6.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )
Kreu Artikuj MODELI I TETËDHJETË E NJËSHIT

MODELI I TETËDHJETË E NJËSHIT

0
191
Demonstrata - Kosovë, 1981

(NË DYZET VJETORIN E DEMONSTRATAVE TË VITIT 1981)

METI REXHEPI

Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetë e njëshit është kthesa epokale e shqiptarëve nën Federatën Jugosllave

Pas tre dhjetëvjeçarëve të Demostratave të Vitit 1981, mund të bëhet bilanci më i plotë: i peshës politike, i çmimit të jetës, i vlerësimit edhe i këndeve të pandriçuara për to, i përshpejtimit të ritmeve dhe kahjes, që duhej të merrte ideja dhe veprimi kombëtar…

Pohimet e lojalistëve të “legales” së pushtetit, se Demonstratat e Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e njëshit, qoftë kur e thoshin të shtyrë nga vartësit, ose duke pikënisur nga pozita vetjake, se ato qenë “provokim” për rrezikimin e Federatës Jugosllave, e, veçmas të shqiptarëve, krejtësisht inferiorë në atë rregullim federativ, se demonstratat qenë “të parakohshme”, “të dëmshme” e të ngjashme, u tretën si vesa e mëngjesit në diellin e verës.

Edhe brenda funksionimit të Federatës Jugosllave, funksionuan klanet për mbizotërimin e drejtimit të ekonomisë e politikës në Jugosllavi : klani serb dhe ai kroat-slloven.

Shqiptarët në këtë Federatë nuk kishin asgjë të përbashkët me ata që bënë kulmin e kësaj federate, pos luftës së përbashkët antifashiste, renditur në koalicionin botëror Antifashist, të viktimizuar e të martirizuar në mijëra, sidomos pas LDB-së, duke u bërë pre e fushatave të njëpasnjëshme të  gjithë mandatarëve serbë dhe të tjerëve në shërbim të politikës serbe.

Lufta e Dytë Botërore, për më shumë se gjysmën e shqiptarëve nuk solli çlirimin kombëtar të tyre. Kjo luftë si shpërblim për shqiptarët bëri copëzimin e tyre në katër subjekte politike administrative-shtetërore të ortodoksisë sllave.

Herë fshehur, herë hapur  përbindëshi serb i Federatës, gjithnjë mëtoi gllabërimin e përbërësve të saj, sipas programimit luftë-nxitës: aty ku është edhe një serb i vetëm, aty është Serbi. Deviza e këtillë e nacionalistëve të skajshëm serbë, do ta sjellë gjakderdhjen, gjenocidin dhe krimin shtetëror në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.

*

Ku ndodheshin shqiptarët në vitet e shtatëdhjeta?”Lufta e ftoftë” mes Natos dhe Traktatit të Varshavës, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit njëzet, mori frymë për shtendosje, ndonëse pushtimi i Çekosllovakisë në vitin 1968, riktheu dimrin rus në pranverën e Pragës.

Rezistenca gjithë-popullore prirë nga lëvizjet studentore, jo vetëm në Çekosllovaki, do të jetë faktori ndër-reflektues, i ndërsjellë, për klimën ndikuese edhe tek ne, kur priteshin ndryshimet në amendamentet e Kushtetutës së Federatës dhe të njësive federale, po ashtu edhe të statusit të Kosovës që ishte nën Serbi.

Vetëdijesimi i shqiptarëve për ndryshimin e pozitës së tyre ishte tejet i penguar. Në këtë klimë, për t’iu dhënë kahe kërkesave për ndryshimin e statusit të Kosovës, ndodhi  Një mijë e nëntë qind e gjashtëdhjetë e teta,  jo në Pranverën e Pragës, por në Nëntorin e Lirisë për shqiptarët.

Gjashtëdhjeteteta është pararendësja e artikulimit të kërkesave për barabarësi me popujt tjerë, sllavë të jugut të Evropës, për universitet, për përdorim institucional të shqipes, për simbolin kombëtar, e tjera, por nuk u zgjidh dot qenia e statusit të republikës për shqiptarët. Andaj, barrën e përmasës kombëtare për zgjidhjen e statusit të republikës nën Federatë, pas katërmbëdhjetë vitesh, ta merrte sivëllai i Gjashtëdhjetetetës: Pranvera e Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e njëshit.

Rikthimin në periudhën e diskutimeve kushtetuese, të një frymëmarrjeje më liberale, pas pezullimit të diktaturës së Rankoviqit, Titoja po mëtonte ta arrinte përmes baraspeshës mes klaneve të papajtueshme:  serbëve me satelitët e tyre dhe kroatëve e sllovenëve. Përfaqësuesit “legal” të shqiptarëve në shtetin jugosllav, nuk e patën guximin që të prinin në kuvendet e komunave të Kosovës, madje edhe në Preshevë e Bujanoc, të këmbëngulej për kërkesën legjitime, të ngritjes së statusit të Kosovës në status të republikës brenda Federatës Jugosllave.

*

Përkeqësimi i gjendjes ekonomike-sociale në Kosovë si shkak dhe pasojë e shfrytëzimit nga Beogradi, kurdisja e fushatave ndaj akëcilit personalitet kombëtar, fletë arrestet e vazhdueshme politike, qasjet paragjykuese, që nga Akademia e Shkencave e Serbisë deri tek fshatarët e rëndomtë serbë, viktimizimet për etiketime pastaj ndjekjet policore, trumbetimi i urrejtjes në medie, shpifjet sistematike të politikave, të medieve të shkruara e pamore, ngritën diskursin e paragjykimit, që do ta derdhin me mllefin e gjenocidit në dy dekadat vijuese të viteve 1981-1999.

Degradimi dhe zhveshja e Autonomisë së Kosovës të Njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katrës deri në skeletin e saj, pashmangshëm zgjuan inteligjencën e re shqiptare për gjetjen e mënyrës së kryengritjes…

Tashti “ilegalja” jo-lojale ndaj strukturave të shtetit e pushtetit mori rolin jetik: për jetë a vdekje! Gjiri i popullit nxori profilin e ideatorëve të vet. Modeli i këtij profili, Adem Demaçi ishte prangosur me dekada, por fryma e idesë së tij gjallëronte. Ideatorë tjerë të veprimit të idesë së Demaçit do ta shtresojnë strumbullarin kombëtar: Metush Krasniqi, Jusuf Gëralla, Ukshin Hoti, Rexhep Mala, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Ali Lajçi, Bajram Kosumi…

Ndërsa Tahir e Nebih Meha 13 Majin e Sigurimit Jugosllav, do ta shqyejnë me krismat e pushkëve e të gjakut të tyre në Epopenë e Prekazit, pararendës të Epopesë së Jasharajve të UÇK-së.

Në ballë të Demonstratave të Tetëdhjetë e njëshit doli rinia studentore, klasa punëtore,nxënësit dhe minatorët. Lëvizja studentore, të cilën historiani  at-dhetar, akademik Ali Hadri e quajti “Lulja e Kosovës”.

Përmbysja simbolike e tabakut të ushqimit në kuzhinën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, do të jetë gjëma e nismës së një përmbysjeje të paralajmëruar të ngrehinës tiranike. Lëvizja studentore e Universitetit të Prishtinës, do të jetë promotori  i Demonstratave të Pranverës së vitit 1981, tashmë historike, që u zgjerua, duke u shtrirë në tërë Kosovën dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, në Preshevë, në Bujanoc, në Ulqin e gjetiu.

Demonstratat burimin e kishin te gjendja e pakënaqshme e popullatës dhe pozita nënshtruese e shqiptarëve. Përmbajtja e tyre tërësisht paqësore u shtyp, ngase përballja me policinë e Serbisë dhe njësitet e policisë Federale, i shndërruan demonstratat në kryengritje të përgjakshme. Gjithsesi, në këtë kryengritje spikati tipari heroik i të rinjve dhe të rejave tona, duke ua hapur gjokset djaloshare plumbave e  gazit lotsjellës, ujit përvëlues, shkopinjve…

Fyerjet nga qarqet politike, represioni tejet i vrazhdë i policisë, demonstrimet  e qeta i shpien në një kryengritje të pabarabartë gjithë popullore, që gjithsesi tronditi Jugosllavinë edhe Evropën. Mediet botërore kthyen shikimin kah një pikë e ndrydhur që quhej Kosovë. Megjithatë, përqendrimi tjetër i diplomacisë Euro-Amerikane ishin portet e  Polonisë, përkatësisht Lëvizja Sindikale  “Solidarnost”, prirë nga Leh Valensa.

*

Pranverën e përgjakshme të vitit 1981, e karakterizoi përmasa gjithëpërfshirëse, ndaj pikërisht kjo rrethanë ua humbi logjikën e gjakftohtësisë shtetarëve jugosllavë, kryesisht serbëve. Në tubimet e ethshme të partisë shtet, ngjarjet e Tetëdhjetë e njëshit u përkufizuan me togfjalëshat famëkeq, si:“kundërrevolucion”, “separatizëm”, “irredentizëm” e izma tjerë luftënxitës.Ishin të vështira rrethanat për tu përballuar të tëra ato gara të përditshme etiketash fyese e kërcënuese, propaganda e shfrenuar, e cila do ta kishte cakun e vet tejet tragjik, sikur e pati, jo më shumë se dy dekada më vonë, kur  u zbatua gjenocidi, që do ta ndërpresë UÇK-ja dhe Aleanca Veri-Atlantike e Nato-s, në qershor të vitit 1999.

Autoritetet  serbe e kishin humbur fare logjikën dhe etikën njerëzore në mësymjet e tyre; ngase kërkuan, gjykuan, shqiptuan dhe zbatuan masat policore e gjyqësore drakonike, tipike mesjetare. Për prijësit, organizatorët e përkrahësit e Demonstratave u shqiptuan shekuj vitesh burgimi! Qindra-mijëra shqiptarë u pezulluan nga vendet e tyre të punës. Qindra-mijëra tjerë morën rrugët e mërgimit…

Krahas pasojave për shqiptarët, Demonstratat e Tetëdhjetë e njëshit në sytë e botës ia nxorën bojën “idilës jugosllave”, “të mirëqenies e barazisë”, “mes kombeve e kombësive të Jugosllavisë.”

Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetë e njëshit është kthesa epokale e shqiptarëve nën Jugosllavinë e AVNOJ-it.

*

Pas Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e njëshit, statusi etnik i shqiptarëve të  trazuar, tashmë  u trazua skajshmërisht nga politika policore… Marrëdhëniet ndëretnike i helmoi politika shoviniste serbe. Në çdo aspekt të veprimtarisë institucionale e publike, kuadrot shqiptare këqyreshin me sy zhbirues, gjithkah, në çdo kënd vigjilonte syri dhe veshi i dyshimit, i përgjimit, përcjellja nga hafijet si hije, censurohej fjala publike, programet arsimore dhe identiteti, kultura, letërsia, artet… Ndjekja u bë një veprimtari fitimprurëse, lulëzoi gojëtaria e diferencimit, hapeshin dyert për dëbime masive, ndërsa frika e kapjes për prangosje i solli gjumit të natës ankthin e pagjumësisë.

Diferencimi dhe përzgjedhja negative, si dhe pezullimi nga detyrat me peshë publike, do të jetë lëndë e përditshme e trajtesave të gazetarisë denoncuese dhe gjykatave të monizmit partiak në Kosovë, në Serbi, në Jug-Federatë!

Posaçërisht gjuha e diferencimit përçarës, si një ogur i zi, kalëroi në fushën e edukimit e të arsimit shqip. Diferencimi dhe kursi i tij hapnin taborre: pro et contra. Kush përfaqëson, anon, mbështet, simpatizon a mëshirohet për vijën “irredentiste”, “separatiste”, “armiqësore” e këso lloj formulash gërryese dhe, kush është besnik  për zbatimin e direktivave të LKJ-së “fajtomë”?! Në këtë mes nuk lejoheshin qasjet e papërcaktuara.

Përmes këtij procesi totalitar vihej në sprovë karakteri njerëzor, vartësia sociale e kryefamiljarëve e kushtëzuar nga një politikë e panatyrshme. Thika e përçarjes  ishte e mprehtë, mjet i ftohjes mes shokëve e miqve, sepse mëtoi ndarjet, prishjet dhe nënshtrimin, madje ndër-familjarë! Në vorbullën e këtij procesi famëkeq, pati të atillë që u ligështuan, por edhe nga të tillë që “taktizuan”? Akëcilët, ata që visheshin me demagogji, si mburojë e paskëshin zgjedhur heshtjen, ndonëse heshtja atëbotë nuk mund të ishte kapak i agjentë. Heshtakët morën tiparet e kameleonëve.

Më të shumtët arsimues shqiptarë nuk lejuan që t’iu njollosej dinjiteti njerëzor, etik e kombëtar.

Kategoria e dinjitarëve arsimorë do ta përjetojë edhe sprovën tjetër të radhës, dëbimin dhe mbylljen e shkollave shqipe nga okupatori. Por falë vokacionit atdhedashës të tyre, misionin e shenjtë të arsimimit të brezave, do ta vijojnë në gjirin e popullit, në “shtëpitë shkolla”.

*

Ideatorët, prijatarët, bartësit e organizatorët e Tetëdhjetë e njëshit, posaçërisht ata që mbijetuan ferrin burgjeve të okupatorit, por edhe sakrifikuesit që ranë, në sytë e brezave “morën nam me gjak në ballë”, siç shprehej Noli për heroin Bajram Curri.

Tetëdhjetë e njëshi, si kudo në Kosovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Preshevë, Bujanoc, në Kumanovë, në Ulqin e në Gjilan, në Gjermani, Zvicër e Belgjikë, ngriti tiparet e dëshmorëve dhe dinjitarëve tanë, si Rexhep Elmazi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Fahri Fazliu, Afrim Zhitia… Këto figura dhe të tjerë, do të bëheshin modele e shëmbëlltyra të adhuruara, natyrisht në Kosovë, në rrethe të mbyllura, por në qindra e mijëra zemra …

Këto modele joshëse frymëzuan të tjerë personazhe për tu identifikuar me një shpirtgjerësi të atillë, çfarë e patën ata e ia falën idealit të çlirimit e bashkimit… Ata ranë, por nuk duhej të këputeshin hallkat e vijimësisë…

*

Tetëdhjetë e njëshi solli një moral të paparë deri atëherë. Dhe  ajo etikë etnike nuk u shua asnjëherë përkundër masave represive. Ajo etikë e tillë kultivoi shpirtin solidar, ndërsa aktin e flijimit e shpuri në lartësinë e kultit…

Në mesin tonë ka ende qyqarë që mëtojnë ta fshehin oportunizmin e tyre të atëhershëm dhe të tashëm, përmes teorive anarkike të një konspiracioni“ botëror, për  pleksje me faktorët e jashtëm si nxitës të këtyre ngjarjeve, për atë ose sferën  tjetër të dominimit… Në këtë mënyrë, këta “urtarë kameleonë”, ende bien lehtë në grackat e përpunuara të konspiracionit të ortodoksisë ruse-serbe dhe, injorojnë burimin e ngjizjes iluministe të subjektivitetit të inteligjencës sonë çlirimtare!

Të tëra grupimet e kësaj periudhe, me ngjyrime të jashtme: të majta a të djathta, në brendinë e  tyre nuk kishin tjetër çka, përpos zgjidhjes së çështjes shqiptare të pazgjidhur. Prandaj,  këto figura  flijuese do të jenë hallka të forta për t’i lidh brezat e mësymjeve kombëtare: Nacional-Demokratiken me Gjashtëdhjetetetën, Gjashtëdhjetetetën me Tetëdhjetë e njëshin, Tetëdhjetë e njëshin me Nëntëdhjetë e shtatën e UÇK-së dhe UÇK-në me koalicionin Veri-Atlantik të NATO-s.

Gjilan,  e rishkruar më 24 mars 2021

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.