Zymber Beshtica: “Ëndërr e gjatë”

0
880

Vështrim

Mehmetali Rexhepi: LIGJËRIMI ARBDHETAR
Zymber Beshtica: “ËNDËRR E GJATË” (Poezi);
SHB “SOGJETIME”, Gjilan, 2020

“Miku im
Për orientim të mirëfilltë drejt ardhmërisë
Mbështetu te jehona e thirrjeve të zemrës
Dëgjo ndjesitë e saj
Dhe ti do t`i kesh të hapura portat e agimeve ”; Zymber Beshtica “Këshillë”; f. 124.

LOZA E NËNDHESHME

Vëllimi poetik që kemi në duar i autorit Zymber Beshtica “Ëndërr e gjatë”, përmban shtatëdhjetë e gjashtë poezi ose njësi poetike gjatësish e tkurrjesh të ndryshme sasiore, të prirë nga dhjetë emërtime ciklesh. Secili prej cikleve sugjeron motive dhe atmosferë kahesh relativisht përcaktuese. Ne do të shkëpusim disa nga përbërësit e këtyre vargjeve përmes sugjerimeve të cikleve. Hyrjes i prin cikli “Fragmente baladash”, mandej vijojnë “Kushtrimi i Ademit”; “Nëpër ngrica e valë”; “Zonja dhe zotërinj”; “Në orën dymbëdhjetë e dyzet e katër”; “Haropi”; “Duke kërkuar fillin”; “Vragë e plagë”; “Ylli i tyre-dritë e rrugës tonë” dhe “Vetëm ëndërr.”

Gjatë leximit të librit “Ëndërr e gjatë”, nga tërësia e faqeve të tij nxjerrim konstatimin parësor; sepse pamjet, kënd-shikimet dhe idetë poetike, nga cilado anë e jetës, autori i pasqyron dhe shpreh drejtpërsëdrejti, pa thellime, tërthore e shumësi reflektimesh. Poetika bashkëkohore priret për tumirje të konstatimit të diskursit të dytë; ajo ndjek prirjen për figurën poetike dhe paradokset reflektues.

Ideja artistike e këtyre poezive është ndërtuar asisoj, që lexuesin të mos e shpie në labirinte simbolike, metaforike ose në lidhjet e ndërdymes me botën fantastike, me enigmat e jetës e të universit. Poeti u përcaktua t`i forcojë lidhjet shpirtërore jetike me rrënjët e truallit, në përpjekjet për t`i mbajtur në këmbë legjendat e zanafillës… Motivet e poezisë së tij rikthehen në lashtësi për t`i zbërthyer “apokrifet”, ose si thotë autori, “Kripto grafitë e gjuhës së lozes sonë…” Rikthimi i autorit tek ato gjurmë të nëndheshme, është shtytje nga mohuesit e autoktonisë, të lashtësisë së etnisë, të vijimësisë ilire-arbërore-shqiptare, e cila u sprovua nëpër Kalvare të tmerrshme të pashkruara…

Duke shpaluar varg për varg, faqe për faqe përmes tekstit poetik, që përshkueshëm i afrohet diskursit të dëshmisë, herë-herë ky varg-thurësh, vargun ia nënshtron iluminizmit tonë të vonuar për caqe të vetëdijes. Zymber Beshtica vargut të tij i kërkon sy-çelësi, për t`ia gjetur shtegun e mbyllur lirisë ndanë bllokadave… Ai vijëzon vizionin e tij edhe në errësimet e përballjes me sprova, në mënyrën që pasoja të rezultojë fatlume! Përvojën e historisë së rrëfyer për tradhtinë poeti do t’ua shpijë brezave…

Në këtë vëllim poezish i hasim të përsëritur në trajtën e thirrmorit dhe të apostrofës kujtesës për harresën e tradhtisë?! Nxitimthi na shfaqet pyetja: – A do të na falej harresa e dhuratës së “Kalit të Trojës?!…” Dhuratat e tradhtisë do të na vijnë, por tash krejtësisht të sofistikuara… Vargjet e poetit tashmë kishin shijuar gjellët e hidhura të jetës, ndaj i thërrasin ndërgjegjes t`i bëjë sytë katër, të mprehtë për leximin e konceptimit të keqes nën shtresën e hollë të mjaltës…

Një mënyrë e këtillë e thurjes së tekstit letrar të kësaj poezie, i jep shkas pyetjes për diskursin tonë: – Pse ky lloj vargëzimi i shmanget efekteve të stilizimit dhe të eksperimentimeve, karakterizuese për periudhën e kahes që ka marr poezia post-moderne? Autori ynë nuk është pa përvojën e bukur-shkruesit. Si duket, ai as me këtë rast, nuk do t`i shmanget lëvrimit të poetikës, me shenja të ndjeshme të vëllimit paraprak “Rrjedha”; përderisa këtu zotëron thënia e idesë, ndërsa më pak thëniet e figurave.

Zymber Beshtica, duke qenë ligjërues letërsie, ngërthen kulturë për artin e poezisë, të stileve e të rrjedhave bashkëkohore. Pikërisht për kulturën e tij letrare, nga ky poet priteshin depërtime edhe më në thellësi se kaq të vargut në bukurinë e fjalës… Ai zgjodhi mënyrën dhe formën e këtillë të komunikimit artistik me lexuesit e vargjeve. Nuk shtroi dy-mendje për t`iu qasur ndryshe artit të shkrimit, përpos kështu, troç. Këtë radhë, poeti Beshtica shprehjen artistike e reduktoi në maksimumin e mundshëm të qartësisë, herë-herë deri në shkallën e diskursit shpjegues, edhe me shtojca deklarative të aty-këtushme. Përse?

Në këtë pikëpamje nuhatja jonë mund të mos jetë tërësisht e saktë, mirëpo arrin në pikën e së mundshmes, të dukshmes e të prekshmes. Pohimi doli prej kursit iluminist ngase: Repetitio mather studiorum est. (Përsëritja është nëna e të mësuarit). Megjithatë, të shohim çka duhet të përsërisim e çfarë të mos përsërisim tash e tutje?…

VARTËSIA JETIKE E PËRBASHKIMIT

Beshtica parapëlqen të sjellë tri kohët e temës ekzistenciale të përkatësisë së vet: të ndodhurën, faktin e mohuar, sprovat, tragjedinë e gjyshërve, rropatjet e brezave pararendës për bukën dhe tokën, duke shtrirë lidhjen e fatit të tyre me të tashmen, që e tashmja të lëshojë rrënjë të pathara për të ardhmen. Ekzistenca e etnisë së autorit shtjellohet në vargje dozash emocionale, pohimesh, mohimesh, vetëmohimesh, kahesh pa pikëpyetje, me pikëpyetje, me dilema ekzistenciale… E gjymtuar dje, e gjymtuar sot dhe me gjasa për gjymtime edhe në të nesërmen, kjo është dilema jetike e fatit të pararendësve dhe e vijimësisë… Poeti vargun e ngjyen nëpër të gjitha gjendjet shpirtërore të dhimbjes, të dëshpërimit, por edhe të durimit, të qëndresës, të mos-humbjes së shpresës edhe atëbotë kur nuk dukej drita në fundin e tunelit!

Tashti autori është në shkallën e lartë të pjekurisë, i fërguar përmes sprovave të historisë e të jetës, andaj nga historia dhe jeta për lexuesit nxori porosi poetike. Këtu shohim se si vargjet nuk mëtojnë të futen në shtjellime, për të stërholluar e dendësuar stilin e shprehjes figurative. Kursi i shtjellimit nëpërmjet thënies së drejtpërdrejtë dëshmon se vargjeve të tij, Zymber Beshtica nuk ua vuri frerët e rimës, as ngjyrosje kozmetike, as tingëllimë muzikale dhe masë të përcaktuar rrokjesh. Ai vargut i lë rrjedh krejtësisht të lirë.

Poezitë e Beshticës i përshkojnë motive të mbushura me brenga, dukurinë e pashuar të tradhtisë, kurthet e viktimizimet historike të shqiptarëve, krimet e pandëshkuara serbe, dëbimet, paqen jetë-ngrënëse pafundësisht e përtrollitur dhe sindroma e përhershme e trazimit:

“duhet sogjetuar
me sytë katër
edhe anash
edhe prapa
edhe para…”

Ndërtimi anaforik me lidhëzën bashkërenditëse shtuese edhe i këtyre vargjeve, kërkon vëmendje për kujdes, sugjeron orën, vendndodhjen e armiqësisë, kahet e lëvizjes në kohë e hapësirë, gjithnjë për ta arritur për-bashkimin, madje atë lloj uniteti si domosdo jetike-ekzistenciale.

Çfarë është uniteti i synuar i këtij poeti? Vargu i Beshticës vë në funksion një shfryrje ndjenjash të mbushura, të tendosura me shqetësime dhe pasiguri; mirëpo, me ndjeshmëri frenuese të urtësisë, sepse kurdo herë, në çdo kthesë historike, gjithnjë duhej pritur gjëmën tjetër?!… Poeti, meqë përjetimet i ka të freskëta, para dhe pas shpine, ai përfytyron kanibalët dhe kanibalizmin në stilin “Hanibal ante portas!” Në përfytyrimet e tij të përligjura, poetit asnjë herë nuk i doli jashtë përdorimit kultivimi i motivit për farën e keqe të përçarjes mes shqiptarëve! Ky ishte dhe mbeti paradoksi kombëtar i etnisë tij!

Shohim gjithnjë se autorët shqiptarë të lidhur me fatin e tyre etnik, në artin e shkrimit, nuk iu shmangen dot kategorive estetike të së keqes dhe të shëmtuarës, sepse thellë në shpirt e në jetë ua përtrolliti realiteti i mos-harmonisë tyre etike, etnike e shtet-ndërtuese… Fatkeqësisht te një shtresim i konsiderueshëm i etnisë së poetit është më e theksuar prirja shtet-rrënuese?!… Megjithatë, në kontekstin e tillë jetësor dhe artistik, vizionit të poetikës ekzistenciale i jep krah shpresë-ndjellja, se:
“Trungu i shqipes vazhdimisht filizon…”

Mbijetesa e sprovimeve të rënda, të pamëshirshme e të pështira, poetit Beshtica ia forcuan filozofinë e përkufizimit, se i vetmi faktor i përballjes me pushtimet është mosnënshtrimi:

“Zmbrapsja s’është zgjidhje
Zjarri nuk shuhet pa zjarr.”

Shtytjet e iluminizmit poetik në disa nga poezitë e autorit Beshtica, shfaqen me përbërës të brumosjes së karakterit të fortë: devotshmëri, pathyeshmëri para çdo joshjeje komprometuese të parimeve të shenjta, mbi të cilat ngrihet kështjella e identitetit kombëtar, dinjiteti qytetar dhe urban i etnisë.

Poezia e librit “Ëndërr e gjatë”, spikatë shkaqet e depërtimit të lëkundjeve etike, edhe gjithfarë tjerash në rrethanat e një shoqërie anarkike. Pikërisht pse e lejojnë dhe durojmë, madje akëcilët miq tanë janë hisedarë të strukturave të korruptuara të rrethanës shekullore shtet-drejtuese për brezat!… Beshtica lë të kuptohet se nuk është pajtuar me rrjedhat e mbrapshta të jetës institucionale, ndaj edhe përmes vargut shfaq këndvështrime kritike, duke mos iu shmangur zhgënjimit për “lulëzimin” e mendësisë fisnore, krahinore, klanore; shtresimeve të vetëkënaqura dhe indiferente, shprehisë nam-keqe të zhvatjes e të makutërisë së institucioneve, karrierizmit rrënues, mosnjohja e të drejtave të njeriut e të qytetarit… Vargu i një sedre të ndjeshme shpirtërore përshkohet me atmosferën e pezmit kritik dhe ironik.

Personazheve të “Naçertanija-as” së dikurshme dhe të përtashme të Serbisë, të kamufluar e të modifikuar, iu bëhet aleat “Balashi i Orës së Ujkut.” Lajthitja e sogjetarit hyri në shpirtin e poetit:

“Ditë të bardha
e net pa haraçe
ëndërruam” (Lajthitje)

Vjershëtori i dha shtytje vargut për dëftimin dhe shpërfaqjen e vizionit, si të kapërcehet trajta e të keqes te e keqja e institucionalizuar prej nesh? Ai e shndërroi vargun në masë termometri të klimës, të atmosferës e të rrethanës… Vargjet i shërbejnë vetëdijesimit të shkrimit për piketime etike dhe estetike:

“Balashi i Orës së Zezë
Mjeshtër dhe moderator
Edhe në Orën e Unmikut
Kurdisi Orën e Ujkut
Dhe na i humbi pëllumbat”

Beshtica, duke qenë edukator brezash, nuk mundi të rrinte i qetë në hijen e indiferencës; andaj pse mos t`i jepte poezisë trajtën e një shigjete depërtuese, për instalimin e dorës së zgjatur të Serbisë përmes strukturave të UNMIK-ut në Dardaninë e djegur, të përdhunuar dhe të shkretuar?!

Autori i librit “Ëndërr e gjatë” i jep të drejtë kursit se arti ndonjëherë i largohet çerdhes së vet burimore dhe, sikurse një shqiponjë epike e lyp ushqimin ekzistencial, duke fluturuar dhe aty, në ato zyre pedantësh, të cilët prapa kollareve këmishësh të bardha fshihnin mynxyrat e tyre të zeza, helmin e gjarpinjve për çlirimtarët tanë të përkorë!

PERSONIFIKIMET MITOLOGJIKE

Figurat e personifikimit estetik të dhunës, të ligësisë, të bukurisë, të madhërishmes, të trimërisë e heroizmave, të servilëve e të dinjitozëve në poezinë e Beshticës shtrohen dhe identifikohen, modifikohen në vazhdimësinë e ngjarjeve deri në bashkëkohësi. Lidhshmëria mitologjike antike me të sotmen, i vesh poezisë karakter gjithë-kohor. Te personazhet e sotme barten bëma dhe karaktere, aq sa mund të spikaten nëpërmjet vargjesh, sikurse tek Zeusi, Cerberët, Qeni i Hadit, Sinoni, Laokoonti, Eneu, Helena, Paridi, zotërinjtë e Olimpit, Trojanët, ploja e Trojës; simbolet e gjithë-kohës sikurse Orfeu, Haropi, krye-cerberët e Singedonit “kurthangritës”, “tebdilët” me lëkurë qengji…

Identifikimi dhe shtrirja tematike e kulturës mitologjike, me tipare të jashtme e të brendshme të personazheve të sotme; ngjashmëritë dhe të veçantat e tyre, shtojnë përmasën gjithëpërfshirëse estetike, historike, vazhdën etike dhe modelimin e poezisë së këtij poeti.

Vëllimi i poezive “Ëndërr e gjatë”, botën e ngërthesave të sotmes poetike e lidh dhe modelon përmes Antikës, Antikën me Mesjetën, Mesjeta me Rilindjen, Rilindja Shqiptare me bashkëkohësinë. Modelet e antikitetit kanë evoluar, mirëpo ambiciet, qëllimet, dëshirat, synimet, mënyrat e përmbushjes tyre, në esencë janë po ato. Zeusi, Neroni, Kaini, Helena, Jagua, do të shartohen në shpirtra Zeusësh, Neronësh, Kainësh, Helenash, Jagosh modernë…

Beshtica në poezinë “Ëndërr e gjatë”, i qaset karakterit e njeriut të mjedisit urban, të atmosferës së përjetuar me gjithfarë erërash e shijesh, të brumosjes me dinakëri e ligësi, aq sa vihet në dyshim vlera e mirëfilltë e njerëzores… Vargjet që shpërfaqin më dendur lakminë për hierarki të pushtetit, afishojnë karikatura tiparesh të servilit e servilizmit. Ky lloj vargjesh paraqet gjetje të përshtatshme për kategori të tilla psikike e gjenetike:

Zotëri
Derisa gënjeshtra shpallet e vërtetë dhe servilizmi identitet
Derisa nënshtrimi çmohet dinjitet e zënia e rrugëve demokraci…

Vargu pasues pas këtij nuk ia vlente ta qartësonte situatën, ajo i përket qasjes zbërthyese të lexuesit…

ËNDRRA DHE DURIMI

Periudha e amullisë e Lëvizjes sonë Kombëtare-Demokratike, atëbotë kur qëndresa, mosbindja pasive pushtuesve e pushtimit, pushoi të jepte shenja gjallërie… Durimi filloi të kundërmonte sikur peshku i prishur nga koka. Pohimi se gjithçka e ka masën dhe kohën e vet, përkon me mësymjen shekullore të ëndrrës, me mos-përmbushjen e konceptit të saj të ndajfoljes së sasisë “e gjatë…” Ëndrra donim të ishte e shkurtë, sikurse janë ëndrrat, por…? Pra, jeta jonë ishte një“Ëndërr e gjatë.” Ishim në ëndërr dhe duhej të dilnim nga ëndrra në zhgjëndërr… Më tej subjektit poetik i shteret kroi i “filozofisë së durimit”:

“Durimit i është thyer zemra
i është turbulluar koka
i janë errur sytë
ka mbërri në stom të Drinit”

Tashmë dihet se nëpërmjet një qasjeje tjetër për bërjen e historisë së fitimtarëve, mund të kapej fati i nëpërkëmbur i tokës së lirisë… Personazhet me bëma historike iu bashkohen “Çetës së Profetëve”, mandej identifikues të rinj:

“Princi është kthyer nga Kruja
me bekimin e Gjergjit e t’Plakut të Vlorës
udhëzimet i ka marrë në Prekaz
për kapërcimin e Rubikonit 1244”

Poezia e vëllimit “Ëndërr e gjatë”, modelet e Antikës dhe figurat bosht, rreth të cilëve mbështillen fijet e ngjarjeve të bujshme, si Penelopa e Odisesë, djemtë e Laokoontit, Ligji i Hamurabit e tjerë; sikur në kahet e të mirës, ashtu dhe në kahen e së keqes, ngrehin arkitekturën figurative të krahasimit. Shprehjes poetike i hapet hapësirë për shtegtime e kontraste, gjithandej ku ziejnë hallet e mbarset shpërthimi i pakënaqësisë, përballë shthurjes, tërbimit e çartjes të rendit në shoqëri…

VIRTYTI I SINQERITETIT

Zymber Beshtica vjen me këtë vëllim të gjerë poezish, pas një periudhe relativisht të gjatë të heshtjes. Para këtij publikimi kishte botuar përmbledhjen me poezi të titulluar “Rrjedha.” Vëllimi i parë poetik “Rrjedha”, i dëshmoi disa nga cilësitë e të bërit poezi të Beshticës.

Ky autor pati paraqitje të rralla në letrat e shtyp-shkrimit e të medies informative. Në këto letra të bardha të shkrimit në shqip, poeti nxori copëza të çiltërisë së shpirtit njerëzor, atdhe-dashes. Në jetë dhe në shkrimet letrare, Beshtica kurdoherë mori anën e sinqertë të jetës e të shkrimit.

Me këtë rast solemn: qoftë i uruar përherë autori ynë, Zymber Beshtica për përcaktimet e tij fisnike!

Gjilan, kallnor 2020

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.