Ylli i Lacios dhe Italisë, viktimë tragjike e një shakaje që i kushtoi jetën…

0
492

Genti Mile, 20 janar 2019

Jeta shpesh luan lodra të çuditshme. Të tilla që mendja nuk arrin ti perceptojë. Ndonjëherë lexoni një histori dhe pyesni nëse mund të jetë e vërtetë. Dhe megjithatë … pothuajse katër dekada më parë në Itali, një lojë e çuditshme e fatit i kushtonte jetën një njeriu të ri. Dhe me të vërtetë, në mënyrën më të tmerrshme.

* * *

Luciano Re Cekoni lindi në Nerviano, në periferi të Milanos, në 1948. Babai i tij ishte një punëtor dhe gjeti punë në punishten e përpunimit të metaleve të kushëririt të tij, duke luajtur njëkohësisht me ekipin lokal.

Një mesfushor luftarak që bënte shumë kilometra në fushën e lojës (rrallë shënoi, por kur e bëri, golat e tij ishin jashtëzakonisht mbresëlënës), Re Cekoni ishte i gjatë dhe flokëverdhë.

Ai e filloi karrierën e tij në Pro Patria, kohë përpara klubi më i madh i Busto Arsizios pranë Milanos, dhe pastaj transferohet tek Foggia, ekipi i kategorisë së dytë.

Atje ai u takua me mentorin e tij Tomaso Maestreli. Ishte trajneri që ndryshoi historinë e Lazios, kur u transferua tek ajo në vitin 1972, dhe duke marrë me vete edhe Re Cekonin. Së bashku ata fituan kampionatin e parë në historinë e klubit, në vitin 1973-74.

Mesfushori i ri, i cili kishte 23 ndeshje në sezonin e dytë të tij me skuadrën, u quajt “Ceko-Netzer”, pasi flokët e tij bjondë dhe pamja e tij e përgjithshme, ngjasonte shumë me yllin gjerman Gunter Netzer.

Në Kupën e Botës 1974 në Gjermani.

Ai u bë anëtar i kombëtares italiane me të cilën luajti në dy ndeshje, ndërsa ishte në grumbullimin për Kupën e Botës 1974, në të cilën gjithsesi mbeti në stol, edhe pse do të ishte më dobishme në qoftë se ai do të kishte luajtur shumë më tepër.

Vrapimi i tij i pandërprerë në fushë ishte ideal për futbollin totalitar që ishte shumë modë në fillim të viteve 1970.
Re Cekoni kishte pranuar se nuk kishte idenë e politikës, por ai i ishte ngjitur damka e fashistit, pjesërisht për shkak të dashurisë së tij për parashutizmin, një veprimtari që kishte qenë e lidhur me të djathtën ekstreme. Ai gjithashtu pagoi shprehjet politike të shumë shokëve të tij.

Tifozeria e “Curva Nord” duke përkujtuar lojtarin lacial

Tek Lacio, Re Cekoni ishte futur në grupin e “veriorëve” dhe shoku i tij më i mirë ishte Luixhi Martini, i cili shpesh kishte shprehur mendime të ekstremit të djathtë. Të dy ata ishin aq të lidhur, saqë i quanin “binjakë”.

Më 18 janar 1977, në orën 19:30, Re Cekoni, me shokun e tij tek Lazio, Piero Gedin, dhe një mik të tyre, shkuan për të hedhur një sy në një argjendari, që nuk ishte larg nga qendra e Romës.

Luciano gjeti mundësinë për të bërë shaka. Vuri duart në xhepat e tij, dhe bërtiti: “Stop … Grabitje!”. Pronari i dyqanit, Bruno Tabokini, i cili u kishte kthyer shpinën të tre djemve, fillimisht mori një armë dhe u kthye nga Gedin, i cili ngriti duart e tij lart.

Pastaj bëri të njëjtën gjë drejt Cekonit, i cili nuk reagoi në të njëjtën mënyrë. Argjendari nuk hezitoi për ta qëlluar nga një distancë e afërt! Në një kohë kur Italia ishte rrënuar nga terrorizmi dhe plaçkitjet ishin të zakonshme, shumë pronarë dyqanesh kishin marrë masat e tyre, duke parë paaftësinë e policisë për t’i mbrojtur ata.

Re Cekoni, duke rënë i plagosur në tokë, filloi të pëshpëriste “… ishte vetëm një shaka, ishte shaka!” Këto ishin fjalët e tij të fundit. Gjysmë ore më vonë ai vdiq. Ishte vetëm 28 vjeç.

Publikimi i vrasjes së Re Cekonit në shtypin sportiv.

Pak kohë më pas, pronari i dyqanit u arrestua për shkak të vetë-mbrojtjes së tepruar.Në gjyqin që u zhvillua 18 ditë më vonë, ai u shfajësua! Siç u bë e ditur gjatë seancave, lojtari bjond ishte përpjekur të bënte një shaka të ngjashme në një dyqan tjetër të Romës.

I akuzuari argjendar nuk ishte tifoz dhe deklaroi se nuk i njihte të tre djemtë, madje as fizionominë karakteristike Re Cekonit. Koncepti i vetëmbrojtjes në atë kohë në Itali ishte i diskutueshëm.

Në vitet 1970 terroristët e djathtë dhe të majtë përdornin grabitjet për të financuar aktivitetet e tyre të paligjshme. Vrasjet ishin të shpeshta, dhe pronarët e dyqaneve ose punonjësit e bankave ishin të përgatitur. Vdekja e De Ceconit u perceptua nga shumë njerëz si pasojë e kësaj atmosfere të tensionuar.

Pamje nga ceremonia e varrimit të Re Cekonit

Asi i pafat la pas një grua me dy fëmijëve të vegjël. Ai vdiq vetëm 47 ditë pasi ai ngriti arkivolin e mësuesit të tij, Tomaso Maestrelit, i cili e kishte ndihmuar karrierën e tij duke e sjellë atë nga Foggia tek Lacio.

Djali i tij, disa vjet më vonë, luajti në ekipin lokal Nervianeze, në stadiumin që mori emrin e babait të tij. Tek varri i tij është mbishkrimi që vijon: “Luciano Re Cekoni: Futbollist, 1948-1977 … u largua herët” Në vitin 2003 me emrin i tij u emërtua një rrugë e Romës. E gjithë kjo, për fat të keq, si pasojë e një shakaje. Një shaka tragjikisht fatale!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.