18.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj DHE NJË LIS I MADH I NIKAJ MERTURIT RA…

DHE NJË LIS I MADH I NIKAJ MERTURIT RA…

0
345
Prof. Murat Gecaj, 4 tetor 2017

(Në nderim të profesor Murat Gecaj, i cili është ndarë sot nga jeta)

Profesori dhe enciklopedisti i Nikaj Merturit, prof.dr. Murat Gecaj është shuar. Largimi i tij nga kjo jetë ka pikëlluar çdo Nilkaj- Merturas, çdo person, intelektual, student, publicist, historian, arsimtarë dhe njeri i letrave që e ka njohur. I dashur, i urtë, komunikues, ndihmëtarë i pakursyer, i zellshëm për në punë, familjarë i shkëlqyer, bashkëpunues dhe i pakursyer për të zbuluar historinë e trevës ku u lind, një eksplorues i paepur në qindra punë dhe shënime kritike, publicistike, libra dhe paraqitje të tjera shkrimore. Murat Gecaj do të na mungojë të gjithëve. Lamtumirë miku dhe biri i Nikaj- Merturit! Në këtë moment të dhimbshëm dhe pikëllues, po ju sjell një jetëshkrim për profesor Murat Gecin, i cili së shpejti do të botohet në librin kushtuar Nikaj- Merturit.

* * *

Një tjetër intelektual të cilit nuk i pushoi pena, sot e kësaj ditë që prej vitit 1963, përmbi 55 vite është Murat Gecaj, nga fshati Currajt i Epër të fisit të Nikajve. Ai lindi në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës më 29 mars 1940. Filloren e shtatëvjeçaren i mbaroi në qytetin Bajram Curri, kurse të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Në shtator të vitit 1958, filloi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega gjuhë-letërsi, ndërsa në vitin 1960 dërgohet në Bashkimin Sovjetik, në Universitetin “Zhdonov” në Petërburg.

Pas dy vitesh, kur u prishën marrëdhëniet midis dy shteteve erdhi përsëri në Tiranë dhe në vitin 1963, mbaron fakultetin me vlerësimin “shumë mirë” për gjuhë-letërsi. Menjëherë pas studimeve emërohet redaktor në gazetën javore për fëmijë “Pionieri”. Në vitin 1966 deri në vitin 1973, transferohet në Tropojë si drejtues i sektorit të kulturës. Në vitin 1974 rikthehet në Tiranë si redaktor për arsimin dhe kulturën e traditat në gazetën e përditshme “Bashkimi” dhe në vitin 1980 deri në vitin 2002, redaktor në gazetën arsimore e kulturore “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë, ku dhe doli në pension.

Prodhimi intelektual i Murat Gecajt ka filluar që në shkollën e mesme dhe është i pandërprerë edhe sot në moshën 78-vjeҫare. Ai është përqendruar në fushën e arsimit, të kulturës, historisë, traditës atdhetare, folklorit dhe në fushën e kërkimeve shkencore.
Në kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, iu delegua mbajtja e një prej kumtesave më të rëndësishme të kongresit. Në fjalorin Enciklopedik Shqiptar, ka të depozituara si autori i disa zërave për arsimin e shtypin (Tiranë 1985 e 2010 ribotim). Ka qenë bashkautor e redaktor letrar i veprës “Historia e Arsimit” (Tiranë 2002) dhe bashkautor në botime të tjera arsimore, historike, folklorike etj. ka redaktuar e recensionuar disa libra të publikuara në Kosovë, Shqipëri, Preshevë e Suedi. Ka drejtuar e recensionuar punë shkencore të studentëve të kursit pasuniversitar për pedagogji pranë Fakultetit Histori – Filologji.

Krijimtaria letrare dhe jo vetëm e Murat Gecajt zë vendin kryesor në aktivitetin e tij më jetëgjatë në fushën e letrave. Ai ka botuar 17 libra publicistikë e studimorë, ku një vend të rëndësishëm në tematikën e tyre zënë mbresa, kujtime, studime për Tropojën. Ai botoi në vitin 2000 librin “Si e pashë unë Kosovën”, në vitin 2001 librin “Nëpër udhët e shkollës shqipe”, në vitin2002 “Pishtar të parë të normales së Shkupit”, jetëshkrimin “Ëndrrat e grisura të jetës sime”, 2010 pjesa e parë e 2018, pjesa e dytë. Pa numëruar botimet e tjera të shumta, më duhet të bëj një koment për librin jetëshkrim “Ëndrrat e grisura të jetës sime”. Ai libër është testament artistik, i vlefshëm jo vetëm për familjet e brezat, por edhe për cilindo që dëshiron të mësojë ҫ’është jeta e si duhet të ballafaqohemi me të për ta përballuar.

Me një vërtetësi të habitshme artistike i përshkruan peripecitë e jetës, mundësitë e arta e mbresëlënëse që iu krijuan në periudha të ndryshme dhe dështimet e tyre nga prapaskenat e njerëzve, kur ai ishte i ri në moshë, i papërvojë dhe nuk mjaftonte inteligjenca e tij për t’i kapur mundësitë e krijuara para djallëzive e forcës së pozicionit të tjerëve që të kishin në dorë. Falë vitalitetit, karakterit, zotësisë e aftësive krijuese, vendosmërinë e këmbënguljes profesionale, duke mos lënë për asnjë çast studimin e krijimtarinë që në moshë të vogël, Murati me zotësi e pasion prej gazetari, arriti që t’i thyente barrierat absurde, duke treguar kështu dinjitetin e njeriut të nderuar e të respektuar shoqërisht e profesionalisht gjatë të gjitha periudhave që nga fillimet e para për shkollim universitar, e deri në përfundim të aktivitetit si studiues, redaktor e krijues. Për një periudhë kohe Murati ka punuar në mësimdhënie, pedagog në Fakultetin Histori-Filologji, pranë Universitetit të Tiranës.

Autorësia e tij në fushën e studimeve e të botimeve për arsimin e kulturën si dhe për shkencën është e njohur në lidhjen e vazhdueshme periodike me revistat “Studime Filologjike”, “Kultura popullore”, “Revista Pedagogjike”, “Të drejtat e njeriut”, “Perla”, “Univers”, “Pajtimi” etj. Ai ka shkruar e botuar studime e shkrime në të gjitha revistat e gazetat e tjera të Shqipërisë e Kosovës në gazeta e revista në Nju Jork, Zvicër, Hollandë, Greqi, Suedi, Itali, Mali i Zi etj.

Punimet shkencore, historike dhe të mendimit pedagogjik, janë kërkuar të lexohen në simpoziume e aktivitete të ndryshme në Prishtinë, Shkup, Preshevë, Ulqin Nju Jork, Salerno-Itali, Boras-Suedi etj.

Murat Gecaj, si intelektual i pavarur dhe aktiv, njihet si veprimtar i dalluar, duke u bërë pjesë e redaksive të revistave e gazetave brenda e jashtë vendit. Që nga viti 1990 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe anëtar i “Bordit të vlerësimeve të botimeve letrare e publicistike”, pranë Ministrisë së Arsimit.

Në vitin 1992, mbajti disertacionin dhe mori gradën “Doktor i Shkencave Pedagogjike”.
Në vijim e vlerësim të punës së tij shkencore, historike, letrare të folklorit, të pedagogjisë etj në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”.

Edhe sot ai mban detyra të tjera shoqërore pa lënë pas dore krijimtarinë. Murati është përgjegjës seksioni në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, është anëtar i shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës me qendër në Nju Jork, është “Anëtar nderi” i shoqatës së shkrimtarëve e artistëve e krijuesve shqiptarë, në Suedi “Papa Kelmendi XI-Albani”.

Për aktivitetin e tij letrar, studimor, historik, pedagogjik e të gazetarisë është nderuar me Dekoratën “Naim Frashëri” dhe dy herë me urdhrin “Naim Frashëri”. Është nderuar me “Medaljonin e Skënderbeut”, nga komuna e Çairit- Maqedoni. Për librin “Si e pashë unë Kosovën” (2000) nga shoqata e të rënëve të kombit shqiptar, mori ҫmimin “Nderim për Kombin”. Për punën e aktivitetin letrar- gazetaresk është vlerësuar me disa “Mirënjohje” në Shqipëri, Kosovë, Shkup, Filadelfia (SHBA), Salerno- Itali etj.

Është bashkautor i 12 librave, shkrimeve, studimeve, redaktimeve letrare etj.
Që nga viti 1963 Murat Gecaj ka bashkëpunuar me Radio-Tiranën për emisione të arsimit, për tradita e botime letrare. Gjithashtu ka bashkëpunuar në emisionet e radios “Blu Skaj” të Prishtinës, Radio-Gjakova, Radio- Kukësi, Radio-Mitrovica, Radion “Dituria” në Suedi, “Zëri i Amerikës”, Radio-Moska etj.

Në tre vitet e fundit, Murat Gecaj ka një bashkëpunim të frytshëm dhe aktiv me shkrime të ndryshme me tematikë për arsimin, traditën në 18 faqe internet, nga “Fjala e lirë”, në Londër “Zemra Shqiptare”, Oxford Angli, “Bota e re” Nju Jork e në të gjitha vendet e tjera të Evropës e Amerikës ku shkruhet shqip.

Murat Gecaj njihet nga të gjithë si njeri i qetë, i vëmendshëm, shumë shoqëror, bashkëpunues, i ngrohtë e shumë inteligjent, nga i cili mund të mësosh. Ai ka qenë dhe mbetet një familjar model, jo vetëm si krijues e gazetar, por edhe si intelektual të kompletuar, për të cilin krenohet shoqëria, fshati e krahina e tij.

PJETËR META
Publicist dhe shkrimtar

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.