Ndue Lazri
– Me grupin arbëresh, mysafir i shoqatës kulturore “Labeatët” –
Mbrëmja bie e bukur mbi Ulqin, këtë qytet piktoresk në një gji magjepsës të Adriatikut. Qendra kulturore e qytetit ka hapur dyert dhe salla e shfaqjeve pret të mbushet me spektatorë. Në hyrje të saj, si një zonjë e nderuar shtëpie, kryetarja e shoqatës “Labeatët”, Luljeta Avdiu Cura, i pret e përshëndet spektatorët tek dera. Ajo ka veshur një xhamadan të kostumit arbëresh nga trevat e Frascinetos në Kalabri. Pranë saj një grua e veshur me kostumin karakteristik të Ulqinit. Është Lucia Martino, Mjeshtër i Madh, kryetare e shoqatës arbëreshe “Vorea”. Ajo ka ardhur bashkë me grupin teatral të Frascinetos për të shfaqur dramën “Kostantini dhe Garentina”, variantin arbëresh të legjendës së Kostantinit e Doruntinës.
Ajo u flet spektatorëve në gjuhën arbëreshe dhe i përshëndet duke u thënë: “Sonte unë jam një qytetare e Ulqinit”. Ndërsa kryetarit të komunës, Nazif Cugu, që ka ardhur familjarisht të ndjekë shfaqjen, i thotë: “Zoti kryetar, sonte qyteti i Ulqinit ka një qytetare më shumë”. E pas këtyre fjalëve një përqafim i ngrohtë vëllazëror.

Salla mbushet dalëngadalë dhe në një moment tërë spektatorët ngrihen në këmbë, duke përshëndetur me duartrokitje hyrjen e grupit arbëresh të veshur me kostumet tipike që ruajnë bukurinë dhe autenticitetin e tyre prej më shumë se 500 vjet. Emocionet bëhen edhe më të forta, kur e reja arbëreshe Maria Ferrari këndon himnin kombëtar shqiptar. Kjo vajzë studion në Romë dhe ka ardhur që nga Roma për shfaqjen. Ajo e ka kënduar himnin tonë edhe në parlamentin e Ontarios në Kanada, duke emocionuar jo vetëm shqiptarët e diasporës së atjeshme, por edhe anëtarët e parlamentit kanadez.
Pas himnit kombëtar fillon shfaqja e grupit teatral arbëresh. Regjisorja Imma Guarasci, e cila ka bërë një punë të kujdesshme e me pasion në vënien në skenë të dramës, rri tek pulti i komandimit që është vendosur në një cep të avanskenës. Ajo dëshiron të komandojë vetë prej aty tërë efektet zanore dhe ato të dritave gjatë shfaqjes. Një grua energjike dhe me mendim të pasur krijues, e rreptë dhe kërkuese në aspektin profesional.
Një heshtje e thellë mbretëron në sallë. Spektatorët janë mbërthyer tek loja e aktorëve, që sjellin në skenën ulqinake legjendën e njohur e të famshme shqiptare. Aktorja studente, Maria Ferrari, në lojën e saj di të gërshetojë lirizmin e dashurisë së saj me Kostantinin, me dramaticitetin e ndarjes së gjatë nga e ëma e nga vëllezërit dhe epizmin legjendar të rikthimit në shtëpi më vëllanë tashmë të vdekur në luftë. Giuseppe Basile në rolin e Kostantinit, ka ditur të hyjë mirë shpirtërisht në institucionin e shenjtë të besës së dhënë dhe ta sjellë atë fuqishëm në skenë. Rossella Bellusci, në rolin e nënës, di të transmetojë dhimbjen e dyfishtë, atë të humbjes së djemve në luftë dhe atë të largësisë me vajzën e vetme, Garentinën, në pritjen e gjatë të realizimit të besës së Kostantinit, për ta sjellë motrën në shtëpi qoftë edhe i vdekur.

Në variantin arbëresh futet si një prezencë e padukshme figura e Skënderbeut, që me lavdinë e tij e mban gjallë krenarinë e arbërit dhe bëhet një simbol frymëzimi edhe në sipërmarrjet më të vështira. Figura e kryetrimit legjendar, edhe pse në sfond të dramës, realizohet mirë nga aktori Salvatore Giordano. Edhe aktorja Maria Di Cunto, në rolin e mikes së nënëmadhes, di të përçojë tek spektatori ato çka përjeton familja e Doruntinës dhe i tërë fshati rreth saj.
Kemi të bëjmë me një trupë amatore arbëreshe, që e bën gjithçka mbi baza vullnetare, por me një dashuri e pasion të veçantë për teatrin dhe për repertorin kombëtar. Janë kjo dashuri e ky pasion që i bëjnë ata të sjellin emocione prej profesionistësh të vërtetë. Është prekëse fakti që ata mbajnë një lidhje kaq të ngushtë me repertorin kombëtar shiptar. Pas shfaqjes, Lucia Martino më kërkoi që t’i gjeja një dramë për legjendën e Rozafës, për ta vënë në skenë me këtë trupë. Pa mbaruar mirë një shfaqje, ata mendojnë për tjetrën, gjithnjë mbi legjendat e truallit amëtar. Një dashuri e pavdekshme në shekuj.
Më kujtohen fjalët që më tha si me shaka Basile Giuseppe, kur u takuam në Ulqin: “Kostantini e mbajti besën për të arritur në Ulqin”. Pra besa e Kostantinit, besa e lashtë dhe përherë e re e shqiptarit arriti edhe në këto troje, ku takohen dy degë të shkëputura nga trungu mëmë, arbëreshët dhe ulqinakët. 500 vjet historie, dhimbjeje e malli, që takohen e shtrëngojnë duart për herë të parë në skenën e këtij qyteti të bukur buzë Adriatikut. E si për të treguar që për zemrat e bashkuara nuk ka ndarje e kufinj, pas dramës këndojnë bashkë në skenë, arbëreshë e ulqinakë, secili me kostumet e veta karakteristike, ku ngjyrat kuq e zi në ornamentet zbukuruese janë dëshmia autentike e përkatësisë shqiptare.

E kjo ndihet edhe në atmosferën e ritmin këngëve. Këngëtari arbëresh nga Lungro i Kalabrisë, Franco Frega, që ka goxha vite mbi supe, e tërheq publikun me dinamizmin e tij prej djaloshi në interpretimin e këngëve karakteristike arbëreshe. Këngëtari Pierpaolo Petta vjen nga Hora e arbëreshëve të Sicilisë, nga Piana degli albanesi, ku sot jetojnë mbi njëqindmijë arbëreshë. Ai sjell me vete një pjesë të botës, mallit e krenarisë kombëtare të asaj pjesë të arbëreshëve, të shprehur artistikisht e me emocion në këngët që interpreton.
Këngëtari ulqinak, Suad Mehmeti, interpretoi disa këngë të bukura popullore me një ngrohtësi e delikatesë të veçantë që më kujtonin interpretimet e pavdekshme të Tonin Tërshanës. Një natë më përpara, në mbrëmjen e organizuar për hir të grupit arbëresh në hotel “Albatros”, Suadi, Franco dhe Pierpaolo për orë të tëra kënduan sëbashku këngë arbëreshe, serenata korçare dhe këngë të tjera nga krahinat e Shqipërisë. Ishte një treshe që dukej sikur këndonte prej vitesh sëbashku.

Emocione sollën tek publiku edhe grupi i valleve “Ana e Malit” me valle karakteristike të zonës së Ulqinit dhe recituesi Enis Rexha me poezinë e tij “Piskamë”.
Nuk duhet lënë mënjanë kontributi në realizimin harmonik të kësaj shfaqjeje të përbashkët i dy prezantuesve, Luljeta Avdiu Cura dhe Shefqet Luca, të cilët treguan nivel të lartë profesional.
Kryetarja e shoqatës “Labeatët”, Luljeta Avdiu Cura, në emër të shoqatës dhe të qendrës kulturore të Ulqinit ndau edhe çertifikata mirënjohjeje për grupin arbëresh, për shoqatën “Vorea” dhe drejtuesen e saj Lucia Martino, për regjisoren e spektaklit, për presidentin e Federatës FNAI, për kryetarin e komisionit koordinues të FNAI-t, sipërmarrësin e palodhur Klodian Cami për mikpritjen ndaj ansamblit “Ana e Malit”, për artistë e aktivistë që dhanë një kontribut të çmuar në realizimin e këtij spektakli. Pata kënaqësinë të njihja nga afër aktivisten e palodhur dhe drejtuesen e degës së fondacionit “Nermin Vlora”, zonjës Zylfije Gjoni Duraku, e cila edhe më dorëzoi çertifikatën e mirënjohjes.

Ishte një program i bukur e dinjitoz, që i meritoi vëmendjen dhe duartrokitjet e publikut. Shumë nga spektatorët, pas shfaqjes vinin e falënderonin trupën arbëreshe, si dhe shoqatën “Labeatët”, shoqatën “Vorea” dhe Federatën FNAI, të cilat në bashkëpunim arritën të bënin të mundur realizimin e këtij evenimenti që për qytetin e Ulqinit, por edhe për ne që ishim aty, do të mbetet gjatë në kujtesë.
* * *
Bashkë me gazetaren e poeten Eltona Lakuriqi e mikun dhe kolegun tim në Federatë, Klodian Cami, ndërsa po vizitonim kalanë e Ulqinit dhe rrugët karakteristike të këtij qyteti, po flisnim edhe për mikpritjen e ngrohtë që iu rezervua grupit arbëresh dhe ne që e shoqëronim. Jo vetëm publiku në skenë, por edhe njerëzit nëpër rrugë, punonjësit e hotelit të madh e të bukur “Albatros” ngritur në një pikë të bukur të bregdetit ulqinak mes pyllit me pisha e të tjerë, treguan një dashamirësi e dashuri mbresëlënëse. Këngëtari Suad Mehmeti, ndërsa grupi bënte prova në skenë, na ftoi që të vizitonim qytetin e Ulqinit. Duke luajtur rolin e ciceronit, por edhe të mikpritësit, ai na çoi tek plazhi i madh i Ulqinit, ku pamë strukturat turistike tashmë të gatshme për sezonin e ri.

Madje mjaft pushues kishin filluar banjot e para në det dhe atmosfera verore kishte filluar ta gjallëronte jo vetëm plazhin e madh me një shtrirje prej 14 kilometrash, por edhe plazhin e vogël e simpatik në qendrën historike të qytetit. Pastaj ai me disa kolegë të tij na çuan tek Ada e Bunës, aty ku lumi Buna derdhet në det. Pejsazhi natyror dhe puna e njeriut e bërë në harmoni me natyrën krijonin pamje jo vetëm tërheqëse për syrin, por edhe relaksuese. Lokalet dhe ndërtesat karakteristike në të dy brigjet e lumit të lundrueshëm e bënin atë një oaz të mrekullueshëm, për të kaluar orë të këndshme, me prodhime të kuzhinës tradicionale, ku vendin e nderit e zinin pjatancat me peshk të gatuar mjeshtërisht.

Kalaja e Ulqinit. Një monument kulture i mbajtur mjaft mirë dhe që lartësohej në një kodër të mbushur me lokale dhe shtëpi karakteristike, të cilat ofronin mikpritjen tradicionale shqiptare. Është një kodër gadishull, i rrethuar thuajse nga të gjitha anët me ujë. Muret e kësaj kalaje ilire ngrihen direkt mbi shkëmbinj të thepisur që rrihen gjithnjë nga dallgët e detit. Mure, që përgjatë historisë janë rrëzuar nga pushtues të ndryshëm e sërish janë ngritur si shprehje e qëndresës legjendare shqiptare. Një nga perandorët që ka ndikuar në ndërtimet e kalasë e madje edhe të qytetit, është perandori Justiniani. Në objektet tërheqëse në kala bien në sy muzeu dhe kulla imponuese e Balshajve, të cilat tërheqin edhe numrin më të madh të vizitorëve.
Ishte një fundjavë e mbushur me emocione të shumta ajo që kaluam në Ulqin. Janë nga ato emocione që të shoqërojnë për shumë kohë e të thërrasin për t’u rikthyer në këto treva, ku të grish mikpritja e ngrohtë vëllazërore.
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar






