12.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj Mbajtja e premtimeve, borxh ndaj elektoratit!

Mbajtja e premtimeve, borxh ndaj elektoratit!

0
311
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Shkruan: Florim Zeqa, 03.04.2020

LDK-në nuk mund ta dobësojë askush më shumë sesa lidershipi i saj me mos përfilljen e vullnetit të elektoratit, sikurse që nuk mund ta ndihmojë askush më shumë sesa elektorati i saj me kushtëzimin e lidershipit aktual për mbajtje të premtimit elektoral dhe reformim të thellë të partisë.

Qeveria e fundit e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ishte qeveria me legjitimitetin më të madh qytetarë pas shkuarjes në amshim të liderit historik të LDK-së dhe shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi, Ibrahim Rugova. Koalicioni qeverisës LVV-LDK, më shumë se dëshirë e lidershipit të këtyre dy partive, ishte vullnet i elektoratit për ndryshim, i shprehur me votën e mbi 427.000 qytetarëve të vendit apo përkthyer në përqindje, 50,81 % e votuesve të dalë në zgjedhje kanë votuar për koalicionin qeverisës pas zgjedhor LVV-LDK.

Të respektohet vota që determinoi ndryshimin

Puna e nisur mirë e qeverisjes LVV-LDK kishte ngjallur shpresat e qytetarëve për ndryshim. Mirëpo, për fatin e keq të vendit, shumë shpejtë shpresat e qytetarëve u kthyen në zhgënjim të madh.

Pa dashur të përserisë ato që e din i mbarë opinioni publik, ato të ecurisë së prishjes së koalicionit qeverisës, dua të theksoj se zhgënjimin e bën akoma më të madhë tendenca për mos mbajtjen e premtimeve elektorale nga ana e LDK-së.

Siq dihet, LDK-ja ngritjen e lehtë të saj në zgjedhjet e 6 tetorit e arriti në saje të premtimit elektoral për mos bashkëqeverisje me partitë e PAN-it. Në saje të këtij premtimi LDK i mori 206 mijë votat e elektoratit të saj. Pra, votat që i mori ishin për ndryshim e jo për vazhdimin e keq-qeverisjes.

Kur jemi tek ngritja e LDK-së, do u hyja në hak lexuesve po nuk e permenda edhe një fakt tjetër. I pamohueshëm është kontributi i kandidatës për kryeministre, zonjes Vjosa Osmani, me emrin e së cilës u tubuan hiq më pak se 176 mijë vota të elektoratit, pa të cilën LDK-ja nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, jo vetëm që nuk do të renditej e dyta, do të garonte me AAK-në për vendin e tretë!

Pavarësisht zhvillimeve të fundit, lidershipi i LDK-së duhet të respektoj vullnetin e elektoratit edhe në raport me Vjosa Osmanin, si vullnet për ndryshim dhe reforma përmbajtësore në LDK, e jo si mbështetje pro apo kundër ish koalicionit qeverisës.

Çdo gjë që del jashtë premtimit elektoral është e dëmshme për LDK-në dhe me pasoja për vendin. Pra, LDK-së nuk i duhen kalkulimet e pushtetit, por mbajtja e premtimeve elektorale.

Lidershipi i LDK-së nuk duhet të harrojë se mbajtja e premtimeve dhe fjala e dhënë është parim, është vlerë e mbi të gjitha është edhe etikë njerëzore. Çdo shkelje e parimeve dhe premtimeve paraqet tradhti të pastër ndaj elektoratit, sadoqë lideri i LDK-së po mundohet ta mbështjellë me hipokrizi të reja politike.

Mallkimi i elektoratit ndaj abuzuesve të vullnetit politik

Tendecës së hapur të lidershipit të LDK-së për bashkëqeverisje me partitë e PAN-it, elektorati rugovian është duke iu përgjigjur me indinjatë, rënkim të thellë dhe mallkim ndaj abuzuesve me kontrabandim të votës së tyre të shënjtë.

Për ta ilustruar këtë që e ceka më sipër, po e shkëpus vetëm një detaj të bisedës së djeshme me një simpatizant të LDK-së dhe adhurues i frymës rugoviane; “Jam kanë i kallt mas LDK-së rugoviane, kurrë nuk m’ka ba zemra vërr me ju dhanë votën tjerave parti, po me LDK-në e Isa Mustafës nuk po mundem me u pajtu kurqysh, por as që ma don zemra ndonjë parti tjetër, por nëse shkojmë në zgjedhje, pa e votu LVV-në nuk e la, pra vota ime nuk shkon më për LDK-në e Isa Mustafës” (përfundon citati).

Merreni me mend se në çfarë deregje e ka pru LDK-në Isa Mustafa me klanorët e tij. Pavarësisht kamuflimeve politike dhe mashtrimeve, elektorati i ka kuptuar mirë lojrat plot hipokrizi të liderit partiak.

Sadoqë Isa Mustafa e thotë ditë e natë se LDK-ja nuk është vartëse e Hashim Thaçit, përputhja e qëndrimeve të tij me lojrat e presidentit i vërteton shqetësimet e elektoratit për futjen e sërishme të Isa Mustafës në pazare të pista pushtetore për vazhdimin e mandatit të presidentit Thaçi në këmbim të postit të kryeministrit për LDK-në apo anasjelltas dhe jo vetëm.

Mbështetja symbyllur e liderit të LDK-së dhënë presidentit të vendit në arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, sikurse edhe në marrëveshjet paraprake, do të jetë e dhimbshme, tepër e kushtueshme dhe me pasoja të rënda për vendin.

Për më tepër se kaq, LDK-ja nuk ka nevojë të humbë energji dhe kohë rreth përcaktimeve ideologjike të Albin Kurtit, kur ato dihen botërisht siq dihen përcaktimet dhe e kaluara politike e liderit aktual të saj, Isa Mustafa.

LDK si partia e parë, shtetformuese dhe shtetndërtuese, duhet ta gjejë formulen e unifikimit të saj. Hedhja e hapave të parë drejt reformave përmbajtësore duhet të filloj me organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të lira dhe të ndershme partiake, për ta zgjedhur një kryetar dhe kryesi kredibile që tërheq vëmendjen e rreth 40 % të votuesve pasiv, si dhe afrimin e veprimtarëve dhe aktivistëve të viteve të ’90-ta që ende jetojnë në Diasporë, për ta rrumbullaksuar kështu mozaikun unifikues në LDK.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.