Xhamia e zorit mbi varret e shqiptarëve

1
2983
Xhamia Pejë

Gani MEHMETAJ

Qindra varre u mbuluan nga themelet e xhamisë së re, eshtra shqiptarësh u hodhën jashtë varreve, qentë ulërinin rreth gjymtyrëve njerëzish të fërfëlluar nëpër lagje, banorët i mbërthente tmerri nga ulërimat e natës, tmerri i mbërthente edhe ditën, islamikët e babëzitur ua prishën paqen shekullore të vdekurve, ua prishën qetësinë edhe të gjallëve.

Varret u përdhosën nga Bashkësia Islame e Pejës që e kërkoi lejen e ndërtimit, Komuna dha leje për përdhosjen e varreve të vjetra dhe ndërtimin e xhamisë së re, shoqata islamike në Tiranë e financoi këtë xhami, zyrtarët e shtetit dardan angazhuan policinë t’i qetësonte banorët, që protestonin.

Xhamia e re u ndërtua në periferi të Pejës, kundër vullnetit të shqiptarëve vendës, pa e përfillur planin urbanistik të lagjes. Banorët nuk e deshën xhaminë-kazermë të ISSI-t , sikur thoshin ata. Varret e përdhosura ishin të shqiptarëve, që i masakroi ushtria turke në tërheqje me 1912, të tjerët i pushkatoi ushtria serbo-malazezë me 1912 dhe 1918.

Sikur të ishin varre serbësh do të alarmohej Bashkimi Evropian e OKB-ja, do të ndërhynte KFOR-i, por me përdhosjen e varreve shqiptare nga shqiptarët, e kishte më vështirë të ndërhynte KFOR-i e EULEX-i, megjithëse duhej të ndërhynin, sepse ne shtet e pushtet nuk kemi, policinë tonë ato ditë e vunë në shërbim të islamikëve.

Xhamia e re shkëlqen me ngjyrat e forta orientale jevgjish, beduinët ia dhanë vulën e tyre shkretinore, banorët e periferisë së Pejës druajnë se mallkimi i varreve të përdhosura do t’i zë ata, do t’i zë zyrtarët që lejuan prishjen e varreve e hedhjen e eshtrave në rrugë, mallkimi do ta ndjek bashkësinë e myslimanëve e shoqatën që e financoi.

Xhami të zorit janë edhe qindra në Dardani me vulë shkretinore.

“Mos qofsha në lëkurën e tyre, mallkimi do t’ua zë edhe trashëgimtarët. Por, as ne nuk do të kemi paqe me Zotin e me robin, po nuk e hoqëm xhaminë nga vendi i shenjtë i varreve, ku duhet të ndërtohet përkujtimorja për shqiptarët e masakruar nga serbët e turqit”, me tha një banor i kësaj lagje këto ditë vere, ndërsa largohej i pikëllua: të parët e tij këtu ia masakroi Serbia, ndërsa shqiptarët pas 100 vjetësh ua hodhën eshtrat qenve.

Faltorja e ndërtuar mbi varre është mallkim, kanë thënë pleqtë tanë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.