7.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj DAULLET E LUFTËS QYTETARE…

DAULLET E LUFTËS QYTETARE…

0
1073
Rexhep Kasumaj

Berlin, fror 2016

(Karta gjakpirëse e hashimisëve)

1. Zhgënjimi idhnak.
Regjimi i hashimisëve hoqi parzmoren hijeshuese të gjentilencës politike dhe të përgjegjshmërisë pushtetare.
Kam ndjekur gjatë si gazetar i lajmeve ndërkombëtare zhvillime dramatike: rebelime, konflikte civile, tiranë autistë që kanë vegime amshimi, gjeneralë puçistë a prijës autokratë me shpirtëra të shfytyruar që përflakin tokën për kupolën e epërme..!

Por pozicionimi i djeshëm i juntës hashimiste kapërcente parathënmet më të errta. Ishte, vërtetë, e vështirë, gati e pamundur, të gjeje një aluzion apo, më saktë, një përskajim identik në botë. Ishte proverbiale në meskinitetin e saj për të shpallur të drejtën atnore mbi truallin, mbi shtetin dhe mbi popullin e Kosovës.

2. Thirrja tragjike.
Në paraqitjen e përbashkët kërcënuese, Premieri minak hartonte numëratore të kampeve politike dhe tabelë të hierarkisë morale të antarësisë së tyre. Kurse tjetri, dytësi i tij i kryengrirë, deklaroi habitshëm se i paskësh pritur protestuesit në qeveri, por ja që ikën qyqarisht me bisht nën këmbë. Ç’hipokrizi! Kur protestat e mëparme patën elementë përplasjesh – ata akuzonin me gëzim barbar opozitën për dhunë, ndërkohë që tani kur ajo ishte paqësore, do ti kaplonte çuditërisht një zhgënjimi i thellë.

Si kështu? Ç’ishte ky dyzim moral? Arsyeja ngjan, dhimbshëm e bajatshëm, krejt e tejdukshme. Madje dhe për syrin e pafajshëm fëminor. Sepse, thjeshtë, maskës së prostituimit politik do ti binin përfundimisht ngjyrat mashtruese. Me ç’afsh kriminal e paskëshin dëshiruar një konfrontim fizik, si levë akuzimi dhe, më pas, kompromitimi të Lëvisjes opozitare!

Pastaj, tutje, ndërsa i pari i bënte ofezë të ulët elektorëve që nuk duan të frekuentojnë shkollën e tij, i dyti, Hashimi i Brojës, ndërkaq, kumtonte strategjinë e gatshme dhe të fshehtë, të përleshjes fatale. Këtë rezervë alternative do ta provojë fjala e tij rrezikzezë e që i binte daulleve të luftës qytetare: besonim të vinit me joshje e padurim, por s’do mirëpriteshit me kafe! Po me çka tjetër, vallë? Me tytat e armëve për të derdhur sërish gjakun e njomë shqiptar…Veçse, tashmë jo nga serbë e pushtues të gjithandejmë, por nga uzurpatorët e autorsisë së luftës dhe vjedhësit e lirisë.

3. Shëmbëllesa trishtuese.
Ndaj dhe, në kërkim shembëllese, do t’më vinte si tundim i frikshëm një paralele e dyfishtë e interesante. E para nxirrte krye që nga lashtësitë e mugëta me figurën e Lemurëve, këto hije të vdekjes që mbjellin tmerr e mort saherë behin nga terri i përtejmë. A nuk ftuan ngjashëm hashimisët për përballje forcash dyluftuese? Po për dallim prej tyre, këta janë të këndejmë, realë dhe terri i vdekshëm vetë. E si të mos mjaftojë kjo, një tjetër simbiozë e kësojetshme, pretendon nyjëtimin fatkeq.

Dhe do thoshja mendueshëm e gjithë deshpërim: ky klan juntist ka asimiluar lakmueshëm dy biografi të mnershme nga vende e kohë të ndryshme. Nuk është e lehtë të njësosh ato për të dhënë një definim, a farkim fjalëformues që do të kapërthente botën e tyre. Por ngjashmërinë sikur simbolizojnë çuditërisht dhe vetë emrat e tyre. Esadi dhe Asadi – ja referencat krahasimore dhe idhujt e admiruar! Rrjedhimisht, prandaj, ata do jenë esadistë – sepse tregtojnë troje të kombëtare, kurse poaq dhe asadistë, sepse shtyhen drejt implozionit të përgjakshëm në Kosovë.

Si do të përfundojë i pari në Paris, kjo është krenarisht e njohur. Po dhe i dyti në Damask, megjithë rrethansinë e ndërlikimeve
globale, nuk është e pritshme të ketë fat tjetër.
Ndonëse i veçantë në llojin e tij, dhe klika e Kosovës, ky regjim i “thinjur nga neveria”, sërish nuk del dot nga shtrati i tipilogjisë së një diktature: identifikimi dramatik me fuqinë politike, ideja e misionarizmit, truku i pazëvendsueshmërisë, propaganda shurdhuese, veshtarët përgjues, armiqësimi për vdekje i “atdheve politikë”, frika nga statusi i qytetarit të lirë, kooperativat oligarkike tribale, demonizimini i rivalëve dhe, më pas, persekutimi i tyre dhe, së mbrami, flijimi unikal e i fundjetshëm: flijimi i popullit për fronin e tyre…

Duke qenë pjesë dhe viktimë e doktrinës tiranike, dinastët primitivë të Prishtinës si shemra zelltare e një pararendësi të vrarë dhe një tjetri të rrethuar – inauguruan dilemën apokaliptike me shpresën mizore se do të shmangin të njëjtin, të pandryshueshmin fund: heshtja do ti betononte, kurse rezistenca do të kërkonte tagrin e gjakut.

A mund të përtrolliset kjo dilemë e ligë e shpifarake? Pa as më të voglin dyshim: me përtrollisjen e tyre vetë! Duke shpalosur fytyrën e pjellës më të poshtër që ka parë ndonjëherë ky dhé, ata legjitimuan vetë arësyen e lartë sublime të rrëzimit të tyre…
R. K.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.