16.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj HISTORIA DHE POETIKA E DRAMËS SHQIPTARE

HISTORIA DHE POETIKA E DRAMËS SHQIPTARE

0
698
Nebi Islami - Historia dhe poetika e dramës shqiptare

Isak Ahmeti

Pak biografi
NEBI ISLAMI (1943).

Është i lindur në Norçë të Preshevës. Dramaturg, kritik letrar, përkthyes, Profesor universitar, dekan i Fakuktetit të Arteve në Prishtinë. Ka botuar ese, recensione, artikuj kritikë e studime për dramaturgjinë, teatrin, letërsinë si dhe poezi, tregime, drama dhe komedi, që janë inskenuar në teatrot e Prishtinës, Shkupit, Pejës dhe Gjilanit…

Studimet monografike, shkencore, në dy vëllime: HISTORIA DHE POETIKA E DRAMËS SHQIPTARE( I dhe II), ARTC Prishtinë, 2003, të autorit Dr. NEBI ISLAMIT, janë dy libra, dy tekste universitare, të rëndësishëm dhe me shumë vlerë, ku janë përfshirë vështrimet thelbësore teorike, historike dhe estetike në kontekstin e rrjedhave të saj zhvillimore dhe të veçorive të tjera cilësore të dramës shqiptare në mbështetje të poetikave, të drejtimeve dhe të metodave letrare, që nga dramat e para e deri tek ato të kohëve më të reja, por duke përfshirë vetëm ligjësitë e krijimtarisë letrare dhe duke abstrahuar anën skenike.

Këto dy vëllime studimore dedikohen jo vetëm për nevojat dhe qëllimet e përdorimit universitar por edhe për studimet në lëmin e letërsisë. Në këta dy libra, siç e ka theksuar edhe vetë autori, Dr. Nebi Islami, është përfshirë një material i vëllimshëm, me të cilin plotësohet zbrazëtira e madhe dhe mungesa e literaturës për dramën shqiptare. Këto dy vëllime janë një kontribut i çmueshën tej mase në thellimin e njohurive në këtë fushë si dhe në avancimin e studimeve të mëtejshme.

  1. HISTORIA DHE POETIKA E DRAMËS SHQIPTARE (I)

Ky libër studimor (fq. 264), hapet me një fjalë rasti të autorit Dr. Nebi Islamit, ku, veç tjerash, shkruan edhe këtë: “Duke pasur parasysh mungesën e literaturës, studimet më komplementare si dhe nevojën e madhe për një tekst universitar lidhur me historinë e dramës shqiptare, në këtë libër i qasemi vëzhgimeve analitike, krahasimtare dhe sintetike të zhvillimeve të saja historike duke përfshirë një shumësi aspektesh dhe këndvështrimesh të ngërthyera në temat, motivet, përmbajtjet, idetë, kuptimet, mesazhet dhe vizionet në kontekstet e zhvillimit historik të dramës shqiptare që në mënyrën retrospektive dhe në vazhdimësi prekin dhe thellohen edhe në rrafshe të tjera të ekzistencës. Pasqyrimi i këtillë përmbajtësor kërkon njohuri të thelluara nga lëmenj të tjerë shkencor e artistik dhe në veçanti nga historia e letërsisë, filozofia, estetika, sfera teorike-letrare, folkloristika, antropologjia, mitologjia, religjioni e sfera të tjera…” (Vep. e cit. fq.7).

Andaj, ky libër si i tillë që është, vlerëson autori, sjell një materie të çmueshme. Duke u marrë me problematikën në fjalë, autori ka nxjerrë në shesh vlerën, rëndësinë dhe rolin e dramës që nga fillet e deri në krijimet e reja, ndikimin e saj në pasurimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare dhe në instancën e fundit në zgjerimin e horizontit të kulturës dhe thellimin e dijes. Autori këtu ka aplikuar metodën e seleksionimit nëpërmjet vështrimit të përzgjedhur të dramave të cilat janë vlerësuar si më të suksesshme nëpër periudhat e ndryshme të zhvillimit historik. Në këtë kontekst, në radhë të parë janë pasqyruar rrethanat, kushtet shoqërore-historike dhe rrjedhat e zhvillimit të metodave dhe drejtimeve letrare në gjinitë e ndryshme të letërsisë me theks të veçantë në poetikën e dramatirgjisë si formë më e re e krijimtarisë letrare te ne (Vep. e cit. fq.7).

Fillimisht autori, pasi ka dhënë një pasqyrë lidhur me nocionin e dramaturgjisë në përgjithësi dhe me vendin e dramaturgjisë shqiptare në të, me determinuesit historikë të zhvillimit dhe me postulatet e poetikës së dramaturgjisë shqiptate të cilat zënë fill dhe thellohen në vetëdijen mitike, në kultet, ritet, ritualet dhe simbolet e përgjithshme dhe kombëtare, ka pasqyruar veçoritë themelore të dramës së romantizmit e cila lindi, u zhvillua dhe mori konturat në përpjekjet e përgjithshme të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Më pas në kaptina të veçanta autori ka trajtuar dramën e periudhës së postromantizmit ku kemi edhe gërshetime të elementeve të romantizmit, të simbolizmit dhe të realizmit me theks të veçantë në dramat me temë dhe motive mitike e biblike.

Vëzhgimet e mëtejme këtu autori i ka bërë lidhur me dramën e periudhës së indipedencës të viteve 1912-1939 e cila merret si pararëndëse e dramës bashkëkohëse dhe që sublimonte e kultivonte të gjitha ato forma dhe stile që ishin karakteristikë edhe për letërsitë e tjera evropiane. Autor në fjalë ka trajtuar edhe dramën e periudhës të pas LDB, e cila solli risi të posaçmr. Kjo poetikë, e kësaj periudhe, është përpunuar në një kaptinë të posaçme. Etapa më e rëndësishme e zhvillimit të dramës që shënon pjekurinë e saj të plotë dhe i jep fund konvencionalitetit skematik duke asimiluar realizimin integeal me fluidat e postromantizmir që zbulohen përmes elementeve të surrealizmit, të ekspresionizmit, të simbolizmit dhe të ekzistencializmit duke rezultuar me poetikën e dramës së rimitizimeve në pajtim me rrjedhat zhvillimore të dramës evropuane, anticipon dhe kurorëzon me sukses spontanitetin modern të krijimtarisë artistike (Vep. e cit. fq.9).

Periudha më e re e zhvillimit të dramës, sipas autorit në fjalë, karakterizohet edhe me krijimet dramatike të risemantizmit si forma të paqyrimit artistik të përshkuara nga idetë avangardiste dhe postmoderniste. Për më tepër, format më të reja dhe më të suksesshme dramaturgjike, sipas autorit, i kanë thyer plotësisht skemat strukturore të dramës së traditës dhe janë thurur në modelin e antidramave.

Vlen të theksohet se përmbajtja e librit është përshkuar nga elemente krahasimtare me qëllim të përcaktimit të vendit të dramës sonë në rrjedhat e përgjithshme të dramaturgjisë si dhe me qëllim të pasqyrimit të nivelit ideoartistik, stilistik, estetik dhe të komplementarizmit.

Libri është mbështetur në kritere shkencore (me fusnota përkatëse). Në fund të librit, krahas literaturës profesionale dhe shkencore është dhënë edhe një pasqyrë e shkurtër e autorëve, burimet dhe bibliografia kryesore e dramës shqiptare në kontekstet e zhvillimeve historike.

2. HISTORIA DHE POETIKA E DRAMËS SHQIPTARE (II)

Libri i dytë është strukturuar në VII kapituj dhe atë:
I. FILLET DHE LINDJA E DRAMËS MODERNE,
II. DRAMA E RIMINISHENCAVE DHE KUJTESËS HISTORIKE,
III. DRAMA E SITUATAVE SIMBOLIKE DHE PARADIGMATIKE,
IV. DRAMA E RIMITIZIMEVE DHE ANTIDRAMA,
V. ANTIDRAMA DHE POETIKA E RISEMANTIZIMIT TË MITIT,
VI. DRAMA MODERNE E DEMISTIFIKIMEVE, dhe
VII. MODELI I DRAMATIZIMEVE.

Edhe librit të dytë i paraprin një fjalë mjaft shkoqitëse e autorit për fillet dhe lindjen e dramës moderne duke marrë në shqyrtim autorët siç janë:
Anton Pashku, Azem Shkreli, Jusuf Buxhovi, Sabri Hamiti, Qamil Batalli, Resul Shabani, Sylë Osmanaj, Abdyl Bunjaku, Flamur Hadri, Xhabir Ahmeti, Rexhep Qosja, Ymer Shkreli, Emin Kabashi, Musa Ramadani, Teki Dervishi, Edi Shukriu, Arshi Pipa, Beqir Musliu, Ajri Begu, Mehmet Kraja, Arif Demolli, Haqif Mulliqi, Fatmira Alijaj, Enver Petrovci, Mexhid Mehmeti, Gjon Gjergjaj, Fadil Hysaj dhe Ekrem Kryeziu.

Krejt në fund le të theksojmë se këto dy vëllime nonografike, shkencore, janë një kontribut i çmueshëm tej mase në ndriçimin e historisë dhe të poetikës së dramës shqiptare(1886-1996). Ky autor bashkë me Luljeta Isakun kanë botuar edhe LEKSIKONIN E ARTEVE DRAMATIKE, Prishtinë, 2012, për të cilin njeherë tjetër.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.