrohen tiparet më thelbësore të dukurive dhe të realitetit objektiv. Por nuk mungon as nocioni logjik – letrar i së bukurës, i derdhur në varg, për të fuqizuar strukturën e shtrirjes së poezisë, ndaj rrafshit poetik të kërkuar. Prandaj, kemi të bëjmë me gjetjen e temave, brenda të cilave zhvillohet metafora dhe fjalori figurativ, me shumëllojshmërinë e ngjyrimit poetik e letrar. Fuqia e fjalës, në të gjitha poezitë e këtij vëllimi, është porosi e zhvilluar në ecje, e cila vjen si një vrullimë vullkanike, për t`iu mveshur vargut.

2.
Autorja e këtij vëllimi, me origjinë nga Greva e Skraparit dhe tani me banim familjarisht në Austri, vazhdon në rrugëtimin e saj poetik, për të gjetur dhe për ta pajisur shprehjen me të bukurën, qenësinë dhe veçantinë e fjalës, si element estetik e letrar, përkatësisht, estetikën e fjalës, të cilën e shohim, para së gjithash, në karakterin dhe aktin receptiv, në ndërlidhjen e së vërtetës, me të vërtetën estetike.

Poeteja Ajasllari – Koni pati fatin e mirë, dhuratë nga natyra, të thithë të njëjtin ajër, të marrë ngrohtësinë e të njëjtave rreze dielli; të pijë ujë nga të njëjtat kroje, ku shoi etjen dhe u ushqye “poeti rebel” i asaj treve, Xhevahir Spahiu. Siç dihet, me punën dhe magjinë e artit të tij krijues, ky la gjurmë të ndritshme, në letërsinë shqipe. Ky korife, ndikoi edhe te autorja e këtij vëllimi me poezi, e cila përpiqet ta ketë model për shëmbëlltyrë, në udhëtimin e saj letrar.

Si shembull moral e njerëzor, si bashkëvendës dhe si njeri i vlerave, gjatë punës së saj krijuese e letrare, disa herë, Vjollca i kthehet penës së tij, portretit të tij. Në krijimin poetik, me të cilën fillon vëllimi, “Një poezi për Ty”, ajo vazhdon me krahasimet figurative, letrare e poetike, që në letërsi njihen figura stilistike (simbolika letrare). Figura të tilla janë veçori, të cilat shërbejnë për të ndriçuar më mirë anën e shprehur dhe për t`i dhënë gjallëri e përqendrim aspektit figurativ:

Deri sa ti je maja e Tomorit,
ku madhështinë mban kurorë,
dua të jem shtizë flamuri,
mbi bedena kalash, me pishtar në dorë…

Ndërsa te poezia, “Një varg për Ty – Poet”, e prekur thellë nga sëmundja e Xhevahirit, siç shprehet vetë për “Poetin e ëndrrave të saj”, në një çast përmallimi, shkruan:

I trishtë më vjen vargu, kur shkruaj për Ty!
Më djeg loti, dhimbje kam në zemër,
nga Tomori një shkëndijë,
vjen e ndalet mbi tëndin emër!

Te të gjitha poezitë e Vjollcës, studiuesi, por edhe lexuesi i rregullt, vë re lirizmin e vargjeve, të cilat bartin me vete ndjesinë e lartë estetike dhe brishtësinë, duke tërhequr, kështu, përqendrimin e vëmendjes, për ta lexuar vëllimin, me një frymë. E lindur dhe e rritur në një mjedis magjepsës, autorja di të marrë dhe përafrojë tablotë e saj, për t`i sjellë, më pas, të gdhendura e të kristalizuara, si imazhe të pikturuara dhe me ngjyrime të natyralizuara, të të gjitha stinëve tës vitit. Di t`i kompozojë bukur motivet, në partiturat e vargëzimit dhe di ta intonojë frymëzimin, me notat e butësisë shijuese, që rrëmbejnë botën shpirtërore.

Ndjesitë e dashurisë për të bukurën, emocioni shpërthyes poetik dhe malli për vendin, e shndërrojnë në puhizë të lehtë, për të kapërcyer detet e malet, e shndërrojnë në kanarinë, ku nuk lë degë ulliri e bliri, nuk lë degë pishe e shteg ograje; nuk lë burim kroi e lule kopshti, pa i dhuruar fjalën e ëmbël, ngrohtësinë dhe freskinë e vargut; nuk lë pa i marrë nektarin luleve të natyrës, freskinë puhisë ledhatuese, valës a pikëvesës, të bukurën, për ta mbëltuar brenda vargëzimit, për ta sajuar efektin përjetues dhe për ta nxitur ndjeshmërinë ndaj vlerës, ndaj konstruktit artistik, që ofron.

Në poezinë “Unë shkruaj vargje” shprehet;

Këndoj për fushën, lulet, bagëtinë;
pishat gjelbëroshe, lisat e gjatë…

3.
Fatin e hidhur, që jo rrallëherë ka goditur popullin tonë, dukuria e shpërnguljes, të mërguarit larg vatrës, e përjetoi edhe kjo poete, e shtyu atë në kërkim të një jete më të mirë, në një ringjallje të shpresës së re, në një tjetërsim shpirtëror. Megjithatë, te ajo do vazhdojë përçuarja e ndjesive të ngulitura, tani në një formë të kultivuar, në një strukturë të ndërtuar, brenda së cilës do ravijëzohet jeta e ndërlikuar, e derdhur në një realitet letrar. Aspektet shoqërore shpërfaqen të përvijuara në këtë strukturë, me vërtetësinë e përjetimit dhe ndijimit: dhembshuria e dashuria për Atdheun. Malli e mallëngjimi shkrihen në këtë përshkrim me formën, stilin, semantikën, intonacionin dhe ritmin e brendshëm të vargut. Në njëkohësi me këto reflektime, vjen poezia “ Aromë Shqipërie “, e cila mundëson përshtatjen e shpërfaqjes së emocionit, në gjatësinë e shtrirjes së motivit:

Jam një copë- jetë Shqipërie,
rrënjët kam lënë atje!…

Vargjet e potes Vjollca Ajasllari-Koni, kaherë, kanë bashkuar kufijtë natyrorë të Shqipërisë. Duke jetuar jashtë Atdheut e duke qenë e pranishme në veprimtaritë letrare, të organizuara nga Bashksia Shqiptare në mërgim, me fjalën e saj artistike, ajo është bërë pjesë e pandashme e tyre dhe, për më tepër, ka depërtuar kudo, ku jetojnë e punojnë ata: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Çamëri e në gjithë diasporën shqiptare. Me buzën shkrumb, shpirtin e pikëlluar, syrin e njomur nga loti dhe zemrën djegur nga malli, poetja nuk ndalet, por si identifikim i vetëvetes dhe Kombit, që përfaqëson, shpreh atë traditë të shkëlqyer, që e bën të ndihet përjetë krenare. Ndarja nga Atdheu, humbja e babait në moshë të parakohshme, largimi nga nëna dhe rrethi familjar, te Vjollca përjetohen me dhimbje të thellë. Është vargu ai, që shoqëron dhe i mundëson poetes të shpërfaqë emocionin e ndjenjës, në njërën nga poezitë kushtuar nënës, me titullin “Të ngremë dolli”:

Nuk i trembem kohës,
që mua më plakë…
Për ditët e tua që ikin,
zemra më kullon gjak!…

E bindur në misionin, që e karakterizon, ajo ngrihet si në mitizim dhe bën paralelizmin e tokës së prehjes atërore, që i është shenjtëruar dhe shndërruar, në të vetmen prehje dhe paqe të amshuar, për bijtë dhe brezat që kalojnë:

Betohem, me fjalën time në sy,
se frymën e fundit, te Ti, do e lë!…

Janë këto vargje refleksionesh shpirtërore ose një rrëfim, me fillim të pafund?! Me imagjinatën e pasur, ndjesitë emotive, me frymëzimin dhe natyrshmërinë krijuese, që e karakterizojnë: shprehja, ndjenja, dëshira, idetë e largpamësia, për një art sa krijues, po kaq dhe të brumosur e ngjeshur, me tërësinë e fjalës, në poezinë shqiptare.

Vjollca Ajasllari – Koni është pjesë e këtij kreativiteti, nga vëllimi në vëllim, duke përformuar me individualitetin krijues, një origjinalitet artistik dhe ligjërim poetik. Aktualiteti ynë letrar përfaqësohet edhe me denjësinë e vijimësisë së traditës dhe bashkëkohores, që bartë emrin e saj, sepse ajo hapëron suksesshëm, drejt së nesërmes sonë letrare.

Prishtinë, korrik 2017

Dërgoi për publikim, Murat Gecaj, studiues

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.