16.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj (MOS)RESPEKTIM KUSHTETUES ME “VARIACIONE SHAHISTIKE”(…)!

(MOS)RESPEKTIM KUSHTETUES ME “VARIACIONE SHAHISTIKE”(…)!

0
485

AV. XHABIR ZEJNUINI

Këto ditë (dhe netë!), po luhet një lojë e “vërtetë” shahu (me më shumë se dy lojtarë!) në lidhje me (mos)ridekretimin e Lleshit.

Lleshi i dërgoi sot (12.11.2018) një letër Metës, ku ai paraqet arsyet e tija në mbështetje të ridekretimit të tij si ministër i brendshëm, duke theksuar se është nxjerre në lirim nga Presidenti Nishani me dekret Nr. 8189, datë 21.05.2013. Në mbështetje të faktit se Lleshi nuk është më ushtarak aktiv, ai sjell Ligjin Nr. 9210 “Mbi statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ku neni 2 disponon se “Ushtarak i Forcave të Armatosura është shtetasi që shërben në Forcat e Armatosura, bën betimin dhe mban uniformën me shenjat përkatëse, të mitatuara sipas legjislacionit në fuqi”.

Arsyet e nxjerrjes në lirim të Lleshit, i ka shpjeguar edhe ish Presidenti Nishani, i cili në esencë ka thënë se “Zoti Lleshi si Zëvendës i Shtabit të Përgjithshëm mbaroi afatin e shërbimit dhe me gradën përkatëse të gjeneralit, duhej të dilte në rezervë për shkak se Kushtetuta e detyron Presidentin, që me dekret ta nxjerrë në rezervë atë”(…)! Pra, edhe pse Lleshit iu ndalua me dekret nga Nishani ushtrimi i detyrës së tij, ai e mbajti gradën e gjeneralit.

Po sot, Meta me anë të një letre me 14 pyetje (shumë të diskutueshme!), dërguar Xhaçkës, kërkon materiale shtesë dhe shteruese për t’i mundësuar atij ridekretimin e Lleshit. Esenca e kësaj letre, është paqartësia e Metës në lidhje me qenien apo jo të Lleshit si ushtar aktiv, duke u justifikuar se “Në rrjetet sociale të datës 27 tetor 2018, por dhe në dalje të tij publike, z. Sandër Lleshaj propozohet për emërim si ministër i Brendshëm, duke e trajtuar atë me gradën “Gjeneral””! E nëse Lleshi nuk do paraqitej si gjeneral, çfarë do
ndryshonte këtu?

Rama nga ana e tij po sot (duke u këshilluar në një kohë rekord me eskpertët e tij juridikë!) me anë të një shkrese, i propozon një zgjidhje Metës, për t’i dhënë fund ngërçit të krijuar, duke shkruar se “Ekspertët tanë mbrojnë gjithashtu bindjen se edhe nëse ky do të ishte rasti, pra edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës, do të duhej bërë PAS miratimit nga Kuvendi të dekretit Tuaj për të si ministër. Por, siç na mëson eksperienca jonë, e juaja dhe imja e kam fjalën, që fatmirësisht nuk jemi juristë, kurdoherë e kudo që ka një rast të tillë, ka gjithnjë juristë me opinione të ndryshme. Kështu që, është e tëra e juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministër apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, ju mund ta çdekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm”.

Fraza më lart, është evazive dhe shumë e paqartë, dhe kthehet në një BOOMERANG për vetë Ramën. Në fillim, Rama thotë se “Edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës, do të duhej bërë PAS miratimit nga Kuvendi të dekretit Tuaj për të si ministër”. Këtu Rama i bie ndesh Kushtetutës, e cila në nenin 103, par. 2 disponon se “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”. Që do thotë se MOS ushtrimi i një veprimtarie tjetër shtetërore apo edhe fakti i MOS pasjes së një titulli për të ushtruar këtë veprimtari, janë PARAKUSHT i ushtrimit të funksionit të ministrit. Nga kjo rrjedh se më parë duhet që kandidati për ministër të mos rezultojë se ushtron (apo ka titull) një veprimtari shtetërore dhe më pas të dekretohet për ministër.

Më pas, Rama thotë të kundërtën kur shkruan se “Ju mund ta çdekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm”.

Këtu lindin disa probleme. Gjeneral aktiv apo ushtarak në detyrë? Pasi një gjeneral nuk çdekretohet, por degradohet (ose ulet në gradë!) kur nuk përmbush me korrektësi dhe besnikëri detyrën e ngarkuar. Një gjeneral (ose me gradë tjetër), mund të japë dorëheqjen nga detyra që ai ushtron në përshtatje me gradën që ai mban, por jo të kërkojë vullnetarisht degradimin (apo çdekretimin!) e tij! Degradimin e një ushtaraku, e kërkon organi epror dhe jo ushtaraku vartës.

Kushtetuta në nenin 92, gërma d) disponon se Presidenti ushtron edhe këto kompetenca: “Jep gradat më të larta ushtarake sipas ligjit”. Por, gradat më të larta, Presidenti i jep vetëm pasi atij t’i vijë propozimi nga organi epror i kandidatit për gradim. Edhe nëse do duhej të degradohej një ushtarak, Presidentit më parë duhet t’i vijë kërkesa për degradim nga organi epror i ushtarakut, që ka kryer shkelje të rënda në detyrë! Duke qenë se degradimi është një masë e rëndë disiplinore kundrejt një pjesëtari të një arme (në rastin në fjalë Ushtria), me çfarë justifikimi mund të degradohet një gjeneral si Lleshi aq shumë i KUOTUAR brenda dhe jashtë Shqipërisë?! Do e pranonte Lleshi këtë sakrificë duke u degraduar vetëm për t’u bërë ministër, kur nuk dihet se për sa kohë do e mbulojë ai këtë post?

E kur nuk do jetë më ministër Lleshi, a mund të kërkojë ai që të inkuadrohet përsëri në Ushtri dhe me çfarë grade? Fakti i pasjes apo jo të një grade ushtarake, nuk e tjetërson cilësinë e ushtarakut aktiv. Pasi ushtarak aktiv mund të jetë edhe një kapter. Duhet sqaruar se ndryshon në thelb grada ushtarake e një personi nga detyra e tij si ushtarak, pavarësisht se çdo detyre i përkon një gradë përkatëse. Por, dihet se gjeneral mund të jesh edhe në lirim apo në pension. Si mund t’i drejtojë një person, i cili nuk është më ushtarak aktiv, që nga viti 2013 një kërkesë (ri)çdekretimi Presidentit?

Por, edhe nëse supozohet se Lleshi është akoma ushtarak aktiv, atëherë (në zbatim të nenit 103, par 2 të Kushtetutës) ai më parë duhet të nxirret në lirim dhe më pas të propozohet për ministër nga Kryeministri, për t’u dekretuar nga Presidenti brenda 7 ditëve (afat kohor shumë i paqartë!) dhe jo e kundërta!

Në këtë rast, për shterim afatesh kohore kushtetuese, do kemi si rregull rikërkesë për ridekretim për herë të DYTË për Lleshin! Problem tjetër që lind, është se Kushtetuta në asnjë paragraf të sajin nuk parashikon rikërkesën për ridekretim për të njëjtin person!

Me 5 nëntor, Rama me kërkesë të tij, takoi në Presidencë Metën dhe bisedoi me të për gati 90 minuta për të zgjidhur “rebusin” Lleshi. Vizita e Ramës, u duk se shkoi kot, duke qenë se ai nuk “mori” Lleshin nga Meta. Por, nuk është ashtu, pasi Rama në të njëjtën ditë “mori” Bendon, sepse Meta dekretoi me dekretin Nr. 10937 Bendon si Shef të SHISH-it. Por, Meta nga ana e tjetër, “mbajti peng” Lleshin.

Bendo u dekretua nga Meta pa qenë nevoja që Rama të bënte një rikërkesë për ridekretim për Bendon, ku Rama të shpjegonte cilësitë dhe virtytet e larta të Bendos. Ndërsa për Lleshin, Rama bëri një rikërkesë për ridekretim, në mbështetje të së cilës vuri në dukje
cilësitë dhe virtytet shumë të larta të Lleshit. Nuk shtoi vetëm se Lleshi kur ka qenë dikur fëmijë, ka luajtuar shumë mirë arrash me koç “katror”! Të nesërmen, shkoi në Presidencë për të biseduar për të njëjtin problem edhe Ruçi, i cili pas takimit u përcoll nga Meta deri tek dera e jashtme e Presidencës!

Është për të ardhur shumë keq kur vëren se si abuzohet kaq shumë me Kushtetutën, e cila mund të konsiderohet si “Kur’Ani” i politikës dhe i drejtësisë!

Të krijohet ideja se letrat e Lleshit, Metës dhe Ramës dhe “zhurma” mediatike shoqëruese, bëhen vetëm për konsum publik, për të “justifikuar” ridekretimin e tij, ose edhe për të fituar pak (ose shumë!) kohë personat e interesuar!

Dy Pyetje.
1. Nëse Meta dekreton Lleshin, e bën “falas”, apo në “këmbim” të diçkaje(…)?!
2. Lleshi apo Lleshaj?!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.