LIGJ, APO “LODËR” LUFTE?!

0
1555

AV. XHABIR ZEJNUNI

Këto ditë, po diskutohet shumë rreth bisedimeve greko-shqiptare (dhe jo shqiptaro-greke) dhe rezultateve të suksesshme për Greqinë të këtyre bisedimeve.

Pala greke, duket më entuziaste, aq sa edhe deklaroi me anë të Ministrit të Jashtëm Kotzias disa arritje pozitive, siç është zgjerimi i kufirit detar grek me 12 milje, varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri, etj. Kurse pala shqiptare po tregohet më e “moderuar” në deklarata. Por, nga presioni publik në Shqipëri, mori “guximin” të përgënjeshtrojë Ministrin e Jashtëm grek Kotzias!

Populli shqiptar, nuk din se kë të besojë dhe kë të mos besojë. Tani në valle futet përsëri i ashtuaquajturi Ligji i Luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë. Është i njëjti Kotzias që në vitin 2015 deklaronte se nuk ekzistonte Ligji i Luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe po i njëjti Kotzias që tani deklaron se Ligji i Luftës ekziston akoma dhe se duhet punuar për shfuqizimin e tij.

Me problematikën e këtij ligji dhe pasojat në vite, janë marrë shumë historianë, politologë dhe juristë. Por, një shikim modest ndryshe i kësaj çështjeje, ja vlen që të bëhet. Ligji i Forcës Nr. 2636, u aprovua me 28 tetor 1940 dhe u firmos me Dekret Mbretëror nga Mbreti i Greqisë Jeprijos B’ me datën 10 nëntor 1940. Dihet se me datën 28 tetor 1940, Italia sulmoi Greqinë nga territori i Shqipërisë (e pushtuar me 7 prill 1939 nga Italia). Por, data e sulmit Italian ndaj Greqisë, përkon edhe me datën e Ligjit të Forcës Nr. 2636. Neni 21, par. 2, disponon se “Ky ligj hyn në fuqi me datën 28 tetor 1940”. Pra, ditën që usulmua Greqia nga Italia, po atë ditë hyri në fuqi Ligji i Forcës Nr. 2636!

Ky ligj, mbase mund të dukej i arsyeshëm dhe i justifikueshëm nëse do dilte disa kohë pas sulmit italian ndaj Greqisë. Por, të dalë një ligj me kaq detaje në të njëjtën ditë me sulmin e Italisë ndaj Greqisë, të bën të dyshosh me të drejtë se Greqia këtë ligj e kishte përgatitur disa kohë më parë, duke qenë se ajo ishte në dijeni se do sulmohej nga Italia. Përfshirë edhe ultimatumin ndaj Greqisë nga ana e Italisë. Dhe sapo u sulmua Greqia nga Italia, menjëherë doli nga sirtari ky ligj, të cilit ju ndryshua vetëm data e aprovimit. Por, zelli në këtë rast, kaloi çdo fantazi. Me pasojat e dhimbshme për popullsinë çame në Greqi. Dhe me përfitime të jashtëzakonshme për Greqinë, ndaj të cilave Greqia edhe pas gati 80 vitesh nuk heq dorë. Për arsye që tashmë dihen. Madje mund të thuhet se Greqia e “mirëpriti” sulmin nga Italia nëpërmjet territorit të Shqipërisë (….)!

Por, çudia më e madhe (ose qesharake) qëndron në faktin se neni 1 (par. 1, 2 dhe 3) i këtij ligji përcakton qartë si armiq shtetin shqiptar dhe atë italian. Bashkë me shtetasit e tyre dhe pasurinë që ata zotërojnë. Por, si për çudi, Greqia nuk ka sekuestruar as edhe një qindarkë nga pronat e shtetasve armiq shqiptarë dhe italianë në territorin e tyre. Por, ka konfiskuar (dhe jo sekuestruar) pronat e çamëve që jetonin në Greqi, në kundërshtim me vetë Ligjin Nr. 2636 të datës 28 tetor 1940 (kjo çështje do trajtohet në një shkrim tjetër). Dhe ky ka qenë qëllimi i vërtetë i këtij ligji.

Një kontradiksion tjetër, shihet në par. 4 të nenit 1, i cili disponon se “Nuk janë armiq, sipas kuptimit të këtij ligji, personat fizikë, të cilët kanë fituar nënshtetësinë e shtetit armik, por janë me kombësi greke dhe banojnë në shtete të huaja, ose shtet aleat”. Pra, nëse një person ka kombësi greke, por nënshtetësi shqiptare apo italiane, ai nuk shpallet armik. Në këtë rast, i jepet rëndësi kombësisë. Kurse çamët, të cilëve ju konfiskuan pronat, ishin me kombësi shqiptare, por me nënshtetësi greke.

Në rastin e dytë, është marrë për bazë kombësia shqiptare e çamëve! Por, harrohet se kombësia i referohet përkatësisë së një komuniteti për histori, kulturë, besim fetar, traditë dhe gjuhë. Kurse nënshtetësia, është kushti juridik i shtetasit, të cilit Shteti i njeh të drejtat dhe detyrimet politike dhe civile. Kombësia është një term sociologjik, kurse nënshtetësia është një term juridik. Ndryshimi këtu është shumë i madh.


Loading…


Sot, nëse merret si i qenë ky ligj lufte mes Greqisë dhe Shqipërisë, do thotë se duke qenë në gjendje lufte Greqia dhe Shqipëria, ekziston edhe mundësia e një sulmi. Por, jo reciprok, pasi nga Shqipëria nuk pritet një sulm i tillë. Larg qoftë! Atëherë, merret në konsideratë mundësia e një sulmi të tillë prej Greqisë. Mund të sulmojë Greqia Shqipërinë, duke qenë se këta dy shtete janë anëtare të NATO-s? Jo. Shqipëria kufizohet me Greqinë dhe me Malin e Zi, që bëjnë pjesë në NATO dhe me Maqedoninë e Kosovën që nuk bëjnë pjesë në NATO. Në rast se Shqipëria do sulmohej nga Maqedonia (apo edhe nga Kosova!), atëherë i takon vendeve anëtare të NATO-s që t’i vijnë në ndihmë Shqipërisë. Përfshirë Greqinë dhe Malin e Zi, si vende fqinjë më të afërt me Shqipërinë. Në rastin më absurd që mund të ndodhë(!) që Greqia të sulmojë Shqipërinë, do i takojë po ashtu Greqisë që t’i vijë në ndihmë Shqipërisë.

Pasi neni 5 i Traktatit të NATO-s, disponon se “Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, në Evropë ose në Amerikën e Veriut, duhet të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve dhe rrjedhimisht dakordësohet se nëse ndodh një sulm i armatosur, secili prej tyre, në ushtrimin e së drejtës së vetë-mbrojtjes individuale ose kolektive, të njohura sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojnë palën ose palët e sulmuara duke marrë menjëherë individualisht ose në bashkëpunim me palët e tjera, të gjitha veprimet që i konsideron të nevojshme, duke përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”. Më qartë se kaq nuk mund të sqarohet.

Prandaj, edhe Ligji i Luftës, i cili i ofrohet publikut për “konsum” të vazhdueshëm dhe e mban nën presion atë, pavarësisht nëse është shfuqizuar apo jo, nuk ka asnjë vlerë praktike (ose teorike) në lidhje me (mos)sulmimin, por lidhet vetëm me problemin absurd të MOS kthimit të pronave të konfiskuara (dhe jo të sekuestruara!) që në vitin 1940. Me këtë ligj, do vazhdohet të abuzohet deri në shekullin tjetër, për interesa të politikës greke dhe shqiptare dhe në dëm të të interesuarve direktë dhe indirektë, të cilëve ky ligj ju solli dëme dhe dhimbje të konsiderueshme. Dhe vetëm në shekullin tjetër, mbase do hidhet në diskutim ky Ligj. Ose “lodër” lufte (…).

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.