18.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Letërsi KAPRIÇOT E FATIT

KAPRIÇOT E FATIT

0
587
Njeriu mbi kalë

– Tregim nga Ramiz GJINI

Ata të dy po flisnin me telefon.
– Të thashë, Pablo, që tani nuk kam. Po të kisha do të t’i jepja, por nuk kam. Më vonë…
– Ç’do të thotë kjo “më vonë”, Santino?! S’të pata dhënë njëqind dollar, por të pata dhënë njëqindmijë! Duhet të m’i kishe kthyer në janar, bashkë me përqindjen e kamatës; tani jemi në qershor! U bënë gjashtë muaj që s’je bërë i gjallë!
– E di, – tha burri që thirrej Santino. – Por nuk kam. – Nuk më eci biznesi dhe u rrënova. Njëherë u rrënova në Brooklyn, tani në Monticello. Edhe makineritë e prodhimit dhe paketimit të salcave, që pata sjellë nga Kina, mi konfiskoi banka për borxhin që i kisha.
– Tani, po mi thua këto, Santino?! – pyeti i skandalizuar Pablo Herrera. – Mi thua tani, pasi më ke gënjyer për kaq shumë kohë?!
– Sepse deri më tani, kisha një farë shprese, prandaj, – ia pat tjetri. – Kurse tani, nuk di ç’të bëj…
– Nuk di ç’të bësh?! – bëri çudi teksa përmbante mllefin Pablo Herrera. – Ta them unë: do lëshë peng objektin, që bleve për biznes në Monticello.
– Ma morën edhe objektin, – tha ai. – Ma morën, sepse nuk shlyeva dot këstet e radhës. Jam rrënuar me të gjitha.
– Santino Sançes! – piskati fort Pablo Herrera.
Kjo thirrje, më tepër se kërcënim, qe një britëm dëshpërimi dhe urrejtje; por një britëm, që u mbyt si jehu i një sëpate kur godasim fort një trung të kalbur.
Ato çaste, atij iu shpif në emtesë gërvima vajtuese e çikrikut të pusit të oborrit të shtëpisë, në fshatin e tij në Meksikë, kur nxirrte nga thellësia e pusit kovën e ndryshkur të mbushur me ujë. Dhe ndjeu, se si nisi t’i ngjitej drejt grykës e njëjta kovë, si të qe edhe vetë një pus. Por, ajo kovë, që asokohe mbushej me ujë për të vaditur lulet e oborrit, tashmë qe mbushur dingas me urrejtje. Qe mbushur me helm e vrer për ta derdhur mbi kryet e Santino Sançes. Mbi kryet e atij, që e kishte mashtruar.
– Ti kujton se kjo histori do të mbyllet kështu?! – pyeti ai pasi e kish marrë disi veten.
– Po ç’të bëj, Pablo?! – mërmëriti tjetri me një zë gjynahqari. – Më ranë në kokë të gjitha të këqiat, besomë. Edhe ime shoqe, Romina, më braktisi. Më braktisi bashkë me fëmijët! As familje s’kam më. Kam fashitur me të gjitha!
I bindur, që tashmë i kish humbur ato parà, Pablo Herrera u ligështua aq shumë, sa i ra telefoni nga dora.
– Ah, ti, bir bushtre! – klithi ai. Dhe e goditi aq fort tryezën me grusht, sa ora e vendosur në murin përball, u shkëput nga gozhda ku qe fiksuar dhe ra e u rrokullis me rropamë në dysheme.
– Do të të vras, mor’ qelbësirë! – i erdhi në vesh një zë, që s’ishte i tij. Qe një zë i huaj, që erdh’ e u shkith si një hekur i skuqur kur e zhysin në ujë.
Ai hodhi vështrimin e përhumbur për të parë, kush tjetër donte ta vriste Santino Sançes, po frymë njeriu nuk kishte aty rrotull. Cili kishte folur?! I kujt qe ai zë?!
Vështrimi i tij, u ndal në tavllën e duhanit, ku kishin filluar të përpëliteshin e spërdridheshin katër-pesë krimba druri të kalbur, – duqet e cigareve të tymosura.
– Po, po! – dëgjoi sërish Pablo Herrera. – Sepse ti, Santino, nuk je tjetër, përveçse një krimb. Një krimb i neveritshëm, që do të të bëj copa-copa!
Ishte zëri i vet!
Atëherë, u ngrit.
Me dorën që i dridhej, hapi kasafortën dhe nxorri prej aty një armë; një beretë 9M, e mbushur, gati për zjarr. E futi në brez gjithë nervozizëm, veshi xhaketën dhe u nis të dilte me mendjen dumā.
Sapo kishte shkelur në shqimth të derës, u kujtua për paketën e cigareve, që kish lënë në tryezë. U kthye apet dhe e mori bashkë me çakmakun. Kishte hequr prej saj vetëm një cigare. Një cigare të vetme.
Kur doli jashtë nga zyra, ai dëgjoi të binte këmbana e kishës së shenjtit Domenik.
Ishte ora fiks dymbëdhjetë e mesditës dhe dielli përvëlonte si saç. Asnjë makinë nuk lëvizte në rrugë, sepse ai segment, qe bllokuar nga policia për një ceremoni mortore. Tutje, matanë kryqëzimit, ai shquajti kortezhin e njerëzve të veshur me të zeza, që po afroheshin teksa shoqëronin të vdekurin për në kishë. Dy fëmijë, luanin në rrugë duke gjuajtur njëri-tjetrin me pistoleta plastike, – lodra të mbushura me ujë.
Pablo Herrera, i njihte vogëlushët, por nuk u buzëqeshi, siç bënte ngaherë.
– Largohuni nga rruga! – u tha teksa bënte nje lëvizje nervoze me dorë, athua se po përzinte pulat. – Po vjen kortezhi.
Ndezi një cigare dhe u fut në makinë.
Për të mbërritur në Monticello ku gjendej “qelbësira” Santino Sançes, atij i duhej te udhëtonte njëqindë e pesëdhjetē e shtatë kilometra!
I hodhi një sy amperit të benzinës dhe u kujtua, që e kishte mbushur serboratorin një ditë më parë.
Dhe u nis.
Rrugës, para se të futej në autostradë, ai i kaloi kryqëzimet më tepër në dritë të kuqe, pa e hequr cigaren nga goja, e me tymin që i sillej vërdallë, jashtë dhe brenda kokës.
Dy herë rresht, për pak u përplas; një herë më një kamjon të madh plehërash; herë tjetër me një autoambulancë.
Pas një orë e gjysëm udhëtim, ai mbërriti në Arden.
Përgjatë gjithë kësaj rruge, nuk reshti së thithuri tym cigaresh, që i ndizte njërën pas tjetrës, duqet e të cilave, i pështynte gjithë nervozizëm jashtë xhamit të hapur të derës.
Kur zgjati dorën dhe mori paketën të ndizte cigaren e radhës, ai vuri ré, që paketa, tashmë, ishte boshatisur.
Kishte edhe shumë rrugë për të bërë, për të mbërritur në Monticello, por i duhej medeomos të tymoste, ndaj doli nga autostrada dhe u fut në Main Street.
Asaj rruge gjeti një dyqan; ndaloi dhe hyri të blinte një paketë.
– Urdhëroni, bos! – e ftoi shitësi sapo e pa.
Qe një indian i dobët si skelet ky shitësi; me çallmë e dhëmbë të mëdhenj e të palarë si dhëmbë kali të vjetër; me zërin e hollë si një pingërrimë; aq i dobët, sa më mirë të themi, që në vend të tij, Pablo Herrera, kishte përballë një palë rroba të varura në gozhdë.
I erdhi për të vjellë me atë falsitetin e tij prej tregtari llafazan e të bezdisshëm; me zërin e hollë dhe me paraqitjen e pështirë, gjithashtu.
– Më jep katër “malboro”, – tha Pablo Herrera, vramuz në fytyrë, ndërsa i hidhte tjetrit një vështrim aspak miqësor.
Pagoi, mori paketat e cigareve, dhe teksa dilte, dëgjoi apet zërin e hollë si pingërimë, tashmë të trembur, të rrobave të varura në gozhdë:
– Të vaftë mbarë, bos!
Pablo Herrera, memzi e përmbajti tundimin për t’u kthyer e për t’i dhënë një grusht turinjve.
Si hypi në makinë, nxorri e ndezi një herë cigaren; pastaj u nis. Por në vetëm, pothuaj, njëzetë metra udhë, atij ju desh të ndalonte përball të kuqes së semaforit.
Befas, ato çaste u dëgjuan dy krisma arme njëra pas tjetrës! Fill pas krismave, pasoi një ulurimë gruaje e trembur për vdekje; pastaj një zë burri, që i thoshte gruas të binte e të shtrihej barkas në tokë, për të evituar sa të qe e mundur, rrezikun e ndonjë plumbi qorr!
– Po vriten! Po vriten! Telefononi policinë! – i erdhi në vesh një tjetër zë alarmant.
Ndërkohë, u ndez drita jeshile e semaforit, dhe Pablo Herrera bëri të nisej; por ju desh të frenonte në çast, sepse krejt papritur, në rrugë para tij, mbiu një i panjohur i frikësuar për vdekje, që hapi krahët dhe piskati:
– Ju lutem, më ndihmoni! Po më vrasin!
Pablo Herrera, shtypi në çast butonin e ç’kyçjes së derës dhe i bëri shenjë me dorë të hynte shpejt në makinë.
Sa hap e mbyll sytë, tjetri u gjend brenda makinës, ku u gërmuq, u trus e u bë sa një grusht poshtë sediljes. Dhe pam, pam, pam, u dëgjuan edhe tre krisma të tjera arme!
Një plumb shpoi xhamin e derës anësore dhe vajti e u ngul në tehin e shpinores së sediljes së pasme.
Pablo Herrera i dha gaz makinës; dhe brenda dy sekontave, ata hynë në kryqëzim, kthyen majtas, përshkuan me shpejtësi një segment të vogël rruge; pastaj djathtas në rrugën anësore dhe u gjendën në autostradë.
Vetëm atëherë, i panjohuri u drejtua dhe ngriti kokën të shikonte.
Goja e tij, kish mbetur e hapur nga habia për faktin që ishte gjallë. Skalpi i kokës i qe tendosur aq shumë, sa ia pati kthyer flokët përpjetë si gjëmba iriqi; dhe vetëm në pesë minuta, i qe rritur mjekra sa për pesë javë; dhe kish nisur të thinjej në tëmtha. Sytë, me ninëzat që i patën marrë formën e dy midhjeve të vogla pa jetë, i qenë zmadhuar dyfish.
– Kaq ishte! – Tha Pablo Herrera, tashmë i çliruar disi edhe vetë nga tronditja. – Tani, qetësohuni, or mik! Shpëtuat paq!
Por tjetri, ende vazhdonte të dëgjonte të përsëritura krismat e armës. Duke kthyer kokën në të katër anët, ai vështronte i shqetësuar me tmerrin e stampuar në sy.
– Si ju quajnë? – pyeti Pablo Herrera.
– Santino, – tha tjetri me një zë vajtimtar. – Santino Sançes.

New York, vjeshtë, 2019

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.